S’është keq të jesh nostalgjik…

Nga Wikibooks

Muharrem Xhafa

Jam nxitur të shkruaj për “nostalgjinë” nga një gazetar i vjetër e i aftë, mik imi, Duro Mustafai, i cili botonte në “Dita” para disa ditësh një shkrim të tij shumë interesant : “Nostalgjia e kolonelit të dy akademive”.

Unë nuk do të shkruaj për dy kolonelët, që shkruan Duroja, të cilët i njoh personalisht dhe i nderoj, po do të shkruaj përse shumë shokë a zotërinj cilësohen pa vend si “nostalgjikë” nga persona të tjerë, që as e dinë saktë kuptimin e fjalës “nostalgji”, po janë partiakë të sëmurë e ndoshta edhe injorantë!

Nuk marr përsipër të them se i ka ndodhur gjithkujt, po, kur jemi ulur me miq, shokë e të tjerë të njohur a të panjohur, ndodh që dikush të shprehet me simpati për arritjet pozitive në socializëm apo, siç u pëlqen ndocave të thuhet, në “monizëm”, në “diktaturë”! Personit që është shprehur ashtu me sinqeritet, i hidhet “në grykë” një tjetër dhe i thotë deri duke e kërcënuar: Ja, kjo është “nostalgji” për sistemin politik e shoqëror socialist, është nostalgji për socializmin! S’e di për të tjerë, po më ka ndodhur jo një herë të kem ndërhyrë për të zbutur sherret e për të bërë shpjegime, duke nënvizuar se ç’hyn këtu nostalgjia, ç’lidhje ka ajo me të përmendurit e një arritjeje të vërtetë, të parë e të jetuar nga njerëzit, nga populli, e realizuar apo e përmbushur në socializëm?! Para se t’i thotë tjetrit që “je një nostalgjik i socializmit”, cilido qoftë, duhet të dijë se çfarë do të thotë “nostalgji”, ç’kuptim ka kjo fjalë” e jo të flasë në “tym”, se shpreh nivelin e ulët të tij, injorancën e vet.

Bazuar në disa fjalorë të gjuhës shqipe, anglishte, frëngjishte e italishte, fjala nostalgji përcaktohet si mall (më ka marrë malli), dashuri, dhimbje, trishtim për diçka a dikë, që është larg, si një dëshirë (emocion) e brendshme, e fortë për ta pasur a parë sërish! Pra, nostalgji do të thotë të kesh mall, dhimbje, dashuri, për një gjë të bukur, të cilën nuk e ke më, po e ke pasur më parë dikur, ndaj e kujton për gjurmët e lëna në memorien e qenien tënde! Njerëzit s’kanë nostalgji për gjërat e këqija, po për gjërat e mira, të bukura, madje gjërat e këqija ata as duan t’i kujtojnë, se askush s’ka nostalgji për gjëra që nuk i ka jetuar!

Dhe kjo ka rëndësi të dihet. Se, sado të kenë fantazi, njerëzit nuk mund të kujtojnë ngjarje a evenimente të jetës, që nuk i kanë shijuar! Njeriu, kur kujton a përmend një gjë të parë a të jetuar realisht, pavarësisht se kur ka ndodhur, kjo s’ka lidhje me nostalgjinë, po me të vërtetën e jetuar ose e të parë me sy. Është kjo e mirë apo e hidhur, është tjetër gjë. Se, ç’lidhje ka, bie fjala, me nostalgjinë, një qytetar, i cili tregon se njerëzit në socializëm konsumonin domate e speca etj. bio ose produkte bujqësore e blegtorale të tjera, që shteti socialist i eksportonte me shumicë, ndërsa shteti i sotëm i importon deri dhe skarco, nga vende fqinje?! Po kështu, ç’lidhje ka me nostalgjinë kur sot shteti importon produkte ushqimore pa kurrfarë shije arome, si mishin, djathin, gjalpin tonë etj., pa folur për mollën, pjeshkën a fruta të tjera tonat?! Një kritikë e drejtë, nuk duhet të konfondohet me nostalgjinë!

Tjetër është nostalgjia! Besoj se shumëkush do të ketë vënë re se njerëz të ndryshëm e përdorin fjalën nostalgji pa vend. Nisur nga interesa vetjakë e partiakë ose kombinuar, ata i japin fjalës nostalgji ngarkesë kuptimore negative, ngatërrojnë me dashje, me qëllim të keq, domethënien e fjalës nostalgji me natyrën e veçoritë e sistemit shoqëror-ekonomik, që s’u pëlqen, siç është rasti për socializmin. Shkohet deri aty sa jo për shkak të injorancës, po për qëllime partiake, fjala nostalgji përdoret si epitet fyes e denigrues ndaj çdo e kundërshtari në bisedë, ndonëse fjala a debati s’ka lidhje me nostalgjinë! Një dobësi e madhe kjo për njerëzit pa nivel të mirë kulturor e më keq akoma për ata njerëz që e fshehin të vërtetën për interesa të ngushta vetjake e partiake ose përzierë dhe në kundërshtim me të vërtetën e me ndërgjegjen, bindjen e vet.

Përse mbahet ky qëndrim? Ai që e bën nga padituria, pse është naiv a jo i përgjegjshëm, kjo përbën një kategori më vete. Të tjerë, që e bëjnë këtë si një ndërthurje interesash personalë me interesa përfitimi nga politika e ditës, edhe pse e dinë që s’është e saktë ajo çka thonë, përbën një tjetër kategori njerëzish. Po, ka edhe një kategori tê tretë njerëzish, të cilët veprojnë kështu, se janë të marrosur pas politikës partiake!

T’i thuash tjetrit se je nostalgjik për diçka të mirë të së kaluarës e ta kuptosh këtë si një admirim për sistemin për socializmin, kjo është shumë frenuese!

Plot njerëz të mirë nuk janë për sistemin socialist, po kjo nuk i pengon ata të kujtojnë dhe të pranojnë arritje të socializmit! Sigurisht, ata që e kanë dredhur e flasin keq për socializmin, “ata nuk duhen bërë llogari”, jo vetëm pse shtrembërojnë të vërtetën historike të arritjeve të socializmit, po edhe sepse janë të parët që i kanë parë e shijuar, ndërsa tani i mohojnë! Pa folur këtu për partitë politike e partiakë skizofrenë, të cilët i fryjnë urrejtjes.

Disa veteranë diskutonin një ditë, madje me emra konkretë, se disa partiakë të sëmurë i etiketonin ata si “nostalgjikë” vetëm sepse flisnin me admirim për LANÇ-in dhe arritjet e socializmit. S’e vlen të them se cilët janë, se kjo është një sëmundje e përgjithshme, po theksoj se të jesh “nostalgjik” i progresit, i përparimit të vendit, i arritjeve të mëdha socialiste, kjo është gjë e mirë! Se nga kjo nuk humbet askush, madje duhet zhvilluar! Çfarë të keqe ka, kujt i djeg, të pohosh (po marr nga fryma e shkrimit të Duros) se “Flota jonë Detare Ushtarake ka pasur 220 inxhinierë të profileve të ndryshëm: mekanikë elektrikë etj.” dhe që “Shqipëria jonë e vogël para ‘90-s kishte 1066 tanke të tipeve të ndryshëm..” e që “kemi pasur anije luftarake, kater silurues, nëndetëse, bazë lundruese etj”! Apo që, para 1990-s, forcat e armatosura të Shqipërisë kishin 284 avionë ushtarakë të tipeve të ndryshëm nga me modernët e kohës” dhe që “në shërbim ishin 520 aviatorë”! Kur një tjetër, pse përmend shifra, fakte, argumente të vërteta të jetës në socializëm, të etiketon “nostalgjik”, kjo duhet konsideruar “nder” dhe përgjigjur: Po jam nostalgjik i zhvillimit, i progresit, i përparimit. S’është hiç gjë e keqe të kesh nostalgji për të mirën! Çështja është të mos mbetesh rob i së shkuarës! S’ka progres të shoqërisë, duke mohuar e shkatërruar arritjet e mëdha të realizuara nga populli në socializëm. Kryesore, kur bëhet fjalë për socializmin, është të punosh për rivendosjen e tij.

Nostalgjia është njerëzore, është forcë për progres, kur është e përligjur. Njeriu duhet të ketë nostalgji për të bukurën, të mirën e përjetuar dhe duhet të punojë për të bërë gjëra të bukura, pavarësisht moshës! Një njeri që ka nostalgji për gjërat e mira të socializmit (të së kaluarës), nuk do të thotë se injoron arritjet e sotme! Se asnjëherë nuk duhen mohuar puna, djersa e përpjekjet e popullit të cilësdo kohe i qofshin! Si unë të mos jem nostalgjik për Borizanën time a Krujën ku kam punuar e derdhur mundin e djersën time në vitet më të bukura të rinisë? Si të mos jem nostalgjik për aksionet e rinisë, ku kam pasur fatin të punoj dhe të kem qenë drejtues kryesor i rinisë në Krujë, në Universitetin e Tiranës, Sekretar i KQ të Rinisë? Pa folur për kujtimet, nostalgjinë, punën e madhe të bërë në vitet e pushtetit popullor socialist, udhëhequr nga PPSH-së me Enver Hoxhën në krye për emancipimin e gjithanshëm të shoqërisë shqiptare!


5 Korrik 2018