Roli i shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike

Nga Wikibooks

Bahri Beci

Lidhur me rolin e shqipes a të parashqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike janë vënë re dy qëndrime a teori kontradiktore, një qëndrim a teori e parë dhe më i vjetër, që e pranon ndikimin e shqipes a të parashqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike dhe një qëndrim a teori e dytë e mëvonshme, që e mohon mundësinë e ndikimit të shqipes a parashqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike.

Sipas teorisë së parë tiparet e përbashkëta gjuhësore ballkanike janë rezultat i ndikimit të një substrakti ilir ose trak që identifikohej me gjuhën shqipe.

Kështu për shembull, Fr. Miklosich e kërkonte burimin e shumicës ose, të paktën, të pjesës më të madhe të dukurive të përbashkëta gjuhësore ballkanike «tek elementi i lashtë autokton» për të cilin shkruante se besonte «të ketë qenë i afërt me shqipen e ditëve tona» që ai e konsideronte si «vazhduesen e ilirishtes».

Pikëpamjen e Fr. Miklosichit e ka mbështetur edhe H. Schuchard.

Weigand e kërkonte burimin e dukurive gjuhësore të përbashkëta ballkanike tek veprimi i substraktit të përbashkët trako-shqiptar, duke e konsideruar shqipen, në ndryshim nga Fr. Miklosiç, si vazhduesen e trakishtes.

Teoria sipas së cilës tiparet e përbashkëta gjuhësore ballkanike janë rezultat i ndikimit të një substrakti ilir ose trak është mbrojtur edhe nga studiues të tjerë si H. W. Schall etj.

Sipas teorisë së dytë mundësia e ndikimit të shqipes mbi gjuhët e tjera ballkanike dhe në mënyrë të veçantë mbi greqishten është e pamundur.

Sipas Kr. Sandfeldit është paimagjinueshme që një gjuhë kulture si greqishtja të këtë mundur të pësojë (…) ndikimin e një gjuhe barbare që nuk mbështetet në asnjë autoritet politik (…) ».

Edhe J. Feuillet, kur flet për origjinën e zhdukjes së paskajores në gjuhët ballkanike shkruan se «përsa i përket shqipes, që ka ndikuar shumë pak në gjuhët e tjera ballkanike, është krejt e pamundur të jetë në origjinën e këtij fenomeni»..

Lidhur me mundësinë e ndikimit të shqipes mbi gjuhët e tjera ballkanike R. G. Zolta ka shkruar se «ideja e Sandfeldit që greqishtja ka mbartur peshën kryesore për burimin e ballkanizmave nuk mund të pranohet. Përkundrazi qysh nga fundi i antikitetit greqishtja ka ardhur duke u ballkanizuar gjithnjë e më shumë. Gjuhë vendimtare e ballkaneve duhet të jetë pikërisht shqipja, pranë së cilës mund të vendosen rumanishtja dhe bullgarishtja ».

Schaller i ka klasifikuar gjuhët ballkanike në gjuhë ballkanike të shkallës së parë (shqipja, bullgarishtja, maqedonishtja dhe rumanishtja), të shkallës së dytë (greqishtja, serbo-kroatishtja) dhe të shkallës së tretë (turqishtja, sllovenishtja dhe hungarishtja). Origjina e ballkanizmave, sipas tij, duhet kërkuar në gjuhët e shkallës së parë. Gjuhët e shkallës së dytë “përsa i përket ballkanizmave të tyre, nuk janë gjë tjetër veçse rezultat i rrezatimeve të dukurive gjuhësore që vinë nga gjuhët ballkanike të shkallës parë”.

Gjatë shqyrtimit të dukurive të përbashkëta gjuhësore ballkanike, përfshirë këtu edhe historinë e formimit të tyre, na është krijuar bindja që studiuesit nuk kanë pasur gjithmonë sa dhe si duhet parasysh shtrirjen gjeografike dhe vjetërsinë e këtyre dukurive në gjuhën shqipe.

Ne mendojmë se shtrirja dhe vjetërsia e dukurive ballkanike në gjuhën shqipe është me rëndësi për të shpjeguar historinë e formimit të tyre.

Sipas shtrirjes gjeografike në shqipen, dukuritë e përbashkëta të gjuhëve ballkanike mund të grupohen: a) në dukuri gjuhësore ballkanike që shtrihen në mbarë shqipen; b) në dukuri gjuhësore ballkanike që shtrihen vetëm në dialektin e jugut ose toskërishte.

Ballkanizmat më të rëndësishme që shtrihen në mbarë shqipen janë: 1) prapavendosja e nyjës shquese; 2) bashkëpërkimi i rasave gjinore dhe dhanore; 3) rimarrja e kundrinave; 4) formimi i së ardhmes me ndihmën e foljes “dua”; 5) formimi i numërorëve 11 deri në 19 me ndihmën e një parafjale.

Këtu është me vlerë të theksojmë që, nga dukuritë e përbashkëta të shqipes me gjuhët ballkanike të shtrira në mbarë shqipen, vetëm bashkëpërkimi i gjinores me dhanoren është përgjithësuar në mbarë gjuhët ballkanike (greqishte, shqipe, rumanishte, bullgarishte e maqedonishte), të tjerat kanë një shtrirje më të kufizuar. Kështu p.sh. prapavendosja e nyjës shquese, po edhe formimi i numërorëve 11-l9 me ndihmën e një parafjale, po edhe format e mënyrës habitore mungojnë në greqishte. Kjo e fundit mungon edhe në rumanishte, kurse rimarrja e kundrinave nuk është përgjithësuar në rumanishte, ndeshet më së shumti në shqipen, në të folmet maqedone dhe më rrallë në bullgarishten lindore, kurse në greqishte vetëm në dialektet e saj veriore.

Siç shihet, këto dukuri dobësohen ose zhduken sa më në lindje dhe jug të gjuhëve ballkanike të shkojmë; më të përgjithësuara paraqiten në viset perëndimore, përfshirë këtu edhe Maqedoninë. Mendoj se ky është një tregues që ndoshta nuk duhet nënvleftësuar ose harruar.

Edhe nga pikëpamja e vjetërsisë vihen re disa prirje. Tri nga dukuritë e ballkanike, bashkëpërkimi i rasave gjinore-dhanore, prapavendosja e nyjës shquese dhe rimarrja e kundrinave në shqipe janë të vjetra ose relativisht të vjetra, në rumanishte dy të parat janë të hershme, kurse e treta as e përgjithësuar, as e hershme, në greqishte e para e hershme, e dyta nuk ekziston, kurse e treta e vjetër po dialektore veriore.

Është përsëri një situatë që flet për një vjetërsi dhe shtrirje më të madhe të tyre në shqipe, çka të shtyn të mendosh për valë që kanë ardhur nga vise perëndimore ose nga një zonë që e ka pasur qendrën diku në territoret shqiptare e maqedone perëndimore dhe greke veriore.

Lidhur me rolin e shqipes në formimin e tipave të përbashkëta ballkanike janë me interes ballkanizmat që shtrihen në dialektin e jugut.

Nga gjashtë tipare dalluese dialektore të toskërishtes ose të dialektit të jugut, katër ose pesë janë vlerësuar si ballkanizma: 1. mungesa e kundërvënies sipas gjatësisë dhe hundorësisë; 2. prania e zanores qendrore /ë/; 3. rotacizmi i /n/ në /r/; 4. zëvendësimi i paskajores me lidhoren.

Janë të përbashkëta për shqipen e jugut (toskërishten) dhe rumanishten ose dialekte të saj mungesa e kundërvënieve sipas hundorësisë dhe sipas gjatësisë, prania e fonemës zanore të theksuar /ë /, rotacizmi, kalimi i vo-së në va- (në rumanishte në oa), me të cilin në shqipen e jugut (toskërishten) shkon paralel edhe kalimi i -uo- në -ua-, si edhe zëvendësimi i paskajores me lidhoren.

Nga këto dukuri të përbashkëta për shqipen e jugut (toskërishten) dhe rumanishten, në bullgarishte dhe maqedonishte gjenden mungesa e kundërvënies sipas hundorësisë dhe sipas gjatësisë, fonema zanore e theksuar /ë/ dhe zëvendësimi i paskajores me lidhoren; në serbo-kroatishte gjenden mungesa e kundërvënies sipas hundorësisë dhe sipas gjatësisë, fonema zanore e theksuar /ë/ (vetëm në disa të folme) dhe zëvendësimi i pjesshëm i paskajores me lidhoren (vetëm në disa dialekte serbe), kurse në greqishte mungesa e kundërvënies sipas hundorësisë e gjatësisë dhe zëvendësimi i paskajores me lidhoren.

Pra, nuk ndeshen në greqishte fonema zanore e theksuar /ë /, dukuria e rotacizmit të n-së ndërzanore, kalimi i vo-së në va me të cilin në shqipen e jugut (toskërishten) shkon paralel edhe kalimi i uo në ua, çka përjashton edhe mundësinë e ndikimit të greqishtes në këto zhvillime të toskërishtes.

Së dyti, këto dukuri në tërësinë e tyre nuk gjenden as në maqedonishte, as në bullgarishte. Por, edhe kur ekziston ndonjëra prej tyre siç është për shembull prania e zanores ë të theksuar në maqedonishte dhe bullgarishte, ajo është zhvilluar në këto gjuhë në periudhën ndërmjet shek. XII‑XIII, pra, është shumë më e re në kohë se ë‑ja e theksuar e toskërishtes. Madje B. Koneski ka pranuar mundësinë e ndikimit të shqipes ose të arumanishtes në kalimin e ô > b (ë) në maqedonishte (përjashtuar të folmet veriore të saj).

Po kështu edhe humbja e hundorësisë në maqedonishte e bullgarishte është një dukuri relativisht e re; hundorësia ka filluar të zhduket në maqedonishte në shek. XII, kurse në bullgarishte në shek. XIII. Përpjekja e V. Polakut për ta shpjeguar këtë dukuri të toskërishtes me një lloj imitimi të n‑së kakuminale të shqipes nga bullgaro-sllavët është hedhur poshtë.

Kështu që përjashtohet edhe mundësia e ndikimit të bullgarishtes e maqedonishtes në këto zhvillime të shqipes dialektore.

Lidhjet me rumanishten nuk mund të përjashtohen apriori, aq më tepër kur dihet që këto dukuri në shqipe dhe rumanishte janë të hershme.

Siç thamë janë të përbashkëta për shqipen e jugut ose toskërishten dhe rumanishten mungesa e kundërvënies sipas hundorësisë dhe sipas gjatësisë, prania e fonemës ë të theksuar, rotacizmi, kalimi i vo-së në va– (në rumanishte i o-së në oa), paralelisht me kalimin e ou-së në ua në toskërishte, si edhe zëvendësimi i paskajores me lidhoren.

Çabej shihte një lidhje historike ndërmjet hundorësisë dhe rotacizmit në shqipe dhe rumanishte.

Skok, H. Bariç dhe A. I. Balota kanë parë mundësinë e ndikimit të shqipes në rotacizmin dakorumun. P. Skok, duke kundërshtuar Rosetin dhe Prokopeviçin që hedhin poshtë çdo raport të hundorësisë dhe të rotacizmit rumun me hundorësinë gege dhe rotacizmin toskë, ka shkruar: « unë jam i bindur se në këtë çështje, si në shumë të tjera, janë pikërisht faktet e shqipes që na ndihmojnë për të gjetur zgjidhjen sadopak të kënaqshme », « ka prova, vazhdon ai, nga të cilat del që rotacizmi istrorumun duhet të ketë ndodhur në jug të Danubit, diku në Ballkan. Unë nuk dua të them tani për tani, për shkak të mungesës së provave bindëse, që kjo mund të ketë ndodhur në fqinjësi me toskërishten ».

B. Balota ka pranuar që trajtimi i njëjtë i n-së ndërzanore në pozicion hundor në rumanishten veriore dhe në shqipen toske na shtyn të pranojmë origjinën shqiptare të rotacizmit.

Sipas Çabejt, « Nazalizmi i shqipes ka një lidhje historike me atë të rumanishtes », « në të dyja këto dy gjuhë edhe rotacizmi lidhet me nazalizmin ». Një mendim të ngjashëm me Çabejn ka shprehur edhe O. Densusianu, kurse Avrami bën një varg vërejtjesh kundër një mendimi të tillë ».

Demiraj shton që « dukuria e hundorësisë në këto dy gjuhë është shoqëruar edhe me shfaqjen e zanores /ë/ në mbarë rumanishten dhe në dialektin jugor të shqipes, si edhe me rotacizmin në dialektin jugor të shqipes, si edhe në disa dialekte të rumanishtes» dhe se « hundorëzimi i zanoreve në këto dy gjuhë është një dukuri kryesisht parasllave, pra, relativisht e vjetër ».

Konkluzioni në të cilin arrin Demiraj është se « kemi të bëjmë me një dukuri të zhvilluar paralelisht (në mënyrë të pavarur) në dy gjuhë simotra, që kanë pasur një sistem gjuhësor të ngjashëm, i cili i është nënshtruar një evolucioni të ngjashëm».

Në dallim nga Demiraj, K. Topalli, duke folur për hundorësinë e zanoreve në shqipe e rumanishte ka shkruar se « një lidhje e dukurive të shqipes me rumanishten në këtë pikë ka mbështetje në faktorin kronologjik, meqenëse zhvillimin e saj të plotë në gjuhën shqipe kjo dukuri e ka pasur në Mesjetën e hershme, para ardhjes së sllavëve në Ballkan. Kjo është arsyeja që gjuhëtarët e ndryshëm, sidomos ballkanistët, i kanë dhënë përgjigje pozitive çështjes që shtron Majer-Lybkeja për lidhjen me rumanishten në këtë pikë ».

Kr. Sandfeld, duke folur për lidhjet gjuhësore ndërmjet shqipes dhe rumanishtes ka nënvizuar se « të gjitha këto lidhje midis shqipes dhe rumanishtes nuk mund të jenë rezultat i rastësisë », « shumica e gjuhëtarëve të huaj, vazhdon ai, kanë shikuar në raportet e ngushta të shqipes e rumanishtes miratimin e faktit që (…) kombësia rumune është zhvilluar në shekujt e parë të erës sonë, në jug të Danubit, në kontakt intim me shqiptarët dhe shtrirja e sotme e rumunëve i dedikohet një imigracioni të mëvonshëm. Kjo hipotezë, që mund të mbrohet edhe me argumente të tjera, përputhet me faktin që një popullsi rumune, arumunët, janë të përhapur sot edhe në jug të Danubit… ».

Të gjitha këto na shtyjnë të mendojmë për një rol më të rëndësishëm se ç’është menduar deri tani të shqipes a të parashqipes në zhvillimin e elementeve të përbashkëta gjuhësore ballkanike.

Në këto rrethana është me rëndësi t’i vështrojmë kushtet histo­rike, situatën etnike dhe rolin e elementit etnik shqiptar a parashqiptar në këtë territor.

Thunman, duke folur për origjinën e popullit shqiptar, ka shkruar “Populli i parë që njeh historia në këtë vend (ka parasysh territoret perëndimore të Ballkanit) janë ilirët, një popull i madh, i shumtë në numër dhe fuqishëm, që, sipas Strabonit dhe Apianit, banonte buzë detit Adriatik, nga lumi Po deri në Gjirin e Ambrakisë e në veri deri në Danub (…). Apiani thotë shprehimisht se panonët ilirë, istrianët, japodët, dalmatët, dardanët, ardianët, autariatët e, me një fjalë, të gjithë popujt deri në malet Keraune, përgjithësisht njiheshin si ilirë. Por ata gjendeshin kudo në Maqedoni, në Epir e në Thesali (…). Edhe në Epir banonin vetëm popuj jogrekë, të cilët, siç u vu re më parë, flisnin gjuhën maqedone ose, çka është e njëjtë, gjuhën ilire”. J. G. Hahn insistonte që epirotët, maqedonët dhe ilirët ishin fise të afflrta me njëri-tjetrin, ose me prejardhje të përbashkët. Sipas R. Katiçiçit, për autorët e vjetër grekë, jo vetëm trakasit dhe ilirët, po edhe maqe­donasit dhe epirotët ishin “barbarë” term me të cilin grekërit, siç di­het, emërtonin popujt e tjerë, jo grekë.

Kurse për sa i përket gjuhës së maqedonasve ai ka shkruar se “është fare i paarsyeshëm fakti që disa dijetarë provojnë të dëshmojnë se çdo shkencëtar që dyshon nëse maqedonasit kanë qenë me origjinë greke është ose i painformuar ose pa vullnet të mirë”.

Pra, mundësia që maqedonasit të mos kenë qenë grekë, po ilirë ose të afërt me ilirët nuk mund të përjashtohet apriori.

Sipas E. Çabej teza e afërsisë së Epirotëve, Ilirëve dhe Maqedo­nasve është sot një mendim i pranuar pothuajse gjithkund, sepse edhe ato pak dëshmi që kanë ngelur nga gjuhët e këtyre popujve, flasin qartë për një afërsi të tillë

Madje ka studiues që insistojnë që “rrënjët etnike të maqedo­nasve të lashtë kanë qenë, sipas të gjitha gjasave, ilire, ndonëse shtresa e lartë në atë kohë kishte rënë nën ndikimin e kulturës greke”.

Burimet më të vjetra historike tregojnë që edhe popullsia e vjetër e Epirit i përkiste shtresës etnike ilire.

Me emrin Epir në antikitet njihej rajoni që shtrihej nga malet Akro­keraune (Himara) në veri, dhe deri tek gjiri i Ambrakisë në jug dhe nga bri­gjet e detit Jon në perëndim deri në vargmalet Pindit në lindje. Tukididi historian i shekullit të V p.e. re, Straboni, gjeograf në kapërcyell të erës së re dhe Stefan Bizantini i shekullit VI-të të erës sonë, i kanë përcaktuar banorët e Epirit si “barbarë”. Ephore, bashkohës i Tukididit, në përshkrimin e Greqisë e lë jashtë Epirin. Pseud-­Scylax-i, gjeograf grek i shekullit të IV, ka shkruar se “Pas Molosisë është Ambracia, qytet grek… Këtu fillon Greqia, pa ndërprerje deri tek lumi Penenes…”. J. G. Hahn ka shkruar se “Shkumbini i ndan sot ge­gët dhe toskët sikundër që ka ndarë që moti stërgjyshërit e tyre ilirët dhe epirotët që kishin afrim gjaku…”. Sipas tij “zona në jug të Shkum­binit deri në gjirin e Ambrakisë ka qenë e banuar nga fise epirote, nga pikëpamja etnike të të njëjtës shtresë si edhe ilirët…”.

Për këtë flasin edhe zhvillimet fonetike të emrave të vendeve të dëshmuara në këto territore nga koha antike ose Mesjeta e hershme si: Aulona > Vlona / Vlora, Tamarus > Tomor, Aoos > Vjosë, Arachthos > Artë, Germinium Dhërmi, Xtpaipa > Himarë, Thyamis > Çam etj. të cilët dëshmojnë se kanë qenë pandërprerje në gojën e shqiptarëve dhe se vetëm gjuha shqipe ka mundur t’u japë trajtën që kanë sot.

Edhe N. G. L. Hammond ka pohuar se “Dëshmitë arkeologjike tregojnë se kultura greke, siç shfaqet në poçeri dhe objekte të tjera, nuk depërtoi në Epirin e brendshëm, me perjashtim të Dodonës dhe atje vetem në një masë të kufizuar, deri në shekullin VI. Dëshmitë historike në përgjithësi dhe përshkrimi i tribuve të Epirit të brendshëm si barbarë nga Tukididi, Straboni dhe Stefan Bizantini janë në harmoni me dëshmite arkeologjike. Prandaj nuk mund të merret seriozisht ideja që gjuha greke u përhap prej qyteteve greke në bregdet dhe zëvendësoi një gjuhë jogreke gjatë shekullit të pestë ose të gjashtë. Iliria qendrore ishte gjeografikisht shume më e hapur për depërtim nëpërmjet Epidamnit, Apolonisë dhe Bylisit, por gjuha greke nuk e zëvendësoi gju­hën ilire atje në shekullin IV ose më vonë”.

Sipas historianëve që kur fillojnë të dalin dokumentet e para me karakter etnik (shekujt XII-XIII)shqiptarët paraqiten si banorë autoktonë të Epirit. “Gjatë gjithë Mesjetës dhe deri në Kohët e reja, shkruan historianit P. Xhuft, Epiri ka qenë një territor kryesisht shqiptar. Nga pikëpamja etnike, Epiri ishte një territor shqiptar që i është nënshtruar një procesi të vazhdueshëm helenizimi dhe për pasojë dezalbanizimi”.

Ata kanë pohuar gjithashtu që gjatë Mesjetës territoret përgjatë vijës Nish-Shkup-Manastir-Kostur-Janine-Artë kanë qenë të banuara kryesisht nga shqiptarë dhe kjo vijë përbën kufirin lindor të etnisë shqiptare. Në një dokument të shekullit XIV (1390) përmenden si pje­së përbërëse të Arbërisë Kosturi, Konica. Sipas Gjon Muzakes (1510) kufiri lindor i Arbërisë ishte Bullgaria dhe malet e Peristerit (Pindi).

Në shekullin XIV shqiptarët përbënin një element demografik shu­më të pranishëm edhe në Thesali. Defterët e Turqisë të shekullit XIV i paraqesin ata si popullsinë e dytë përsa i përket numrit, duke i renditur menjëherë pas grekëve. Dokumentet e shekullit XIV brenda konceptit “shqiptar” përfshinin edhe rrethet e Pogonit, Konicës dhe Kosturit. Edhe gjatë pushtimit serb të Thesalisë (1348-1384) shqiptarët përmenden si një element themelor i Thesalisë perëndimore dhe veriperëndimore. Sips P. Xhufit, ka, pra, arsye ta konsiderojmë Thesalinë perëndimore si vendbanim të vjetër të shqiptareve. Nuk ka asnjë të dhënë që të vërtetojë një kolonizim shqiptar të Thesalisë para, gjatë ose pas shekullit XIV.

Pra, siç ka theksuar E. Çabej “territori i sotëm i shqiptarëve nuk është rezultat ekspansioni, po rezultat i një ngushtimi të paprerë gjatë historisë shqiptare”. Këtu është me rëndësi të shënojmë që edhe P. Asenova ka theksuar që nyjën e proceseve konvergjente në Ballkan e formojnë dialektet jugore të shqipes, dialektet serbe të Prizren-Timokut, dialektet bullgare jugperëndi­more, dialektet greke veriore (Epir, Maqedoni) dhe arumanishtja. Sipas saj “rolin e një qendre ballkanike e ka luajtur pjesa jugperën­dimore e gadishullit ndërmjet luginave të lumenjve Vjosa e Vardar, dome­thënë jugu i Shqipërisë, Epiri dhe Maqedonia perëndimore. Per M. Pavloviç, vazhdon ajo, kjo zonë ballkanike qendrore është Epiri grek dhe shqiptar. Edhe O. J. Nasteva ka ngulur këmbë që qytetet Ohër, Elbasan, Voskopojë, Korçë, Janinë, Kostur, Lerin, dhe Sollyn paraqesin rajonin ekonomik e politik nga janë nisur gjatë shekujve shumë ballkanizma në dialektet dhe zonat gjuhësore fqinje.

Si përfundim mund të thuhet se të dhënat e gjuhës shqipe flasin në të mirë të një roli më të madh se ç’është menduar deri tani të gjuhës shqipe, ose parashqipes, në zhvillimin e tipareve të përbashkëta gjuhësore të gjuhëve ballkanike. G. R. Solta ka mbrojtur të njëjtën pikëpamje.

Ajo që deshëm të bënim këtu ishte të tërhiq­nim vëmendjen në një aspekt që na duket se nuk është vënë në dukje sa duhet dhe pikërisht në rolin e shqipes a parashqipes në formimin e bashkëpërkimeve gjuhësore ballkanike. Sigurisht do të duhen kërkime të tjera për t’i bërë të pranueshme këto pikëpamje, po gjithsesi mendojmë se kërkimet duhet të vazhdoj në edhe në këtë drejtim.


Gazeta "Dita" 11 dhjetor 2017