Jump to content

Shoqëria post komuniste në skanerin e shkrimtarit Ligor Shyti

Nga Wikibooks

Nga Kujtim Mateli

Pas tre romaneve të suksesshëm dhe një sërë veprash të tjera që tëhoqën vëmendjen e kritikës letrare dhe admirimin e lexuesve të shumtë në trojet shqiptare, Ligor Shyti vjen para lexuesit me romanin e tij të fundit “Ishte Eliana”. Romani përshkrohet nga ngjarje dhe ndodhi të shumta të pas viteve 1990, në një territor të gjerë që i përket Shqipërisë jugore dhe të shteteve që lidhen me jetën politike dhe ekonomike të kësaj treve. Romani është ndërtuar mbi përjetimet e personazhit kryesor të kësaj vepre, të z. Dimash dhe të disa nggjarjeve që kishin ndodhur në atë periudhë, të cilën shqiptarët e përkufizuan si periudha e tranzicionit.

Në kushtetet e reja të ndryshimeve politike dhe ekonomike, një grusht njerëzish kapërcyen çdo rregull dhe ligj, madje u ngjitën në hierarkinë më të lartë të shtetit dhe pushtetit. Një shoqëri që nuk zbaton ligjet e veta, është një shoqëri e shthurur, ku mbretëron dhuna dhe kaosi. Një gjendje e tillë solli reagimin e shoqërisë, por njerëz të tillë mbeten të fortë deri vonë në saje të pushtetit politik dhe ekonomik që zotëronin. Rruga e drejtë në këtë përballje është forca e shoqërisë, e një shoqërie të bashkuar që kërkon të organizohet mbi parime dhe norma demokratike. Po në këtë përbashkim forcash ka dhe përjashtime, njerëz që mendojnë se do ta vendosin ata vetë drejtësinë në mënyrë individuale. Kjo kategori njerëzsh bëhet po aq e rrezikshme për shoqërisë sa dhe ata që kanë uzurpruar shtetin dhe pushtetin.

Dimash përfaqëson këtë kategori njerëzish të revoltuar. Duke vepruar në fshehtësi dhe i vetëm, kryen krime që janë të dënueshme nga shoqëria. Njerëz të kësaj kategorie nuk janë pjellë e imagjinatës së krijuesit. Ata janë realitet në një shoqëri të caktuar. Shkrimtari ka ndërtuar një vepër artistike mbi këtë realitet. Këtu qëndron dhe forca e kësaj vepre. Z. Dimash përfaqëson më së miri këtë kategori njerëzish. Ai është skalitur me mjeshtëri si karakter duke i dhënë publikut një vepër të denjë për t`u lexuar. Si mbartës i një periudhe të caktuar historike siç ishte ajo e Shqipërisë e pas viteve 1990, romani e shpalos këtë realitet artistikisht. Shpalosja e këtij realiteti bëhet në zyrat e hetuesisë ku z. Dimash detaj pas detaji dhe ngjarje pas ngjarje na jep mendësinë e kohës në të cilën jetuan personazhet e kësaj vepre. Z. Dimash kishte punuar me përkushtim dhe puna e tij kishte vlerësime pozitive në qytetin dhe shkollën ku punonte. Tani po akuzohej si vrasës dhe kjo ishte e papranueshme për opinionin publik. Ishte një akuzë që po i bëhej pa fakte apo z. Dimash ishte vërtet një vrasës?

Në roman vend të veçantë ka gjetur dhe funksionimi i partive politike në vendin tonë në periudhën e tranzicionit, pra të pas viteve 1990. Në krye qëndron Kapoja. Ky emërtim të kujton organizimin pa parime, aq më tepër të parimeve demokratike që udhëheqin një forcë politike. Partitë politike u ndërtuan në sistemin piramidë, ku Njëshi apo Kapoja qëndron në majë të kësaj piramide. Të gjithë të tjerët rrotull tij vihen në shërbim të Kapos, me sytë nga maja e piramidës. Madje dhe vizitat në vendet fqinje janë larg të qenit vizita shtetërore. Ishte koha e klonimit të piramidave politike. Ishte koha e klonimit të Kapove. I vetmi ndryshim ishte pozicioni i kundërt në mënyrë mekanike. Nëse njëra palë propozonte për ditë të Çlirimit datën 28 Nëntor, tjetra propozonte datën 29. Në këtë model të kundërtash kërkonin që të ngriheshin dhe organizmat e tjera jo politike. Në këtë ndarje mekanike secili kishte si synim të bënte të pasur klanin e vet. Ky mentalitet u shtri në çdo pjesë të zinxhirit të strukturës të qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, në çdo hallkë të strukturës gjyqësore. Me një fjalë: kudo ku qytetari shqiptar do të drejtohej për të zgjidhur një problem.

Në këtë mjedis veprojnë dhe personazhet e romanit “Ishte Eliana”. Kishin ndodhur ngjarje që më parë kishin qenë të pazakonshme. Në realitetin e atyre viteve të pas 1990 dhe në hapësirën ku veprojnë personazhet e këtij romani, kishin ndodhur dhjetëra vrasje dhe, pas ngjarjeve të vitit 1997, numri i tyre ishte shumëfishuar. Autori nga moria e motiveve të këtyre vrasjeve, përzgjedh ato që kanë të bëjnë me raportet e krijuara midis individëve dhe administratës shtetërore. Ishte vrarë znj. Anidë, punonjëse e Agjencisë së Sigurimeve, ishte vrarë Drejtori i Shërbimit Rrugor të Gjirokastrës, ishte vrarë znj. Ambrozin, punonjësja e vizave në konsullatën Italiane, në Vlorë.

Romani trajton marrëdhëniet e shtetit me qytetarët, marrëdhënie që kërkojnë të përmirësohen, të kapërcehet ndarja qytetar-shtetar që konsiston tek shërbimi abuziv që institucionet shtetërore kryejnë ndaj qytetarëve të tyre. Ky hendek i thellë midis administratës shetërore dhe qytetarëve shpaloset nëpërmjet personazhit kryesor, z. Dimash në procesin hetimor, ngritur ndaj tij, i cili ishte indinjuar thellë kur kishte parë që ai vetë, me disa shokë të tij, nuk mund të merrte një vizë në konsullatën italiane në Vlorë për të shkuar disa ditë në një veprimtari artistike që do të zhvillohej në Itali me ftesë të z. Jovan. Kthimi i vizës u bë me argumentimin qesharak se fotografia e z. Jovan nuk ishte e rregullt, edhe pse z. Jovan ishte i pranishëm. Viza nuk u pranua as herën e dytë kur punonjësja e Konsullatës Italiane lëshoi ca fjalë jo të pëlqyeshme edhe për vetë z. Jovan, mbase për faktin se ftonte qytetarë që sipas saj nuk ia vlenin të vizitonin vendin e saj. Pas disa herë të përsëritjes së kërkesës për vizë, vjen përgjigjia përfundimtare e refuzimit të vizave. Përballë kësaj gjendjeje z. Dimash shpërthen në revoltë. Hetuesia kishte bërë lidhjen midis revotës së z. Dimash dhe vrasjes së punonjëses së Konsullatës Italiane znj. Ambrozin, duke e akuzuar për vrasje. Z. Dimash në gazetën “Lajmet e mëngjesit” kishte rrethuar me laps një artikull që bënte fjalë për trajtimin që u bënte shteti invalidëve. Ky rrethim shërbente si provë për vrasjen e Drejtorit të Shërbimit rrugor të Gjirokastrës, dy muaj më parë. Po z. Dimash këtë e kishte bërë se ishte përballur me një realitet të hidhur, që kjo drejtori u bënte kategorisë së invalidëve duke i sorrollatur edhe me vite për një firmë. Z. Dimash akuzohej gjithashtu edhe për vrasjen e punonjëses së Agjensisë së Sigurimeve, të znj. Anidë.

Në roman janë vënë përballë dy karaktere krejt të ndryshëm. Nga njëra anë është ai i z. Dimash dhe nga ana tjetër i znj. Anidë. Të dy përfaqësojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë. Z. Dimash, një intelektual i ngritur deri në rrafshin e një pjesëmarrësi aktiv në veprimtaritë letrare që zhvilloheshin brenda vendit, por dhe jashtë tij, vihet përballë me realitete që e bëjnë atë t`u kundërvihet me reagimet e tij në publik. I mohohet viza për të marrë pjesë në një veprimtari letrare që zhvillohej në Itali, megjithëse e kishte të gjithë dokumentacionin sipas kërkesave të një vize, por ndesh në qëndrimin brutal dhe mohues të punonjëses së kësaj konsullate. Në jetën shoqërore është aktiv dhe lufton kundër një administrate shtetërore që kishte vënë si objekt të saj pasurimin në mënyrë të paligjshme. Dhe ai lufton kundër sjelljeve dhe pasurimit të padrejtë të doganierëve, të pushtetarëve, të biznesmenëve, të policëve, madje dhe të vetë kryetarëve të partive që e bënë vendin tonë të ndihej inferior para vendeve të tjera.

Nga ana tjetër është theksuar si karakter i veçantë ai i znj. Anidë, një punonjëse e Sigurimeve Shoqërore, një përfaqësuese tipike e adminitratës shtetërore të pas viteve 1990, ku zgjidhja e problemeve që individët kishin me administratën nuk bëhej në kohën e duhur dhe me korrektësinë e një punonjëseje të administratës shtetërore. Për të treguar se ky degradim nuk ishte i një individi, autori ka sjellë në roman një sërë personazhesh të tjerë, madje dhe të individualizuar, që japin fytyrën e vërtetë të asaj administrate si: Drejtori i Rrugëve të Gjirokastrës, punonjësja e konsullatës italiane në Vlorë, Kapoja, kryetari i një partie politike, madje është shtrirë deri në institucionet fetare siç është rasti i një prifti lidhur me zhvarrimet e të vdekurve në fshatin Kozimos.

Po nëse ndodhemi para një administrate të kalbur, autori na sjellë individë si Eliana që nuk korruptohet dhe vepron si pjesa më vitale e administratës. Ajo ka një sjellje korrekte sipas ligjit me qytetarët e vendit të vet duke bërë që lëmshi i ngatërruar i vrasjeve të përshkruara në roman të marrin zgjidhje. Ky karakter i fortë dhe i pakorruptuar, i ka dhënë dhe emrin e vetë këtij romani.

Romani sjellë tablo të fuqishme të një përjetimi filozofik për kohën në të cilën jetojmë. Realiteti jetësor i trishtë i pas viteve 1990, bënë që indivi të ndihet i tjetërsuar në momentin kur shkonte në zyrat e shtetit me bakshishe si në kohën e Sulltanit për të zgjidhur problemet. Ky fenomen e bënte Shqipërinë një vend të largët me Europën demokratike dhe e përafronte me shekujt e kaluar të pushtimit Osman. Këta persona bënë që vendi ynë të dukej pa shtet, pa ligje, madje të cënonin dhe vetë identitetin e kombit tonë. Në roman, të dy personazhët kryesorë: Dimashi dhe Anida takohen në një moment të vështirë për të dy. Do të kthehej ky takim në një çast intim apo do të ndodhte diçka tjetër. Në mënyrë simbolike ky takim përfundon me vrasjen e Anidës. Është vrasja e një administrate të korruptuar që nuk mund të jetonte më gjatë. Është vrasja e një mentaliteti mesjetar që problemet nuk zgjidhen pa paguar gjykatësit dhe punonjësit e korruptuar.

Romani “Ishte Eliana” është një arritje në letërsinë shqipe. Personazhi kryesor nuk është heroi që duhet të merret si shembull, por ai sjellë revoltën e shoqërisë që nuk duhet të rrijë duarkryq përpara fenomeneve negative. Kur koka politike e një shoqërie nuk është e mirë orientuar drejt proceseve demokratike, detyrimisht do të lërë gjurmë dhe do të sjellë pasoja dhe në shoqëri. Romani paraqet dukurinë e përplasjes midis shoqërisë dhe politikës së korruptuar që është e pushtuar nga ethet e pasurimit të paligjshëm. Në këtë përballje, shoqëria shqiptare e detyroi politikën të korrigjohet dhe të orientohet drejt proceseve demokratike evropiane. Roli i artit në demokratizimin e shoqërisë dhe të strukturave të saj organizuese duket dhe në këtë roman të fundit, “Ishte Eliana”, të shkrimtarit Ligor Shyti.


16 tetor 2018