Shqiptarët/5
Appearance
- Anton Arnu, një gazetar i shquar frëng, më 19 Dhjetor të vitit të kaluar tha për Shqipërinë: “Me një popullsi më pak se një milion dhe me një sipërfaqe afro 34299 km katror, Shqiqëria është një vend i pazhvilluar dhe populli i pafat i saj është duke vdekur. Kjo rrjedh drejtpërsëdrejti nga sundimi i keq dhe i padrejtë gjatë shekujve. Praktikisht s’ka rrugë e ura e asnjë udhë hekuri, s’ka të holla ose kredit dhe është e rrethuar nga të gjitha anët prej luftash përveç ballit të Greqisë, por edhe këndej është viktimë e intrigave. Përsëri ata meritojnë të jenë më mirë. Ata nuk vodhën Pjetrin për të paguar Palin; ata nuk kanë qenë fallco në punën e tyre. Shqiptarët janë një popull i mirë por mjerisht pa agjentë shtypi”. “Pa agjenta shtypi!” E vërtetë! Si popull i panjohur ka nevojë për agjentë shtypi që historia e Shqiptarëve t’i bëhet e ditur popullit Amerikan, t’i bëhet e ditur edhe se Shqiptarët janë burra dhe gra simpatike, mëshironjës e liridashës, në mënyrë që Amerika t’i japi dorën këtij populli për ta ngritur nga mjerimi në një jetë të rë e të lirë. Bajroni e vizitoi këtë tokë por kaloi për të ndihmuar lirinë greke, ndërsa Gladstone qe mbrojtës i Malit Zi. Emrat e tyre janë të çmuar në jetëshkrimin e shteteve që ata përkrahën. Gjithashtu edhe disa njerëz besnikë Amerikanë mund të punojnë për lirinë e Shqipërisë.
- Bamirësi apo drejtësi
- E kuptoj se mendimi më i parë dhe e para gjë që populli i jonë do të thotë është se “Amerika nuk duhet të zhysi duart në punët e përgjakshme të Europës”. Por në anën tjetër, çdo rast për bamirësi prej nesh është i mirëpritur. Miliona dollarë po kalojnë oqeanin për t’u ardhë në ndihmë viktimave të luftës që vuajnë në Belgjikë, në Rusi, në Serbi dhe në Francë. Sigurisht, mëshira për të shpëtuar edhe popullin e përvujtur Shqiptar do të tërheqi patjetër zemrën e popullit Amerikan. Por nuk është punë e mirë me mëkëmbur këtë popull vetëm për të ngjallë viktima të reja për në frontin e tiranisë, padrejtësisë dhe të varfërisë. Mbi këtë popull ndihma për ta nxjerrë nga varfëria dhe ndihma për t’i siguruar lirinë duhet të shkojnë doradorës. Që Shqipëria është përdorur shumë keq prej Europës s’ka dyshim. Për t’u dhënë fund gjithë padrejtësive mund të përdoret vetëm e drejta. Edhe tani Shqiptarët janë me armë në dorë kundër Italisë e Greqisë që ua kanë pushtuar tokën; dhënia fund e kësaj do të sjellë paqen. Lufta Europiane e ka lënë Shqipërinë pa qeveri e të humbur në mes të shteteve të tjerë. Të formuarit e një vetqeverimi është një premtim për pavarësi të plotë.
- Shqipëria e pavarur
- Në qoftë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin dorën parisë Shqiptare duke i mbledhur së bashku për të zgjedhur nëpunsat e vendit dhe për të vënë përpara një statut, ata do të bëjnë atë që Europa nuk mundi ta bëjë, gjë të cilën medoemos do ta shohë të arësyeshme. Europa nuk duhet të tregohet e pakënaqur për një qeveri që i pelqen popullit vetë. Gjashtë fuqitë Europiane krijuan shtetin e lirë të Shqipërisë, por duke mos qenë të zotët me themeluar një qeveri e lanë këtë vend në dorë të fatit. Megjithëse marrëveshja e Londrës u prish nga lufta, pavarësia Shqiptare nuk mbeti e pa bërë. Nuk ka fuqi tjetër në faqen e tokës që të kërkojë të drejtë mbi këtë vend tani veç popullit Shqiptar. Italia dhe Greqia që kanë shtyrë ushtritë e veta në Shqipëri thonë se e bënë këtë vetëm për të mbrojtur pasurinë dhe jetën e vendasve. Populli i Shteteve te Bashkuara mundet ta ndihmojë këtë popull duke iu siguruar paqen dhe duke larguar anarkinë. Mundet që t’i udhëheqi Shqiptarët me formuar një qeveri të përkohshme edhe deri sa këta të vihen në udhën e drejtë të punës e të përparojnë në vetqeverimin e tyre. Nuk e mohoj faktin se gjithë këto që thashë mund të mos realizohen plotësisht, por çdo hap në nxjerrjen e lirisë së tyre, e sa do i vogël qoftë, nuk është kurrë i kotë. Mundime të tilla doemos do të shoqërohen me përfundime të zyrtarve të lartë të qeverive Europiane. Sër Eduard Grei mund t’i përsërisi fjalët e bukura të Gladstonit dhe të gjithë njerzit nën armë duhet të presin më gëzim një qeveri të rregullt. Në qoftë se me gjithë ndihmat e dhëna bashkimi Shqiptar nuk bëhet, atëhere faji bie mbi Shqiptarët vetë. Ata nuk mund të shpresojnë kurrë më për kushte më të favorshme se këto të sotmet për të fituar lirinë dhe vetqeverimin e tyre.
- Fati i Shqipërisë
- Asnjeri nuk mundet të thotë se Shqiptarët nuk janë të zotët për vetqeverim, sepse asnjë rast prove nuk u qe dhënë për të formuar një qeveri të vetën. Markezi San Xhuliano ka patur të drejtë që ka thanë: “Shqiptarët janë një fuqi e paprovuar për sa i përket vetqeverimit, as prej vehtes e as prej të tjerëve”. Në zakone, në udhëheqje, në karakter ose në mundësi u ngjajne shumë Skocezëve të hershëm; janë pikërisht si ata të papërkulur dhe liridashës, gjëra që karakterizojnë edhe malësorët e Svicrës. Koha më e volitshme që pritet për vendimin e fatit të Shqipërisë do të vijë kur të bëhen traktatet e paqes Europiane. Kur të vijë kjo ditë, pa lejuar ndërhyrje intrigash e shpirtkeqsije, Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë si avokate të një populli të vogël e pa fuqi që me plot të drejtë e arësye kërkon lirinë e vet. Duhet shënuar se Austria, Italia, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia, që të gjitha dëshirojnë me e patur Sliqipërinë; është edhe aq e drejtë se asnjeri prej tyre nuk dëshiron që tjetri të dali fitues. Në këtë gjendje të punëve është shpresa më e madhe e Shqiptarve. Ata janë një popull i veçantë, flasin gjuhën e tyre dhe kanë kufi krejt të shquar nga tjerët si në zakone ashtu edhe nga natyra e tokës. Është larg mendjes që Europa të mundi të ushtrojë paqen duke humbur të drejtat e këtij kombi ose duke e ndarë tokën e tyre. Ngjarjet e kohës së Vidit e pasqyrojnë faktin që pa u siguruar liria e plotë e Shqiptarëve është i pamundur ndalimi i luftës dhe parimi për të ndarë tokën Shqiptare do të hapi një plage të re e të helmatisur në politikën e Ballkanit. Dardanelet do të hapin një problem mjaft të rëndë, zhvillimi i të cilit është i tepërt për fuqitë e mëdha, e për këtë nuk është nevoja ta ngarkojnë vehten edhe me një problem tjetër si ky i Shqiptarëve.
- Të drejtat e një kombi
- Me sa duket, Gjermania dhe Austria nuk e mendojnë më zgjerimin e fuqive të tyre në Shqipëri. Dhe as nuk besohet të kenë ndonjë kundërshtim mbi deklaratat e Sër Eduard Greit që thotë: “Gjithë kombet e Europës të jenë të lirë të formojnë sipas dëshirës vetqeverimin e tyre e t’i prinë vetë përparimit të vet në liri të plotë; ky ideal i jonë përfshin pa përjashtim gjithë kombet e Europës, të vegjël e të mëdhenj”. Kjo deklaratë mëshiron të vërtetën dhe të vetmin parim mbi të cilin mund të bazohet një paqë pak a shumë e gjatë. Kjo përjashton çdo marrëveshje e çdo mendim për të hequr Shqipërinë nga radha e shteteve. Meqenëse fuqitë e mëdha janë detyruar me dhënë pavarësinë Shqiptare si shtet, deklaratat e Sër Eduard Greit janë një garanci për vetqeverimin e tyre. Pra, vetëm një konditë mbetet për t’u mbushur nga Shqiptarët vetë, dhe kjo konditë është nënshkrimi në mes tyre dhe organizimi kombëtar. Në qoftë se Shqipëria është e zonja me dalë para Konferencës së Paqes me prova të sakta se ka zotësi të vetqeveriset, lutjet e saja për liri dhe për të mbledhur gjithë tokat që i përkasin në bazë të së drejtës do të jenë të pranueshme dhe pa vonesë.
- Opinioni popullor i Shteteve të Bashkuara mund t’i kujtojë mundimet e veta për liri dhe mund të bashkohet me ta. Prandaj dera e lirisë është e hapur për Shqiptarët. Unë kisha me thënë se ata e kuptojnë rastin, por meqenëse janë të këputur e të varfër kanë nevojë për ndihmë që ta realizojnë krejtësisht faktin. Sigurisht Amerika nuk mund të gjejë rast më të nderuar bamirësie se sa me ndihmuar dhe me udhëhequr Shqiptarët për të siguruar një paqe kombëtare dhe një rregull të mbrendshëm. Një rast i tillë nuk ka shembull në historinë moderne. Organizatat e paqes mund të shpenzojnë miliona në bamirsira, por kurrë nuk kishin me bërë punën që bëjnë pak mijra duke i përdorur për të ndihmuar këtë popull të varfër, të munduar, të vuajtur e të shpërdoruar, për të formuar një qeveri dhe si komb i organizuar të dali para Konferencës së Paqes e të kërkojë autonominë e vet dhe “vendin e vogël nën rrezet e Diellit”. Është shpresë e madhe se prej këtij konflikti kontinental do të lindi një vllazëri e re në mes të kombeve dhe meqenëse Shqipëria nuk ka autoritet të brendshëm për shkak të atyre që ndezin cmira apo zemërime në konflikte, ajo do të jetë i vetmi shtet që do të kërkojë më tepër vetminë dhe qetësinë pa u perzjerë në ngatërresat e të tjerëve.
- Paqja e Europës
- Simbas opinionit tonë, paqa e Europës do të jetë një zbutje e përgjithshme. Në të tilla raste paraqitja e Shqipërisë si komb i vetqeverisur patjetër do të sigurojë lirinë e saj. Sikurse çdo shtet tjetër i Ballkanit, as Shipëria nuk mund të coptohet e t’u ndahet shteteve fqinjë. Europa që do të bëjë paqen dhe ka krijuar shtetin e pavarur të Shqipërisë nuk mund ta mohojë dhënien e lirisë së plotë në qoftë se Shqipëria e organizuar u del përpara dhe ngul këmbë në të drejtat e veta. Një shtet i formuar në këtë mënyrë nuk do të ishte një kanosje për paqen e Ballkanit; nuk do të mund të kishte flotë që të alarmojë Italinë ose Austrinë në Adriatik. Ngritja e hekurudhave dhe përmirësimi i porteve të saj do të lejonin miqësisht dhe me anë traktatesh tregtare edhe daljen e Serbisë në Mesdhe se sa me shkelje e barbarizma. Shqipëria e pavarur nën zhvillimin e saj ekonomik do të niste një jetë të re duke kthyer shpatat në plugje, rrugët e verbëta në rrugë të gjëra, katundet në qytete të vegjël dhe qytetet e vegjël në qytete me rëndësi. Shqiptarët, përveç të drejtës, mund të kërkojnë edhe ndihmë nga Europa, sepse mbi Europën e krishterë bie përgjegjësia dhe shkaku që ky popull qe bërë skllav e qe varfëruar. E kam thënë që Europa e krishterë në kundërshtim me protestën time shkaktoi që të emigrojnë në qarkun e Vlorës 100’000 katundarë, të cilët tani po zhduken nga uria dhe as vend ku me shtirë kryet nuk kanë; e vetmja çati e tyre është qielli.
- Detyra e krishterë
- Ndaj Shqiptarëve, krishtërizmi Europian dhe mohamedanizmi shkaktojnë si njëri ashtu dhe tjetri varfërinë dhe robërinë. Krishtërimi që në Shtetet e Bashkuara jep liri të plotë, vetqeverim, lumturi e mbi të gjitha dashurinë, do të japi një shembull vllazërimi dhe bashkimi në mes të Shqiptarëve. Kundër gjithë shpifjeve që i janë ngarkuar këtij populli me fjalën e ngurtë “barbar”, unë vej këto fjalë të zotit Erikson, i misionit Amerikan, i cili është dhënë mbas Shqiptarëve, ka punuar dhe ka vuajtur me ta: “Nuk ka popull më shpirtmirë e më të sjellshëm në Europe sesa Shqiptarët. Ata si elementë fuqie, burrnie dhe kuraje mblidhen me më të madhen besnikëri dhe japin jetën për fjalën e dhënë”. Shqiptarët njohin Mohamedin dhe Krishtin si profetë, por më kot u luten si për njërin ashtu edhe për tjetrin. Në emër të kujt t’i bëjnë tanimë lutjet për lirinë e tyre? Unë kam një besim të qëndrueshëm se kur shtetet kundërshtonjës të lirisë Shqiptare do të jenë duke heqë frymën e fundit, të përgjakur e të shkatëruar dhe grindjet e konfliktet të kenë marrë fund, vetëm atëhere do të arrijnë në veshët e tyre thirrjet dhe lutjet e Shqiptarëve për lirinë e vet. Shpresat Europiane tani përqëndrohen për një paqe duke u bazuar më shumë mbi drejtesi se mbi forcë në një vllazërim dhe bashkëpunim të përgjithshëm. Një paqe e tillë do të dijë dhe do të pranojë se çdo racë e çdo besim ka të drejtë me ekzistuar dhe se kufijtë e kombeve do të vendosen si është e drejta dhe ku gjejnë më pak kundërshtime.
- Detyra e Amerikës
- Unë kam në ndërgjegjen time të drejtat dhe lutjet e këtij populli sepse më ra mua shorti të flas e të them për ta të vetmen fjalë shprese, prej një burimi politik, e cila duhet të ishte thënë shekuj më parë. Për këtë arsye dhe më tepër pse unë jam Amerikan, shumica e kryesisë Shqiptarë më shikojnë me një farë mirëbesimi. Edhe tani e ushqejnë shpresën se unë do t’u jap zemër dhe bashkëpunim në mundimet e tyre për liri. Unë vetëm mund të bëj shumë pak për ta, por kam besim të plotë se shtypi Amerikan do të vejë gjithë fuqinë e tij për të ndihmuar formimin e vetqeverimit Shqiptar. Është një qëllim i shenjtë ky, e prandaj Amerika do ta bëjë medoemos.
- Rasti i Amerikës
- Pres këshilla dhe ndihma prej të gjithë miqve liridashës. Sigurimi i pavarësisë Shqiptare mund të jetë edhe një sherbim i madh për bashkimin Ballkanik dhe për paqen Europiane. Ndihma e Shteteve të Bashkuara mundet, ose patjetër që shkakton lulëzimin e kësaj shkretie të bërë nga duar njerëzish, edhe të japi fruta shumë të mira. Kur parmenda e drujtë të zhduket dhe vendin e saj ta zejë plugu i çeliktë, atëhere toka pjellore e Shqipërisë mund të kthehet nga kullotë e padobishme në ara gruri e drithi, pyjet do të nxjerrin miliona nën një përdorim të mirë, fuqitë e ujrave mund të shfrytëzohen, shtretërit e miniereve mund të hapen, kënetat të thahen e të mbillen, pemishte të mëdha të krijohen, fara të përmirësohet dhe e gjithe bujqësia dhe industria e vendit me metoda shumë të lehta mund të shtohet. Princi Odeskalki i Austrisë thotë se delet e Astrakanit mund të zëvëndësojnë racën e mjeruar të deleve Shqiptare dhe t’i sigurojnë katundarit një të ardhur të mirë. Me një qeveri të mirë, portet dhe lumenjt do të thellohen e do të përmiresohen, do të bëhen rrugë dhe hekurudha, do të bëhen të holla të vendit e do të krijohet kredidhënia dhe shërbimet e postave do të bëhen të qëndrueshme. Pjesët e mëdha të tokave qeveritare do t’u ndahen me vëmendje bujqëve, të cilat nën një administrim të mirë do t’i sigurojnë qeverisë një të ardhur të madhe. Do të ngrihen edhe shkolla dhe do të përgatiten mësues që të zhvillojnë mendjen e të rinjve. Kam folur me mësues në Vlorë të cilët ma kanë treguar shumë të madhe zgjuarsinë e djalit Shqiptar. Në pak vjet kjo lloj pune do t’i ndërrojë kushtet e këqia të sotme. Arkeologëtët e rinj do ta lartësojnë mburrjen e Shqiptarëve për heroizmin e të parëve të tyre dhe do t’i japin shkencës jo më pak se ata të Shlimanit (1822-1890); biles kjo pasuri e pafund në lashtësi është akoma e virgjër.
- Shpëtimi i një kombi
- Shumë Shqiptarë të Amerikës më premtojnë se janë gati me u kthyer në Atdheun e tyre posa të jepet një farë lirie në Shqipëri. Këta, të bashkuar me disa Amerikanë të vërtetë, do të rikrijonin një tokë të begatë dhe në vendin e tiranisë e të mizorisë së ndryshkur prej shekujsh do të mbillnin farën e lirisë. Doja të thoja se nuk ka rast më të mirë me bërë mirësi në asnjë vend të botës se sa në Shqipëri. Jo, nuk ka rast ma të mirë bamirësie se me vu në vijë vetqeverimin Shqiptar dhe me hap dyert e qytetërimit mbi ta, tëcilat magjia e politikë Europiane i ka mbajtur mbyllur. “Jo bamirësi, por drejtësi” është thirrja e Shqiptarëve. Po si? Këto thirrje të bien në vesh të shurdhët?
- Shpirtërimet për liri
- E dij se ka burra e gra që do të ndjenin një kënaqësi të madhe duke shikuar këtë popull të mjeruar të kthehet në lirinë e bekuar të të parëve të vet, të cilën natyra e ka përgatitur për ta por njerëz shpirtligj e kanë penguar. Ka burra në Shtetet e Bashkuara që janë gati me i pre rrënjët e tiranisë kudo që të duken; në Shqipëri, a nuk jane këto fare në shesh? Ka shumë gra që me pasuritë e tyre të mëdha kërkojnë të bëjnë bamirësira për shpirtin e tyre. Sa gëzim të madh do të ndjenin këto duke parë një popull që do ngrihej nga fundi i tiranisë drejt lirisë së tij! Ato pastaj do ta kuptojnë vetë bamirsinë e tyre në jeten e rë të një populli të përvujtur dhe sigurisht do të radhiten në fletët e lirisë së këtij kombi. Përmbi retë e zeza të imperializmit dhe të militarizmit Europian, rrezet e shkëlqyera të demokracisë Amerikane duhet t’i ndriçojnë rrugën njerëzve për një jetë më të mirë dhe për idealin pa fund: “Paqë mbi tokë, vullnet të mirë njerëzve”. Këto mund të shkëlqejnë tani mbi Shqipërinë e përvujtur që po kërkon lumturinë e saj me anën e lirisë, se nuk është fajtore për ndonjë ofendim veçse për mbrojtjen e saj. Nuk ka mundim më të mirë se mundimi për të nxjerrë lirinë e një kombi. Me ndihmuar një njeri është një bamirësi; me liruar një popull nga zgjedha është një bamirësi e pavdekshme.
< 4 |
faqe - 5 - |
Ballina |