Saqellarët e Kolkondasit

Nga Wikibooks

Nga Naun Kule

Kolkondasi, Koli i Kondës…?

Nënë dhe bir, ngritën strehë në këtë bërryl toke, qarkuar asokohe në tri anët nga lumi dhe pylli, rreth dhjetë kilometra në veri të Fierit, në të zbritur të Ardenicës drejt Apolonisë. Puna dhe bëmat e djaloshit të cilin, mjerimi i jetimit e dallonte si të tillë, i dha edhe emrin fshatit; Koli i Kondës-Kolkondasi…!

Kështu thotë legjenda e përcjellë gjer tek ne.

Dokumentet flasin për të si qendër e disa fshatrave të ngritura përreth si Korkutasi, Petoshaj, Kavaklli, Hasalli, Nikas, etj. Varësia e fshatrave nga kjo qendër sëhershmi është kushtëzuar nga lëvizjet e lumenjëve të Gjanicës e më pas të Semanit, i cili, siç dihet, ka bërë rrugë të gjatë zhvendosjeje të shtratit të vet nga veriu në jug.

Por ato që i dhanë emër këtij fshati dhe e futën në analet e historisë për më shumë se një shekull, janë ngjarjet që lidhen me misionarin grek Kozma Etolin, 1714-1779, dhe sidomos me vrasjen dhe varrosjen e tij këtu, më 24 gusht, 1779.(1)

Ishte koha kur Ali Pashë Tepelena kërkoi dhe gjeti tek misionari grek Kozma, ishagjentin e tij, njeriun e duhur për të fituar mbështetjen e ortodoksisë së këtyre anëve dhe sidomos, për t’i ndërsyer dhe ngritur ata kundër armikut të tij, Pashait të Beratit i cili, i detyronte me ligj dhe me pushkë të ndryshonin fenë-të islamizoheshin.

Dihet që Ali Pashai kërkonte përkrahës dhe bashkëluftëtarë, paçka në besonin Krishtin a Muhametin. Dhe, për këtë qëllim, murgu grek mund t’i hynte në punë Aliut edhe pse i vdekur, madje edhe 33 vjet pas varrosjes së tij këtu…(1779-1813)

Veçse tani duheshin hyjnizuar dhe shfrytëzuar “shenjtëria” dhe profecitë e murgut Kozma, gjoja të lëna ndër fjalimet e tij, tek popullata analfabete e këtyre anëve, në dy ardhjet e tij në Myzeqe; 1778 dhe më 1779, kur edhe e vranë.

Janë të njohura dy letrat e Ali Pashë Tepelenës dërguar myzeqarëve për ndreqjen e manastirit të Kolkondasit, nga Gjinokastra më 1813 dhe nga Janina më 1814.

“…të ngrihet edhe një manastir pranë varrit të tij dhe të marrë emrin e tij…Edhe ditëvrasja e plakut Kozma, 24 gushti, të shndërrohet në një festë fetare me një panair të  përvitshëm…” (3)

Por, më kryesorja, ajo që do të shtonte mbështetësit dhe të kthente sytë e banorëve të këtyre anëve nga Veziri i Janinës, do ishte shkolla e hapur aty.

Shkolla në manastirin e Kolkondasit ishte më e madhja dhe më e dëgjuara në këtë krahinë e pajisur me konvikt në konakët e manastirit ku mbaheshin dhe ushqeheshin mbi 100 nxënës nga gjithë Shqipëria e poshtëme. (…4)

Pas “ndreqjes” së manastirit, Ali Pashai urdhëroi që Kolkondasi të bëhej qendra e drejtimit peshkopal duke përfshirë një zonë të gjërë adminstrimi-Berat-Lushnjë-Shkumbin-Vjosë., me kompetenca kurorëzimi dhe shkurorëzimi. Gjithashtu me urdhër të Vezirit të Janinës, iu caktuan manastirit të Kolkondasit edhe prona e çifligje në disa fshatra si në Kolkondas, Bubullimë,Nartë, Mujalli, Korkutas, etj

Peisazhisti anglez Eduard Lieer, tek zbriste nga Ardenica drejt Apolonisë dhe Vlorës, në tetor të vitit 1848, vizitoi manastirin dhe shkollën e Kolkondasit për të cilat shkruan:

“…Rreth orës dymbëdhjetë arritëm në një pyll që i bënte hije një kishe dhe një manastiri të ndërtuar nga mashtruesi Ali Pashë Tepelena, në ditët kur ai mundohej të bënte për vete të krishterët e Myzeqesë…Një fshat i vogël i vendosur në zemër të këtij peisazhi dhe një shkollë…

Një ndërtim fshatar i mbajtur nga një rresht i gjatë harqesh dhe i hijeshuar nga pemët…Rreth 30-40 fëmijë qëndronin ulur në radhë duke mësuar të lexonin ose duke kënduar me ton të ulët. Kishte aty fëmijë me sy të mëdhenj të veshur me kujdes që e shtonin interesin e kësaj skene…”(5)

Ky shtrat kulturor bëri që fshati Kolkondas të popullohej edhe nga ardhës prej vendeve me nivel të lartë arsimor dhe kulturor, siç ndodhi me ardhjen këtu të disa familjeve voskopojare, pas djegies së Voskopojës. Nuk mund të jetë e rastit që voskopojarët e larguar me dhimbje nga qyteti aq i dëgjuar për dije dhe kulturë, me shtypshkronjë dhe akademi, me dijedashës të shquar për kohën si Mihal Serafin Gora, Grigor Voskopojari, Grigor Kostandinmadhi, arqimandriti i madh Nektor Terpo, (në manastir të Ardenicës, ky shkroi librin e njohur Pistit-Besimi; Venedik, 1733), gjetën dhe pëlqyen si vend ngulimi pikërisht këto troje të largëta por jo të panjohura për ta.


“Ç’ke që qan moj zemër, pse vajton moj gojë,

Qaj për vend’n e bukur, qaj për Voskopojë…”

Kjo këngë, e kënduar sëherëshmi nga banorët myzeqarë, kuptohet që është këngë-vaj e nostalgji e të ardhurve nga Voskopoja…Ata që e njihnin mirë vlerën dhe nevojën e arsimimit të fëmijëve nuk mund ta ngrinin strehën e tyre në një vend djerrë dhe shterp, çka do sillte injorancë dhe padije për fëmijtë dhe pasardhësit.

Sidomos në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë e deri në çerekun e parë të shekullit njëzetë; “…Prej shkollës së Kolkondasit delnin mësonjës mjaft të fortë dhe të pjekur në arsim të cilët, merreshin si mësonjës nëpër Myzeqe dhe në qytetet e sundimtarisë së Beratit…”(7)

Kur në kalanë e Beratit hapet e para shkollë (1780), njeriu më i ditur atje, i cili krijoi dhe plotësoi një bibliotekë mjaft të pasur dhe të dëgjuar për kohën, ishte Dhespot Josafi (Gjeçi-Saqellar), prej Kolkondasi. Por edhe mësonjësi Kristo Ilia prej Kolkondasi dhe mësonjësi Kostandin prej Myzeqeje (ndoshta babai i Mësuesit të Popullit Jani Minga nga Semani-Fier, dhender e mesues në Berat..?) që më 1762 shërbejnë si mësonjës në disa shkolla të Beratit.

Në shënimet kronikale të Kostë Beratit lexojmë se përpjekjet për të futur gjuhën shqipe në proçesin e mësimit dhe shërbesat fetare, i përkasin viteve 1770-1780.

Dëshmi për këto janë edhe shumë shkolla të tjera ndër këto anë, simotra të atyre në Kolkondas, Ardenicë, Libofshë, etj.

“…Shkolla e Kolkondasit…për gati një shekull i bëri një shërbim të madh arsimit tonë kombëtar…”

Me konviktin dhe mësonjësit e ardhur deri nga qytetet e Korçës, Elbasanit, etj, ajo vazhdoi si e tillë deri në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit njëzetë. Gjer në këto vite vazhdoi edhe popullimi me të ardhur dhe vendas i vet Kolkondasit dhe i fshatrave përqark tij.

Por, pas çerekut të parë të këtij shekulli ndërsa dilte në skenën e shoqërisë shqiptare elementi borgjez dhe marrëdhëniet kapitaliste, sidomos të ardhurit në Kolkondas dhe në fshatrat rreth tij, nisën të shpërngulen për në qytetin e Fierit. Zhvillimi i zejeve të ndryshme, nevoja dhe leverdia e tyre si mjet jetese dhe sidomos zhvillimi i tregtisë, tërhiqte drejt qytetit edhe shumë banorë të këtyre fshatrave që e përballonin me vështirësi jetën e bujkut. Kështu filloi dhe vazhdoi për një kohë të gjatë shpopullimi i Kolkondasit dhe i fshatrave rreth tij deri në zhdukjen e ndonjerit edhe nga harta fizike e trevës. Edhe lëvizja e shpeshtë e shtratit të lumit Seman drejt jugut, përmbytjet e përvitëshme që sillte dhe, sidomos gërryerja e rrënimi i mureve të kishës dhe manastirit të Kolkondasit, i shkollës dhe ndërtesave aty, ishin faktorë që e shtuan shpopullimin.

Nga ana tjetër, fillimi i shekullit njëzetë në Myzeqe kishte krijuar qendra arsimore edhe në disa fshatra përreth Kolkondasit. Kemi tani shkollën (gjysmë gjimnaz greqisht) në manastirin e Ardenicës, kemi Mësonjëtoren shqip të Libofshës që në gusht 1908, për tu pasuar nga shkolla të tjera në Bubullimë, Divjakë, Seman, Metaj, Fier e Lushnjë.

Gjithësesi, Kolkondasi dhe 86 fshatrat që përbënin norijen e këtij manastiri, edhe në kushtet më të vështira që kanë krijuar rrethanat politike ndaj vendit dhe shkollës tonë, kanë luftuar dhe ia kanë dalë t’i mbrojnë vlerat arsimore të tradicionit arbëror.

Duhet theksuar se shkolla e Kolkondasit është shumë më e lashtë se fundi i shekullit 18-të, kur mori udhë manastiri dhe shkolla aty, pas kërkesave të Ali Pashë Tepelenës

Ka disa faktorë dhe dokumente të mjaftueshme për tu bindur se manastiri dhe shkolla në të, nuk u ngritën në truall shterp. As Kolkondasi dhe as kisha e shen Marisë aty, nuk ishin ato të një fshati të humbur. Argumenti i një shkolle dhe i traditës arsimore shumë më të lashtë se ardhja këtu e murgut grek Kozma Etolit (1778 dhe 1779) dëshmohet qartë nga dy burime. Disa mësonjës dhe intelektualë të kohës kanë dalë nga fshati dhe shkolla në Kolkondas dhe kanë shërbyer si mësonjës deri në shkollat e Beratit, shumë më para se të vinte në Berat dhe Myzeqe murgu Kozma dhe gati gjysmë shekulli më parë se Ali Pashai të urdhëronte “ndreqjen” e manastirit në Kolkondas (1813).

Siç shënuam, që më 1762, në shkollën e fshatit Paftal të Beratit, “…jep mësim Kristo Ilia nga Kolkondasi dhe kolegu i tij Kostandin prej Myzeqeje…

Kurse më 1780, ndër njerëzit që hapën shkollën dhe e pajisën me një bibliotekë shumë të pasur në qytetin e Beratit, …ishte njeriu më i ditur i kohës, Josaj Gjeçi-Saqellari(N.K.) prej Kolkondasi.”

Le të kujtojmë lexuesin gjithashtu se dy nga dhespotët, të dëgjuar për dituri në Mitroplinë ortodokëse të Beratit, në harkun kohor 1752-1855, janë pikërisht Saqellarë (xhaxha e nip) nga Kolkondasi. Tjetër argument për lashtësinë e shkollës së Kolkondasit shumë më herët në kohë se ardhja aty e murgut grek, Kozma Etolit, na e japin kryepleqtë e fshatrave rreth Kolkondasit të cilët, i ankohen qeverisë e cila, ua ka hequr mësonjësin duke ua mbyllur shkollën pasi:

“…Kjo shkollë ka qënë nga më të vjetrat dhe më e vlefshmja në këtë qark, ngrehur këtu e 400 vjet më parë…Neve, megjithëse jemi bujq, me ato thërrimet tona u përkujdesëm dhe e bëmë godinën e shkollës…Dhe kështu, megjithëse është dimër, më shumë se 40 fëmijë nuk kurseheshin të lageshin prej shiut, të ndyheshin prej llucës dhe të dridheshin prej të ftohtit, të zbathur e të zhveshur, heqin gjithë këto me dëshirë që të mësonin….”

(Pasojnë firmat e krypleqëve të fshatrave të norijes së Kolkondasit)


VRASJA E MËSUESIT

Në piskun e vapës të 15 gushtit të vitit 1918, bujqërit e Kolkondasit, duke thirrur njeri tjetrin, vrapuan të lemerisur për nga shtëpia e Saqellarëve.

Ç’kishte ndodhur?! Ç’ishin ata kalorës e karabinerë që çirreshin e shanin ashtu, qarkuar aq dendur oborrit të madh të Saqellarëve? Dhe kujt…?

Njerëzit mbajtën frymën. Nga porta e madhe e oborrit, dolën katër karabinerë që prinin tri burrat e shtëpisë; Miti, Spiro dhe Leksin…duarlidhur!

Spirua në mes… Secilën dorë të lidhur me njerën dorë të dy vëllezërve…!

Lebetia e të vegjëlve dhe grave të ngjethte misht. Burrat shihnin vëngër gratë

që nduknin faqet dhe lutnin zotin për gjëmën. Por gjëma sapo kishte nisur…. . . Familja e madhe e Saqellarëve me mbi 30 vetë, fëmijë, gra dhe pleq, me plaçka mbi shpinë dhe fëmijtë në gji, u vunë për udhë. Për ku?

Askush s’e thoshte. Askush s’u përgjigjej qarjeve, pyetjeve dhe lebetisë së fëmijëve. Vetëm sharjet dhe kondakët pas shpine ua hidhnin këmbët për andej nga i prinin të huajt me burrat e tyre duarlidhur. Iknin me kokën pas duke lënë shkret pragun dhe vatrën, tërë kamjen, djersën dhe mundin e këtyre njerëzve që gdhiheshin e ngryseshin në ugare.

Në të rënë të diellit, çanin përmes pyllit të paanë të Gjokallisë. Po për ku? Përsëri hiç…?! Në mes të pyllit, të parët qëndruan. Tri vëllezërit, duarlidhur, i tërhoqën anë udhës dhe i mbështetën pas një trungu. Më tej, ndaluan edhe varganin e gjatë të grave e fëmijëve.

Sytë e të gjithëve qenë mbërthyer tek tri burra e shtëpisë. Mes mjegullës së lotëve fytyrat e tyre u vinin si të prera, të ngrira në egërsinë e asaj heshtje enigmë. Tri karabinerët-kapo, u bënë kokë më kokë.

I pari dha shenjën. I zgjidhën burrat. Mbase i lirojnë…? Po pse këtu ? Jo… Mos !

Spiron e veçuan. Dy vëllezërit e tjerë, i lidhën sërish dorëpërdorë.

Gratë dhe fëmijtë dridheshin në ankth…! Ç’mendje kishin të liqtë?

Ç’plane gatuanin…? Dhe ja…!

Një breshëri automatiku si e rënë nga qielli në heshtjen pus të atij pylli biti, ia bëri shoshë gjoksin Spiro Saqellarit. Gjithçka ishte aq e beftë sa pataksi pleq e fëmijë. Dy vëllezërit sikur e prisnin…

U bënë njësh dhe kafshonin gishtrinjtë e dorës së zgjidhur si të mbanin gulçën e asaj dhimbjeje-mal. Lebetia e fëmijëve dhe vajet e grave zgjuan tërë gjallesat e pyllit dhe bënë të vraponin njerëzit që u ndodhën më afër…

Po askush s’u lejua të varroste Papa Spiro Saqellarin…Gjithçka ecte sipas një vendimi të marrë kush e di se ku dhe nga kush. Po doemos, nga të huajt…

Po ç’ishte gjithë ky mllef dhe inat kaq i hidhur i të ligut? Dhe… përse?!


…..Saqellarët, ishte njera nga familjet më të herëshme të fshatit. Mbiemri i tyre i dikurshëm ishte Gjeçi. Shërbimi dhe ngjitja në heriarkinë fetare i disa prej burrave të saj në disa breza, i dha ofiqin klerikal “Saqellari”,çka i mbeti llagap.(Dy Josafët-xhaxha e nip, dhespotë të Beratit)

Njeri nga të parët që ia çoi emrin gjer larg kësaj familje të madhe, ishte Kush Saqellari, kapiten dhe së fundmi, pronar i një anije të madhe në Greqi, ku edhe u martua dhe ngrysi jetën. Duket se pikërisht kjo, rruga e detit, i nxori dhe i njohu gjer larg shumë burra të këtyre anëve. Kishte një arsye që u shkonte për voli fshatrave këtej; porti i Semanit dhe më herët, ai i Spinaricës, Pirgut e Karavastasë në mesjetë dhe më vonë e më tej, edhe ai i Vlorës. Të gjithë këto porte, nga nisnin rrugëtimet detare, nuk ishin veçse një vrap pele larg Kolkondasit. Edhe rruga për në to ishte e dystë dhe e sigurtë, përmes bashkëfshatarëve të së njëjtës krahinë.

Kov Saqellarin(1853-1934);

mësues i hershëm i kësaj familje, këto rrugë dhe këta njerëz e nisën për larg.

I ati, Josifi, që punonte si marinar në një anije greke, e mori me vete pasi mbaroi mësimet e para në Kolkondas dhe e shkolloi në qytetin e Selanikut. Këtu u njoh edhe me patriotë të tjerë shqiptarë. Pas kësaj, për mbi 15 vjet, bëri punën e mësuesit në disa qytete të Rumanisë, Bullgarisë e Rusisë ku nisi edhe studimet e larta të cilat, i ndërpreu pas vdekjes së të atit.

I pajisur me përvojë mësuesie dhe kulturën e kohës (fliste dhe shkruante katër gjuhë; turqisht, greqisht, rusisht, italisht), në vitin 1890, Kovi u kthye në vendlindje dhe bashkë me patriotët e Myzeqesë, luftuan ta kthenin në shqip shkollën e njohur(skoli në greqisht), në manastirin e Kolkondasit.

Por administrata turke dhe Mitropolia greke e Beratit, e diktuan dhe e ndoqën për ta burgosur. Me ndihmën e miqëve mundi t’u shpëtonte redifëve osmanë.

Më 1893, tashmë i fshehur pas emrit të një agjenti tregtar, Kovi u rikthye në vendlindje me të njëjtin synim. Por i rrezikuar dhe i kërcënuar me burgosje, iku sërish pa e realizuar misionin e vet. Këtë herë mori me vete kushuririn Spiro Saqellarin. Shkuan në Stamboll e pastaj në Bukuresht.

Më 1896, redifët turq, të nxitur edhe nga dhespoti grek i Beratit, erdhën disa herë në Kolkondas për të arrestuar Kov dhe Spiro Saqellarin.

Pas spiunimeve se këta u mësonin shqip nxënësve të skolisë greke në manastirin e Kolkondasit, bastisën dhomat e shkollës në manastir dhe disa herë, ditën dhe natën, shtëpinë e madhe të Saqellarëve.

Në vitin 1911, Kov Saqellari kthehet përfundimisht në qytetin e Fierit. Këtu, punon dhe nderohet si një nga mësuesit patriotë të qytetit, i njohur në përpjekjet për çeljen e shkollës shqip në qytetin e Fierit në vitin 1914.

Kov Saqellari ka meritën e çeljes së shkollës së parë femërore në këtë qytet që në vitin 1920 të cilën, e shtoi dhe e drejtoi deri në fund bashkë me mësuesen e mirënjohur fierake Polikseni Pogaçen. Këtu edhe vdiq në vitin 1934 dhe u përcuall me nderime nga i gjithë qyteti i Fierit (1)


-Spiro Saqellari (1870-15 gusht, 1918),

në bashkëveprim me kushuririn, Kovin dhe atdhetarët e njohur rilindas që vepronin në Selanik, Stamboll e Bukuresht, qëndroi në Stamboll e Bukuresht, tek kushuriri tjetër, Llazar Saqellari– aq sa duhej për të gjetur e dërguar abetaret shqip me tregtarët që zbarkonin në portet e Vlorës, të Semanit ose Karavastasë, dhe u rikthye në Kolkondas.

Por, çuditërisht, tashmë Spirua ishte veshur dhe dorëzuar prift…!?

Menjëherë filloi shërbesat fetare në manastirin e Kolkondasit dhe në nëntor të vitit 1895, organizoi në dhomat e këtij manastiri një kurs të shkurtër të mësimit shqip me priftërinj të shkollës së manastirit të Ardenicës dhe gjithë krahinës si edhe disa mësonjës të greqishtes që ende nuk dinin shkrim-këndim shqip.

Pra, veladoni i klerikut, ishte vetëm mbulesa e nevojëshme për të kryer veprimtari atdhetare. Shëmbujt për këtë ishin të shumtë, të afërt dhe të largët, që nga Papa Kristo Negovani, tek Papa Isaija në Seman e Ikonom Kozma Dhima në manastirin e Ardenicës.

Por “gjëma” e të mësuarit shqip në manastirin e Kolkondasit mbërriti shpejt në vesh të qeverisë. Hafijet paguheshin dhe punonin mirë. Mbi 100 kalorës osmanë iu vërsulën fshatarëve të gjorë dhe bastisën laçkë e plaçkë shtëpi më shtëpi dhe derë më derë në fshatin Kolkondas dhe sivëllezërit përqark.

Por Papa Spiron nuk e zunë. Bashkëfshatarët e fshehën gjersa hapën shteg e udhë dhe e përcollën për në Korfuz.

Që këtu, u rikthye tek të tijt në Bukuresht dhe vetëm pas një viti endjesh ndër miqtë atdhetarë jashtë Shqipërisë, u rikthye në Kolkondas.

Në mungesë të Papa Spiros, redifët osmanë kishin bastisur disa herë dhe kishin torturuar vëllezërit e tij, Leksin dhe Mitin.

Por të keqen më të madhe e kishte pësuar kushuriri dhe shoku i tij i luftës, Kristo Lulja. Duarlidhur e tërhoqën osh pas kalit, e morën me vete dhe e syrgjynosën në Jemen nga s’u kthye as i vdekur. . Gjithësesi, puna për mësimin e dhe përhapjen e shqipes vazhdonte tashmë edhe më me zell. Pak muaj pasi Papa Spirua rifilloi veprimtarinë në manastir, tashmë, si prift dhe si mësonjës, redifët e nxitur gjithënjë nga grekëria e dhespotit të Beratit, msynë sërish në Kolkondas.

Këtë herë morën vesh se Papa Spiro Saqellari ishte bërë baba.

Mësuan gjithashtu se gruaja kishte vdekur gjatë lindjes dhe se foshnja kishte mbetur jetim. Redifët ikën duke i lënë familjes dhe fshatit kërcënimin se, nëse Spirua do vazhdonte në të tijën me shkrim-këndimin e shqipes, do t’ia merrnin djalin peng. Ishte metodë e njohur e pushtuesve osmanë për të bërë zap të pabindurit. Por edhe sepse sa herë e kishin rrethuar e bastisur atë shtëpi me mbi tridhjetë shpirt, vetëm gratë dhe kalamanj gjenin brënda. Asnjë burrë…! Atëhere…? Vetëm evlati foshnjë “…do ta bënte zap e tërbjet kaurrin që bënte punën e Judës”- siç thoshte dhespoti grek Dioqinosi në Mitropolinë e Beratit.

Ishte koha kur historia dhe lufta për të mësuarit shqip kishte nxjerrë nevojën e “mësuesve shëtitës”. Si i tillë Papa Spirua hapi disa shkolla ne rrethet e Lushnjes, Beratit dhe Fierit. Punonte vet dy-tri muaj në shkollën e një fshati, përgatiste këtu edhe mësuesin e shqipes, zakonisht nxënësi më i mirë, siguronte ndërtesën e shkollës dhe numurin e nxënësve dhe ikte për ta vazhduar të njëjtën punë, në një fshat tjetër .

Por sa më shumë shtoheshin frutet e kësaj pune atdhetare, aq më shumë shtoheshin dhe egërsoheshin armiqtë. Dhespotët grekë të Beratit, Dioqinos, Kaliniku etj, të cilët administronin gjithë kishat ortodokse të Myzeqesë, e kishin kërcënuar dhe paralajmëruar disa herë priftin Papa Spiro se nuk po bënte punën e perëndisë dhe se po shkelte nomet e fesë së Krishtit…!?

Disa herë agjentët dhe killerët grekomanë, i kishin zënë pusi për ta vrarë. Papa Saqellari e kishte mbushur kupën si mëkatar dhe duhej ta paguante me kokë. Por gjithë këto, as e trembën, as e fshehën mësuesin e ri.

Ja edhe një akt me të cilën e derdhi kupën e mbushur…

Ishte zakon që në çdo Krishtlindje, Mitropolia e Beratit u dërgonte nxënësve të skolive greke pranë çdo kishe, qese me pako e dhurata në kujtim të gjakut të Krishtit dhe gjuhës së tij (greqisht), që mësonin ndër skolitë.

Ardhja dhe shpërndarja e “dhuratave të Krishtit” kthehej në festë për gjithë fshatin me ceremoni të organizuara nga mësuesit dhe të dërguarit e Mitropolisë.

Vitet e fundit, në shumë shkolla të këtyre fshatrave i kishin kundërshtuar këto dhurata. Por dhespotët grekomanë të Beratit, as kurseheshin, as tërhiqeshin në kërcënimet dhe joshjet helenike.

Dhe Spiro Saqellari, si prift dhe mësues i shkollës në manastirin e Kolkondasit, e organizoi ceremoninë. Pasi ftoi dhe mblodhi aty gjithë fshatin, rreshtoi edhe nxënësit, në prani të dërguarëve të Mitropolisë.

Në vend të këndonin e recitonin këngë dhe vjersha në greqisht, fëmijtë kokëulur, si në një ceremoni mortore, ecën drejt lumit, 50-70 metra më tutje, dhe me një shënjë të mësuesit, i vërvitën dhuratat në lumë…

Të pizmosur sa s’ka, të dërguarit ua hipën kuajve dhe nxituan të raportonin hatanë e të paudhit Saqellar i cili, ka dalë nga udha e zotit.

Papa Spiron e thirrën në Berat, për ta “këshilluar”… Ai nuk shkoi. Atëhere dhespoti i dërgoi mallkimin, e çkishëroi dhe e quajtën Judë…!

Dhe Spirua iu përgjegj. Mblodhi fshatarët në një të kremte në oborrin e manastirit, grumbulloi para tyre gjithë librat turçe dhe grekçe dhe u vuri flakën. Ky akt e kapërxeu kufirin e durimit. Armiqtë u shtuan. Redifët osmanë dhe hafijet greke kontrollonin, spiunonin dhe bastisnin shtëpinë e Spiros dhe sa herë s’e gjenin, kërcënonin se do t’ia merrnin peng, Petron, të birin ende i mitur.

Dhe Spirua e vendosi…! E hipi djalin në vithe të kalit dhe u nisën për larg. E çoi dhe ua la në besë kushurinjëve dhe bashkëvendasve në Bukuresht të Rumanisë.

I çliruar nga detyrimi prindëror për fatin e djalit të vetëm, tani iu vu tërësisht luftës së nisur. Pas vendimit që u mor në mbledhjen e manastirit të Ardenicës në vitin 1909 dhe dëbimit që i bënë misionarëve grekomanë të prirë nga Siomolla me shokë, agjentët e Patrikanës u bindën se përpjekjet e tyre për të greqizuar të krishterët e Myzeqesë, në vazhdën e punës së murgut antishqiptar Kozma Etolit (“Shen” Kozmait-1714-1779), po u dilnin gjithënjë e më shterp. Ata që po u prishnin më shumë punë në këtë ndërmarrje të herëshme helenike, ishin pikërisht këta; “…njerëzit e zotit, që hanin bukën e Krishtit dhe bënin punën e Judës…Këta “djaj”, si Papa Spirua këtu, Papa Isaija në Shën Pjetër të Semanit, Ikonom Kozma Dhima në manastirin e Ardenicës, etj, po i minonin nga brenda… Ndaj pusirat dhe agjentët shtuan punën…”

…I shtruar në spitalin e Vlorës për tu kuruar, bashkëluftëtari i Papa Saqellarit, Ikonom Kozma Dhima, prift luftëtar dhe mësonjës në shkollën e manastirit të Ardenicës, dëgjoi mjekët duke folur greqisht tek planifikonin ta helmonin me anë të ilaçeve, gjoja duke e mjekuar…!

Gjysmë i zhveshur doli natën dhe iku fshehur nga spitali. Trokiti në shtëpinë e atdhetarit Jani Minga nga Semani që banonte në Vlorë. Vrasësve u mbetën rrobat dhe xhybja e Ikonomit në garderobën e spitalit të Vlorës.

Kështu vazhdonin pusitë dhe gjakësitë e armiqëve turkoshakë e grekomanë, të bërë bashkë, kundër cilitdo që ecte në rrugën e shqipes.

Në muzeun historik të qytetit të Fierit, veç të tjerash, ruhet edhe një dylbi ushtarake e priftit dhe e mësuesit dëshmor, Spiro Saqellarit.

Duke e parë atë, lind pyetja; ç’lidhje kishte puna e tij si prift apo si mësues me këtë dylbi ushtarake?! Pse në kujtimet e bashkëkohësve dhe të ishnxënësve të tyre këta mësues mbeten gjithënjë të armatosur?

Në vitet e Luftës së parë botërore dhe pikërisht më 1918, kur italianët, pasi kishin zënë Vlorën, nxitonin drejt Shkumbinit dhe Durrësit, duke ndjekur kundërshtarin e dobësuar austrohungarez, që po tërhiqej drejt veriut. Në këto situata kaotike në qytetin dhe fshatrat e Fierit, u përgatit një sulm i armatosur kundër italianëve. U bënë gjithë përgatitjet, u gjendën njerëzit dhe u grumbulluan armët. Për t’i thyer dhe përzënë italianët nga Fieri, para se t’u vinin ndihmat nga Vlora, Spirua, Naun Doko Prifti, Thoma Mici,Vangjel Lulja, Papa Isaija me shokë, prenë linjën telegrafike që nga Vjosa (Ura e Mifolit), deri në postëtelegrafën e Fierit (5)

….Naun Doko Prifti, (Libofshë,1896-Tbilis,1934), ndërkohë ishte mësues në shkollën e fshatit Zharrnec të Lushnjes. Nauni e kishte ungj Spiro Saqellarin pasi nëna e tij ishte çupë e kësaj dere dhe shumë kujtime të fëminisë së tij lidheshin me bëmat dhe rrëfenjat e burrave të Saqellarëve. (6)

Por më shumë se gjaku dhe fisi, mësuesin Naun Doko Prifti e lidhte me ungjit Saqellarë, rruga e përbashkët e luftës për shqipen dhe Shqipërinë. Jeta dhe vepra e gjithë patriotëve të këtyre anëve ishte starti ku Nauni mori nisjen për tu ngritur në kuotën e lartë të atdhetarit dhe dijetarit të shquar, Rektorit të Universitetit të Transkaukazisë(Tbilis,1932) (7)

Por situata luftarake ndër këto vite, kur Fieri, Myzeqeja dhe e gjithë Shqipëria ishte shndërruar në një shesh luftimesh, edhe urrejtja e popullit piqej dhe shtohej çdo ditë e më shumë.

(“…Në Fier, fill pasi hyni ushtria italiane, janë vërtetue të ndeshuna ndërmjet këtyne dhe popullit. Populli i vendit, kur pa se ushtria italiane po e tepronte, nisi me qindrue dhe prej disa shtëpijash u qitën disa herë pushkë…” (8)

Nuk është e rastit që pikërisht në këto kohë të vështira për pushtuesit në këto anë, u përndoqën, u vranë dhe burgosën disa nga veprimtarët më të shquar të Myzeqesë dhe gjithë Shqipërisë. Pak kohë pas pushkatimit makabër të Spiro Saqellarit, (15 gusht,1918),italainët arrestuan dhe burgosën në ishullin e Sazanit edhe mësuesin e Zharrnecit, Naun Doko Priftin.

Shkuan të arrestojnë edhe mësuesin Papa Isaija në Shenpjetër të Semanit. Pasi nuk e kapën dot, ia dogjën shkollën.

Armiqtë, tashmë të shtuar shumëfish, poltësonin dhe nxitnin njeri tjetrin.

Dhespoti grek Dioqinosi, i kishte kërkuar disa herë komandës italiane në Fier asgjësimin e Papa Spiro Saqellarit, si njeri rrebel, që nuk po i bindej as fesë, as qeverisë …Dhe italianët kishin arsyjet e tyre më të forta. Ndaj nuk e bënë të gjatë.


…Familja e madhe e Saqellarëve të Kolkondasit, pasi la të vrarë e pakallur Spiron në pyllin e paanë të Gjokallisë, sërish u vu për udhë. Po për ku?

Mëngjezi i ditës së dytë u zbardhi në fushëtirën e Nartës. Prej disa muajësh pushtuesit italianë grumbullonin në kampin e internimit këtu, kundërshtarët e arrestuar në trikëndëshin Vlorë-Berat-Shkumbin. Po përse këtu?

Sepse pikërisht këtu, epidemia e kolerës po bënte kërdinë. Pra i sollën për t’i shfarosur…!

…Këmbanat e kishës së fshatit nuk binin më. Varroseshin disa në një ditë.

Lotët e njerëzve kishin shterur…Secili varroste të tijtë në heshtje, mes ankthit, frikës dhe shpresës për të gjallët e mbetur. ..

Edhe Saqellarët vdiqën dhe u varrosën këtu, nga një e dy në ditë gjersa, nga mbi tridhjetë vetë që erdhën, mundën të kthehen në vendlindje vetëm…katër !


8 Gusht 2018