Jump to content

Skënderbeu i Dritëroit

Nga Wikibooks

Agim Vinca

(Figura e heroit në vargjet e Dritëro Agollit)

Nuk ka poet shqiptar, të vjetër a të ri, klasik a bashkëkohor, të njohur ose më pak të njohur, që nuk ka provuar të shkruajë ndonjë vjershë për Skënderbeun; të flasë në vargje për jetën dhe veprën e tij dhe sidomos për kohën që përfaqëson ai, të cilën poetët tanë të Romantizmit, veçanërisht arbëreshët, e quanin “Moti i Madh”, kurse historiografia jonë e quan me të drejtë “epoka skënderbegiane”.

Për Skënderbeun janë shkruar vjersha, poema, balada, sonete, kurora sonetike, skica, tregime, novela, romane, drama, monodrama, tragjedi, skenarë filmash dhe vepra të tjera letrare artistike (pa harruar as ato në fushën e muzikës dhe të arteve figurative), madje jo vetëm në letërsinë shqipe, por edhe në atë botërore, por objekt i interesimit tonë në këtë rast është trajtimi i figurës së Heroit Kombëtar në letërsinë e sotme shqipe.

Në trajtimin e figurës së Skënderbeut dhe të temës historike në përgjithësi në poezinë shqipe të pas Luftës së Dytë Botërore hasen dy modele kryesore. Modeli i parë është ai i glorifikimit dhe heroizimit të historisë, ku mbizotëron shprehja patetiko-retorike, kurse gjedhes së dytë i përkasin veprat në të cilat historia trajtohet prej pozitash kritike, me ndjeshmëri e shprehje të depatetizuar poetike.

Pa e shkëputur kurrsesi letërsinë e sotme nga tradita e saj, prej Barletit, Beçikemit e Bardhit deri te De Rada, Naimi, Dara i Ri, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Fishta, Skiroi, Konica, Noli e të tjerë, objekt shqyrtimi kritik do të mund të bëheshin krijimet letrare të poetëve Kolë Jakova, Llazar Siliqi, Ernest Koliqi (pjesa e katërt e Symfonisë së Shqypevet, Romë 1970), Ismail Kadare, Fatos Arapi, Bilal Xhaferi, Agim Shehu, Neki Kalaja, Fadil Kraja, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Ali Podrimja, Beqir Musliu, Jakup Ceraja, Bedri Hysa, Sabri Hamiti e të tjerë, në vargjet e të cilëve hasen, ku më pak e ku më shumë, dy modelet e përmendura më lart të trajtimit të historisë: modeli tradicional dhe ai modern, t’i quajmë kështu grosso modo.

Për të gjithë këta kam folur, për dikë më shumë e për dikë më pak, në një studim të para njëzet vjetëve, prandaj, pa dashur ta përsëris veten, këtë herë do të ndalem te një poet që edhe pse nuk është shumë karakteristik për temën historike, në përgjithësi dhe atë të Skënderbeut, në veçanti, ngaqë është marrë më pak se disa nga kolegët e tij me këtë temë, meriton, megjithatë, vëmendjen tonë si studiues të letërsisë.

Fjala është për poetin e shquar bashkëkohor shqiptar Dritëro Agolli (1931-2017). Duke qenë në thelb, ndryshe nga Kadareja, poet i përditshmërisë e jo i historisë, Dritëro Agolli nuk ka shkruar shumë poezi për Skënderbeun, por si poet që e ka mbajtur gjallë gjithmonë zjarrin e atdhedashurisë, as nuk e ka anashkaluar atë.

Në vitin 1956, kur bënte hapat e parë si krijues, shkroi poezinë Zjarret, në të cilën stigmatizohet fenomeni i tradhtisë. Ky stigmatizim konkretizohet artistikisht nëpërmjet figurës së nipit të Skënderbeut, Hamza Kastriotit, i cili braktisi të ungjin dhe u bë me turqit. Konform llojit të saj, të përcaktuar qysh në nëntitull si “baladë”, kjo poezi është e shkruar me distikun elegjiak, që i përgjigjet frymës dhe përmbajtjes së saj. Tabloja është e gjallë dhe epike, por nuk mungojnë në të as elementet baladike. Është natë. Sapo ka ndodhur akti i tradhtisë. Në kampin e fushimit, në pushimin mes betejave, të gjithë ushtarët flenë, përveç prijësit, i cili nuk ka gjumë.“Rreth zjarreve të gjith’ ushtarët flenë,/ veç gjumi s’e ka zënë Skënderbenë./ Në tendë pikëlluar mendjen vret,/ kafshon mustaqen dhe me vete flet:/ ‘Hamza, braktise tokën prindërore/ dhe rrugën e Kainit more!/ Lavdi e famë doje ti, Hamza,/ po nderi yt në fund të detit ra!’”.

Me pelerinën krahëve, “Mbreti” viziton ushtarët që flenë rreth zjarreve, ndalet posaçërisht te një trim i plagosur (kordhëtar) për të cilin kujdesen shokët e tij. Nëpërmjet monologut të brendshëm jepet gjendja psikike e heroit. Ai është i tronditur, por jo i humbur. Luftërat nuk ia kanë tharë shpirtin. Grindet në vete me të nipin, Hamzain, që “për famë e lavdi” braktisi “tokën prindërore”, por e ndien aromën e tokës, rrjedhën e lumit, kuajt që kullosin bar; nuk i hiqet mendsh figura e kordhëtarit të plagosur dhe si rrjedhojë e gjithë këtij përjetimi, vijnë dy vargjet përmbyllëse të vjershës, të cilat i ngjajnë një konkluzioni: “… Kur shkoi në tendë, ashpër mbreti tha: ‘Përpara tyre, ç’ësht’ im nip Hamza?’”.

Kësaj poezie të hershme, poeti do t’i kthehet edhe më vonë, në vitet shtatëdhjetë, kur përvoja e tij krijuese ishte pasuruar dukshëm dhe do t’i bëjë disa ndryshime, por pa e prekur thelbin e poezisë. Ndryshe nga varianti i parë, i viteve ’50, ky variant ka 30 vargje (dy më shumë se i pari) dhe është i ndarë në katër pjesë (nga tri sa kishte varianti i parë). Janë hequr disa vargje (dy distikë) dhe janë shtuar disa të tjera; është bërë edhe ndonjë zhvendosje vargjesh brenda vjershës, por struktura e saj ka mbetur e njëjtë. Është hequr, për shkaqe ideologjike, fjala “mbret” , që në variantin e parë, të vitit 1956, përdorej tri herë në tekst, kurse dy vargjet me të cilat mbyllet vjersha, ku shpërthen zemërimi i poetit (heroit) ndaj tradhtisë, kanë pësuar një ndryshim të vogël: “Dhe ngriti kokën lart e qetë tha: ‘Përpara tij, je baltë, nip Hamza!’”. (Të vihet re kalimi nga veta e tretë në vetën e dytë: “je” dhe nga shumësi në njëjës: “përpara tij”, që e rrit efektin emocional të poezisë). Në distikun e tretë të pjesës së parë, fjala “Kain” e arsenalit biblik është zëvendësuar me fjalën “jezit”, që vjen nga tradita bektashiane (Naimi, Qerbelaja) dhe që në këtë kontekst ka kuptimin: i pabesë, tradhtar.

Siç është e natyrshme në veprat letrare, në vargjet e kësaj poezie kemi një gërshetim të elementit faktografik (tradhtisë së Hamzait si fakt historik) me elementin imagjinar: Prijësi që nuk e zë gjumi për shkak të kësaj tradhtie, del nga tenda dhe viziton ushtarët; takon kordhëtarin e plagosur, i cili edhe në atë gjendje ngrihet në këmbë nga respekti për të dhe si rezultat i gjithë kësaj atmosfere, vjen përmbyllja afektive e vjershës: “Dhe ngriti kokën lart e qetë tha: ‘Përpara tij, je baltë, nip Hamza!” . Kjo është, siç thoshte shkrimtari i romaneve historike, Manconi, “fushë e poezisë”.

Vjersha Zjarret nuk është një poezi e tipit muzeal, grumbull reliktesh historike, por një krijim me mesazh të fuqishëm aktual, që i flet edhe kohës sonë. Ajo është një baladë që komunikon me lexuesin edhe 60 e sa vjet pasi është shkruar (fjala është për versionin e parë, atë të vitit 1956) dhe zgjon emocione të fuqishme. Për ngjashmëritë dhe dallimet mes dy versioneve të saj, do të mund të bëhej një analizë e hollësishme krahasuese, që kërkon hapësirë shumë më të gjerë, si dhe një paraqitje grafike të tekstit poetik.

Figurës së Skënderbeut Agolli do t’i referohet edhe në një vepër tjetër të tij: në poemën Nënë Shqipëri (1975), të shkruar njëzet vjet më vonë. Në këngën e dytë të kësaj vepre, të cilësuar si një “sintezë e fuqishme e rrugës historike të popullit shqiptar në shekuj”, poeti i kushton disa vargje figurës së Heroit Kombëtar, duke u përqendruar te një moment kyç i jetës së tij: kthimi në Krujë. Për të paraqitur kthimin e Skënderbeut në Krujë, një nga momentet kyçe të historisë shqiptare, poeti zgjedh një tip tjetër ligjërimi, që ndryshon nga ai i mëparshmi. Ky ligjërim ndërtohet mbi parimin lirik të evokimit dhe mbi paralelizmin figurativ: nënë-bir. Poeti i drejtohet Nënës Shqipëri me këto fjalë: “Në Krujë kthehej djali yt hipur në kalë të bardhë,/ Vinte ai që emrin Gjergj në djep ia kishe vënë,/ Vinte ai që emrin ia kishin marrë/ Dhe në rërën e shkretëtirave ia kishin përzënë…/ Mbi vithet e kalit të bardhë rëndonte nata e Mesjetës/ Mbi jelet e kalit të bardhë binte mëngjesi i Rilindjes./ Mbi trokun e kalit të bardhë kushtronte zëri i trumpetës…”.

Nëna, biri, djepi, emri Gjergj, kali i bardhë, troku i tij, sajojnë strukturën e tekstit poetik, teksturën e tij. Por, krahas këtyre elementeve leksikore e figurative, në vargjet e mësipërme bie në sy eufonia e vargut, si një vlerë e përhershme e poezisë së Agollit.

Nga vargjet e mësipërme mund të shihet qartë se si e organizon vargun rit¬mikisht ky poet; si e bën zgjedhjen e tingujve dhe fjalëve, të rimave e asonancave dhe me ç’funksion i ngarkon ato. Zgjedhja, radhitja dhe kom¬binimi i mjeteve shprehëse te Dritëro Agolli ngërthen vlerë jo vetëm kuptimore-semantike, por edhe muzikore-melodike. Përsëritjet (jo vetëm të tingujve e fjalëve, por edhe të vargjeve e strofave) paraqesin një rezervë të pashtershme të poezisë së Dritëroit, ashtu siç ndodh edhe te mësuesit e tij Naimi, Mjeda, Noli, Lasgushi e të tjerë. Po qe se vargun e fundit të fragmentit të cituar më sipër (Mbi trokun e kalit të bardhë kushtronte zëri i trumpetës) do ta paraqisnim ndryshe grafikisht, duke i shkruar me ger¬ma të mëdha tingujt që përsëriten dhe që sajojnë efe¬kte tingullore, të cilat sugjero¬jnë imazhin madhështor të hyrjes së kryetrimit në Krujë, atëherë ai do të dukej kështu: “Mbi TROkun e kalit të bardhë/ KushTROnte zëri i TRUmpetës..”.

Përsëritja e tingullit “r” dhe e rrokjeve “tro”, “tru”, japin idenë e lëvizjes, të rrokullisjes, të ndryshimit epokal, të atij ndryshimi të madh historik që shënon kthimi i Skënderbeut në Krujë dhe kundërvënia një çerekshekullore superfuqisë së kohës, Perandorisë Osmane. Kur i lexojmë këto vargje na kujtohen fjalët që poeti dhe eseisti rus Valerij Brjusov ka thënë për poetin belg Emil Verharen se ai, si rrallëkush tjetër, di “të luajë” me asonanca, aliteracione e rima”.

Heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu shfaqet edhe në krijime të tjera të Dritëro Agollit, në kontekste të tjera ideoartistike dhe me mjete të tjera gjuhësore stilistike. Po përmendim dy sosh: poezitë Turkesha (pjesa e dytë) dhe Trëndafilat e turkeshës (Kënga e katërt). Këtu poeti përdor armën e tij të fortë: humorin. Në të parën imagjinon një situatë sikur dashuron një turkeshë të bukur në qytetin Adana, por sakaq kujtohet se po të ndodhte kjo në kohën e Skënderbeut, kur vendi ishte në luftë me turqit, do ta pësonte keq: “S’do mend që kokën Skënderbeu/ Ma kishte prerë si karpuz:/ ‘Tani kur flakë digjet dheu,/ Ti puth turkeshën, mor domuz?’/ Dhe ti mbi trupin tim do bije,/ Do shaje Krisht e Muhamet,/ Me kujdes faqet do t’i çirrje;/ ‘Ah, arnaut, medet, medet!” .

Ndërkaq, në të dytën, Trëndafilat e turkeshës, një nga krijimet më të bukura të poetit të shkruara para viteve ‘90, heroi lirik, me humorin e tij karakteristik, dialogon përsëri me një turkeshë, e cila habitet nga përkatësia e tij politike dhe fetare: “komunist e mysliman”, kurse ai e sfidon turkeshën e bukur me “buzkat si sure Kurani” dhe me “siskat si sedef” me përmendjen e qëndresës shqiptare kundër sulltanëve te muret e Krujës: “Ti në çast nis ligjërimin për sulltanë e për vezirë…/ Hesht, turkeshë, se sulltanët që të dy unë i njoh mirë!/ Që të dy i ulën çallmat: dhe Murati dhe Mehmeti/ Dhe pas mureve të Krujës gjysmëhënë e tyre mbeti”.

Pyetjes se cili është portreti i Skënderbeut në poezinë shqipe dhe ç’përfaqëson ai në vargjet e poetëve tanë, do të mund t’i përgjigjeshim në mënyra të ndryshme.

Thënë në mënyrë përmbledhëse, Skënderbeu është emblemë e krenarisë kombëtare, simbol i qëndresës dhe i luftës për liri, luftëtar dhe strateg, burrë shteti e diplomat; figurë historike, por edhe mit. Mit pozitiv, që frymëzon për vepra të mëdha për popujt dhe njerëzimin. Ai është, sipas Fatos Arapit, pika “ku takohen kohët dhe hapësirat” , ndërsa sipas kolegut të tij kosovar, Din Mehmetit: nyja “ku takohen të gjitha qëndresat” . Për poetin çam Bilal Xhaferi Skënderbeu është “far i një lavdie të pashuar”. Për të gjithë shtyllë e kohezionit shpirtëror të Kombit pa dallim feje, krahine e ideje.

Nuk mund të mos përmendet fakti që Skënderbeu në vargjet e poetëve tanë përfaqëson identitetin evropian të shqiptarëve si komb, përkatësinë e tyre qytetërimit perëndimor, të cilit shqiptarët nën udhëheqjen e tij u bënë digë kundër pushtimit aziatik. Ky koncept artikulohet fuqishëm në krijimtarinë e shkrimtarit më të njohur e më përfaqësues shqiptar të kohës sonë, Ismail Kadaresë, si në poezi ashtu edhe në prozë. Po cili është portreti i Skënderbeut në poezinë e Agollit? Si duket Skënderbeu i Dritëroit? Konform konceptit krijues të këtij autori, që në poezi erdhi, si thotë vetë, nga kënga popullore e jo nga librat, Skënderbeu është njeri i gjallë e jo perëndi. Ai është prijësi popullor, që qëndron pranë popullit, që frymon me të, që u rri pranë bashkëluftëtarëve të tij në çaste të vështira dhe që i vë të gjitha energjitë e tij në shërbim të atdheut. Duke e mbyllur këtë kumtesë me një krahasim, sepse krahasimi është mjet njohës në shkencë, do të mund të thoshim se Skënderbeu i Dritëro Agollit, veçanërisht i poezisë Zjarret dhe i poemës Nënë Shqipëri, është i ngjashëm me Skënderbeun e romanit homonim të Sabri Godos, njërës nga veprat më të plota dhe më të rëndësishme letrare të një autori shqiptar kushtuar figurës së Heroit Kombëtar.


7 Nëntor 2018