Skica dhe sinopse kulturore
Moikom Zeqo
Po ribotoj për lexuesit e nderuar të DITA tri shkrime të mia, nën rubriken “SKICA DHE SINOPSE KULTURORE”.
Këto tre shkrime janë dëshmi, padyshim.
Më e tmerrshmja është se megjithëse kanë kaluar gati 20 vjet për monumetet, që kam shkruar, për dëmtimet skandaloze ndaj tyre, nuk më rezulton që është bërë diçka.
Piktura shkëmbore e Trenit meriton vëmendjen maksimale të shtetit.
Ajo duhet të jetë një subjekt kryesor në të gjitha guidat.
Asgjë nuk është bërë për kështjellen e Marglliçit dhe as për kishën e Kurjanit.
Por ua lë në vëmendje tani gjykimit të lexuesve.
ZHGARRAVITET KRYEVEPRA E PIKTURËS SHKËMBORE TË TRENIT
Ditën që përkujtova së bashku me të tjerët, 95-vjetorin e lindjes së Odhise Paskalit, m’u afrua dhe më takon qytetari amerikan zoti Sommerud.
Ishte një djalë i ri simpatik dhe tepër serioz.
Takimi me të qe sa i rastësishëm dhe tronditës.
Ai më tregoi i shqetësuar disa fotografi të bëra në sipërfaqen shkëmbore të Trenit, afër Prespës, ku ekziston piktura e kompozuar e madhe e famshme, e njohur si piktura e vjetër shkëmbore e Shqipërisë dhe që paraqet një subjekt të kalorësve të stërlashtë gjuetarë që ndjekin drerët.
Kjo kryevepër e pikturës shkëmbore me skenë gjuetie në Shkëmbin e Spilesë, në fshatin Tren, është menduara si fillimit të periudhës së parë të epokës së hekurit,por une kam botuar studime qe e klasifikoj si te mesjetes se hereshme.
Ajo përfaqëson parafjalën e arteve figurative dhe të traditave të krijimtarisë pamore dhe të shumanshme në Shqipëri.
Por çuditërisht kjo kryevepër, që i bën nder të madh Shqipërisë, dhe që është në të tërë librat e botuar në botë, që i kushtohen pikturave shkembore dhe që u ruajt e paprekur gjatë mijëvjeçarëve, e paasgjësuar dhe e pashkatërruar dot nga elementet atmosferikë.
Kohët e fundit, në mjedisin e këtij momenti të çmendur politik që po përjeton Shqipëria, është dhunuar dhe masakruar nga njerëz të pandërgjegjshëm, të cilët nuk e kuptojnë as vetë se ç’dëm të pallogaritshëm dhe të hatashëm i bëjnë kulturës shqiptare.
Dua të botoj njërën nga fotografitë e qytetarit amerikan, i cili ndonëse ka ardhur nga përtej Atlantikut dhe nuk është shqiptar etnik, siç jemi ne të tjerët, i dhimbset sinqerisht dhe deri në zemër shkatërrimi dhe masakrimi i vlerave kulturore shqiptare.
Të masakrosh figurat shkembore të famshme të Trenit, do të thotë të masakrosh gjenezën e arteve figurative në Shqipëri.
Për më tepër është akoma më e dhimbshme dhe paradoksale fakti se duke shkatërruar këtë pikturë nuk dëmtohet vetëm pasuria kulturore e Shqipërisë, por edhe e Evropës dhe njerëzimit.
Nga literatura që kam shfletuar e di shumë mirë që kompozimi i stërlashtë i pikturës të Trenit është ndër më të rrallët në botë.
Të prishësh imazhin e këtij kompozimi, duke vënë lloj-lloj shënimesh e emrash të kuriozëve të pandërgjegjshëm, që mendojnë në mënyrë kriminale se kanë të drejtë të lënë emrat e tyre pa asnjë vlerë në sfondin e kryeveprës së kulturës, është shumë më tepër se një çmenduri apo skizofreni e zakonshme.
Si dhe herë të tjera, duke publikuar këtë fakt tronditës po bëj përsëri një apel për tërë shqiptarët kudo që janë, që të mos guxojnë më të shkatërrojnë vlerat unikale dhe të pazëvendësueshme të kombit tonë dhe në këtë rast të vetë qytetërimit botëror.
Do ta botoj vetëm fotografinë e një fragmenti të kësaj pikture, por fotografitë e fragmenteve të tjera do të bënin akoma më të lemerishme këtë çështje.
Nuk mund ta kuptoj se si mund të ndodhin këto gjëra.
E kam të vështirë të jap një shpjegim se të gjitha shpjegimet nuk mund të bindin askënd dhe them me bindje se të shkatërrosh kryeveprat e traditës tënde është një kriminalitet i madh, më i egër më barbar se sa kriminaliteti i përditshëm i kronikës së zezë që mbush faqet e shtypit shqiptar.
Situata e çmendur politike ka bërë, që anarkia absolute t’i shkaktojë dëme të mëdha kulturës.
Vetëm dëmtime, vjedhje, djegie që sapo duket sikur kanë marrë fund rishfaqen me një tjetër intensitet.
Vetëm pak ditë më parë u bë shkrumb biblioteka e Tabakëve në Shkodër, që përmbante libra që nga vitet 1700.
Duket kjo ngjarje e tmerrshme për kulturën shqiptare ka dashur të ndjekë djegie pa fund bibliotekash këto vitet e fundit.
Në redaksine e G.SH. mbërriti një tjetër lajm që ka të bëjë me dëme kulturore.
Është folur për vjedhje ikonash e veprash arti, por rasti i fundit ka të bëjë me një vepër arti shkembor dhe që ishte lënë krejtësisht në mëshirë të fatit.
Reçi është emri i personit që e ka zhgarravitur ndjekjen e drerëve nga gjuetarët, por a mund të bëhet me faj ai ndërsa askush nuk e ka vrarë mendjen ta parandalojë.
Ç’bëjnë njerëzit që përgjigjen për kulturën dhe që janë të detyruar ta ruajnë atë?
Ç’bën Ministria e Kulturës,specilistet, restauratoret ?
Ndërkaq ndiejnë keqardhje për kulturën shqiptare njerëz që vijnë nga përtej oqeanit jane te ndergjegjeshem per monumetet e shqiptareve, ndersa vete shqiptaret jane indiferente te frikshem.
Por ata , te huajt, s’mund të bëjnë më shumë se sa ta vënë në dukje dëmin.
Por as këtë alarm kulturor, vetë shqiptarët nuk e kanë bërë më parë.
O Zot jepi shqiptarëve kudo që janë pak mend, ndërgjegje dhe vetëpërmbajtje, jepi shumë më tepër dashuri dhe respekt sepse vetëm kështu mundet që të mësojnë dhe të reflektojnë, për të mos u vetëshkatërruar.(G.SH. 17.12.1998)
BOGDANI PËR HISTORINË, POEZINË DHE PIKTURËN
Shtëpia botuese “At Gjergj Fishta” ka botuar në kolanën “Mendimi shqiptar” librin e studiueses franceze Odette Marquet “Pjetër Bogdani – Letra dhe dokumente”.
Libri është 600 faqe dhe përmbledh dokumente të rëndësishme të shkruar nga Pjetër Bogdani, të marrë nga arkivi i Kongregatës “Propaganda Fide”, si dhe nga arkivat sekrete të Vatikanit.
Ky libër është kryevepra e jetës së Bogdanit, me letrat dhe relacionet e tij të shkruara në latinisht dhe në italisht.
Libri sjell të dhëna gati të pabesueshme, mjaft të pasura për Bogdanin këtë kolos të kulturës shqiptare i cili është edhe një personalitet në rrafsh europian.
Pjetër Bogdani në shkrimet e tij që Odett Marquet i boton të plota shoqëruar dhe me shënime në gjuhën shqipe dhe në frëngjisht.
Libri tregon një ditar të pazakontë të jetës së vet vetjake dhe të historisë politike kishtare dhe kulturore të Shqipërisë në shekullin XVII.
Ky libër tregon për historinë për kryengritjet shqiptare kundër osmanëve dhe për gjendjen shoqërore si pak libra që mund të jenë shkruar ndonjëherë ose që do të shkruhen në të ardhmen.
Ky libër është koleksioni i dëshmisë së pashlyeshme dhe i të dhënave nga më të rëndësishmet për shekullin XVII.
Për shembull: në një letër të Bogdanit në vitin 1651 ai kërkon nga Kongregacioni i Shenjtë t’i jepnin 5 doctrina albanese, pra 5 libra në gjuhën shqipe botuar përpara vetë Bogdanit.
Nga ana tjetër ai flet për vepra që ka shkruar dhe nuk janë botuar.
Në një letër të datës 28 mars 1680, shkruar në Shkup, Bogdani jep të plotë tekstin e një poezie të tij prej 30 vargjesh të shkruar në latinisht.
Kështu koleksionit të poezive të botuara të Bogdanit, i shtohet dhe kjo poezi e pabotuar e cila në përkthimin në gjuhën shqipe do ta ngrinte lart vlerën e Bogdanit si poet.
Dua të shtoj se në disa letra të shkruara në Shkodër në vitin 1665 Pjetër Bogdani kërkon që t’i sjellin nga Roma 2 flamuj kishtarë me pikturat ikonografike të Shën Mërisë dhe të Shën Nikollës për manastirin e Vraninës në liqenin e Shkodrës.
Çuditërisht dhe për fat të mirë në dokumentet dhe korrespondencën me këtë subjekt janë dhe dy grafika që paraqesin figurat e Shën Marisë dhe të Shën Nikollës të flamujve kishtarë që ju dërguan Bogdanit sipas kërkesës së tij.
Si figura e Shën Marisë dhe figura e Shën Kollit janë dhënë jo sipas stilit humanistik rilindës italian, por sipas një stili eklektik gotiko-bizantin, me gjymtyrë të zgjatura dhe arketip ikonografik të parapëlqyer dhe të njohur në Shqipëri dhe në Ballkan.
Ndonëse Bogdani qe një figurë e madhe e klerit katolik në rrafsh europian dhe nga më të mëdhenjtë në Ballkan, ai administron kisha të cilat ende janë në traditën e artit ortodoks bizantin, ose kanë pranuar konceptin e kishës unite të bashkëjetesës dhe të bashkimit të Kishës së Perëndimit me Kishën e Lindjes.(2000 )
SA VLERËSOHEN MONUMENTET E KULTURËS?
Instituti i Arkeologjisë nuk ka bërë gërmimet e nevojshme dhe Instituti i Monumenteve nuk ka bërë restaurimet e duhura në disa prej objekteve arkeologjike-kulturore, që gjenden në zonën e Fierit.
Kështjella e Marglliçit, në zonën e Fierit, ka qenë një prej objekteve të vëzhguara në kuadrin e ekspeditave informative të bëra nga Muzeu Kombëtar.
Ajo është një kështjellë, mbi të cilën ka gurë të mëdhenj të periudhës ilire dhe mbi ta ka fragmente muresh mesjetare.
Nuk është bërë gërmim arkeologjik dhe nuk kemi ndonjë informim të veçantë në kështjellë gjatë gërmimeve të hapjes së tuneleve të dikurshme.
Janë dëmtuar shumë shtresat kulturore dhe e sigurt që janë shumë fragmente qeramika shekujsh.
Muret e kështjellës dokumentojnë për jetën që ka qenë nga antikiteti deri në mesjetë.
Në të gjitha këto fragmente gjeta grykën e një pitosi, që është një enë e madhe e shek. V p.k.
Gjeta një numër të madh tjegullash monumentale, që datojnë në shek. IV p.k.
Këto tjegulla tregojnë për ndërtime të rëndësishme në Marglliç.
Njëkohësisht gjeta një numër amforash helenistike, të cilat kanë qenë përdorur për varka për transportin e verës dhe amfora të periudhës romake dhe disa objekte të fragmentuara qelqi, romake.
Dhe më e çuditshme është se gjeta fragmentin e një ene të madhe ku shtrydhej rrushi, që daton në shek. III p.k.
Sipas meje, me këto objekte mund të ndërtosh një histori të përafërt, që nga shek. V p.k. deri në periudhën e pushtimit romak, ndërkohë që muret mesjetare tregojnë qartë periudhën e mesjetës.
Më vjen keq që ky monument është lënë pas dore.
Kjo zonë është një pikë zotëruese e vogël me stad potencial, ku janë bërë disa ndërtime shtëpish të njerëzve, duke i bllokuar shtresat kulturore-arkeologjike, por, megjithatë, një pjesë e madhe e kështjellës mund të ndërtohet.
Mes pikturave të Nikollës së Onufrit ne kishen e Kurjanit: Nuk kam parë në jetën time ndonjë kishë me objekte antike të murosura, si kisha e Kurjanit.
Ishin gati 10 objekte antike dhe rozeta të skulpturuara.
Këto objekte quhen kesone, pjesë të skulpture dekorative bqe une mendoj se vijnë nga Apollonia, për kishën e Shën Nikollës në fshatin Kurjan.
Kisha ndodhej në një breg mbi një ujësjellës të madh dhe ka një pamje piktoreske.
Gjithë zona përreth është e besimit mysliman dhe kisha është restauruar në vitet ’70 të shek. XX.
Kryesisht nga restaurimi kanë qenë përforcuar fasadat dhe strukturat mbajtëse të kishës.
Në kishë, ku kishte tri dritare dyshe (bifore) të shek. XII me skulptura në miniaturë, ndodhej edhe një dritare me pikturën e Aleksandrit të Madh, të ekspozuar në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë.
Brenda kishës, në dysheme, ndodhej edhe një rozetë me mermer të bardhë dhe një reliev i shekullit VI, me figura pallonjsh.
Kisha është e pikturuar sipas një mbishkrimi të shek. XVI, nga Nikolla, i biri i Onufrit dhe nga një tjetër piktor, i quajtur Johan.
Por, sipas tij, kisha gjithashtu e lënë pas dore, si kështjella e Marglliçit ishte e pareastauruar, e hapur nga agjentet atmosferike dhe nuk ruhej.
Madje, era hynte nga lart edhe brenda afreskeve.
1 Tetor 2004