Ringrihet nëndetësja ‘105’, tashmë një atraksion turistik

Nga Wikibooks

Nëndetësja legjendare “105” e cila u bë e famshme në vitet e komunizmit kur Shqipëria po shkëpuste marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Bashkimin Sovjetik, do të jetë një prej atraksioneve turistike në vend. Kur rusët po tërhiqnin armatimin nga baza ushtarake e Pasha Limanit në Vlorë në vitin 1961, një pjesë e armatimeve u mbajtën forcërisht nga shqiptarët, mes tyre edhe nëndetësja “105”. Pas 57 vitesh, nëndetësja e famshme del sërish në skenë, ndonëse jo si para 5 dekadash. Specialistët kanë punuar për katër vite për ta rikthyer atë në gjendjen që ishte para vitit 1997 kur u shkatërrua.

Specialisti i trashëgimisë kulturore shpirtërore Sejmen Gjokoli, ka bërë publik lajmin që e shoqëron me disa foto se si duket sot nëndetësja. Ai shkruan se tashmë ajo është rindërtuar dhe gjithçka është në vend.

“E shkatërruar dhe e zhveshur tërësisht në vitin e mbrapshtë ‘97, ajo do të mbetej ashtu bark tharë e lidhur në një nga kalatat e bazës ushtarake të Pashait”, shkruan Gjokoli në rrjetin social “Facebook”.

“NJË ASET QË FLE NË DET…

( -ose ringritja e Nëndetëses 105-)

Kam kohë që i ruaj pa publikuar këto foto. Prej dimrit që shkoi, ditës që pata rastin të vizitoj nga afër Nëndetësen 105, të famshmen historike të Pashalimanit të viteve gjashtëdhjetë.

E quaj fat atë moment kur për të parën herë do të hyja në “barkun” e një nëndetësje e ca më tepër kur ky mjet i sofistikuar ushtarak lidhet me një nga historitë më të lavdishme e më dridhëruese të ushtrisë shqiptare në vitet e luftës së ftohtë.

E shkatërruar dhe e xhveshur tërësisht në vitin e mbrapsht ‘97, ajo do të mbetej ashtu bark tharë e lidhur në një nga kalatat e bazës ushtarake të Pashait.


Këtu do ti shpëtonte edhe “skartimit” të çmendur kur simotrat u bënë skrap për pangopësinë. Askush se di, ose më mirë të them fare pak e dinë që, pikërisht brenda kësaj nëndetësje, për rreth tri apo katër vite dy burra, dy ish specialistë të teknikës së kohës, kanë punuar pa ndërprerë për ta ringritur e për ti dhënë shkëlqimin e madhështinë e dikurshme.

Me thonj kanë punuar e ashtu një e nga një ja kanë gjetur e montuar paisjet, pjesët dhe aksesorët e rrjepur barbarisht.

Prej rrjetit elektrik, të ajrimit e aspirimit, vendkomandës, pultin e drejtimit, dhomën e silurave, krevatet e marinarëve, guzhinën etj. Gjer te dhomat zyra të komandantit e komisarit, të dya përballë njera tjetrës të ndara nga koridori i ngushtë.

Çdo gjë ashtu si ka qenë, në çdo detaj e paisje deri te vidat më të imta e ornamentet e varura. Edhe boja e ngjyrat rigorozisht orgjinale, jashtë e brenda.

Tani thuajse e gatshme të presë e të përcjellë vizitorë duke shtuar kështu një aset të jashtëzakonshëm turistik jo vetëm për Vlorën.

Pa diskutim dita që do deklarojë startimin zyrtar të aksesimit të Nëndetëses 105, vendosur diku në një nga kalatat detare të Gjirit të Vlorës, do të shënojë edhe krijimin e një prej atraksioneve më madhore në fushën turistike e historike në hapësirën gjithë shqiptare.

Dhe me siguri atë ditë do flitet gjatë e mbase nuk do mungojë nderimi e vlerësimi për Neim Shehun e Ferdinand Hodon, dy mjeshtrat orikumas që 105-sën e shkretuar e rijetësuan për ta patur përsëri në ujrat adriatiko-joniane, tanimë të qeta por jo pak të lakmuara.

Tani për tu treguar brezave se edhe për luftën e kemi të lashtë e gjëmimtare historinë…”, shkruan Gjokoli në Facebook.


1 Gusht 2018