Jump to content

Ruaju nga grekët kur të bëjnë dhurata

Nga Wikibooks

Nga Bedri Islami

Pak ditë më parë, në shtetin fqinj grek, krejt befas, por jo edhe e papritur, u bë e qartë se Ministria e Punëve të Jashtme, përmes titullarit të larguar tashmë të këtij institucioni, kishte bërë financime miliona eurosh në Shqipëri; më së shumti për njerëzit e politikës, të mediave të ndryshme, por edhe tek njerëzit e shkencës dhe të artit.

Së bashku me lajmin, e saktë apo jo, u përhap edhe një listë e atyre që kishin përfituar, të cilëve u printe lideri i PDIU-së, e njohur si partia çame, Shpëtim Idrizi, në llogarinë e të cilit, sipas mediave greke, kishin vajtur 340 mijë euro, e duke përfunduar tek njerëz që nuk përfillen në politikë, edhe sikur të bëjnë dhjetëra foto disi erotike, si është rasti i një artisteje të njohur.

Sidoqoftë, lajmi u dha. Mjaft kolegë, nëse jemi të tillë, u gjendën në listat e pagesave greke dhe reagimet ndaj këtij lajmi ishin të pakta, duke përjashtuar atë të Zhejit. Jo gjithnjë heshtja është shenjë miratimi, por diçka duhet thënë. Në mos, duhet pranuar.

Nuk është lajm i ri që financimet e politikës së lartë greke janë të pranishme në politikën, në median dhe në kishën ortodokse autoqefale shqiptare.

Kanë qenë të ditura se predikimet që bëhen në kishat e ngritura me financime greke janë “mirënjohëse” ndaj shtetit financues, ka qenë e ditur se gjithë loja për të spostuar mëvetësinë e kishës autoqefale nuk është bërë, ashtu thjeshtë, se dikujt i ka shkuar mendja, por se pas tyre kanë qenë financimet e mëdha; ka qenë e ditur se politika greke jo rastësisht financon pjesë të politikës shqiptare dhe kapaku i hapur tani është i fundit. Kapakët e pahapur deri tani mund të tregojnë përse u vendos për Marrëveshjen e Detit dhe çfarë enigme fshinte puthja e Bakojanisit; hapja e dosjeve të vjetra mund të na shpjegojë përse, aq befas, një qeveri “nacionaliste” që bënte thirrje për bashkim kombëtar në vitin 1992, lejonte hapjen pa asnjë kriter të shkollave greke në vendin tonë, edhe atje ku nuk kishte asnjë minoritar; mund të sillen dëshmi të reja përse aq vrullshëm dhe nga cilat financime buluan këtu bankat greke, që më pas u tjetërsuan, firmat greke, kompanitë e telefonisë mobile. Në defterët e vjetër grekë, jo edhe aq të rrudhosur, një ditë do të kemi dëshmi se cilat lëshime financiare na çuan drejt krijimit të mitit të varrezave greke, edhe me eshtrat e shqiptarëve të vjetër, ashtu si do të kemi më të qartë se cilat financime lejuan krijimin e një organizate si Omonia apo mbijetesën e partisë së Vangjel Dules, dhjakut të vjetër të Janullatosit.

Pra, megjithëse lajmi duhej të ishte tronditës, askush nuk u ndje se kishte qenë një gjë e paditur.

Ashtu si nesër, nëse pas, ta zëmë më Ministrinë e Jashtme të shtetit turk për financimet në Shqipëri, askush nuk do të çuditet. Sepse, si edhe financimet serbe, ato janë një e fshehtë e hapur, të cilën, të gjithë e dinë, shumë e përtypin dhe disa fërkojnë duart.

Përse ndodh kjo dhe përse financimet greke dhe serbe janë ndër më të rrezikshmet në këtë kohë kur gjërat janë ende në lëvizje dhe kur probleme jetike shtrohen para kombit?

Financimet greke dhe serbe erdhën në të njëjtën kohë në Shqipëri. Ata buluan si financime partiake dhe nganjëherë u shpallën me bujë. E djathta greke financonte të djathtën shqiptare, haptas, me publicitet medial; e majta greke financonte të majtën, por tinëzisht, sepse të dyja ishin në opozitë.

Në janarin e vitit 1991, kur vendi ishte një portë e shqyer, si është bërë e ditur në media dhe e pa kundërshtuar edhe kur Hajdari ishte në jetë, erdhi financimi i parë i ndjeshëm nga shteti serb, që ishte fillesa dhe që do bënte më vonë burimin e një deklarate të Millosheviçit se, “Shqipëria është kështu si është dhe falë financimeve tona shumëmilionëshe”. Njeriu i ardhur nga Beogradi dorëzoi tek Hajdari shumën e parë të ndjeshme dhe, sa herë që atë e kërcënonin me largimin nga partia, ai u kthehej se “unë kam qenë Njëshi dhe Njëshi di shumë gjëra”. Dhe gojët mbylleshin.

Pra, financimet kanë qenë e, nëse prokuroria e shtetit shqiptar hesht, edhe do të jenë. Që është një veprimtari e kundërligjshme, kjo dihet. Që njerëzit e ligjit deri tani kanë heshtur, edhe kjo është e qartë.

Financimet greke kanë krijuar një lob pro grek, qoftë në politikë, qoftë në botën mediale. Krijimi i këtij lobi nuk është faj në vetvete, por ka përbërë e vazhdon të përbëjë faj, pasi u ka shërbyer interesave të shtetit grek në dëm të vendit të tyre. Kanë shitur veten, duke dashur të shesin vendin. Përmes këtij lobi, herë-herë i shfaqur si nacionalist e herë si tolerant, ka ndodhur jo vetëm depërtimi i ndikimit politik të kishës greke, por nëpërkëmbur janë vlera të ndjeshme kombëtare. Liderë të lëvizjeve vorio – epirote kanë bërë përsheshe të mëdha dhe kanë dashur të bëjmë gjëma më të mëdha.

Përmes këtyre financimeve janë mbështetur marrëveshja të turpshme e të dëmshme, është hapur një rrugë e dytë për nëpërkëmbjen e shumë vlerave dhe është ravijëzuar një lidhje e ndryshme nga ajo që është menduar.

Nëse deri tani gjërat kanë qenë thjeshtë në të ditur, por të pashpallura, tani kemi një shpallje të hapur të financimeve ilegale, të cilat nuk janë dhënë as kuturu dhe thjeshtë për humanizëm. Çështje të nxehta mes Tiranës dhe Athinës kanë gjetur avoketërit e tyre shqiptarë në dobi të mendimit politik grek; loja me minoritetin, si pjesë e domosdoshme e çdo qeverie, deri tek kjo e fundit, ka sjellë hapësirën e një trajtimi përtej çdo norme europiane të rolit të tyre; ngjarjet në disa zona historikisht shqiptare që u kërkohet greqizimi, si Himara, duke mbajtur në mbrojtje huliganët partiakë, si një mbrojtje e mendimit politik, po ashtu ka pasur pas vetes financimet greke.

Mos të bëjmë të paditurin. Këto financime kanë qenë të njohura; ata janë shfaqur përmes pikëpamjeve të ndërvarura, në lëshimet politike që janë bërë, në mbrojtjen e antivlerës.

Financimet e dy shteteve fqinjë kanë rrezikshmërinë e tyre, pasi, me të dy vendet, kemi ende, si komb e si shtet, mjaft probleme të thepisura, të cilat lidhen me çështje themelore, si kufijtë përfundimtarë, qofshin tokësorë, në Kosovë, qofshin detarë, në shtetin shqiptar londinez.

Me të dy shtetet kemi probleme të etnisë, ku në Kosovë kërkohet me forcë, edhe përmes infiltrimit masiv të financimeve të Shërbimit Informativ serb për të bërë të mundur krijimin e një Republika serbska në Kosovë, dhe, në shtetin shqiptar londinez për të varrosur përfundimisht çështjen çame, që është shumë më e dhimbshme dhe tragjike se minoriteti serb në Kosovë.

Milionat e zbuluar, në të dy shtetet, si financime ilegale në Shqipëri, kanë shkuar në duar që janë të njohura për “tolerancën” e tyre politike, dhe, të jemi të bindur, ata do të vazhdojnë edhe më tej.

Do të vazhdojnë ndoshta edhe më fuqishëm dhe më ilegalisht, nëse shteti dhe strukturat e tij nuk e trajtojnë më këtë si një çështje kalimtare.

“Ruaju nga grekërit kur të bëjnë dhurata” – është një ndër thëniet që i ka qëndruar kohës.


24 tetor 2018