Jump to content

Rruga e njeriut deri te titulli i Heroit

Nga Wikibooks

Dhimitër Shtëmbari

I falej vetëm pikës së djersës

I lindur më 22 korrik të vitit 1922 në Rrupaj të rrethit të Lushnjes, Dhimë Liko që fare i vogël do t’i shtrohej punës së rëndë. Dymbëdhjetë – trembëdhjetë vjeç: punëtor në Sejmenëz për hapjen e një kanali. Shërbëtor në Lushnje. Hamall në Portin e Durrësit. Korrës gruri diku në Rashbull. Punëtor rruge në një Shoqëri italiane që kryente punime në Pjeshkëz të Shijakut. Punëtor krahu edhe në Tiranë. Këtu u gjend edhe në Demonstratën e fuqishme antifashiste të tetorit të vitit 1941.

Kur mësoi se ishte futur në listën e zezë të fashistëve, i këshilluar nga militantë tiranas, kthehet në vendlindje. Tanimë aktivizohet si i ri antifashist në zonën e Fier – Sheganit.

I zgjuar, por edhe i guximshëm

Siç bën të dijtur në kujtimet e lëna me shkrim, Dhima iu shkëput punës dhe nisi e vazhdoi veprimtarinë antifashiste. Zgjidhet sekretar i organizatës së Rinisë Antifashiste për Bubullimë – Fiersheganin. Dhe ku nuk e gjeje! Puna nuk mund të bëhet i vetëm, por me shokë, i qe drejtuar një herë sekretari i celulës së Partisë të Lushnjes, Hasan Gina. Dhe kishte pasur të drejtë.

Atyre viteve 1943 – 1944 Dhimë Likos iu desh të lëvizte shumë fshatrave të zonës së Fiersheganit. Jetonte me dhimbjen e fshatarëve. Qeveria kuislinge ngulte këmbë të vileshin një për një të gjitha taksat. në një kohë kur gjëndja ekonomike e fshatarëve ishte ku thërriste kijameti.

Në depot e komunës së Fiersheganit, i kishte thënë një ditë një militant i shquar myzeqar, ka shumë prodhime, filluar nga grurë e misër e deri djathë, gjalp, lesh etj. Do të ishte mirë që të organizohej një aksion për rrëmbimin e këtyre prodhimeve për t’ia shpërndarë popullit, i qe shtruar detyra Dhimës.

Dhe aksioni u organizua, prodhimi u mor dhe iu shpërnda fshatarëve fukarenj.


Atë mbrëmje kur pranohej në Parti

Në mars të vitit 1945, vetëm pak muaj mbas çlirimit, shkruan në kujtimet e veta Dhimë Liko, më vjen një letër nga sekretari i PKSH të rrethit të Lushnjes, Miti Bozo: Gjeni një familje të mirë dhe në mbrëmje aty të bëjmë mbledhjen e celulës së Partisë.

Pa humbur kohë, Dhima njofton Ban Ndreçkën në fshatin Bishqethëm, se në mbrëmje do të kishte nja shtatë a tetë shokë për darkë, por kjo të mos merrej vesh as nga fqinjtë.

Shkuan në mbrëmje një nga një. I zoti i shtëpisë u kishte përgatitur një darkë shumë të mirë. Ndërsa hëngrën e pinë, mysafirët prisnin të largohej nga dhoma i zoti i shtëpisë, mirëpo ai vazhdonte të pyeste tërë kërshëri për të ardhshmen e vendit. Kur u pa se nuk kishte ndërmend të shkulej nga dhoma, atëhere Dhima i thotë me shumë takt, se duhej të largohej, sepse të ardhurit do të bisedonin diçka midis tyre. More, po nga unë do të ruheni ju?!- kishte ngritur zërin xha Bani. – Po të isha burrë i keq, nuk do t’u kisha qasur fare në konak.

Sidoqoftë, u mirëkuptuan. Dhe kishte filluar mbledhja. Kishte folur në fillim Miti Bozo, pastaj e kishte marrë fjalën Lumturi Kokona, vajzë nga Gjirokastra, sekretare e organizatës së Partisë Bubullimë – Fier – Shegan.

– Sot jemi mbledhur të pranojmë në gjirin e Partisë shokun Dhimë, që ju e njihni edhe më mirë nga unë. A jeni dakort?

Të gjithë patën shprehur miratim të plotë


Bashkëfshatari i Dhimës, Gor Basha …

Gjatë atyre muajve të vjeshtës së vitit 1945 Dhimë Liko do të gjendej jo vetëm fshatrave të krahinës së Fiersheganit, por edhe shumë më larg, deri edhe në Verri e Libofshë. Lëvizte fshatrave dhe mbante gjallë te fshatarët e varfër ëndrrën e bukur, se do të mund të bëheshin me tokë.

Aty nga mesi i nëntorit 1945 Miti Bozo, drejtuesi kryesor i Partisë në rreth, e ngarkoi Dhimën me një detyrë shumë të rëndësishme: të njoftonte sa më shumë njerëz nga tërë fshatrat e Myzeqesë, që ditën e 25 nëntorit 1945 të gjendeshin në fshatin Gorre, sepse do të bëhej një festë e madhe me rastin e ndarjes së Tapive të tokave.

Ditën e 25 nëntorit edhe Dhima u ndodh në Gorre. Këtu erdhi vet Kryeministri, Enver Hoxha. Sapo Komandanti pat zbritur nga makina, bashkëfshatari i Dhimës, Gor Basha, si dhe miku i tij, Ndin Gjika, e patën vënë në krah atë. Mos, u thoshte Enveri; faleminderit për gjestin! Mjaft! Lëshomëni!

Në qëndër të fshatit, teksa vet Kryeministri shpërndante Tapitë e tokave, i moshuari Gor Basha pat kërkuar leje të fliste. Dhe pat folur: Gjysh pas gjyshi e bir mbas biri e patëm kërkuar në qiell atë që do të na bënte me tokë, por… ai paska qënë në tokë! Ja ku e kemi këtu; mes nesh…

President i Rinisë të rrethit të Lushnjës

Në mars të vitit 1946 në Lushnje organizohet një mbledhje e byrosë së Partisë. Në këtë kohë e deri në vitin 1948, siç dihet, Partia mbahej e fshehtë dhe afishohej me emrin e Frontit Demokratik.

Në këtë mbledhje kishte ardhur i deleguar nga Komiteti Qendror i PKSh Sami Gjebero. U diskutuan mjaft probleme dhe, në fund të saj, u bën dy emërime: Uani Hila, një militant i hershëm nga fshati Halilaj, caktohej Sekretar i dytë i Komitetit të Partisë, ndërsa në vendin e tij caktohej djaloshi nga Rrupaj.

Sa shumë punë na dilnin përpara! – shkruan në ditarin e vetë Dhima. Sipas orientimit të Partisë, të rinj e të reja bëheshin grup dhe punonin te fshatarë të ndryshëm për të pluguar, mbjellë, prashitur, korrur e depozituar prodhimin bujqësor. Ishin kolektivat bujqësore, si pararendëse e kooperativave bujqësore.

U ngritën kamina gjithandej, të cilat prodhonin tulla e tjegulla për shtëpitë e atyre që iu ishin djegur nga pushtuesit. Nxirnin vullnetarë të rinj e të reja dhe i dërgonin në Rrugën e Dritës Kukës – Peshkopi, apo në kantieret e ndërtimit të hekurudhës Durrës – Peqin.

Nuk mund ta harroj një brigadë të rinjësh e të rejash, që u morën për hapjen e rrugës Gërmenj – Divjakë, shkruan në ditarin e vetë. Dhima.

Në zyrën pa tavan të kooperativës së Goriçajt

Aty nga tetori i vitit 1953 Dhimën e thërret Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, Rrapi Gjermeni dhe i njofton vendimin që ishte marrë: të shkonte kryetar i kooperativës bujqësore të fshatit Goriçaj.

Idealist siç ishte, Dhima shkon menjëherë në Goriçaj. Shkoi dhe mbeti ugareve! Brigadë më brigadë. Në atë zyrën pa tavan, mbrëmjeve mblidhte pleqtë e fshatit dhe u merte mendim për detyrat që do të kryente gjatë javës.

Në vitin e dytë kthesa e kooperativës qe e plotë. Anëtarëve të saj iu nda nga 6 kg. drithë për ditë – pune, sikurse iu nda edhe djathë, gjalp, arra…

Atë vit në Korçë u organizua një Kongres i kooperativave bujqësore. Ishte ftuar edhe Dhima. Madje edhe kishte folur. Aty i ishte dhënë një Dekoratë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. E solli nga Korça dhe e mbante në zyrë. Çoje në shtëpi, i thoshnin shokët. Nuk e çoj në shtëpi, sepse nuk është vetëm e imja. Është edhe e juaja, ua kthente.

Premtime para banorëve të fshatit Senes

Ndërsa ishte në atë palo zyrë që kishte, dikush e njofton se në Lumth e priste Llaqi Jano, nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Kolonjës.

– Përse më keni thirrur? – i qe drejtuar Dhima shokut të Komitetit.

– Të na ndihmosh për të futur në kooperativë fshatin Senes.

Shkuan dhe qendruan në kasollen e një fshatareje me fëmijë jetim. Ndërkohë, u dërguan njerëz që të njoftonin të vinin banorët në atë kasolle. Aty nga mbrëmja erdhën thuajse të gjithë kryefamiljarët. Nën dritën e nja dy – tri kandilave, filloi mbledhja. Ia nisi Llaqi. Thjesht, qart. Mirëpo, të tilla shpjegime ata kishin dëgjuar edhe në raste të tjera. Ne hyjmë në kooperativë, tha dikush, por ama të na jepet drithë deri në korrjet e ardhshme, të na mbillen tokat që kemi… shkurt, të na garantohet jetesa.

Kaq ishte dashur. E kish marrë fjalën sërish Llaqi.

– Këtyre kërkesave do t’u jap përgjigje Dhima. Ta dëgjojmë?

Po, iu qe drejtuar Dhima. Kooperativa ime, e Goriçajt, ka mbi 300 kv misër tepricë. Jua japim juve, por jo misër, por miell. T’i shlyeni kur të zini veten. Dakort? Si kooperativë kam një traktor. Do ta sjellë të punojë tokat tuaja më parë. Dakort? Shikoj që shtëpitë i paskeshit të mbuluara me kashtë. Kooperativa jonë ka ngritur një kaminë për tulla e tjegulla. Do ta fillojmë nga kjo kasolle ku jemi këtu dhe, pastaj, me radhë. Dakort?

– Llaf burri e ke, o kryetar?!

– Në qoftë se nuk i mbajmë këto premtime që po bëjmë, mos u futni në kooperativë.

Që në atë çast pjesa dërrmuese shprehu dëshirën për t’u futur në kooperativë. Dhe që po ato ditë nisi e vazhdoi të mbaheshin edhe premtimet. Mielli, traktori për tokat, tjegullat…

Dita e parë e punës si kryetar në Divjakë

Aty nga fundi i tetorit të vitit 1956 Dhimën e thërresin në Komitetin e Partisë të rrethit dhe e njoftojnë se është caktuar kryetar i kooperativës bujqësore të Divjakës.

– Në mos sot, nesër të paraqitesh në Divjakë, – i patën thënë.

Dhima si Dhima: pranoi. Të nesërmen, i shoqëruar nga instruktori i Partisë, Thoma Sota, udhëtoi me makinë deri në Çermë, pastaj nga këtu nisen në këmbë për në Divjakë. Dy orë rrugë. Siç shkruan në kujtime, kur arriti në Qafën e Sulzotajt hodhi sytë tej e tej fushës së Divjakës. Shkurre e ferra dynjaja! Më parë i kishte pas parë si kuadër i Rinisë, tashmë i shikonte si drejtues ekonomie.

Në Divjakë e dërguan në shtëpinë e Sotir Sakos, se aty ishin “zyrat” e kooperativës! S’gjetën askënd. Shkuan në klub, ku i porsaardhuri takoi disa të njohur të Rinisë. Aty erdhën edhe Cac Gorrea, deri në atë çast – kryetar kooperative, si dhe kryeagronomi, shqiptari malazez Et’hem Bozhiqi, që sapo kishte ardhur në këtë detyrë.

Paraqitja e kuadrit të porsaardhur u bë nga instruktori, i cili u tha fare shkurt: kudo që ka punuar, Dhima ka qënë rezultativ. I dalluar, i nderuar. Me këtë objektiv ka ardhur edhe këtu.

– Hëpërhë do të banoni në shtëpinë e Perik Berbotit, – i thanë.

I shoqëruar nga Caci dhe Et’hemi, tërë atë pasdite Dhima lëvizi thuajse në të gjithë sipërfaqen e tokës së kooperativës.

– Je i lodhur! – i qanë hallin, – prandaj shlodhu në banesë, se ke kohë t’i shikosh nesër a pasnesër arat e kooperativës.

Mirëpo të porsaardhurin nuk e mbante vendi. Kishte ardhur si i besuar dhe s’donte që t’i ndodhte si disa të tjerëve, që ishin zëvendësuar që vitin e parë të punës.

– Të njoftohen anëtarët e kryesisë së kooperativës për t’u mbledhur në mbrëmje, – ishte shprehur Dhima.

Dhe që atë darkë organizoi mbledhjen e parë të Kryesisë.

Në qëndër të vëmendjes: rritja e mirëqënies së kooperativistëve

Mbas mbledhjes së Kryesisë, tërë atë natë të parë në Divjakë kryetari i ri u njoh me mjaft nga treguesit e kooperativës. Ishin 216 familje me rreth 2000 frymë. Mbi 700 forca pune ishin ndarë në 12 brigada. Brigadierët ishin zgjedhur sipas fiseve apo sipas fshatrave. Kryesisht, ishin të moshuar.

Në fillim të janarit 1957 Dhima solli një pjesë të familjes në Divjakë. Gruan e dërgoi pa vonesë në një brigadë arash, ndërsa ca më pas – në një brigadë perimesh. Thjesht, kooperativiste. Sakaq, i kërkoi të vëllait në Rrupaj që t’i mbante nën kujdes të ëmën, por edhe dy fëmijë. Dhe ashtu u bë.

Tremujorin e parë të vitit 1957 e shpallën muaj të kthesës së madhe. Banori divjakas ia njihte kimetin perimeve. Tani kërkohej vetëm organizim, mobilizim dhe disiplinë. Agronom Et’hemi nuk iu ndahej forcave të punës.

Në fund të vitit 1957 nga 2 ha perime u morën mbi dy milion lek të vjetra. Vitin në vazhdim u mbollën 40 ha me lloje të ndryshme perimesh dhe… rezultati qe fantastik: 60 milion lek të vjetra. Vlera e ditës së punës u rrit dy herë në krahasim me vitin e parë.

Në një nga mbledhjet e Kryesisë Dhima kishte shtruar çështjen e rritjes së investimeve në bujqësi. Pra, nga fondi që krijohej, një pjesë duhej të shkonte për rritjen e investimeve për tokën. Natyrisht, kjo detyrë s’qe e lehtë për kryetarin.

Ndërkohë nisi të lidhej me ndërmarrjet e ndryshme për të sjellë nga Lushnja energjinë elektrike, për të hapur një tynel për në Sulzotaj nga do të mund të sillej ujë për perimet, për sigurimin e gazit natyror që do të përdorej për furrin e bukës, spitalin dhe objektet e tjera social kulturore, për të krijuar një rezervuar ujë në Mizë, një tjetër në Xeng….

Vizita krejt e papritur e Enver Hoxhës

Më 7 mars 1966 Dhima ndodhej në zyrën e vetë së bashku me sekretarin e byrosë së Partisë, Kozma Veliu dhe me kuadrin Thoma Sota. Ndërsa bisedonin për punën e asaj dite, përmes dritares shikojnë që në oborrin para zyrave qendrojnë tri makina. Shoku Enver! – u drejtohet Dhima shokëve aty në zyrë dhe… hop çohet nga karrikja.

Teksa i drejtohej Enver Hoxhës, i thotë emrin. Ndërsa ai, ashtu me buzën në gaz, ia kthen: Ju kam parë në një film dokumentar, ku ju ishit pjesëmarrës për hapjen e tokave të reja…

Dhe Dhima e udhëheq drejt zyrës së vetë. Enveri shoqërohej nga sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit, Qemal Myrseli, nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Tamaz Beqari, nga sekretari i tij personal, Haxhi Kroi.

– Uluni vet në karriken tuaj, sepse jua kanë dhënë kooperativistët, – i qe drejtuar Dhimës.

Rreth tri orë pat zgjatur biseda në atë zyrë. Qe interesuar të mësonte për gjithçka në kooperativë. Më pas pat dalë për të vizituar mjedise të ndryshme.

– Sa mirë ka bërë Komiteti Ekzekutiv që ju paska bërë një godinë të re të shkollës…

– Jo, shoku Enver, – ia kishte kthyer Dhima. – Godinën e shkollës, atë të spitalit, të shtëpisë së kulturës e ndonjë tjetër i kemi ndërtuar me fondet e kooperativës.

– Sa mirë! – qe shprehur Enveri.

– Tani dua të vizitoj një familje dëshmori…

– Posi, ju shoqërojmë ne, – ia kthyen Dhima me shokë.

– A, jo, dua ta zgjedh vet familjen. Më shkruani emrat e familjeve dhe unë do të zgjedh.

Dhe zgjodhi familjen e nderuar të Zoi Zakës.

“Yll i artë i dekoratës ju takon pikërisht juve…”

Me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut u dekoruan mjaft punëtorë, kuadro e personalitete të vendit. U dekorua edhe Dhima.

Kishte shkuar Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Lushnjës në Divjakë dhe kishte hedhur fjalën, se kush do të mund ta meritonte titullin e lartë të Heroit të Punës Socialiste. Ishin përmëndur mjaft emra të dalluarish. Emra shoqesh të shquara për kultivimin e perimeve. Emra kuadrosh që kishin arritur tregues rekord në prodhimin e perimeve. Emra specialistësh që u kishin qendruar në kokë bimëve të arave dhe perimeve të ndryshme…

Një grup koperativistësh të moshuar i kishin dalë përpara Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, duke i thënë:

– Po të ketë disa dekorata, dakort jemi që t’u jepet atyre që ju kanë thënë, por ama po qe një e vetme, ajo i takon kryetarit tonë, Dhimë Likos.

Dhe shtuan:

– E di si e thërrasin jo vetëm të rinjtë, por edhe të rriturit? Babë Dhima!

Për të dorëzuar dekoratën me yllin e artë, më 11 janar të vitit 1970 erdhi vet Nënkryetari i Këshillit të Ministrave, Manush Myftiu.

– Ta gëzoni Dekoratën e artë! – e pat uruar Manushi.

– Kjo është e të gjithë kooperativistëve, – ia pat kthyer Dhima.

– Lere menjanë modestinë, – i qe drejtuar seriozisht Manushi. – Kjo dekoratë e lartë ju takon pikërisht juve.

Njëzetenjë vjet kryetar, histori suksesesh

Njëzet e një vjet drejtues kryesor në krye të kooperativës së Divjakës, ekonomisë bujqësore më të madhe në rrethin e Lushnjes. E gjeti me shkurre dhe duna ranore dhe e la me sera me ngrohje. E gjeti pa zyra e pa asgjë tjetër dhe e dorëzoi në prill të vitit 1977 një ekonomi moderne, të njohur edhe në botë. Një ekonomi, që, edhe pse me toka ranore, arriti të marrë mesatarisht në qindra hektarë 30 kv grurë për ha, 70 kv misër për ha, 12 kv pambuk për ha…

Falë punës së shkëlqyer të kooperativistëve me në krye specialistët e pasionuar Loni Çuko, Thanas Rrudha dhe edhe e mjaft të tjerëve, u arritën të ndërtoheshin 6 ha sera me xhama (me ngrohje), 6 ha sera të ndërtuara me plastmas, 40 ha që mbilleshin në fushë, me prodhim të parë të hershëm.

Në fund të vitit 1976 kooperativistëve iu ndanë nga 18.28 lekë për ditë pune, që do të thoshte se çdo kooperativisti u takoi të merte mesatarisht nga 6500 lek të vjetra në muaj.

Mund të ndanim edhe nga 8 mijë lekë në muaj për çdo kooperativist, se nuk na mungonin fondet, shkruan në kujtimet e veta i ndjeri Dhimë, por ishte koha që duhet të qendronim në nivel konkurent me tërë ekonomitë e tjera.

Dhimë Liko ka qënë dhe mbetet një idealist i përkryer, i denjë për periudhën që jetoi dhe, natyrisht, jashtë kohe për ditët e sotme. Kur e detyruan të blente televizor në vitin 1972, ai pranoi me kushtin që aparati televiziv të qendronte në dritaren e njërës prej dhomave të shtëpisë së vetë , që të mund ta shikonin banorë të fshatit. Dhe kështu ndodhi vërtet. Kryesia nxitoi të blente një aparat televiziv për ta vendosur në Shtëpinë e Kulturës, që të mund të qetësohej familja e tij.

Njerëz të tillë, si Dhimë Liko, i lindi koha që jetuan. Ylli i artë i Heroit të Punës nuk i është ndryshkur. Dhe s’ka për t’u ndryshkur kurrë. Sepse është i larë jo thjesht me flori, por me djersën e tij të ndershme.


31 Gusht 2018