Shënime të Përkthyesit mbi kapitullin e I
- (A)Panonija (gjerm. Panonnien, fr. Pannonie, it. Pannonia). Trevë e moçme e Evropës, qi përfshinte Hungarín, Slavonín, Hërvatín e Sërbín e soçme.
- (B) Korqyra (Korkyra). Qerfosi (Korfusi) i sodshëm.
- (C) Justinjani. Âsht fjala për Justinjanin I, perëndorin e Lindjes, qi sundoi nga 527 deri në 565. Aja-Sofij'e Stambollit u ndërtue prej tij.
- (D) Shën Mrij'e Pojanit.
- (E) Mathematik , astronom e gjeograf i përmêndun, Klaud Ptolemeu leu e rroi në të II.qv. mbas Krishti n'Aleksandrí t' Egjyptit.
- (F) Mbi dy emnat e farës s'onë, mbi mâ të vjetrin sidhe mâ të riun, po shfaqim edhe na këtu nji mendim; e në lidhje me emnin mâ të lashtin, po paraqesim nji theorí t'onën, pak si të ndryshme nga ç'âsht thânë deri sod, edhe mbi origjinën e popullit shqiptar. Na pra besojmë, bashkë me të tjerët para nesh, se trajta mâ e vjetra dhe e vërteta e emnit të këtij populli, qi në mesjetë u shtri prej Shqipnís së Mesme në të tânë vêndin, ka qênë Arbân: ashtu siç ka vijue deri në ditt t'ona ke Arbânae Tiranës, ke Arbëri i Jugës, ke Arbëreshi i Greko-Shqiptarvet dhe i Italo-Shqiptarevet e deri ke Arbneshi i Borgericjotvet pranë Zarës së Dalmatís; madje ke Raban e Arbanas' i Sërbvet dhe Arvanit 'i Grekvet, ky i fundit me ndërrrim normal të -s me -v-n e greqishtes së re. Dy shkaqe kanë ndihmue me e këmbye rrânjën arb- me alb - ke gjuhët e Okqidentit: prestigji mâ i madh i së dytës, të përhapun nëpër shumë emna vêndesh qyshë moti ndër treva të ndryshme t'Evropës, pra , për me folë me terminologjí gjuhsore, analogjija âsht shkaku i parë; dhe i dyti âsht lehtësij' e ndërrimit shoq me shoq të dy tingujvet rrjedhakë l e r. Po për Arbân âsht edhe dijetar'i ynë i shquem Sami Frashëri te artikulli Arbanija i Enqiklopedís së tij në gjuhën tyrqishte për emnat historikë e gjeografikë, i cili shton: "Për sa i përket etymologjís së këtij emni, ky rrjedh prej fjalvet arë dhe bân. Pra Arbân don me thânë punues arash, bulk. Sepse âsht nji gjâ krejt e vërtetë qi bulqsín e kanë sjellë n'Evropë mâ së pari Arjanët e ardhun nga Asij'e mesme e qi Shqiptarët janë nji ndër popujt mâ të moçmit të ksaj race. Madje Max Mülleri, qi âsht nji prej dijetarvet të gjuhsís footnote'[4]e ka provue se fjala ar, ager e arg ka të njâjtin kuptim edhe në gjuhë tjera arjane të vjetra dhe se emni Arja ka rrjedhun shi prej asaj e shumic' e emnave të popujvet arjanë janë të përbâmë me këtë fjalë."
Kjo thesë, për në qoftë e drejtë siç e besojmë na, çel nji rrugë shumë interesante qi na qet në përfundime me mâ të madhen rândsi. Prej ksaj these del se emni Arbân qênka shum'i vjetër, vëlla me shumë emna tjerë popujsh të hershëm arjanë a indoevropianë, si p.sh Armen (ar+men). Por mb'anë tjetër, Arbanët deri sod janë quejtun si nji fis ilir, pra nji degë e atij trungu. Dhe besohet se Ilirët, para se t'u dajshin ndër fise, ishin tânë nji popull i vetëm, me kët' emën e vllazën me Thrakët. E kështu,emni Arbân na del mâ i ri se Iliri e prandej jo fort i përshtatshëm thesës së Müllerit, të përkrahun prej Frashërit. A thue s'âsht Arbân nji emën parailir, ndoshta emn'i përbashkët i Thrako-Ilirvet në fillim të mërgatës së tyne, ase mâ para, me nji fjalë i mâ të vjetrit popull indevropjan qi ka shkelë në Balkan? Prej tij, po thomi se u danë dy degë e muerën emnat Thrakë e Ilirë, tue lânë mbë nj'anë nëse njikohsisht a mâ herët ase mâ vonë, n'atdheun e vjetër ase në të riun, u danë prej të njâjtit trung edhe degë tjera e cilat: Maqedonët e Epirotët, b.f. mund të kenë qênë mû prej atyne degve, e sa tjerë qi kompetentat s'janë marrë vesht ende për me i lidhun me ndonji trung të posaçëm posë atij të përgjithshmit, arjanit. Por fjalën këtu e kemi ke Arbanët, e këta neve na duket se duhet t'i pranojmë, jo si bij t'Ilirvet, siç janë quejtun deri sod përgjithsisht prej albanologvet, por vllazën me ta e me Thrakët, dalë prej nji trungu të përbashkët, me emnin mâ të vjetrin, qi kanë ruejtun e mbanë edhe sod. Kjo theori, jo veç qi i përshtatet thesës së Max Müllerit, për sa i përket vjetërsís s'emnit, e ndërpretimit të Sami Frashërit, por ndoshta zgidh edhe nji problemë gjuhsore të mbetun ende pezull: gjuha shqipe ka mbrênda, në rrânjët e vjetra qi i kanë teprue, elementa ilirë dhe thrakë. Para shumë vjeç, në 1938, kemi pasë përfundue në nji artikull mbi origjinën e populit shqiptar, të botuem në Përpjekjen Shqiptare të Zit Branko Merxhani qi dilte në Tiranë, se gjuh'e jonë ishte e drejtë të quhej thrako-ilire ase thrake e ilirizueme apo anasjelltas. Por tash po na han mêndja se mund t'a quejmë mâ logjikisht popullin arbân vëlla me të dy ata dhe gjuhën e tij motër me t'atyne, krejt nj'ashtu, b.f., sikur sod Gegë, Toskë, Labër e çamër me djalektet e tyne. Ndokush mund të pyesë me të drejtë: si bâhet qi ky fis, i cili paska mâ të moçmin emën të gjithë fisevet indevropjane të gjysishullit balkanik të njij familjeje, mun at'emën qi dikur ndoshta e paskan bartun të gjithë së bashku, si bâhet qi ky emën të zbulohet mâ i mbrapmi ndër të gjithë tjerët e prej nji Greku aqë të largë si Ptolemeu i Aleksandrís, ndërsa nuk e gjêjmë as te Straboni, qi ka jetue nji shekull mâ parë se ai, as te Herodoti e ke Thuqydidi e auktorë tjerë grekë ase romakë para së dytës qindvjetë të herës kristjane? Ksaj kundrarsyje, qi pa dyshim do t'ishte mjaft e fortë, na besojmë se mund t'i përgjigjemi kështu: fisi arbân ka qenë nji popull bulk e blegtorak paqsuer, i butë, nji fis "barbar" qi s'u ka ramë mbë qafë Grekvet fqînj t'Epidamnit e t'Apolonís (Durrës e Pojan), qi ishin të vetmet koloní greke me të cilat përpiqej. Ka qênë zotnue prej fisesh ilire qi kishin për mjeshtrí vetëm a gati vetëm rritjen e gjâs së gjallë e armët për pré e për luftë. Prandej Grekë e Romakë i kanë quejtun edhe Arbanët me emnat e zotnuesve të tyne, herë me emnin e përgjithshëm t'Ilirvet e herë me atê të nji fisi të tyne, Taulant a tjetër. Edhe sod, çdo popull i sunduem prej nji tjetri, politikisht a gjeografikisht shkrihet në këtê dhe emn'i i tij e i vêndit të tij zhduket prej faqeve të historís e të gjeografís, sidomos kur s'ka qênë shque mâ parë me veprime qi t'a bâjshin të njohun jashta kufijve të vet e s'ka pasun nji qênmení politike mbë vete. Shêmbuj të këtillë, kënduesi do të gjêjë vetë plot, në çdo epokë të historís . Kjo thesë e jonë nuk don me pasun mâ tepër se vlerën e nji hypothese qi u parashtrojmë albanologvet për studim e gjykim, nuk pretendojmë se kemi zbulue nji të vërtetë të sigurtë, por besojmë se kemi hjedhun në shesht nji idé të re qi meriton kujdesin e kompetentavet mâ t'aftë se na për t'i dalë në shkânj [5]. §§§ Shumë hypothesa janë paraqitun deri tash edhe mbi emnin e ri të popullit t'onë, dmth. mbi emnin qi përdorim na vetë në vênd t'onë: Shqiptar. Edhe për këtê, na kemi nji mendim t'onin.  shkrue se ky emën vjen prej nji familjeje qi ka rrue aty kah fund'i mesjetës në krahinën e Shkodrës e qi quhej Skapuder. Kush ishte, ç'ishte kjo familje qi i paska dhânë emnin e vet krejt nji populli? As vetë Auktori, qi paraqet këtë hypothesë, Šufflay, s'ka dijtun me na thânë kurrgjâ mâ tepër për tê se emnin, kështu thatë. Vjen pra vetvetiu pyetja: me ç'farë force magjike, me çfarë mrekullije paska mujtun nji familje e panjohun, ndoshta thjesht nji katundar i përvûlë i shkretë, i cili ka pasun vetëm fatin me i u shkrue emni në 1416 në kadastrën e Venedikut qi sundonte aso kohe Shkodrën me rrethet e saja, si paska mujtun ky me u dhânë emnin e vet Arbneshve të vêndit kândekând? Mundet, madje, qi kur populli shqiptar muer kët'emën, Skapuder'i mjerë ka pasë qênë shue me bir e me bijë kaherë. Âsht thânë e shkrue edhe se emn'i ynë i sodshëm ka lidhje me emnin italisht të pushkës: schioppo! Kjo âsht nji hypothesë krejt absurde, për dy arsye: e para se shqipja s'na paraqet asnji shêmbull tjetër, ku s -ja e italishtes të jetë bâmë në gojë të popullit t'onë sh dhe e dyta, se kjo fjalë italishte s'âsht e njohun kurrkund në dhé t'onë: Arbneshi s'ka mujtun me sajue për vete nji emën të ri me nji fjalë të huej qi s'njeh. E qi emni Shqiptar âsht vetëm e thjesht shqiptar, dmth. i përdorun vetëm prej nesh, âsht nji gjâ e dijtun. Sami Frashëri merr shkas prej nji anekdoti të jetës së Pyrrit, qi ka shkrue Plutarku, për me vûmë përpara nji hypothesë të tijën; shkruen n'Enqiklopedín e tij tek emni Pyrrhus: "Simbas Plutarkut, qi ka shkrue bijografín e tij, kur vot n'Italí e mundi Romakët, ushtarët qi kishte pranë i thanë: -Ke sulmue mû si shqipe! Edhe ai u përgjegj: Shqipe më keni bâmë ju, or shqiptarë! Ka gjasë pra qi ky emën t'u ketë mbetun Arnautvet (Auktori ka shkrue tyrqisht) qyshë atëherë. Mb'anë tjetër, tue qênë se Pyrri kishte për emblemë të flamurit të tij shqipen, mundet edhe qi emni Shqiptar të ketë për origjinë këtê". Me gjithë qi për themën t'onë s'ka rândsí se në ç'rasë u shkëmbyen fjalët e sipërshënueme ndërmjet Pyrrit e ushtarvet të vet, e vërteta âsht se Plutarku, simbas përkthimit frëngjisht të Ricard-it (Librairie Garnier frëres, Paris), ato fjalë i bie, jo mbas ngadhnjimit kundra Romakvet, por kundra gjeneralit të Dhimitër Antigonit, Pantaukut, n'Etolí. Dhe gjâja qi na intereson mâ tepër janë vetë fjalët. Këta, në përkthimin e Rikardit, shqip tingullojnë kështu: "Tue qênë se Epirotët e quejtën shqipe, ai u përgjegj: - Me jue jam bâmë un shqipe, armët e jueja kanë qênë për mue si fletë të shpejta qi më çuen në nji fluturim aqë të naltë." Si po shihet, ndërmjet dy versjonevet ka nji ndryshim themeluer: atje kemi fjalën shqiptarë (tyrq. "karakushllullar") e këtu vetëm shqipe ("aigle"). Neve Shqiptarvet, tue na kilikosun krenín kombtare, na ka pëlqye mâ fort me besue këtë hypothesë sesa ndonji tjetër, dhe âsht e vërtetë se shpesh herë, edhe të huej qi kanë admirue trimnín e burravet shqiptarë kanë bâmë retorikë tue na quejtun të bijt e shqipes. Por retorika âsht nji gjâ e shkenca nji tjetër, e problem'e jonë këtu â shkencë. T'a lâmë mbë nj'anë nëse u tha apo jo Pyrri Epirotvet Shqiptarë në gjuhën e tyne, qi sigurisht s'ka qênë kjo qi flasim na sod, por të përmêndim vetëm faktin qi prej kohës së Pyrrit e deri ditën qi njihet emni Shqiptar kanë shkue plot njizet shekuj. Sikur t'a kishim marrë kët'emën qysh'atëherë, do t'ishte përnjimênd nji teprí e pamasë me besue qi na ra ndër mênd për tê vetëm mbas dymijë vjeç! Por po hjekim dorë nga Pyrri e po zâmë se e muerëm emnin nga shqiponja atëherë kur nisëm me e përdorun. E pse vallë nga shqiponja? Me se provohet qi Shqiptari i ka dhânë këtij shpendi nji kuptim të jashtazakonshëm? A ka gjâ në folklorën t'onë, në legjendat t'ona, në përrallat t'ona qi ligjon disi marrjen e emnit të tij për emën kombtar? Na s'e dijmë. Vetëm nji send mund të na vijë ndër mênd: kujtim'i flamurit të Skanderbegut. Por atbotë, kishim me thânë na, do t'a kishim ndërrue emnin shi n'at'enthusjazëm kur të parët t'anë derdhshin gjakun për lirí të kombit, e jo nja treqind vjet mâ vonë. Tjetër hypothesë: rrânja shqip-e Shqiptari-t na qênka shkâmb, na qênkemi, pra, shkâmbtarë, d.m.th. malsorë. Për mendimin t'onë as kjo s'ka gjasë kurrrkund as me i u hudhun së vërtetës. § § § Po nga leu, ku e ka rrânjën atëhërë ky emën, ku e si, në ç'rrethana historike e psykologjike u përhap? Sepse gjithkush e ndien në veten e tij e e merr vesht lehtë qi nji popull, i cili ka bartun me shekuj nji emën, s'e ndërron kurrë këtê me nji tjetër pa qênë i shtymë prej shkaqesh psykologjike shumë të thella. Ani popull'i ynë! Për ne s'ka pikë dyshimi qi emni Shqiptar âsht formue prej rrânjës shqip e mbrapashtesës -tar. Kuptimi qi i ep sod popull'i ynë këtij adverbi njirrokës âsht ai i gjuhës qi flet: flas e shkruej shqip mirë . Por vêniró dhe ksaj frasës tjetër: Fol or shqip, se s'jam tue të marrë vesht? Këtu ç'don me thânë shqip? Don me thânë: qartë, kthiellët, tfillueshëm, kuptueshëm; e ja dhe nji frasë të tretë: Shqip, ksaj i thonë me hângër fjalën! Pra: haptas, rrumbullak, qartas, drejtpërdrejtë, pa i bâmë lak fjalës. Këto dy kuptimet e fundit, na sod i quejmë fytyrore, por tash shpejt po e provojmë se në rrânjë, e sigurisht për nji kohë shumë të gjatë, fjala ka pasun mâ së pari për kuptim të vetin atê të frasës së dytë, nji hapë mâ përtej, me nji shkallzim qi po i themi fytyruer, ka marrë atê të së tretës, dhe në funt fare ka mbërrîmë n'atê të së parës, qi na sod përgjithsisht kujtojmë se ka qênë kuptim'i vet themeluer, fillestar. Ke gjuhët qi kanë nji letërsí të vjetër, semantika studjohet nëpër veprat e shkrueme n'epoka të ndryshme. Na mjerisht s'e kemi këtë mundsí. Prandej kur na lyp puna, si në rasën e tashtishme këtu, do të kërkojmë methoda tjera, do t'i pështetemi pak gjuhsís, pak gjuhve të hueja pak arsyes së thjeshtë. Po i a nisim pra prej rrânjës së ksaj fjale qi po na duhet këtu. Gjêjmë ke dy fjalorët e kompetentavet mâ të mëdhajve të gjuhës s'onë në këtë lâmë, te Gustav Meyeri dhe te Konstandin Kristoforidhi, verbin shqipoj, qi të dy e spjegojnë për kuptoj. I dyti bie dy frasa krejt të qarta: A shqipon se ç'të them? Shqipoj atë gjuhë, po s'munt t'a flas"; e i pari na ndriçon edhe me etymologjín e fjalës, qi âsht lat. excipio. Fjala shqip pra duhet të ketë dalë nga ky verb, së pari në kuptimin: qartë, kthiellët, tfillueshëm, kuptueshëm, në mënyrë qi s'lên dyshim, qi e merr vesht kushdo; mâ vonë: qartas, rrumbullak, haptas, pa dredha ; e mâ në funt u përdorue për arbnisht, sepse mënyra e kuptueshme e foljes për Arbneshin ishte gjuha e vet. Nji shêmbull pothuej identik me këtë rasën t'onë na e paraqet gjermanishtja: deutsch ka për gjermanin të njimêndim kuptimi qi ka shqip për ne. Ja këtu nji spjegim të ksaj fjale prej fjalorit t'A.Molé-ut: "deutsch, adj. allemand, germanique, teutonique; deutsch, adv. fig. rondement, nettement; das heisst deutsch gesprochen , voilà ce qui s'appelle parler clairement, en bon français". (Âsht për t'i vûmë re me kujdes këtu përkthimit deutsch= en bon français ). Gjithashtu, në këtë gjuhë, der Deutsche don me thânë Gjerman, deuten me spjegue; deutlich i kuptueshëm, i qartë, i kthiellët, i shqueshëm. Pa dyshim, verbi shqipoj âsht i vjetër fort në gojë të popullit t'onë, fjalë qi ka hymë prej latinishtes drejpërdrejt në popull, na e provon struktura e saj: pra âsht aq'e lashtë sa sundimi romak, si të gjitha fjalët popullore me rrânjë latine qi ka shqipja. Kaqë mund të thomi me sigurí për verbin. Sa për shqip, mbasi besojmë se ka dalë prej verbit, e s'asht marrë fill nga latinishtja asht e pamundun me i caktue, qoftë edhe afrisht, nji datlindje. Tek auktorët e vjetër shqiptarë s'e gjêjmë kurrkund deri ke Bogdani. Vetëm ky e përdoron, për herë të parë, në parathânën e veprës së vet Cuneus prophetarum de Christo Salvatore mundi me kuptimin e gjuhës. E mbasi ky kuptim, simbas arsyetimit t'onë të mâsipërm, tregon frasën e mbrapme të zhvillimit semantik të fjalës, mundemi me thânë se kur e përdori Bogdani kjo kishte mbërrîmë në nji farë moshe. Tash duem të besojmë se ndaj gjithë këto tfillime qi dhamë deri këtu, hypothesat e deritashme mbi etymologjín e emnit t'onë bien poshtë njâjze, me Skapuder e me schioppo, me shqiponjë e me shkâmb dhe jet e vërtetë vetëm thesa e Gustav Meyerit: Shqiptar mundet me qênë vetëm shqip+tar, ai qi flet shqip. Prej së njajtës rrânjë duel edhe emn'i vêndit, Shqipni, qi zûni vêndin e Arbnís , mbas analogjís me abstraktat qi rrjedhin prej mbiemnavet (adjektivët) e emnavet bashkorë qi lejnë nga forma e shumsavet. Nga Shqiptari u sajue edhe Shqiptarija, mbandej shqiptarisht gjithmonë në gojë të popullit. Adverbi, në gjuhë të shkrimit, u adjektivue, kështu sod, shumic'e shkrimtarve t'anë shkruejnë gjuha shqipe, por forma e shumsit ka mbetun ende e pandryshueme: fjalorë shqip, libra shqip. Derivate tjera letrare janë edhe shqipnoj=përkthej shqip, shqiptoj=nxierr nga goja një zâ (nji gërmë, fjalë, ligjiresë, frasë, ligjiratë). § § § Nga etymologjija të hidhemi tashti në historín e emnit. E thamë qysh në krye se na po kujtojmë qi ende në kohnat parahistorike mâ të hershmet të qênmenís së vet, populli shqiptar ka qênë quejtun Arbân. Dikur, në nji epokë historike, theksim'i rrokjes së parë, dmth. i elementit ar-,e mundi të dytin e kështu zânorja a e rrokes mbarimtare qi mbuer theksin u kthye n'e të pazâshme, d.m.th. n'ë: Arbân u bâ Arbën. Latinët qitën rregullisht prej emnit t' Arbanís adjektivin e banorvet e i quejtën këta Arbanenses, qi në gojë t'Arbnorvet u bâ Arbnesh. Kështu leu nji tjetër formë e emnit t'onë mâ të vjetrit. Nga Arbni e Arbnori me kalue n' Arbnesh s'lyp nji mundim të madh. Prandej mund t'a pranojmë qi s'do të ketë shkue tepër gjatë mbas pushtimit romak për t'a përvetue popull'i ynë këtë formë latine t'emnit të vet, të cilën e ruejti për shumë qindvjet n'atdhe e po vazhdon t'a ruejë ende nëpër kolonít e moçme të tija n' Italí, në Greqí e në Dalmatí. Edhe kur perëndorija romake u da dysh e ai i ra për pjesë Lindjes, as sundimi shumshekulluer, as ndëkim'i qytetnimit e as ai i besimit të Byzancit nuk mujtën me e bâmë Arbneshin Arvanit. Me emën, nemose, ai mbet me Okqidentin, edhe mbas shêmbjes së këtij nën peshën barbare. Tyrqit, në luftë me perëndorín byzantine porsa kishin fillue me u shtrimë, të parat lajme mbi popujt e Balkanit i muerën, natyrisht, prej Grekvet. Nxûnë kështu prej këtyne se mbi bregun linduer t'Adrijatikut, tue fillue madje qyshë prej gjînit të Nartës, rronte nji popull i quejtun Arvanit. Kët'emën ata e shtrembnuen pakëz me nji metathesë, dmth. tue u këmbye vêndet dy gërmave, dhe e bânë Arnavit, Arvnavët, Arnavut, Arnaut. E kështu ka mbetun emn'i ynë në gojë të Tyrqvet atë kohë e sod; ndërsa edhe na emnin Tyrk e nxûmë po prej Grekvet,Venecjanvet e Sërbvet, qi s'e kanë zânoren y në gjuhët e tyne, e e bâmë si këta Turk. Mb'anë tjetër, tue qênë se edhe feja mohamedane hyni ndër ne me anën e "Turkut", turk e quejtëm edhe veten t'onë kur e muerëm atë fé. Por Arbneshi qi s'e ndërroi fén i mbet besnik emnit të vjetër edhe nën zotnimin tyrk. Deri kur? Me sigurí të plotë deri në 1726, siç na e provon kolonij' e Arbneshve te Borgericjotvet pranë Zarës së Dalmatís. Edhe këta, si Arbreshët e Greqís e ata t'Italís, emnin Shqiptar e kanë nxânë von' e vonë kur filluen me pasun të përpjekun me vllaznit e atdheut të vjetër.Vepr'e Bogdanit, qi na mëson se adverbi shqip ishte i përdorun në 1685, nuk provon se edhe emni Shqiptar kishte lemë qysh'atëherë e e kishte vûmë kandidaturën e vet mbi trashigimin e Arbneshit. Mb'anë tjetër, veç, as qi mund t'a pohojmë me sigurí se fakti qi ai emën s'ishte i njohun në krahinën e Shkodrës në 1726 përjashton çdo mundsí qi të ketë pasë lemë diku gjeti e të ketë pasë fillue me u përhapun pa mujtun ende me mbërrîmë der atje. Prandej historikisht me të saktë, mund të thuhet kështu: Për deri në 1726, emni Shqiptar ishte i panjohun në krahinën e Shkodrës, dhe deri sod s'kemi asnji provë qi të ketë qênë njohun në ndonji tjetër krahinë të Shqipnís. Mundëm kështu me caktue me përpikní se deri në ç'datë ka qênë i panjohun prej popullit shqiptar emni qi ka sod. Por a mundemi vallë me qênë gjithaqë të përpikët edhe në caktimin e datlindjes së tij, të datës kur filloi me u përhapun e kur mbërrîni me qênë emn'i popullit mbarë? Për këto data mjerisht jemi në mâ të plotën errsinë. Për t'i gjetun e dokumentue, do të na duhej nji letërsí kombtare e shek.XVIII, qi për fat të keq s'e kemi. Veprat e Italo-Shqiptarvet e të të huejvet s'na hyjnë në punë për këtë qëllim, mbasi të parët, atje ku mund të kenë pasun rasë me e përmêndun emnin e popullit t'onë, e kanë shkrue Arbnesh e tjerët në gjuhën e tyne. Pra sado qi të kërkojmë, ndoshta do të mundemi me e gjetun vetëm në gjymsën e dytë të qindvjetës XIX të parin shkrimtar qi ka shkrue emnin Shqiptar, nji gjâ me fare pak dobí. Me nji hamêndje të pështetun mbi rrethana historike qi mund të kenë ndihmue për ndërrimin e Arbneshit me Shqiptarin, e qi do të zgjateshim tepër për t'i zhvillue, kishim me thânë se krijim'i emnit të ri ka qênë nji shkëndijë gjenije e patrijotizme e nji prelati katholik shqiptar të qindvjetës XVII si nji urë bashkimi përmbi gërranën qi po hapte, për ditë mâ të frikshme e mâ të rrezikshme, rrebesh'i huej ndërmjet nji pjese t'Arbneshvet qi bâheshin "Turq"e tjetrës qi s'donte me e lëshue fénë e emnin e të parvet. Të dy palët në njanên e në tjetrën anë të gërranës, kishin nisun me e shikue shoshoqin me sy t'egërsuem e nji ditë mund të mbërrîjshin me e quejtun anmik. Duhej me i dalë para me çdo kusht ksaj katastrofe, duhej me e ndalun. Duhej me gjetun nji kryefjalë të re, qi të depërtonte ndër zêmrat e të dy palvet përmbi të dy emnat qi i dajshin. Kishtarija katholike do të jetë vûmë me mish e me shpirt me predikue: ndër kisha e ndër familje, ndër mbledhje kuvêndesh, darsmash e mortesh, ndër të krishtênë e ndër myslimanë. Meshtar'i brengosun, i mësuem e i udhzuem prej të parit të vet, do t'u thoshte gjindës: Arbneshë e Turq, jeni vllazën, se flitni nji gjuhë, ju flitni shqip, ju jeni Shqiptarë, ju s'jeni si ata Turqit e huej halldupa qi s'i kuptoni as njâni kur flasin..et.et. Kështu krijohej nji emën i ri i pranueshëm prej Arbneshve e neoturqve, se ishte emn'i gjuhës qi flitshin, jo mâ Arbneshi qi s'kishte ndonji kuptim për ta qi, përkundrazi, ishte tue u bâmë përherë mâ i urryeshëm për ata qi i kthejshin shpinën. Natyrisht përhapj'e tij unjí s'ka qênë punë e lehtë as e shpejtë: mund të jenë dashun nja njiqind vjet për me u harrue Arbneshi. Nji emën qi ka rrue për afro njizet shekuj nuk shlyhet aqë lehtë as nga zêmra as nga mêndja e popullit qi e ka bartun. Kjo hamêndje e jonë, ndoshta do të duket e ndoshta edhe âsht nji fantasí. Por në mëngesë elementash positivë punon fantasija, qi njeriu shpesh herë e merr për logjikë. Kështu na duket edhe neve kjo e jona. E kemi thânë edhe mâ parë se ndërrimi për të cilin jemi tue folë s'ka mujtun me u bâmë pa nji arsye psykologjike shumë të thellë, e tue pasun parasysh rrethanat historike të vêndit t'onë gjatë gjymsës së dytë të qv.XVII e gjymsës së parë të qv. XVIII, kët' arsye psykologjike na po e zbulojmë shi në travajët shpirtnore të popullit t'onë n'atë kohë. Këtu po specifikojmë se deri në fillim të shek. XVII vetëm e dhetta e Shqiptarvet kanë qênë kthye, kokrra-kokrra mbas parís së vet në fén myslimane e bâmë turq. Apostasija me grumbuj ka nisun aty kah mes'i atij shekulli. E kush ishte në gjêndje aso kohe me e marrë vesht mâ së miri rrezikun edhe me e ndie, posë kishtarîsë, qi ishte e vetmja klasë intelektuale e në të përpjekun të ngushtë e të dêndun me popullin? Sa për të shtrimët e emnit të ri në të gjithë popullin, na këtê e quejmë të kryem, gjithnjí me hamêndje, jo mâ para se nj'aty kah gjymsa e qv. XVIII.
- (G) Legjonet, v. fjalorthin.
- (H) Kjo theorí mbi gjuhën shqipe âsht dërmue ka herë prej studimeve të albanologut të madh Norbert Jolk.
- (H-1) Normandët, popull i dyndun prej Skandinavije, burra detarë të fortë; kah mes'i qv. IX pushtuen Ukrainën e nji rremb i tyne mbërrîni deri në Byzanc. Kah fund'i së njâjtës qv. i u rrasën Francës dhe bânë të veten nji pjesë të Veriut të ksaj, qi prej tyne muer emnin Normandí. Mâ vonë pushtuen Anglín (1066) me Vilhelmin Pushtimtar dhe mb'anë tjetër Italín e Jugës (1043) me Siqilín tue formue Mbretnín e Dy Siqilivet në 1130.
- (H-2) Jerusalemi, mâ i shênjti qytet i botës, ku besnikët e të tri fevet monotheiste, israjlitët, të krishtênët edhe myslimanët kanë diça për t'adhurue, në 637 u pushtue prej khalifit të dytë Omar. Gjatë katër shekujsh qi Palestina mbet nën sundimin arab, peregrinët e krishtênë s'patën ndeshun me pengime për të hymë e dalë me vizitue Vêndet e Shênjta nga çdo anë. Por mbrapa mbretnija abaside u shêmb nën grushtat e Tyrqvet selçukidë, e atbotë peregrinija e krishtênë në Jerusalem nisi të bâhet për ditë mâ e vështirë. Kështu u ndez edhe mâ tepër mënija antimohamedane n'Okqidentin e Evropës e, në 1095, u qit kushtrimi nga ana e papës Urban II për të parën Kryqzatë (v. fjalorthin). Kjo u nis për Orjent vjetën tjetër me dy dërgesa të veçanta kryqtarësh njâna mbas tjetrës. E para, prudhë e në Syrí, u stërfar kryekëput pa mbetun asnji me kallzue për shokët. E dyta pat mâ shumë fat. Përbâhej prej katër ushtrísh, t'organizue me mâ së miri e mâ së forti: e para me Lorenas e Gjermanë nën komandën e Godefroy (Godëfruà) de Bouillon (dë Bujô)-it; e dyta, me Frêngj verijakë të komanduem prej dukës së Normandís (v.H-1); e treta me Provencalë dhe e katërta me Normandë t'Italís (v.H-1) të komanduem prej Boemondit të Tarantit e Tankredit. Pushtuen Niqén (Iznik, n'Anadoll), Esedën e Mesopotamís (sod Urfa), Tarsin (Tarsos, n'Anadoll), Antjokën (Antakja, ibid), Askalonin edhe vetë Jerusalemin (1099). Godefroy-u u shpall mbret i Jerusalemit. Pak mâ vonë edhe Sidoni (Sajda), Bejruti e Tyri (Sur) ranë në duer të të krishtenvet. Por këta kot u coptuen për me marrë Damaskun. Mbas mbretnís së Jerusalemit, u krijuen edhe principat'i Antjokës e kontnít e Edesës dhe Triplit të Syrís (sod i Libanit). U krijue kështu nji Orjent latin me systemë feudale si n'Evropën e asaj kohe.
Nji kryqzatë e dytë (1147-1149) qi kishte në krye si prinjsa perëndorin e Gjermanís, Konradin III, dhe mbretin e Francës, Luigjin VII, dështoi përpara Damaskut, qi s'und e muer as ajo. Tash kishte ardhun rend'i kundërsulmit prej anës mohamedane. Qyshë në 1171, n'Egjipt ishte themelue nji dynastí myslimane e re. Themeluesi ishte nji ndër burrat mâ të mëdhaj qi ka pamë Orjenti: Salahedin Ejjubiu, i famshmi Saladin i historís e i legjendavet mesjetore qi kanë mbërrîmë kështu me kët'emën edhe n'Okqident. Ky, në pak kohë, shtiu në dorë, posë Egjiptit, edhe gati të gjithë Asín Përballore e Jemenin. Në 1187 u dha Latinvet nji dishfatë të mëndershme në Hatin (Hitajn) të Palestinës ndërmjet Nazarethit e Tiberjadës e u muer Jerusalemin. Okqidenti u trondit e përgatiti të tretën kryqzatë (1189-1192). E komandojshin Frederiku Mjekërkuq, perëndor'i Gjermanís, Filip Augusti (Filip i II) i biri i Luigjit VII e mbret'i Francës, e Rikardi Zêmërluani, mbret'i Anglís. Mjekërkuqi pushtoi Konjën e mbandej u mbyt në lumin e Qydnit të Qiliqís (n'Anadoll) tue u lamë. Filipi e Rikardi muerën Akrën (Aqqa) e bânë paqë me Saladinin pa mujtun me e çlirue Jeruzalemin. Inglizi (qysh'atëherë !) para se të nisej për ishullin e tij themeloi nji mbretní në Qypër. Kështu mbaroi edhe kryqzat' e tretë. E katërta (1202-1204) qe ajo qi pat mâ të madhen rândsí për Balkanet. Nisun në komandën e Baldovinit, konti të Flandrës, për Así, gjet në Venedik nji programë të re qi s'kishte ç'të bânte kurrkund me qëllimin e kryqzatavet: Dogje-ja Henrik Dandolo, qi kishte vetëm kujdesin e perëndorís tregtare e strategjike të vêndit të vet, va mbushi mênden kryqtarvet qi të vejshin me i ndihmue për pushtimin e Zarës në Dalmatí. E s'i u desh as me hjekun keq fort për të va mbushun mênden, mbasi kishte në dorë nji argument shumë të fortë për ta: anijet. Pa flotën e Venedikut e kishte të vështirë kryqtarija me mbërrî më n'Orjent. Ndërkaq duel edhe nji rasë shumë tërhjekse dhe e papritun për ambicjen e prinjsavet, qi pajtohej fare bukur edhe me interesat e Venedikut. Perëndorin e Byzancit Isak Ângjëllin (1185-1195) e kishte hjekun i vllai Aleksi III prej thronit e ishte ulun vete mbë tê, e ai po lypte ndihmë prej kryqtarvet. E këta e harruen atbotë vorrin e Krishtit e u nisën për Konstantinopël, të cilën e pushtuen dhe kthyen në thron të vet Isakun (1203), por bashkë me të birin, Aleksin IV, sepse i vllai, jo veç qi kishte marrë thronin, por edhe e kishte pasë verbue të dy sysh e burgosun. Mbas gjashtë muejsh, veç, ky rrëzohet prap e mbytet me gjithë të birin prej Aleksit V Duka. Edhe këtê e rrëzojnë kryqtarët mbas pak muejsh dhe shpallin perënduer t'Orjentit Baldovinin e Flandrës, i cili e dënoi Aleks Dukën për dekë si gjaksuer të mbretit të vet. Kështu u krijue Perëndorija Latine e Orjentit qi ka vazhdue 57 vjet. Krenët tjerë të kryqtarís së katërt, shokët e Baldovinit, danë pjesë tjera të pronavet byzantine qi mujtën me shtimë në dorë në Balkan dhe me këtë mënyrë u formuen në këtë gjysishull disa shtete të vogla prap latine. Do ishuj e skela i përlau Venediku. N'Anadoll, mbi pronat byzantine qi kishin shpëtue ende nga pushtim'i Selçukidvet, u themeluen dy mbretní greke mbë vete me selí në Trebizondë e në Niqé. Ksaj së fundit do t'i epet mâ vonë (1261) me e shtimë në dorë edhe nji herë kryeqytetin e njimijë vjetve, deri ditën qi do të bjerë në dorë t' Osmanllijvet (1453), e do të bâhet Istambull, tue i dhânë fund mesjetës e tue hapun epokën e historís moderne. Tekst'i ynë na tregon se edhe në kët'agoní të gjatë pothuej dyqindvjeçare, perëndorija byzantine prap se prap do të ketë të bâjë me Shqipnín, qoftë prej Niqeje e Konstantinopli, qoftë nëpër despotatin e fortë t'Epirit. Lufta për Vêndet e Shênjta prej anës së kryqtarivet e zotnuesvet mohamedanë vazhdon deri në 1270 edhe me katër fushata tjera: të pestën (1219-1221), të gjashtën (1228-1229), të shtatëtën (1248-1252) e të tetëtën (1270). Gjak i madh derdhet prej njânës anë e tjetrës ndër këto kaçafytje deshprimi, heroizma sublime tregohen prej të dy palvet, e ngadhnjimi përfundimtar i jet Orjentit. Historjanët nuk ndalen vetëm mbi dâmin e sakrificat njerzore të këtyne përleshjeve, por flasin gjân'e gjatë edhe mbi dobít qi ka pasun njerzija prej sosh: tri bota u njohën me prova zjarmi shoqe me shoqe, tri qytetnime u trazuen dhe muerën e dhânë: latin, byzantin e mysliman; e shumë gjâna të dobishme e muerën vrullin e përparimit prej atyne provave.
- (I) Tekst' i ynë e quen Shqipní të mesme qyshë prej bregut të Matës e deri në Vlonë. Edhe s' kuptohet me ç'farë kriteri, mbasi Shqipnín mesjetore s'e shtyn përtej maleve të Himarës. Ndoshta lên të nënkuptueme si Shqipní të Jugës andej e teposhtë, qi e quen të kolonizueme prej Shqiptarvet po në mesjetë.
- (I-1) "Napolitanë", dmth. mbretnij'e Dy Siqilivet, qi kishte per kryeqytet Naplin.U formua në 1130 prej Rugjerit II, Kontit të Madh normand qi sundonte me këtë titull Siqilín, Kalabrín e Apulín. Dynastija normande vazhdoi deri në 1194, e u shue me Guljelmin III. Në këtë datë, e bija Rugjerit martohet me Henrikun VI Hohenstaufen të Gjermanís, e throni i mbretnís së Dy Siqilivet i kalon ksaj dynastije, qi e mban deri qi i mbrampi mbret i saj Manfredi vritet (1266) në betejë të Beneventit kundra Karlit t'Angjoit, invaduesit frëng të nxitun e të përkrahun prej papës Urban IV. Themelohet kështu me Karlin I dynastij'e Angjovinvet, qi ka për të luejtun nji rol të madh edhe në shkenën e historís shqiptare. Karli ishte djal'i mbrapëm i mbretit të Francës, Luigjit VIII e i vllai Luigjit IX të, të Shênjtit. Nji trashigimtar i pafat i Hohenstaufenvet në mbretnín napolitane, Konradini (Konradi V i Gjermanís), u zù gjallë prej Karlit në bëtejën e Tagliacozzo-s(1268), dhe u prish prej tij mbas nja motmot burgimi. Karli sillet keq me nënpushtetasit e vet dhe shkakton Vesprat Siqiljane. Ky emën historik i âsht ngjitun kryengritjes qi bânë Siqiljanët në krejt ishullin me të kërsitun kumbonët e lutjes së parangrysjes (it .vespro) së ditës së hânë të pashkvet në 1282 kundra Frêngjvet, të cilët i prenë të tânë kudo. Nxitës i ksaj kryengritjeje qe edhe mbret' i Aragonës Pietri III (1276-1285), i cili pat qênë martue me Konstancën, të bijën e Manfredit, e pat për organizatuer nji fisnik siqiljan të quejtun Gjon' i Proqidës, mik shumë i dashun i Frederikut II Hohenstaufen, mbret i Napolit (1197) e perënduer i Gjermanís (1214-1250), sidhe intim i Manfredit. Kështu qi, me Vesprat Siqiljane, ishulli u bâ pronë e dynastís aragoneze e Karlit Angjovin i mbet në dorë vetëm pjesa kontinentale e mbretnís. Edhe kjo dynastí e re qi i afrohet Adrijatikut, siç flet vetë teksti edhe për këtê si për Angjovinët, do të ketë nji rândsí të posaçme për ne, sidomos për sa i përket kohës së Skanderbegut. Alfonsi V (1416-1458) pushtoi edhe Napolin (1435), e kështu mbretnija e Dy Siqilivet u bâ krejt e dynastís aragoneze. Me dekën e Alfonsit, kunorën e Napolit e trashigon Ferdinandi I (1458-1494), e mbas këtij histori'e Napolit s'ka mâ lidhje me Shqipnín si vênd e koncept politik.
- (J) E njohun si Hohenstaufen ( Hóhenshtaufën), familje gjermane prej Wurtembergut qi ka dhânë 6 perëndorë: Konrad III (1093-1152, perënd. 1138), Frederik I Mjekërkuqi (perënd.1152-1190), Henrik VI (perënd.1190-1197 ), Filip'i Svevës ( lindun 1170, dekun 1208), Frederik II (perënd.1214-1250), Konrad IV (perënd.1250-1254)
- (K) V.I-1
- (L) Duket të ketë qênë nji zyrtar tyrk pa ndonji rândsí, mbasi Shahin'i njohun n'at'epokë (Lala Shahin Pasha), qeveritar'i gjithë viseve të pushtueme n'Evropë, bejlerbeu i Rumelís, le qi nuk do të vente me ruejtun e sundue vetë atë skânj pronash atje, po kishte edhe afro nja njizet vjet qi kishte vdekun.
- (M) Kont (Comes) ishte aso kohe nji titull qi u epte Venediku qeveritarve të vet në Shqipní e jo titull fisnikije, qi princat shqiptarë s'kanë pasun.
- (N) Këto familje sundimtare latine në Balkan e kanë origjinën në kryqzatën e katërt (v. H-2).
- (O) Dukat'i Athinës sigurisht përfshinte së paku Atikën; Argolidja kishte për kryevênd qytetin Argos në Moré, Lakonija Spartën, Arkadija âsht nji krahinë qëndrore e Morés.
- (P) Eubea, mâ i madhi ishull i Greqís mbas Kretës, sod Evveia Andros vjen si nji krahinë qëndrore e Morés.
- (Q) Hydra (sod Idhra), nji ishull i vogël nja 4.000 frymësh, krejt koloní shqiptare qi ruen ende gjuhën e vjetër, në juglindje të gjysishullit t'Argolides; edhe Spetsja po atje afër, në të hymë të gjínit t'Argolides.
- (R) Historín e Skanderbegut e ka shkrue shqip Fan Noli, e Shqiptarët qi s'kanë pasun ende rasë me e këndue kanë tash nji botim të ri të ksaj vjete (1951).
- (S) Bender, nji qytet i Besarabís; Buda, kryeqytet'i Hungarís, sod Budapest.
- (T) Mustafa Reshid Pasha (1800-1860), 6 herë vezir i madh (sadrazam) i Sulltan Mexhidit. Në Tyrqín perëndorake ka qênë quejtun si krijues i diplomatís s'asaj mbretnije; burrê Shteti modernist e reformist
- (U) Sami Frashëri ka qênë erudit, por jo poet.