Shkëmbimi i territoreve

Nga Wikibooks

Nga Rexhep Qosja

Kjo çështje nxiti shumë paraqitje individuale e partiake në Kosovë por edhe në Shqipëri. Dhe këto paraqitje sollën disa koncepte, nocione dhe togëfjalësh politikë. Koncept kryesor i këtyre diskutimeve u bë togfjalëshi “Ndarja e Kosovës”.

Prej diskutimeve rreth këtyre koncepteve, nocioneve e togëfjalëshve shihet se disa prej autorëve nuk i kuptojnë, kurse disa të tjerë i keqkuptojnë mund të jetë qëllimisht ato. Mund të them se ata që kanë përdorur konceptin e shkëmbimit të territoreve dhe ata qe kanë përdorur konceptin e korrigjimit të kufirit mes Kosovës e Serbisë nuk kanë menduar në asnjë mënyrë, dhe kurrë, për ndarje të Kosovës. Shkëmbimi i territoreve dhe korrigjimi i kufirit nuk nënkuptojnë ndarje të Kosovës. Shkëmbimi i territoreve dhe korrigjimi i kufirit nënkuptojnë lëvizje, në të vërtetë ndryshim të kufijve në skaje të Kosovës, në skajin verior të Kosovës.

Për çdo kënd që mendon racionalisht, me të dhëna, me argumente, me të vërteta e të drejta në mendje, togëfjalëshi ndarje e Kosovës do të thotë Ndarje e Kosovës, që do të bëhej me një kufi, cilido të shtrihej nëpër Kosovën e kufijve që ka ajo sot.

Të përsëris: shkëmbimi i territoreve dhe korrigjimi i kufirit nënkuptojnë ndryshim vetëm të kufirit të skajshëm verior të Kosovës e jo Ndarje të Kosovës.

Pse atëherë ata që ju vardisën mosegzistueses, ata akuzues për Ndarje të Kosovës po i akuzojnë për Ndarje ata që këtë kërkesë në asnjë mënyrë nuk e bënë?

Mund të jenë disa arsye për këtë. E para, mosdija. E dyta, inatet, që shpesh përcaktojnë përmbajtjen e mendimeve të disave prej atyre akuzuesve dhe, e treta, ndoshta kryesorja, përpjekja për të pastruar jetëshkrimin e vet politik në të kaluarën e tyre të derivonshme.

Them kështu për shkak se ndër këta akuzues që akuzuan disa ish-prijës politikë e ushtarakë të UÇK-së, që më në fund i sollën lirinë dhe pavarësinë Kosovës natyrisht në saje të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian; ndër këta akuzues që akuzuan kryeministrin e sotëm të Shqipërisë, Edi Ramën, i cili është politikani i vetëm në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë e Serbisë dhe Shqipërisë e Greqisë që Serbisë e Greqisë ua tha të vërtetat më të rënda që nuk ua kishte thënë as një politikan shqiptar në Tiranë apo në Prishtinë deri sot, nuk është e çuditshme se ndër këta akuzues, që akuzën e tyre e bazuan në Ndarje të Kosovës, pra, pati të tillë që Kosovën e ka quajtur territor të bineqve, domethënë territor gjysma e të cilit i takon Serbisë e gjysma tjetër i takon Kosovës dhe ashtu e mohonte çdo mundësi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Për këtë arsye kundër tij shqiptarët në Evropë bënin protesta duke e quajtur tradhëtar kombëtar.

Ndër këta akuzues pati të tillë që si pjesëmarrës në pushtetin e Kosovës në kohën e dhunës e terrorit të regjimit të Millosheviçit në Kosovë morën pjesë në urdhërdhëniet për shuarjen e demonstratave të rinisë shqiptare të Kosovës me ç’rast u vranë dhjetëra të rinj.

Ndër këta akuzues pati të tillë që në kohën e dhunës e terrorit të regjimit të Millosheviçit i shërbyen Sigurimit Shtetëror të atij regjimi me informacionet më akuzuese, në të vërtetë armiqësore ndaj UÇK-së dhe luftës çlirimtare në Kosovë në përgjithësi.

Ndër këta akuzues pati të tillë që si prijës partiakë në vitet e ’90-ta dhe si gazetarë e publicistë në atë kohë e mohuan çdo mundësi jo vetëm për pavarësinë, por edhe për ngritjen e statusit të Kosovës në Republikë në kuadrin e Federatës apo Konfederatës Jugosllave.

Ndër këta akuzues pati të tillë që morën pjesë në hartimin e programeve të partive të tyre, që u regjistruan në ministrinë përkatëse të Beogradit dhe që mohonin çdo rezistencë aktive dhe që ardhmërinë e Kosovës e shihnin në lidhje shtetërore me Jugosllavinë e mbetur e kjo domethënë më në fund me Serbinë.

Ndër këta akuzues që u ngritën kundër idesë së ndarjes së Kosovës të cilën nuk e kërkuan të akuzuarit u ngritën edhe një intelektual dhe një intelektuale në Tiranë, por u ngritën me një gjuhë të butë e të ngatërruar me të cilën, megjithatë, thanë çka atyre, për shkak se janë njohës të jashtëzakonshëm të marrëdhënieve shqiptaro-Serbe, nuk u kishte hije që ta thoshin.

Për të gjitha këto arsye pjesëmarrjen e këtyre akuzuesve në diskutimet që po bëhen për bisedimet e ardhshme të quajtura përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, sipas mendimeve të mija, nuk do marrë seriozisht. Në asnjë mënyrë unë këtyre akuzuesve nuk ua mohoj të drejtën që të ndërrojnë mendimet e tyre të dikurshme, të cilat cështë e vërteta i kanë ndërruar pas çlirimit të Kosovës prej pushtimit të Serbisë, por ua mohoj të drejtën që të akuzojnë të tjerët në vend se vetëveten e dikurshëm.

Seriozisht do marrë, ndërkaq, këshillimet e dy të parëve zyrtarë të sotëm të Kosovës me disa analfabetë, në mënyrë të veçantë këshillimet me analfabetin e parë, të kryekorruptuar, të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, të cilin me gishtin e tyre tregues e bënë kryetar të asaj Akademie partiake e private me qëllim që të mund ta përdorin atë Akademi siç e përdorën më në fund në bisedimet për një marrëveshje ndërshtetërore cënuese për Kosovën tashmë te miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Seriozisht do marrë këtë çështje: çështjen e delegacionit shqiptar që po merr pjesë dhe që do të marrë pjesë në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Kosova ka historianë, ka juristë, ka gjeografë, ka antropologë, ka politikanë, ka intelektualë, me përgatitje të ndryshme historike e të përtashme për të gjitha problemet e çështjet që mund të ngritën në ato bisedime. Por në grupet që deri tani biseduan në Vjenë e në Bruksel e që po bisedojnë edhe tani në Bruksel për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë pothuajse mbizotërojnë diletantët. Prej tyre jo pse nuk do të donin, por pse nuk dinë, nuk mund të pritet ndonjë e mirë për Kosovën.

Ata që po programojnë bisedimet me Serbinë dhe ata që morën pjesë në diskutimet për shkëmbim të territoreve dhe korrigjim të kufirit do të duhej ta dinë një gjë: faktorët ndërkombëtarë zakonisht në bisedimet mes dy palëve nuk lejojnë që njërës palë t’i jepet çdo gjë e palës tjetër asgjë.

Ata që po i programojnë bisedimet me Serbinë dhe ata që morën pjesë në diskutimet për shkëmbim të territoreve do të duhej të përpiqen e të mësojnë se shkëmbime të territoreve, madje, në disa raste edhe të pjesëve të popullatës në mes dy shteteve janë bërë gjatë historisë. Dhe janë bërë madje dhe jo shumë larg në kohë edhe në Ballkanin Juglindor.

Ata që po merren me çka u tha më sipër do të duhej që më në fund të dinë se faktorët e mëdhenj ndërkombëtarë zakonisht nuk i kundërshtojnë pajtimet mes dy shteteve e dy popujve qoftë edhe kur me to preken disa parime të përgjithshme që ato politikisht i mbrojnë.

Ata qe po merren më çka u tha më sipër, në mënyrë te vecantë ata që po predikojnë retorikën e korrigjimit të kufirit, domethënë të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, do të duhej të dinë se faktorët ndërkombëtarë nuk do t’u pranojnë të drejtën e vetëvendosjes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe t’u mohojnë të drejtën e vetëvendosjes serbëve të Veriut të Kosovës.

Le të thuhet në fund, prandaj, se ata që janë kundër shkëmbimit të territorit mes Luginës së Preshevës duke përfshirë Preshevën, Bujanocin e Medvegjen dhe Veriut të skajshëm të Kosovës, te Mitrovica, deshtën apo s’deshtën po ia dhurojnë Serbisë edhe njërën edhe tjetrën: Luginën e Preshevës si pjesë të Serbisë, kurse Veriun e Kosovës si autonomi substanciale (si pavarësi) në të cilën pushtetarët e Kosovës, si edhe tani, do t’i përkulen monumentit të madh të Knjaz Llazarit.


7 Gusht 2018