Romani i Radios/8

Nga Wikibooks

ROMANI I RADIOS


Faqe 7
faqe
- 8 -

Faqe 9

“Viktima valëvitej në banjon e apartamentit të një gruaje me një letër xhep. Policia dyshon që ngjarja mund të ketë ngjyrime politike. Profesori kishte kohë që ishte angazhuar me demaskimin e sekteve masone dhe në përgjithësi misioneve fetare, shpesh me background të dyshimtë në vendin tonë”.

Marengleni, alias Xhimi, e nisi artikullin shpejt në redaksi. Që nga ajo proçka me atë këngëtaren gjoskmadhe, karriera e tij kishte vajtur për poshtë, si gur në fund të një pusi. Dhe ky ishte një pus i humbur ku gurët po ranë në fund as i nxirrte njeri. Pas intervistës shefi e kish përplasur me shqelma te sektori i kronikës së zezë. Ai nuk e kish kuptuar mirë në fillim. Intervista dukej interesante, këngëtares i kish nxjerrë ca të palara i kish futur dhe një të shkepur. Shefi duhej të ishte i kënaqur! Vetëm më vonë mori vesh që këngëtarja ishte edhe dashnorja e dikujt me peshë që nuk duronte dot të lexonte në gazetën që sponsorizonte edhe vetë, ilegalisht, kuptohet, të dilnin gjëra që i vrisnin sytë e që as donte t’i dinte. Sa për të “shkepurën” mori vesh që shefi kishte kohë që e planifikonte për vete, po këngëtarja e kish refuzuar, kot, ashtu, sa për pordhë. Dhe pas gjithë kësaj, ai duhej të thoshte shyqyr që nuk e kishin përzënë me shqelma nga gazeta. Se cili shef do duronte nëpër këmbë një tip që kish futur në dorë një alamet femre që shefin e refuzonte. Megjithatë, ky vend ku jetojmë e ka një të mirë. Edhe në pusin më të humbur të shtetit, vjen përherë një trazovaç e fut hundët. Xhimi ka shpresë, që do dalë përsëri mbi ujë. Dikush do të kujtohet për të. E deri atëherë i duhet t’i bëjë hyzmetin punës. Ama, i vjen dhe mirë që e ka sfiduar me sukses seksualisht shefin. “ai ka pushtetin, unë kemi ... ” thoshte shpesh me vete duke buzëqeshur. Ato 3 pikat i referoheshin objektit që kish lindur konfliktin mes tij dhe shefit, për punë të Mugadesit. Tani e kanë sjellë në këtë ngjarjen budallaqe me një profesor që tundet majë dushit. Ai ishte habitur që i vetëvaruri kish lënë dhe dushin hapur, sikur të donte të lante mëkatet. Policët kishin qenë të detyruar të vishnin mushama që ta hiqnin. Njëri kish shkulur një sixhade nga muri dhe mbi të kishin vënë kufomën derisa të vinte ambulanca. Ngjarja me profesorin premtonte shumë në fillim. Po tani që kishte ardhur dhe kishte parë gjendjen, me atë letrën idiote të vetëvrasjes në xhep, kuptoi që s’kish për të nxjerrë gjë në dritë. Nuk ishte ky, me sa duket, fati i tij. Do i duhej të priste një krim tjetër që të bëhej i famshëm e i rëndësishëm në gjolin gazetaresk. Veç nëse... Ideja që i kishte ardhur kishte qenë thjesht brilante. Kishte lidhje me kohën e shkollës kur ai me 2 shokë harrakatë hapnin me kaçavidë dollapët ku ruheshin provimet dhe nuk synonin të rregullonin provimin e tyre, por vetëm të shkarravitnin fletën e provimit të dikujt që kishin inat. Ai kish pritur sa policët po merreshin me mushamatë, dhe fshehtas kish shtuar një indicie në xhepin e pardësysë së viktimës. Kish parë me buzëqeshje kur njëri nga hetuesit e nxorri me pincetë nga xhepi, desh i iku truri kur ai për pak sa nuk e hodhi si një gjë pa vlerë, dhe u qetësua vetëm kur e pa në qese, të mbyllje në kutinë e sendeve të hetimit. Pastaj iu afrua si një gjarpër me zile vajzës bukuroshe që qante në cep. Ai nuk e ngriti kokën. Zilja, nuk i funksionoi. Unë jam gjarpër, qoftë me qoftë pa zile, i tha vetes. “Goce, më fal një minutë” Ajo ngriti kokën. Ishte e bukur si lepujt e gjyshes së tij. Xhimi ishte rritur mes lepujve. Dhe i urrente. Po të ngordhte një lepur, hante dru ai. Po të humbte një lepur, hante dru ai. Po t’i ndodhte një gjë atij, lepujt merrnin dhe ushqimin e tij. “Si quhesh?” “Silvi” “Ç’lidhje kishit me viktimën?” “Ç’të duhet ty!?” “Jam gazetar! Më duhet një intervistë...” “Punë e madhe!” Heshtje. Ajo uli prapë kokën. Gjarpri me/pa zile iu afrua dhe i tha në vesh. “Unë mund të të bëj të famshme. Siç bëra këngëtaren Mugades. Me të kam një marrëdhënie shuuuumë të ngrohtë...” “Ik ore pirdhu, ti me gjithë Mugadesin tënd! Tani dil nga shtëpia ime! Urgjent!” Lepuri brenda saj qe zhdukur dhe kishte dalë në dritë ujku. “Pa shih, pa shih!” mendoi Xhimi. Doli qetë e pa fjalë. Ai e kishte mbjellë indicien. Kurse lepurushes-ujk s’do tia linte pa larë. Në fund të fundit, një ujk mund të jetë imponues në fotografi ose dhe në dimër në pyll, po një gjarpër me zile mbetet një gjarpër me zile. Ndërsa doli te shkalla e pallatit, ku njerëzit ishin bërë si suvatim i skaduar që bie në rrugë e nuk e fshin kurrë njeri, ju kujtuan prapë lepujt. Dmth, ajo që mbeti nga lepujt pasi ai u vuri flakën me gjithë kotec.


  • * *

Sofia rrinte ulur në karrige, dhe truri s’i punonte më. Kishin bërë një orë rrugë, thuajse pa folur, dmth ajo që pyeste me ngulm e ai që s’fliste, derisa ajo kishte urdhëruar që të ktheheshin dhe ai i kishte rënë një grusht në fytyrë. Syri do t’i qe nxirë. Sa mirë që s’më pa Hamdiu kështu, mendoi, do e kish varur për këmbësh këtë tipin... dmth, pasi të dalë nga burgu... Libri me planin e arratisjes ka mbetur në makinë. Nuk duhet të humbë... po Sandri? Ç’i ka bërë vetes ai kafshë?? Pse të ketë vrarë veten?? Asaj i rrjedhin lot. As që përpiqet t’i fshijë, për inat të këtij taksixhiu impotent që guxon edhe bën rrëmbime. Ai rri aty me biftekun përpara e ha ngadalë, sikur ëshët në piknik. Bifteku para saj është i paprekur. Nuk do hante sikur nami të bëhej. Sikur të qe dhe duke vdekur urie. Bimi, ngrinte herë pas here kokën e shihte nga dera. Ajo e shihte ngulët e vrenjtur në sy. Ama nuk ia mbante të bënte më pyetje. Nuk donte të nxinte edhe syrin tjetër... Kjo situatë shumë shpejt do mbarojë, dhe ajo do ja kthejë borxhin e gjithë këtij idiotizmi... Te dera u shfaq një burrë me kasketë. Ai erdhi dhe u ul në tavolinën e tyre. “Gati, jemi” tha. Sikur ata të dinin të studionin një qenie njerëzore, do kishin lexuar në bebëzat e zmadhuara të Sofisë tmerrin që e mbërtheu. Ata u ngritën, dhe ajo pas tyre. Pa folur pa pyetur. U ngjitën sipër lokalit, te pjesa që duhej të shërbente si motel. E futën në një dhomë. I dhanë diçka për të veshur, dhe i thanë të ishte gati për një orë. Kur dera u mbyll, çelësi u rrotullua në bravë, ajo hapi mbi krevat fustanin e bardhë që duhej të vishte dhe shpërtheu në dënesë. Kishte të paktën 20 vjet, që kur kishte abortuar një fëmijë, që s’lindi kurrë me një njeri që s’u bë burrë, kurrë që nuk kishte qarë ashtu. As kur i pat vdekur gjyshja.


  • * *

Vëlla Xh. rrinte ulur në karrike me duar mbi gjunjë dhe dëgjonte zhurmat që vinin nga apartamenti përballë i Sofisë. Diçka kishte ngjarë, po dera e vëllezërve të misionit nuk kishte sy magjik, por dhe po të kishte ai nuk do qe ngritur të shikonte se ç’bëhej. Ka punë që i di vetëm Zoti. Njerëzit jnaë kuriozë më shumë se ç’duhet. Pse nuk e kanë futur edhe kuriozitetin te 7 mëkatet bazë? Kurioziteti, ishte nëna e tërë të këqiave. Çdo mëkat niste në formë kurioziteti, ja ta provoj këtë akullore se duket e mirë, ja të shoh çfarë note ka marrë shoku, ja të provoj puthjen e parë... dhe pastaj vinin të tëra, grykësia, zilia, urretja, epshi... Dera ra. Fort! Vëlla Xh. u ngrit ta hapte. Te dera ishin dy policë. Atij i ra të fikët.

  • * *

Emanuela rrinte me gjunjtë të mbështjellë me duar, e tëra e mbështjellë me këmishën e natës. Jashtë kishte zënë një shi me bubullima, ndërsa ajo rrinte duke fiksuar lajmet në TV pa e pasur mendjen atje. Me radhë në ekran kaluan dis gra të politikës, të cilat ngjanin si burra. Gratë ishin bashkuar për një qëllim të madh, t’i thonin jo dhunës ndaj gruas. Përveç faktit që këto gra ngjanin si meshkuj, mbase prej punës që bënin, mbase prej ambientit maskilist ku merrni frymë e jetonin, mbase thjesht prej hormoneve të gabuara që kishin marrë tërë jetën, Emanuelës i neveriteshin sepse ato gra, që dilnin për të llapur në ditën e caktuar si dita kudnër dhunës, me siguri hanin dru rregullisht, në krevat ose në kuzhinë, nga burrat e tyre ose nga dashnorët. Pastaj filloi kronika e zezë, autostrada e përgjakur, një njeri i varur me kravatën e vet, një kufomë në pus. Emanuela nuk u zgjua nga apatia dot as nga gazetari që tregonte me krenari vendin ku ishte vetëvarur personi, merrte në intervistë njerëzit që banonin aty pranë, dhe pyeste, Pse? Pse? Pse një profesor i nderuar, me disa tituj akademikë, me disa libra shkencorë dhe madje edhe me një libër me poezi, një profesor që ishte burri që çdo grua do ta lakmonte (këtë gjë Emanuela e shtoi nga vetja duke parë foton e profesorit të ndjerë, gazetari nuk ishte aq i zoti sa të bënte vërejtje të tilla të holla për një subjekt), të varej në shtëpinë e dikujt tjetër. Emanuela hodhi sytë nga dritarja. Nuk binte shi, por Zoti kish nderur rrobat atje sipër dhe pikonte në katin poshtë. Gazetari nuk e kishte mbaruar akoma kronikën. Gruaja e apartamentit nuk gjendej. Nuk ishte kthyer në shtëpi akoma, edhe pse kishin kaluar shumë orë nga gjetja e trupit. Emanuela u përkund me duar dhe zëri i televizorit vinte i largët. A thua nuk kish qenë vetëvrasje por vrasje? Pse nuk gjendej gruaja? Kushdo mund të vrasë në këtë qytet. Vetëm meshkujt që e rrethojnë atë, meshkuj që ajo u ka lejuar të ngrohin shtratin e saj, nuk janë në gjendje ta shpëtojnë atë nga i shoqi. Ndërsa përkundej me gjunjët mes këmbëve përfytyroi vuajtjet e Lulit, atij debili që veç pastrave e ëmbëlsirave s’dinte të bënte asgjë tjetër, as makarona, përfytyroi se si ai rrinte pa gjumë, nuk i haheshin makaronat e veta të shpifura e asgjë tjetër, ndoshta edhe qante. Nga sms-të e dëshpëruara që i dërgonte, kuptohej që vuante. Por akoma nuk e ka vrarë veten. "Pra nuk po vuan aq shumë", mendoi Emanuela. Do ta linte edhe ca të përpëlitej, që dëshpërimi i tij të bëhej garanci se do e kryente detyrën. Kiti, ju ngjit mbi gjunjë. Donte përkëdhelje. Macet jnaë e vetmja gjë hyjnore në këtë botë. Perfekte, të vetëmjaftueshme, femërore, feline, dhe përjetësisht indiferente e të lumtura. U përkundën të dyja, Emanuela me gjunjët e mbledhura në këmishën e natës, dhe Kiti mbi gjunjët e saj. Në të vërtetë, u përkundën të tre. Edhe krijesa që prej dy javësh ajo kish marrë vesh se po rritej në barkun e saj. Ajo krijesë nuk duhet të ketë baba Rrahimin, as për emër, as për mbiemër. Para se të lindë, njëri prej tyre do ta zërë vendin e Rrahimit e do të jetë babai i saj. Sigla e lajmeve filloi e mbaroi. Shiu kishte pushuar. Kiti u ngrit dhe u vërdallos pa qëllim. Emanuela me gjunjët e shtrënguar mes duarve, e tëra e mbështjellë me këmishën e saj të natës, vazhdoi të përkundej e përhumbur dhe pothuajse e lumtur. Ajo vetë, ishte një djep në përkundje.

  • * *

Për t’u vazhduar: Kush e vrau professor Sandrin, ose kush e shtyu në vetëvrasje! Si arriti vrasësi ta ngrinte e ta varte te koka e dushit? Kush është njeriu që do e hetojë këtë rast?



Faqe 7
faqe
- 8 -

Faqe 9