Jump to content

Shqipja e sotme dhe lokal-patriotizmi

Nga Wikibooks

Prof. Qemal Murati

Si e perceptojnë shqiptarët gjuhën e tyre letrare ose standarde sot, sa i bashkon kjo gjuhë dhe sa i ndan, sa janë shqipfolësit robër të sentimenteve krahinariste në gjuhë, sa punojnë ata për këtë gjuhë, a kanë strategji për mbrojtjen e gjuhës, sa janë nacionalistë dhe sa janë indiferentë në gjuhë, – këto dhe çështje të tjera linguistike përbëjnë korpusin a thelbin e problematikave që duhet t’i preokupojnë gjuhë­tarët dhe jo vetëm ata kur flasin për zhvillimet në gjuhë.

Rilindësit tanë, këtu e një shekull më parë, e bënë gjuhën ko­mbëtare e shtetin kombëtar shqiptar, duke kaluar nga idetë parciale në idetë nacionale. Kurse sot po na ndodh një dukuri e përkundërt: prirjet për rikthimin në gjuhën e bajraqeve. E kjo po ndodh për shkak të mungesës së nacionalizmit tek shqiptarët dhe të përfshfaqjes së bajraktarizmave.

Mendimtari i hollë Arbën Xhaferi, kur e binte puna të fliste për mungesën e nacionalizmit, thoshte:

“Mungesa e nacionalizmit te popujt krijon një dëshpërim nga krenaria e tyre, nga identiteti i tyre, pastaj vijnë forma të tjera të asimilimit dhe në fund dorëzimi. Mendoj se ne jemi në një fazë të defetizmit kolektiv. Unë këtë fenomen e analizoj sa mundem për një kohë të gjatë dhe me këtë rast do të përdor një nocion nga linguistika. Ekziston transferi i realitetit nga idetë e mëdha kombëtare në ide parciale. Pra, ekziston mundësia që trans­ferohet realiteti nga kombi në struktura të tjera fetare, krahinore apo të tjera, ekziston mbartja e realitetit nga kultura në subkulturë, ekziston transferi i realitetit nga gjuha standarde në gjuhën dialektore, ekzistojnë forma të ndryshme të mbartjes, pra të besnikërisë nga çështje më të vogla që prishin kohezionin e brendshëm të popullit shqiptar.” (Rudina Xhunga, 12 porositë e Arbën Xhaferit, Dudaj, Tiranë, 2012).

Përpjekjet për standardizimin e gjuhës shqipe në këta 100 vjetët e fundit kanë ecur nëpër disa etapa të rëndësishme vendimtare për të arritur stadin më të lartë të formësimit të saj dhe si një pe i kuq kanë përshkuar gjithë shekullin e njëzetë. Të kujtojmë këtu ngjarje a veprimtari të tilla, si Kongresi i Alfabetit të Manastirit (1908), Komisia Letrare në Shkodër (1917), Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968), Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Ngjarje të tilla nuk ishin gand e të rastit, por kanë qenë veprimtari të mirorganizuara nga kolosët tanë pararendës të mendimit e të veprimit, falë vetëdijes së tyre të lartë përnjësuese kombëtare, punës dhe sakrificës së tyre të pa­reshtur, që shquanin gjithmonë të tërën përpara parciales. Kjo mendësi largpamëse e atyre veprimtarëve në gjuhë nuk kishte se si të mos jepte frytin e saj të pjekur: një komb shqiptar dhe një shqipe të përbashkët për të gjithë shqiptarët.

Ndërkaq, ndryshe nga shekulli i 20-të, në mijëvjeçarin e ri ku kemi hyrë, mendësitë tona për shqipen e përbashkët duket të jenë rrëgjuese e, po kështu, dhe strategjitë për mbrojtjen e gjuhës të jenë munguese. Shqiptarët tani shfaqen më pak nacionalistë në gjuhë, e për rrjedhojë edhe në kulturë dhe në ruajtjen e trashëgimisë së tyre kombë­tare. Polarizimi në gjuhë po merr përmasa shqetësuese, ku gjithsecilit gjuha e mëhallës a e krahinës të tij i duket më e mirë në komunikimin publik. Shqipfolësit tanë nuk bëjnë përpjekje aspak për ta përvetësuar dhe për ta folur shqipen standarde, sidomos nga të zonave të gegërishtes veriore e verilindore, dhe ankohen se shqipja standarde nuk mund të ngjizë atje, për shkak se me strukturat e saj na qenka shumë larg këtyre idiomave krahinore, e prandaj u dashkan rikthyer në format dialektore. Kjo bëhet vetëm sa për të arsyetuar nihilizmin e kodit drejtshkrimor mbarëkombëtar, për risentimente krahinoriste dhe për të ushqyer përtacinë e tyre për përvetësimin e shqipes standarde. Këtu ka një paradoks: shqipen standarde, në Kosovë, e flasin në dialekt studentë, pedagogë universitarë, akademikë, deputetë, ministra, kurse arrijnë ta flasin korrekt ministra të komunitetit serb dhe të huajt përgjithësisht. Deri edhe kinezët. Edhe në Maqedoni, ministrat e deputetët shqiptarë më mirë e flasin maqedonishten sesa shqipen e tyre, që e kanë gjuhë amtare. Ekzaltohemi me gjuhën shqipe të “Mesharit” të Buzukut (1555), me sjelljen e kopjes origjinale nga Biblioteka e Vatikanit në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, në pragpavarësinë e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, por i biem moh shqipes së sotme standarde!

Bajraktarizmi e krahinarizmi në gjuhë, që po lulëzojnë këto kohët e fundit në përmasa groteske edhe në punë gjuhësie, kur me çështjen e shqipes standarde kujtojnë se mund të merren të gjithë, të japin “mendime të larta” në të djathtë e në të majtë, do të ishte më mirë t’ia linin vendin përvetësimit dhe përdorimit korrekt të kësaj gjuhe që kemi, si shenjë edhe e qytetërimit modern, sesa mediokriteteve të tilla të krahinorizmave dialektalë që nuk i zë kalemi. “Në format e ligjërimit publik apo letrar kemi krijime të fjalëve të reja, të prej­ardhura, devijim klase, shqipërim të fjalëve të huaja. Ky potencial fjalësh duhet faktuar në fjalorët shqiptarë për t’u përdorur për shumicën. Njeriut nuk mund t’i imponohesh se çfarë fjalësh të përdorë, por atij i duhet dhënë një bazë, ku ai të zgjedhë. Dhe kjo punë i takon gjuhëtarit. Madje, do të ishte më e udhës që gjuhëtarët tanë më tepër sesa të merreshin me çështjet si u krijua standardi i gjuhës shqipe, pse ky dialekt dhe jo ai, të merren me fjalëformimet e reja.” (Shezai Rro­kaj).

Gjithnjë me mendësinë e lokalpatriotizmit linguistik, duke bara­zuar krijimin e shtetit të ri të Kosovës me krijimin e gjuhës shtetërore, janë shfaqur dhe prirje për krijimin e një kosovarishteje letrare, paçka se, siç janë shprehur dhe gjuhëtarë të huaj, kjo do të ishte fitorja e fundit e Millosheviçit në Kosovë. Linguisti i njohur Ivan Klajn pohon se “nuk ka patriotizëm në gjuhë”, e aq më pak duhet të ketë lokalpa­triotizëm linguistik. Për ta ilustruar këtë, merr si shembull atë se “nuk ekziston gjuha austriake dhe austriakët nuk e kanë problem të thonë se flasin gjuhën gjermane”, e po kështu dhe shteti i madh amerikan nuk ka një amerikanishte, por flet anglisht.

Çfarë do t’u sillte prekja e gjuhës shqiptarëve? – Si fillim, do të sillte dëme shumë të mëdha. Me këtë gjuhë standarde siç është sot, shkruajmë 40 vjet tashmë. Me pak fjalë, kjo do të thotë të përmbysen të gjitha, në një mënyrë, ato vlera letrare, shkencore, publicistike etj. që janë krijuar bashkë me gjuhën. Kurrkush nuk pengon askënd të flasë edhe në të folmen e vet dialektet, kurrkush nuk pengon askënd të shkruajë vepra letrare edhe në dialekt, por gjuha standarde është gjuha e administratës shtetërore, është gjuha e mjeteve të informimit, është gjuha e arsimit, është gjuha e diplomacisë, është gjuha e partive poli­tike, është gjuha e institucioneve shtetërore. Këtu nuk duhet të preket gjuha dhe them se të gjitha këto përpjekje për ndryshimin, të mos them për rrënimin, e gjuhës standarde, të një arriture më të madhe kulturore në historinë e popullit shqiptar, nuk kanë ardhmëri, do të dështojnë, – thotë prof. Rexhep Qosja, – edhe me të drejtë.

Të jemi shërbëtorë të nënës së madhe gjuha shqipe

Gjuha shqipe deri në shek. XX e ruajti popullin shqiptar nga zhbërja e asimilimi, kurse në këtë shekull e bëri komb të qytetëruar. Në përsiatjet e tij për shqipen, gjuhëtari njohur Xhevat Lloshi thotë: “Të jemi shërbëtorë të nënës së madhe gjuha shqipe. Shqipja standarde është një fakt absolut i kombit shqiptar. Të gjitha të tjerat janë pa­llavra.” E për pastërtinë e gjuhës shqipe, kur kohët e fundit kjo gjuhë ka marrë e po mbulohet egërsisht nga elementi i huaj, jo vetëm ai leksikor, por dhe intonacionor e sintaksor, arbëreshi Marko La Piana jepte këtë porosi: “Në qoftë se për gjuhët e tjera pastërtia e gjuhës është një çështje e rëndësishme, për gjuhën shqipe ajo është një çështje etnike.”

Dua të nënvizoj këtu që, në rrafshin linguistik, shqiptarët në gjuhë nuk janë shovinistë, nuk e urrejnë gjuhën e tjetrit, e kjo është shumë pozitive. Por as nuk e çmojnë sa duhet gjuhën e tyre – e kjo është tejet negative. Hamendësimet e tilla që gëlojnë sot në mendjet e disa shqipfolësve se cilën shqipe të përdorim: letraren, dialektoren, apo një gjuhë të hibridizuar as letrare e as dialekt? – përbëjnë një defetizëm të llojit të vet. Të jemi paksa më nacionalistë apo kombëtaristë në gjuhë, ta duam dhe të punojmë për shqipen tonë standarde, kjo nuk i bën keq vetes sonë, sa të tjerëve.

Thënia kuptimplote e Gëtes: “Gjuha i prodhon njerëzit më shumë sesa njerëzit e prodhojnë atë”, ka vlerë të përhershme e universale. Në këtë kuptim, gjuha shqipe është ajo që na prodhon ne. Gjuha ka nevojë për të gjithë ne, por më shumë ne kemi nevojë për gjuhën. Mungesa e madhe e kulturës sonë gjuhësore nuk e dëmton vetë shqipen standarde, por i dëmton folësit e saj shqiptarë. Shqipja standarde është një gur i rëndë që peshon në vendin e vet. Po e lëvizëm këtë gur, për hir të nive­leve subkulturore, kjo gjuhë do të thërrmohej. Respekti ndaj shqipes letrare duhet të fillojë në familje, në çerdhe, në shkollë, në universitet, në mediet, në institucionet shtetërore e publike. Në këtë aspekt, ne nuk duhet të shpikim diçka të re, por duhet të ndjekim vetëm shembullin e të tjerëve se si punojnë ata për gjuhën e tyre kombëtare. “Njeriu është njeri vetëm përmes gjuhës; dhe vetëm përmes gjuhës njeriu është një njeri”. Edhe shqiptari është shqiptar vetëm përmes gjuhës. Gjuha shqipe është karta e identitetit biometrik real e shqiptarëve, e homo albanicus, të tjerat janë virtuale.

Prandaj, të flasim dhe të shkruajmë sa më bukur në shqipen standarde, sepse nuk ka më turp sesa të bësh gabime në gjuhën tënde. Kjo nuk është thjesht vetëm një çështje emocionale, por është dhe një çështje jetike: “të jesh a të mos jesh shqiptar”. Siç thotë një filolog grek Theo­dho­ropulo: “Gjuha nuk është vetëm mjeti me të cilin shprehet një popull, por është edhe mjeti i mbrojtjes së jetës së tij, pasi me të ndër­gjegjësohet për ekzistencën dhe shpirtin e tij…, pra sa më e fuqishme të jetë gjuha, aq më i begatë është shpirti që banon brenda saj dhe aq më e madhe është siguria e jetës së popullit që e flet.”

Gjuha shqipe sulmohet shumë nga të gjitha anët dhe mbrohet shumë pak nga ne

Gjuha shqipe sulmohet shumë nga të gjitha anët dhe mbrohet shumë pak nga ne, sikur ta kishin shqipfolësit këtë gjuhë-thjeshtër e jo gjuhë të tyre amtare. Ajo sot ndodhet përballë kërcënimesh jogjuhësore që i vijnë nga të gjitha anët. Gjuhëtarë e jogjuhëtarë, diletantë e trabantë, analfabetë e gjysmanalfabetë edhe 40 vjet pas kodifikimit të shqipes standarde me flamurin e tyre krahinarist përpiqen të ngrenë gardhe, kopshte e kafaze të reja krahinore në përdorimin e shqipes standarde duke promovuar secili dialektin e vet.

Në Greqinë e vjetër quanin grek jo vetëm atë që i takonte farefisnisë së njëjtë, por përgjithësisht edhe një njeri të kulturuar. Njeriun e paditur e quanin barbar. Edhe tek ne, po ta ushqejmë qytetërimin gjuhësor, shqiptar do të mund të quanim atë që e flet bukur gjuhën shqipe, kurse shqipshkelësin do të mund ta quanim barbar.

Shqipja standarde është diçka shumë e rëndësishme për t’ua lënë në dorë vetëm diletantëve, amatorëve gjuhësorë, krahinarëve, mohimtarëve, shkresurinarëve, gjysmëshkollarëve e gjysmëgjuhëtarëve që e reduktojnë thelbin e gjuhës me alternativën e llojit “a je apo s’je për infinitivin gegë?”

Shqipja e folur dhe ajo e shkruar në shumë botime tonat kinse shkencore, në medie e në administratë, është e zvetënuar, është pa lëng, pa shprehësi, e thatë, pa gjak, artificiale, deri dhe e pakuptueshme. Kjo shqipe jo shqip është si gjella pa kripë apo sikur mjaltit t’i hidhet pelin.

Është thënë me të drejtë edhe nga të tjerë: kur gjuha nuk respektohet për shkak të mosnjohjes së normës gramatikore – kjo quhet padituri. Por kur norma letrare a standarde nuk respektohet nga padituria e qëllimshme me mëtime retrograde – kjo quhet dhunë.

Nëse popujt e tjerë kanë arsye ta mbrojnë gjuhën e tyre një herë, shqiptarët kanë arsye ta mbrojnë gjuhën shqipe 7 herë, sepse nuk kanë tjetër pasuri më të madhe e më të veçantë të tyre sesa këtë thesar.

Ata që duan ta bëjnë shqipen standarde “sallatë ruse”, “sallatë shope”, “sallatë greke”, “sallatë serbe”, “sallatë maqedonase”, “sallatë çobani”, “sallatë Afganistani”, që kërkojnë një standard të ri verior-kosovar, po përpiqen të realizojnë objektiva të tjera jofilologjike e ta çnatyrojnë këtë gjuhë, por këtë nuk kanë për ta arritur kurrë. Gjuha standarde, vërtet, nuk mund t’u lihet në dorë diletantëve e dhunëtarëve.

Shqipfolësit tanë më me ëndje parapëlqejnë të flasin një shqipe të shprishur “evropiane” sesa një shqipe me fjalë të brumit vetjak, pa e ditur se ne evropianë jemi prej shekujsh e mijëvjeçarësh dhe nuk mund të bëhemi evropianë me të huajën. Të huazojmë fjalë të huaja për të cilat vërtet kemi nevojë, por jo ta trazojmë shqipen deri në atë masë sa të mos kuptohet.

Një nga problemet më thelbësore të shqipes së sotme është çështja e neologjizmave, mënyra se si duhen adaptuar në shqip fjalët e reja nga anglishtja, çështja e krijimit të artificializmave dhe e përdorimit të fjalëve pa bukë, çështja e sintaksës se a do ta shprehim një mendim me një fjali apo me tri fjali, e jo çështjet e zgjidhura se a do të shkruhet kalë me ë apo kal pa ë, a do të themi qurra apo qyrra.