Ringjallja e censurës

Nga Wikibooks

Nga Xhevdet Shehu

Ndryshe nga vitet e tjera, kjo verë e nxehtë po ikte e pabujë, pa ndonjë thagmë politike nga ato që mbajnë të ngritur vëmendjen e opinionit me diskutime të gjata para filxhanit të kafes. Dhe, më e çuditshme, po ikte pa ndonjë sulm kundër shkrimtarit më në zë të letrave shqipe, Ismail Kadaresë, debatet, sulmet dhe “zbulimet” për të cilin gjallërohen gjithnjë në prag të stinës së Nobelit.

“Me sa duket, janë lodhur anti-Kadarenjtë”, tha dikush i dëshpëruar që mezi priste ofensivën e radhës kundër shkrimtarit të shquar.

Dhe ja, si rrufe në një qiell të kthjellët, kur politikanët dhe qeveritarët ishin përgjumur dhe thekeshin plazheve, pra më 15 gusht, kur termometri shënonte 38 gradë, plasi. U bë e ditur publikisht se prej vjeshtës së vitit të kaluar Partia Demokratike po punon për një kuadër të ri ligjor për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare. Një draft i është çuar për konsultim fondacionit gjerman Conrad Adenuer, i cili pasi ka dhënë një mendim nga pikëpamja historike, pritet të vlerësojë edhe anën juridike të projekt-ligjit.

Në prononcimin e nënkryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike në një TV, E. Alibeaj, për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare nga krijimtaria e kohës së diktaturës përmendet vetëm një emër, ai Ismail Kadaresë.

“Biem dakord që arti në një dozë të madhe në atë kohë; libra, filma apo edhe mjete të tjera të propagandës të kamufluara më elementë artistikë ishin një nga elementët kryesorë të cilët ndikuan në deformimin e formimit artistik apo edhe politik të shoqërisë komuniste në atë kohë. Madje unë besoj që është një nga mjetet më të rrezikshme të cilat deformuan dhe deformojnë edhe sot mënyrën se si do të duhet njerëzit të jenë të qartë për të drejtat e tyre, për lirinë”.

Ajo që kërkon të bëjë Partia Demokratike është vendosja e një shënimi tek çdo film apo libër për të shpjeguar diktaturën komuniste, pa përjashtuar asnjë film apo libër përfshi edhe ata që janë konsideruar si figurat më të rëndësishme të letërsisë sonë.

“Mjetet që do të duhet të përdorim siç është shoqëria e civilizuar sot, të mos e privojë individin për të marrë informacionin të cilin do, të cilin pëlqen, por duke i dhënë paralelisht në të njëjtën kohë informacionin tjetër atë real, atë të vërtetin, që në fund të fundit për çdo libër, qoftë edhe të Kadaresë, kur ta lexojë të mos dalë i mpirë në arsyetimin e vet për situatën apo për gjendjen që ka qenë por të shohë edhe faqet e tjera të librit të pashkruar të Kadaresë, ato të cilat diktatura nuk ia lejonte të shkruante.”

Ja pra kjo është nisma dhe thelbi i një projektligji që PD kërkon të miratohet në parlament.


Anti-Kadarenjtë bënë sikur fjetën, por nuk i kishte zënë kurrë gjumi. Lubonjat tashmë kanë veshur qyrkun e një force politike dhe janë bërë më të rafinuar e më këmbëngulës në përpjekjen e tyre. Qëndrimi dhe lufta e tyre tashmë po bëhet zyrtare, me bekimin edhe të një fondacioni të huaj me emër.

Vitin e kaluar pati një debat të nxehtë mbi një nismë për të ndaluar me ligj transmetimin e filmave artistikë të realizuar në kohën e diktaturës. Pas një sherrnaje që zgjati disa javë me mendime pro dhe kundër, duket sikur stuhia që i ngjante një uragani nga ata me emra të bukur femrash sikurse i quajnë në Shtetet e Bashkuara, u fashit. Thamë se çështja u mbyll, ndërsa në disa kanale televizive vazhduan të transmetonin filmat e ndaluar…

Por ja që nuk paska qenë kështu. Në heshtje, por këmbëngulshëm qenka punuar për ta çuar edhe më tej këtë nismë. Jo vetëm filmat e krijuar gjatë regjimit komunist duhet të vihen me “pullë të kuqe”, por edhe letërsia e gjithë arti i asaj kohe duhet të tregohet me gisht, duke i paralajmëruar shikuesit dhe lexuesit se kanë të bëjnë me diçka shumë të rrezikshme, me diçka që i ngjet kolerës dhe duhet qëndruar sa më larg prej saj.

Thënë troç, as më shumë e as më pak, kjo është një ringjallje e censurës së dikurshme. Një ringjallje e frikshme që synon një shpëlarje të truve të shqiptarëve në një kohë të re. Ne shqiptarët e kemi vuajtur censurën dhe e dimë se ç’do të thotë rikthimi i saj. Liria e fjalës qe një nga fitoret e mëdha që ne arritëm në atë dhjetorin tashmë të largët 1990. Por me sa duket jemi gëzuar para kohe.

Sepse, pas afro tri dekadash duket se po kërcënohemi nga ringjallja e censurës, të cilën thuajse e kishim harruar. Projektligji i propozuar dhe i konsultuar nga një fondacion i huaj këtë synon. Dhe këtë e bëjnë ata që pretendojnë se kanë sakrifikuar më shumë se të tjerët për fjalën e lirë.

Ismail Kadareja në këtë rast është thjesht një pretekst. Si përfaqësuesi më i shquar i atij brezi shkrimtarësh dhe artistësh që krijuan nën diktaturë, ai synohet të jetë viktima e parë. Po ra ai, bien lehtësisht edhe të tjerët, kanë menduar hartuesit e këtij projektligji.

Çfarë synohet konkretisht me këtë nismë të partisë më të madhe të opozitës?

Ta ndalojnë shkrimtarin? E pamundur. Ta fshijnë nga letërsia shqipe? E pa imagjinueshme. Atëherë duhen gjetur rrugë të tjera më të rafinuara e më afatgjata… Sepse Ismaili është një pemë e madhe dhe hijerëndë që jo vetëm në socializëm por edhe sot e kësaj dite po pengon lulëzimin e talenteve të reja dhe ata nuk po mundin të ngrenë krye. Ky është arsyetimi i kritikëve të tij të djeshëm dhe të sotëm, sado absurd të duket. Sepse nëse Ismaili bëri një “Gjeneral…” kur ishte vetëm 23-24 vjeç, këta gjatë gjithë jetës së tyre nuk po arrijnë të bëjnë një ushtar…!

Ismail Kadareja nuk e ka mohuar asnjëherë krijimtarinë e tij në çfarëdo kohe është krijuar ajo. Vepra e tij me dhjetëra vëllime e njohur dhe botuar për dekada me radhë brenda dhe jashtë vendit është një e tërë. Është një vepër artistike. Koha është një konvencion i pa rëndësishëm për shkrimtarin. Ai ka bërë letërsi të shquar edhe në atë kohë e në atë kohë. Ishe ai i pari dhe pas tij shumë të tjerë që i thyen kornizat e të ashtuquajturit realizëm socialist. Autori i ka ribotuar në kolanën e plotë të veprave të tij, ashtu sikurse janë shkruar në kohën që kanë parë për herë të parë dritën e botimit, në diktaturë apo edhe më pas. Madje të rinjtë e lindur pas vitit 1990 dhe të tjerët që do të vijnë pas tyre do të habiten kur të marrin vesh se “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” “Kronikë në gur”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Kështjella” janë krijuar në kohën e diktaturës dhe kanë thyer kornizat e realizmit socialist. Si është e mundur?, do të thonë.

Ismail Kadareja bën një gjest të madhërishëm që i shpërfill kontestuesit e vegjël të tij dhe nuk harxhon asnjëminutë nga koha e tij e çmuar për t’u përballur me ta. Tek libri “Ftesë në studio” ai i ka sfiduar të gjithë njëherë e përgjithmonë këta qysh në vitin 1990 kur është shprehur se, pasi gjithë atyre veprave madhore të krijuara nga mendja e tij, i ngjante vetja si një 800-vjeçar. E si mund të merret seriozisht një 800-vjeçar me ata që vetëm belbëzojnë në jetën e tyre?

Dekomunistizimi si politikë dhe strategji

Nga përmbysja e regjimit totalitar e deri më sot është ndjekur një politikë konstante e etiketuar si “dekomunistizim” i shoqërisë demokratike shqiptare. Në emër të kësaj lufte u hodh baltë dhe u mohua lufta antifashiste nacionalçlirimtare, fitoret dhe veprat e ndërtuara gjatë viteve socialiste. U shkatërruan kombinatet, uzinat e fabrikat dhe u ushqye psikoza e braktisjes…

Në vitet e para, pra në gjysmën e parë të viteve 90 të shekullit të kaluar, kjo politikë edhe ngjiste, edhe besohej, më së shumti jashtë vendit se sa brenda. Por ndërkohë kanë rrjedhur shumë ujëra. Tani, 28 vite nga përmbysja e atij regjimi, t’ia veshësh dështimet, prapambetjen dhe mbrapshtitë e sotme regjimit të djeshëm tingëllon më shumë se absurde. Është një justifikim infantilësh që nuk ngjit më. Një justifikim i tillë është thjesht i pabesueshëm.

Sepse ne ishim dhe jemi dëshmitarë dhe bashkëkohës në të dy sistemet. Kur Sali Berisha i dikurshëm për çdo dështim e ngjarje të mbrapshtë që ndodhte në Shqipëri ia hidhte fajin ish-Sigurimit të Shtetit, misionarët perëndimorë (që nuk e kishin marrë ende vesh se me këtë gjuhë iu fliste një ish-komunist i thëkur i shndërruar brenda një dite në antikomunist) mallëngjeheshin e ia bënin “Pë-pë-pë, sa i rrezikshëm paska qenë regjimi komunist në Shqipëri dhe sa paskan vuajtur shqiptarët e gjorë!”

Po kur panë se brenda një kohe të shkurtër Berisha u shndërrua në një diktator dhe u shkaktoi gjëma të imagjinueshme shqiptarëve, alibia ra.

Gjithsesi, Berisha në atë kohë nuk pati kohë të merret edhe me dekomunistizimin e letërsisë e arteve. Ai dhe regjimi që instaloi ia arriti ta çojë në nivelin zero ekonominë shqiptare me pretekstin se gjithë ato vepra ishin krijuar në kohën e diktaturës. Edhe ushtria e administrata e shtetit. “Kryevepra” e tij ishin piramidat financiare të fajdeve që e çuan Shqipërinë në greminë.

Me sa duket kishte hesape të tjera për të larë. Mirëpo atë që nuk e bëri dot ai, po përpiqen ta bëjnë pinjollët e tij politikë.

Madje para pak vitesh, në një përvjetor ditëlindjeje, Sali Berisha i çoi tufën më të madhe Dritëro Agollit, pavarësisht se ai kishte qenë një shkrimtar komunist dhe kishte shkruar aq shumë kundër tij.

Mirëpo, ka disa fakte paradoksale që nuk e di nëse u ka shkuar në mendje trashëgimtarëve të SHQUP-it: Saliun e kanë kundër! Pse? Sepse e kini vënë re se sa herë jep intervista Sali Berisha, në sfond ka bibliotekën e zyrës, ku librat që bien më shumë në sy janë veprat e Ismail Kadaresë. A e ka marrë në konsideratë këtë fakt Alibeaj kur përmend në intervista emrin e Kadaresë për ta censuruar në projektligjin që po harton?

Një fakt tjetër. Përmendet emri i Kadaresë si themel apo si kulm për ta rrëzuar gjithë ngrehinën. Nuk përmendet Dritëro Agolli. Jam i sigurt se edhe Dritëroi është vënë në rreth të kuq për ta ndaluar. Dhe kanë të drejtë! Veprat më të shquara Dritëroi i shkroi në kohën e diktaturës! Përveç “Zylos…” mua do të më vijë keq se, pas miratimit të këtij projektligji (nëse do të miratohet) nuk do të kemi rastin të lexojmë vëllimin e Dritëroit me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme”, vëllim që është ndaluar edhe në atë kohë e do të ndalohet edhe në këtë kohë.

Por nga ana e Alibeajt duket se ka edhe një inkoherencë me kryetarin e partisë së tij. Zoti Basha një vit e gjysmë më parë mori pjesë në ceremoninë mortore të Dritëroit dhe bëri vlerësime mjaft pozitive për shkrimtarin. Ta ketë harruar ai këtë fakt?

Shpëlarja e truve

Ky plan për censurimin e veprave të krijuara është i vjetër sa bota. Të gjitha diktaturat censurojnë. Naimi ynë i madh ishte censor zyrtar në perandorinë osmane. Hitleri arriti deri aty sa të digjte në turrën e druve librat, siç bënte kisha në mesjetë me heretikët. Në kohën e revolucionit kulturor-proletar kinez u ndaluan edhe kryevepra të letërsisë e muzikës klasike botërore. Edhe gjatë kohës së sundimit të Enverit janë ndaluar vepra dhe autorë, janë ndëshkuar e janë burgosur… Imponoheshin vepra propagandistike me përmbajtje të thellë politike dhe me vlera të ulëta artistike. Është i gjithë pranuar ky fakt. Por poikërisht në atë kohë janë bërë edhe kryevepra që do të shkëlqejnë si margaritarë të përjetshëm në kurorën e kulturës sonë kombëtare.

Mirëpo si ta quajmë këtë censurën e sotme? Ndërkohë që edhe pasi kanë kaluar rreth tridhjetë vjet nga rrëzimi i diktaturës komuniste dhe ne nuk e kemi shijuar ende demokracinë e vërtetë, nuk gjejmë ndonjë arsye të qenësishme për ta justifikuar atë. Mbase më shumë i shkon të themi se kjo i ngjet më shumë censurës naziskine. Sepse ata nuk e propozuan një ligj të ngjashëm për ndalimin e librave si “Lufta ime” të Adolf Hitlerit të botuar me bujë në Shqipërinë e para pak viteve dhe që përfaqëson manifestin e politikës dhe ideologjisë së tij naziste, raciste, antisemite, që ka prodhuar tragjedinë e madhe të quajtur Lufta e Dytë Botërore. Apo të letërsisë porno-politike që ka gëluar me shumicë dhe pa asnjë censurë gjatë këtyre viteve. Të jetë e rastësishme kjo?

Nëse miratohet ky ligj ne duhet të vemi e të pyesim zotin Alibeaj, Flamur Nokën apo Edi Palokën se cilët libra duhet të lexojmë e cilët jo. Që të edukohemi demokratikisht. Të krijojmë njeriun e ri demokrat.

Kjo thënë troç është një shpëlarje e re trush. Është dhe do të jetë një çoroditje e pashembullt. Një ngjarje apokaliptike në kulturën kombëtare që mund të na kthejë një shekull pas. Nëse dikur e quajtëm një marrëzi krijimin e njeriut të ri socialist, një ide e tillë për të vënë në mengene mendjet e njerëzve në një shoqëri të hapur dhe të pretenduar si demokratike, është po aq e rrezikshme, në mos më e keqe. Mirëpo duhet të pranojmë një fakt: ata që e propozojnë një projekt apo ligj të tillë, pretendojnë se kanë vuajtur më shumë nga diktatura komuniste. Është e habitshme se si ata pretendojnë dhe përpiqen të vënë në funksionim një mekanizëm të ndryshkur të një kohe të perënduar. Por, duke njohur vetëm një model, aq shumë janë robëruar prej diktaturës, saqë kërkojnë ta ringjallin atë. Nëse do të pranojmë se ata janë viktima të diktaturës, duhet të pranojmë edhe faktin tjetër se këto viktima janë të dashuruar me xhelatin dhe nuk shqiten dot prej stilit dhe metodave të tij demoniake. Ata po përpiqen të imitojnë një model të perënduar. Atëherë duhet të pranojmë se këta jo vetëm nuk janë demokratë, por janë neodiktatorë të rinj që duan të na risjellin diktaturën. Dekomunistizimi i kulturës dhe arteve prej tyre është thjesht një pretekst, për të mbuluar thelbin e diktaturës që ruajnë dhe ushqejnë brenda vetes. 1997-a, shtatori i 98-s, 21 janari 2011-s etj… janë disa ngjarje që tregojnë thelbin e vërtetë të sjelljes politike të tyre.


Pavarësisht anatemimeve dhe etiketimeve, një fakt është i pamohueshëm në ato vite të zymta të diktaturës janë krijuar veprat më të mira të letërsisë sonë, të kinematografisë, të teatrit dhe të arteve figurative. Në ato vite shkëlqyen dhe bënë epokë me krijimtarinë e tyre Ismail Kadareja e Dritëro Agolli, Fatos Arapi e Jakov Xoxa, Mitrush Kuteli e Petro Marko… Hiq këta nga letërsia, sipas logjikës së Partisë Demokratike, e çfarë mbetet? Më gjeni ju lutem një roman, një vëllim me poezi apo me tregime, një film etj, të krahasueshëm me “Kronikë në gur” apo “Pallati i ëndrrave”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” apo “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”!

Ah, po mbetet vëllimi me poezi “Vrima” para disa kohësh, që iu dha një çmim zyrtar nga Ministria e Kulturës dhe u trumbetua si një kryevepër dhe model i letërsisë shqipe pas vitit 1990! Madje në ceremoninë e dorëzimit të çmimit zyrtar morën pjesë Kryeministri i vendit dhe Ministrja e Kulturës! Atëherë si të mos çoroditet lexuesi i shkretë? Disa hoqën nga buka e gojës ca lekë për të blerë nga një kopje të “Vrimës”. As Dritëroi dhe as Ismaili nuk kanë bërë ndonjë “kryevepër” të këtij lloji. Pse? Sepse i shkruan veprat e tyre nën diktaturë dhe nuk e kishin atë liri të pakufizuar sikurse e kemi sot. Prandaj dhe duhen ndaluar veprat e kohës së komunizmit, që të shkëlqejnë veprat e sotme të llojit të “Vrimës”, të natyrës pornografike, të një shijeje tjetër, të një fryme tjetër që tingëllon si bashkëkohore…

Duhen rrëzuar Kadareja, Agolli dhe të tjerë që të dalin në krye këta të ashtuquajtur shkrimtarë dhe artistë të kohës së demokracisë që po u ikën koha dhe po u shterren fuqitë pa lënë ndonjë gjurmë të dukshme duke u zhytur në harresëpër së gjalli.

Gjatë një interviste që i kam marrë akademikut Rexhep Qosja vitin e kaluar lidhur me kërkesën për ndalimin e filmave të viteve të socializmit, shkroi: “Paragjykimet e ndryshme, leverditë e ndryshme, mosdurimet e ndryshme na bëjnë sot të harrojmë se në atë kohë kur janë krijuar filmat që disa censorë kërkojnë të ndalohen e të censurohen janë krijuar edhe filma me vlerë artistike edhe filma të dobët, janë krijuar vepra letrare me vlerë artistike dhe me vlera modeste, a pa farë vlere, janë krijuar vepra shkencore me rëndësi të madhe shkencore dhe pa vlera shkencore. Në atë kohë, në kushte të diktaturës, disa nga krijuesit e kanë pasur shumë vështirë, kanë vuajtur dhe janë rrezikuar. Por, kanë krijuar dhe ne duhet të kemi nderim për ta e për krijimtarinë e tyre.”


E pra, le të pranojmë për një çast se ky projektligj i opozitës do të miratohet në Parlament. Le të përfytyrojmë pasojat. Hiqi anën më të ndritshme kulturës sonë dhe çfarë do të ngelet? Do të ngelet ana më e zbehtë. Është njëlloj si të fikësh dritën dhe të përpiqesh të ndriçohesh nga drita e hënës… E me që përmendëm dritën, na u kujtuan hidrocentralet. Ato, të gjitha pa përjashtim, u ndërtuan në kohën e diktaturës. Pra, ato janë hidrocentrale komuniste. A duhen dekomunistizuar edhe ata? Pa dyshim! Por si t’ia bëjmë se kanë kaluar tridhjetë vjet dhe ne nuk i kemi shtuar vendit asnjë vepër të tillë të ngjashme, që të na bënte një dritë më të fuqishme. Atëherë, ata që me një kokëfortësi shembullore vijojnë punën për dekomunistizimin, nuk u ngelet gjë tjetër veçse të fikin dritat dhe të ndërpresin energjinë elektrike. Pra t’u kthehen pishës, kandilëve dhe furnelave me vajguri, sikurse na i kujtoi para pak ditësh një akademik.

Unë për vete nuk do ta fik dritën dhe do të vazhdoj të lexoj edhe librat që do të ndalohen me ligjin e propozuar nga Partia Demokratike. Me këtë rast do t’i rikthehem edhe njëherë Arturo Ui-së të Bertolt Brehtit për të freskuar kujtesën për figurën e një përbindshi dhe të ngjashmëve me të…

Mendoj se nuk do të jem i vetmuar në këtë qëndrim.


20 Gusht 2018