Jump to content

Skënderbeu, strateg i madh ushtarak

Nga Wikibooks

Alfred Moisiu

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, i cili i dha emër kombit të arbërit, ka qenë udhëheqësi më i lavdishëm i popullit tonë në periudhën më të vështirë të historisë shqiptare. Si pasardhës të tij jemi krenarë që po përkujtojmë figurën e tij madhështore. Për të është shkruar dhe folur shumë. Sikurse e dimë, për Skënderbeun janë shkruar mbi 1500 libra në gjuhë të ndryshme, të cilat flasin për forcën e tij udhëheqëse, si drejtues shtetëror dhe ushtarak, si dhe për dashurinë e madhe që kishte për atdheun dhe popullin e tij. Ndërkohë në to flitet edhe për kontributin e tij si mbrojtës i civilizimit europian nga hordhitë osmane. Ndaj dhe jo pa qëllim Papa e ka quajtur “Kalorës i Krishtërimit”.

Historiani ynë Kristo Frashëri ka thënë se: “Skënderbeu hyri në skenën e historisë shqiptare dhe europiane në kohën kur Shqipëria dhe Europa patën nevojë për të dhe kur Skënderbeu, me kontributin që dha i justifikoi shpresat e veta”.

Për periudhën afro gjysmë shekullore që vendi ynë ishte i pushtuar, dua të citoj një thënie të Kristo Frashërit:- “Ajo u pushtua në një kohë kur po marshonte me vrap drejt shkrirjes së zotërimeve të shumta feudale vendëse në një shtet të vetëm shqiptar”. Pra, siç shihet në atë kohë të mesjetës ishte pushtimi osman në fund të shekullit të XIV, që pengoi shqiptarët të bënin hapin historik të krijimit të shtetit, sikurse ndodhi me vendet e tjera europiane.

Po kështu dua të përmend dhe vlerësimin e figurës së Skënderbeut nga Gjon Muzaka, që ka qenë një nga bashkëkohësit e tij, ku ndër të tjerat ka thënë:- “Ky i përmenduri zotëri, gjithmonë me virtytet e tij, guximin dhe mbrojtjen që u bënte zotërve të tjerë, u shkaktoi shumë kërdira turqve dhe pati shumë fitore, por ama jo pa vdekje të zotërve dhe kalorësve tanë”.

Po edhe Oliver Shmid thoshte se: “Skënderbeu kishte qenë fisniku i parë ballkanas që i kishte bërë qëndresë të suksesshme një sulmi të sulltanit”. E mandej më pas thotë: “Ndaj dhe lajmi për qëndresën e Krujës ishte e papritura e madhe në Perëndim. Për herë të parë qysh nga katastrofa e Varnës luftëtarët e kryqit kishin arritur përsëri një fitore”. Thëniet vlerësuese për Gjergj Kastriotin janë të shumta, por po e mbyll këtë kapitull të thënieve për Të, me atë të kalorësit anglez John Newport, “që nën udhëheqjen e tij Shqipëria u bë kështjella që mbrojti Europën në kuptimin e qytetërimit europian”.

Ndërkohë duke e parë figurën e Tij si shumë planëshe, mendova të flas për rolin si udhëheqës ushtarak, që ka qenë edhe pjesa më e rëndësishme e aktivitetit të tij. Ti bëje ballë për 25 vite dhe të dilje fitimtar mbi ushtritë osmane të kohës, mendoj se fjala i jashtëzakonshëm, është pak të thuhet. Ai karakterizohej jo vetëm për shpirtin e tij luftarak dhe dëshirën për të mbrojtur lirinë e popullit të vet, por edhe për strategjinë e taktikën e përdorur. Këtu flitet për kohën kur ende nuk kishte shtet, kur kishte një ushtri shumë herë më të vogël e më pak të përgatitur, e cila nuk kishte gjithashtu përvojën e duhur për luftra të mëdha. Ndaj them se studimi i artit luftarak dhe taktikës së Skënderbeut në atë kohë është i nevojshëm edhe për faktin se ka shumë fenomene interesante dhe konkluzione që vlejnë të njihen më mirë edhe nga studiuesit e sotëm ushtarak.

Plus dua të theksoj këtu se jo çdo udhëheqës ushtarak i kohës realizoi atë që Skënderbeu pas 25 vjet luftë dhe sakrifica të pa imagjinueshme, arriti të fitojë lirinë e vendit të vet nga fuqia më e madhe e kohës, Perandoria Osmane. Dhe siç dihet nga faktet historike të kohës që Skënderbeu e gjeti Atdheun e tij në një gjendje të vajtueshme, të dërrmuar psikologjikisht, të shkatërruar ekonomikisht dhe të përçarë politikisht. Luftërat e deriatëhershme kishin bërë punën e tyre, ndërsa Osmanët me shumë përvojë në realizimin e parimit “Përça dhe Sundo” kishin përparuar në qëllimet e tyre. Pikërisht si pasojë e aplikimit mjeshtëror të këtyre parimeve, arritën të realizojnë tradhtitë dhe përçarjet ndërmjet princërve shqiptarë. Ndaj në ato rrethana lindi në mënyrë imperative nevoja e bashkimit politik, ekonomik, ushtarak i vendit për ti dhënë karakteristikat e plota shtetërore. Pra, domosdoshmërisht nga hiri i principatave shqiptare duhej krijuar shteti shqiptar.

Dhe nisur nga këto qëllime, Skënderbeu thirri në Lezhë një takim të princërve shqiptarë, që në histori njihet si Lidhja e Kuvendit të Lezhës. Pra, me këmbënguljen dhe vullnetin maksimal të Gjergj Kastriotit u arrit që Lidhja e Lezhës, brenda pak vjetësh të shndërrohej në një organizëm shtetëror të përqendruar nën udhëheqjen e tij. Kështu ai arriti të krijojë kushtet e domosdoshme për të përballuar situatat e vështira të luftës, duke u bërë faktor i rëndësishëm i fitoreve kundër pushtuesve osmanë. Kjo zgjidhje e përkryer e shndërroi vendin në një njësi të bashkuar që i dha mundësi Skënderbeut të organizonte e të drejtonte veprimet luftarake të përmasave më të mëdha për një çerek shekulli.

Prap dua të citoj këtu Kristo Frashërin që thotë:– “Pas çlirimit të vendit nga zgjedha osmane, me të cilën shqiptarët, ndonëse jo të gjithë, fituan lirinë e humbur-krijimi i shtetit të bashkuar me karakter kombëtar, kjo ishte vepra e dytë e madhe e Skënderbeut”.

Në sajë të përpjekjeve të përbashkëta, dhe udhëheqjes direkte të këtij stratregu të madh ushtarak u arrit në atë kohë marrja e disa masave të rëndësishme në drejtim të krijimit të Forcave të Armatosura. Kështu ai organizoi këmbësorinë, kavalerinë dhe gardën pretoriane. Vështirësitë më të mëdha në organizim ishin, pasi në radhë të parë duhej vendosur sistemi i mobilizimit dhe pastaj me të rekrutuarit duhej organizuar stërvitja intensive për të qenë të gatshëm për tu ndeshur me një ushtri të madhe, me përvojë të gjatë luftarake, sikurse ishte ushtria osmane. Pra stërvitja duhej bërë në kushte sa më të ngjashme me situatat luftarake e shoqëruar me një përgatitje maksimale fizike, që kërkohej në ndeshjet trup me trup, që ishin vendimtare në ato kohëra. Por nuk duhet harruar që vendi ynë në atë kohë kishte një popullsi të reduktuar, pra resurset njerëzore ishin të kufizuara. Ndaj dhe Skënderbeu si një strateg ushtarak, me trimat e tij, me ato mundësi që kishte filloi përforcimin e vetive mbrojtëse të terrenit malor, duke organizuar dhe kryer një pune intensive fortifikuese. Kështu ai pasi i bëri një studim të imët gjendjes faktike të kalave të vendit, kaloi me ritme të larta në riparimin e kalave ekzistuese si dhe ndërtimin e atyre të reja, veçanërisht në kufijtë e atëhershëm të Shqipërisë. Noli kur flet për këtë veti të Skënderbeut, pas rënies në duart e osmanëve të kalasë së Sfetigradit, ndër të tjera thotë: “Për të mbyllur derën e cila ishte e hapur me humbjen e Stefigradit, ai ndërtoi fortesën e Modriçës në një majë të malit Sharr, që zotëronte fushën e Maqedonisë”. Përzgjedhja e vendit për të ndërtuar kalatë e reja kërkonte një studim dhe njohje të mirë të terrenit të teatrit të veprimeve luftarake të kohës, çka Princit tonë nuk i mungonte.

Duke u bazuar në një thënie të Barletit se trimëria e vërtetë nuk bie më në sy, nëse shpata dhe mburoja nuk kanë më vlerë, domethënë se Skënderbeu i vuri edhe më shumë rëndësi çështjeve të fortifikimit të vendit sidomos kur vërejti dëmtimet e mëdha që artileria armike i kishte shkaktuar mureve të Krujës. Kështu ai mori menjëherë masa jo vetëm për të përforcuar muret e kalasë së Krujës, por fillojë të ndërtojë edhe kala të tjera si ajo e Dolit në afërsi të Krujës, kalanë e Rodonit e të tjera ku ai mendonte se ishin të domosdoshme.

Nga eksperienca e përfituar në vitet që jetonte brenda oborrit të osmanëve, fillojë të mendojë edhe për aleancat e mundshme ushtarake, sepse me gjithë sukseset e arritura, nuk do të mundte të përballonte situatat e vështira vetëm me forcat e shqiptarëve, pa kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e fuqive europiane të kohës. Ky për Skënderbeun ishte problemi më i madh që duhet të përballonte. Ndërkohë edhe vet Europa po e shihte Perandorinë Osmane si një rrezik të madh që po i kanosej asaj. Por ama, në mesjetë bashkimi i principatave dhe shteteve të vogla ishte një gjë tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Ndaj domosdoshmërisht strategu ynë duhet të bënte të gjitha përpjekjet e mundshme për t’u përballur me ato pengesa. Sigurisht duke qenë me cilësi të rralla në këtë drejtim, ai manovroi suksesshëm jo vetëm si udhëheqës ushtarak, por edhe si diplomat e politikan.

Duke hulumtuar për Skënderbeun, disa studiues të huaj kërkojnë shkakun e fitoreve jo te aftësitë e tij si prijës, por patjetër përpiqen ta argumentojnë atë me karakterin malor të vendit tonë dhe kështjellat e forta, të cilat do të thoja se janë shpjegime të njëanshme. Është e njohur që në Ballkan kishte edhe vende të tjera me terren malor dhe më të thyer, por nuk dimë që atje të ketë ndodhur ajo që ndodhi në Shqipëri, pavarësisht trimërisë dhe qëndrimit luftarak të tyre. Teoria e artit ushtarak e bën të njohur se pavarësisht nga kohërat, ndërmjet dy elementeve më kryesore të luftimit, që janë njeriu dhe terreni, shkaku kryesor i fitores patjetër janë njerëzit. Atdhedashuria, heroizmi masiv dhe vendosmëria për të përballuar çdo sakrificë, janë forca dhe trimëria e individit në çdo kohë. Duke shfletuar për artin e tij ushtarak kam pikasur se, disa historianë e vlerësojnë Skënderbeun si një mjeshtër të vërtetë të luftës guerrile. Por edhe kjo në arsyetimin tim do të ishte e pamjaftueshme për të shpjeguar ato suksese që ai arriti gjatë 25 viteve të luftës së tij kundër osmanëve.

Dhe konkretisht këtë na sqaron dhe historiani ushtarak, profesor Shahin Leka kur thotë se; “Nëse historianët si Voigt, Jorgu e ndonjë tjetër dhe së fundi historiani zviceran Shmid, që shkruajnë me një tendencë të theksuar, sigurisht që e bëjnë qëllimshëm për të ulur vlerat e Skënderbeut e të veprës se tij, për ta paraqitur thjeshtë si një strateg vetëm të luftës guerile, apo një komandant çetash të malësorëve. Pa mohuar që Skënderbeu ishte dhe një komandant shumë i zoti i luftës guerile, ai ishte njëherazi strateg dhe komandant po kaq i zoti edhe i luftës se rregullt. E ndërkohë analiza e luftërave dhe betejave të zhvilluara tregojnë qartë se Skënderbeu, duke qenë një njohës i thellë i artit ushtarak, kombinoi me mjeshtëri luftën e rregullt me luftën guerile”.

Lufta kundër osmanëve ishte tepër e vështirë në shumë plane. Sasia numerike e ushtrisë, bazuar në mundësitë e popullit shqiptar, ishte një shqetësim i madh për Gjergj Kastriotin. Kështu për të arritur patjetër qëllimet e tij për fitore, Skënderbeu ka zbatuar parimin “burrë për shtëpi” duke hartuar listat e rekrutimit në kompletim të ushtrisë. Ky sistem që aktualisht ka tiparet e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ishte mjaft i përhapur për kohën. Ndaj aplikimi i atij sistemi i dha mundësi për t’u realizuar me sukses mobilizimi i përgjithshëm i popullit për luftë. Për periudhën e mesjetës Skënderbeu qe i pari në Evropë që krijoi ushtrinë e përhershme, duke qenë dy vjet para Karlit të XII të Francës, që në vitin 1445 mundi të organizojë një lloj ushtrie të përhershme. Por këtë ushtri të Skënderbeut, ndoshta dhe me tendencë, Shmidi e vlerëson si një masë të vogël luftëtarësh fshatarë e blegtorë, krejt ndryshe nga ajo çka na dëshmon Fallnagjer se “në krahinën e stërgjyshërve në Mat, u bë regjistrimi në listë i banorëve të aftë për të luftuar”.

Ndërkohë shihej se fitoret e bujshme të arritura brenda një muaji në Drin e Oranik, duke u ndeshur me armiq të fuqishëm në dy fronte, treguan rritjen cilësore të ushtrisë Shqiptare gjatë 5 viteve të jetës së saj.

Kur analizojmë betejën në fushën e Torviollit, si betejë e parë e zhvilluar në qershor të vitit 1444, ku forcat turke me një efektiv prej 25.000 vetësh (këmbësorë e kalorës) dhe ato shqiptare, përballë njëra-tjetrës jo më shumë se 9.000 luftëtarë në fushë të hapur dhe 6.000 të tjerë (kalorës e këmbësorë) shohim se pas luftimesh të ashpra të të dy palëve, në një moment të vështirë, Skënderbeu futi në luftim rezervën e maskuar, të vendosur në fshehtësi në shpinë të rendimit luftarak, veprim i cili përcaktoi fatin e betejës. Pas goditjesh të befasishme e të rrufeshme që dhanë forcat e rezervës, beteja përfundoi me shpartallimin e plotë të ushtrisë turke.

Kjo ishte një betejë e zhvilluar sipas gjithë rregullave të luftës moderne, në përputhje të plotë me standardet e kohës. Rëndësia e kësaj beteje ishte shumë e madhe, jo vetëm si fitore ushtarake lokale, por dhe sepse si rezultat i kësaj fitoreje u rrit së tepërmi morali i ushtrisë së re të Skënderbeut, e ndërkohë populli fitoi një besim të madh tek drejtimi dhe udhëheqja ushtarake e prijësit të tyre. Jehona e krijuar nga kjo fitore e Skënderbeut, u vlerësua shumë edhe ndërkombëtarisht. Fuqitë e mëdha të kohës filluan të drejtojnë vëmendjen ndaj vendit tonë, duke rritur interesimin së tepërmi për këtë udhëheqës ushtarak që arriti të thyente ushtrinë e fortë osmane në kushte absolutisht të pabarabarta.

Ndër të tjera, në kuadër të studimit të artit ushtarak të Skënderbeut, vlen të përmend edhe taktikën dhe strategjinë e tij për mbrojtjen e Krujës. Mbrojtja e Krujës ishte shumë e rëndësishme, jo vetëm si kryeqendra e shtetit të atëhershëm shqiptar, por edhe si një nga kalatë më të fuqishme të teatrit shqiptar të luftimeve. Sytë e shqiptarëve por edhe të Europës ishin përqendruar tek kjo betejë. Koncepti strategjik i Skënderbeut për mbrojtjen e Krujës mbështetej në një luftë të gjerë që do të zhvillohej në tërë thellësinë e territorit. Ideja e tij nuk parashikonte vetëm asgjësimin e armikut në fushë të hapur, por dhe në kufijtë lindorë të vendit. Në këtë betejë Skënderbeu vendosi të lejonte depërtimin e armikut në thellësi të vendit, me qëllim për ta konsumuar gjatë afrimit dhe t’i jepte goditjen vendimtare nën muret e Krujës.

Realizimi me mjeshtëri i kësaj ideje jo vetëm që mundësoi të përballohej një armik që sulmonte me një përpjesëtim forcash mbi tetë herë më të lartë në shkallë strategjike, por njëherazi dëshmoi dhe për nivelin e lartë të artit ushtarak Shqiptar. Prapw këtu shkëlqen sërish gjenia e Skënderbeut. Ushtria shqiptare e komanduar prej tij, duke luftuar kundër një armiku me superioritet të theksuar forcash që arrinte 12:1, u tregua e aftë të thyejë sulmet masive të ushtrisë turke, si kundër Kështjellës së Krujës, ashtu edhe kundër grupimit mësymës që vepronte jashtë kështjellës. Pra, në fazën e fundit të fushatës, u zhvillua me sukses mësymja masive në fushë të hapur, ku spikatën qartë të gjitha kriteret e luftës së rregullt, kurorëzuar me arritjen e fitores.

E shqetësuar nga disfatat, Perandoria Osmane bëri të pamundurën që t’i përgjigjej dinakërisë dhe forcës goditëse të shqiptarëve duke përdorur risitë e saj në zgjidhjet ushtarake. Kundërshtari i tij më i egër Sulltan Mehmeti i II-të, më pas mësoi nga përvoja e tij e hidhur në ndeshjet me ushtrinë e Skënderbeut. Kështu Oliver Shmid në një kumtesë të tij mbajtur në Tiranë më 2006-n thotë se: “Ekonomikisht pasojat për Shqipërinë ishin tepër të rënda: një raport i kohës nga Milano tregon, se korrjet ishin shkatërruar ose konsumuar prej vetë ushtrisë osmane. Mehmeti u detyrua të fillonte tërheqjen e tij, sepse nuk mund të ushqente më ushtrinë. Por ndërkohë sulltani kishte mësuar nga disfata e tij e parë, dhe me qëllim së pari urdhëroi prerjen e pyjeve përgjatë rrugëve kryesore për të penguar sulmet e guerilësve shqiptarë, e së dyti urdhëroi ndërtimin e një kështjelle gjigante në Shqipërinë e Mesme”…. Bëhet fjalë për kështjellën e Elbasanit.

Gjatë kohës që Skënderbeu luftoi dhe u përball me një armik të pabarabartë, krahas arritjeve të susksesshme vlerësohet edhe për risitë që solli në artin ushtarak të kohës. Kështu ai jo vetëm teorikisht por edhe praktikisht tregoi se edhe një ushtri e vogël, me resurse të pakta njerëzore dhe ekonomike është në gjendje të përballet me një kundërshtar të fuqishëm e të arrijë fitore. Kjo kryesisht varet nga motivi për të cilin bëhet lufta. Ai futi risi në fortifikim, jo vetëm përshtatjen e kalave ekzistuese, por edhe duke ndërtuar të reja me një novacion ndryshe për tu përballur më mirë me armatimin dhe taktikën e ushtrisë osmane. Kështu ai organizoi një kavaleri të lehtë, e cila në luftime tregoi se është më rentabël dhe më efikase sesa kavaleria e rëndë që përdorej në atë kohë nga ushtritë europiane të kohës. Si i tillë ai tregoi se në luftë nuk ka receta të përherëshme, sikurse ishin mësuar strategët e mesjetës, por mund të kombinohet fare mirë ndeshja përballë me dredhitë e tjera të stilit gueril. Dua të përmend këtu edhe një formë ndërtimi të pengesave, që në rregulloret e ushtrive të mëdha sot e kësaj dite njihet si termi “gurëhedhësi shqiptar”, e cila është marrë që nga përvoja e asaj kohe. Pra, jo vetëm këto që përmenda në fjalën time por edhe të tjerat që dihen nga të gjithë e rendisin Skëndërbeun një nga gjeneralët dhe strategët më të njohur të kohës, çka dhe i dha atij famën e merituar në shekuj.

Këto ishin disa mendime modeste nga unë për Skënderbeun si strateg ushtarak.


  • Referat i mbajtur në Konferencën Shkencore organizuar me rastin e vitit të Skënderbeut nga Instituti Albanogjik Prishtinë.

Prishtinë, 20 Qershor 2018