Jump to content

Rijadu Salihin I/1

Nga Wikibooks

Pjesë nga Rijadu Salihin I nga Imam Neveviu


Ballina
faqe
- 1 -

Faqe 2
Nr. Hadithi
1. Nga emiri i besimta­rëve, Ebu Hafse Umer ibn el Hattab ibn Nu­fejl ibn Abduluzzi ibn Rijah ibn Abdil-lah ibn Kurt ibn Rezah ibn Adijj ibn Ka'b ibn Luejj ibn Galib el Kurshijj el-Adevijj, All-llahu qoftë i kënaqur me të, trans­me­to­het se ka thënë: “E kam dëgjuar Të Dërguarin e All-llahut (s.a.v.s) duke thënë: “Veprat vlerësohen sipas që­lli­meve dhe çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim. Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për shkak të All-llahut dhe Të Dërguarit të Tij, shpërngulja e tij është për All-llahun dhe Të Dërguarin e Tij. Ndërsa kush shpërngulet të fitojë disa të mira të kësaj bote ose të martohet me ndonjë femër, shpërngulja e tij vlerësohet për atë që është shpërngulur”. (Mutte­fekun alejhi)
2. Trans­me­tohet nga Ebu Ab­dull-llah Xhabir ibn Abdull-llah el-Ensarijj r.a., që thotë: “Në një be­tejë ishim me Të Dërguarin e All-llahut (s.a.v.s) me ç'rast na tha: “Vërtet në Medine ka burra të cilët kanë qenë me ju, qoftë kur keni ecur nëpër kodra, qoftë nëpër lugina. Ata i ka penguar së­mund­ja”. Sipas një transmetimi tjetër: “Ata janë pjesëmarrës me ju në shpërblim”. (Muslimi)
3. Kurse sipas transmetimit të Buhariut, hadithi i tra­nsmetuar nga Enesi r.a. thotë: “Ne u kthyem nga beteja e Tebukut me Të Dërguarin e All-llahut (s.a.v.s) i cili tha: “Vërtet ka njerëz të cilët kanë mbetur në Medine pas nesh, e të cilët janë me ne kudo që të shko­jmë; në kodra apo në lugina, ata i ka penguar sëmundja”.
4. Trans­me­tohet nga Ebu Jezid Ma'n ibn Jezid ibn Ahnes r.a., ba­bai dhe gjy­shi i të cilit kanë qenë as-habë, se ka thënë: “Babai im Jezidi, i ka marrë disa dinarë (prej ari) që t'i ndajë sadaka dhe i lë te një njeri në xhami. Pastaj unë shkova, i mora dhe i solla, e ai më tha: “Pasha All-llahun, unë nuk t'i kam destinuar ty”. U ankova për të tek I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. i cili na tha: “E jotja është ajo çka ke vendos, o Jezid, kurse e jotja ajo që e ke marrë o Ma'n”. (Buhariu)
5. Trans­me­tohet nga Ebu Hure­jre Abdurrahman ibn Sahr r.a. se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet All-llahu nuk shikon në trupat tuaj as në fizionomitë tuaja, por shikon në zemrat tuaja”. (Muslimi)
6. Trans­me­tohet nga Ebu Musa Abdull-llah ibn Kajs el-Esh'arij r.a. që thotë: “E kanë pyetur Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. për njeriun që lufton për të treguar trimëri, që lufton për fanatizëm (nacional, fisnor ose familjar) dhe për sy të botës, cila prej këtyre (luftërave) është në rrugë të All-lla­hut?” I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. thotë: “ Kush lufton (me armikun) vetëm për dominim dhe epërsi të fjalës së All-llahut (fesë së Tij - Islamit), vetëm ai është në rrugë të All-llahut”. (Muttefekun alejhi)
7. Nga Ebu Bekrete Nufej'i ibn el-Harith eth-Thekafijj trans­me­to­het se Pej­gam­be­ri (s.a.v.s) ka thënë: “Kur të përleshen dy mus­limanë me shpatat e tyre (për ta vrarë njëri-tjetrin), edhe vrasësi edhe i vrari janë në zjarr”. Atëherë i thashë: “O I Dërguari i All-llahut, për vrasësin është e qartë, por përse edhe i vrari?” Pej­gam­be­ri atëherë përgjigjet: “Sepse edhe i vrari ka dëshiruar ta vret shokun e vet”. (Muttefekun alejhi)
8. Ebu Hurejre r.a. përcjell se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s ka thënë: “Namazi i njeriut në xhemat është më i vlefshëm se namazi i tij në shtëpinë e tij apo diku tjetër për njëzet e disa shkallë. Kush merr abdest, në formën më të mirë, pastaj shkon në xhami me të vet­min qëllim që ta falë namazin në xhemat, duke mos i interesuar as­gjë tjetër, për çdo hap të tij i shto­het nga një gradë dhe i shlyhet nga një mëkat derisa të hyjë në xhami, e kur të hyjë në xhami, atëherë në namaz është aq sa i ka marrë kohën namazi (në xhami). Secilin prej jush e bekojnë engjëjt, derisa të gjendet në vendin ku është falë namazi, ata thonë: “O Zot, mëshiroje! O Zot, fale! O Zot, pranoja pendimin”. Engjëjt vep­roj­në kështu përderisa njeriu të mos fillojë t'u pengojë të tjerëve, apo ta prish abdestin në xhami”. (Mu­tte­fekun alejhi)
9. Trans­me­tohet nga Ebu-l-Ab­bas Abdull-llah ibn Abbas ibn Ab­dul-Mutalib r.a., nga I Dërguari i All-llahut s.a.v.s., se All-llahu i Madhërishëm ka thënë: “Vërtet All-llahu i ka përcaktuar cilat janë veprat e mira e cilat të këqija, pastaj i ka sqaruar ato: Kush dëshiron me zemër të bëjë një vepër të mirë por nuk mund ta kryejë, All-llahu në tërësi do t'ia shkruajë atë vepër si të kryer, kurse nëse dëshiron të bëjë një vepër të mirë dhe e kryen, All-llahu do t'ia shkruajë dhjetë deri në shtatëqindherë më tepër. Por nëse dëshi­ron të bëjë ndonjë vepër të keqe e nuk e kryen, All-llahu do t'i shkr­uajë një vepër të mirë në tërësi, kurse nëse dëshiron dhe kryen një vepër të keqe, atëherë All-llahu ia shënon vetëm një vepër të keqe”. (Muttefekun alejhi)
10. Trans­me­tohet nga Abdur­rahman Abdull-llah ibn Umer ibn el-Hattab r.a. se ka thënë: E kam dëgjuar Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Tre veta nga gjeneratat para jush u nisën për në rrugë, e një ditë i zuri nata para një shpelle në të cilën hynë dhe bujtën. Një shkëmb u rrokullis nga kodra dhe plotësisht e mbylli hyrjen e shpellës. Ata thanë: “Shpë­timi nga ky shk­ëmb është vetëm që ta lusim All-llahun e madhërishëm që ta largojë për hir të veprave tona të mira”.

Njëri prej tyre tha: “O Zoti im, unë i kam pasur prindërit pleq të thinjur dhe asnjëherë para tyre nuk ju kam dhënë të hanë e as të pijnë fëmijëve të mi e as mallit tim (shërbëtorëve). Një ditë më hutoi kërkimi i kullosës më të mirë për kopenë time, e nuk ju erdha me kohë dhe ata kishin fjetur. Unë e mola qumështin në enë dhe ua solla por i gjeta duke fjetur. Më erdhi keq t'i trazoj, por edhe që t'i ushqej para tyre familjen dhe shërbëtorët, andaj kam pritur me enë në dorë dhe kam shikuar kur do të zgjohen, e kjo pritje ka zgjatur deri në agim. Fëmijët e mi aty te këmbët e mia klithnin të uritur, të cilëve u kam dhënë qumësht pasi janë zgjuar prindërit dhe e kanë pirë qumështin të cilin ua kisha sjellur. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty, e për askënd tjetër, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpe­lle në të cilën gjendemi!” Shkëmbi pak u lëviz, por jo edhe aq sa të mund të dalin!

Njeriu i dytë tha: “O Zoti im, e kam pasur një kushërirë të afërme të cilën e kam dashuruar më tepër se tërë botën, - sipas një trans­metimi tjetër - e kam dashur aq fort siç i duan burrat gratë, andaj kërkova prej saj (siç kërkojnë bu­rrat prej grave të tyre), por ajo nuk më lejoi. Një vit mbre­tëronte uria e kushërira e dashur u detyrua të vijë tek unë dhe unë i dhashë 120 dinarë (monedha ari) që të vetmohet vetëm ajo me mua, dhe kur ajo ashtu veproi dhe unë plotësisht e përfitova, - sipas një transmetimi tjetër - kur i bashkova këmbët e mia me të saj, ajo (duke qarë) më tha: “Frikësoju All-llahut dhe mos e përbiro unazën (mos e kryej aktin) pa të drejtë”. Atëherë u largova prej saj duke e kursyer nga akti i turpshëm edhe pse e doja më tepër se çdokënd tjetër, e lëshova në liri duke ia dhuruar të hollat e dhëna. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për të fituar kënaqësinë Tënde, na e largo këtë në të cilën jemi!” Shkëmbi përsëri edhe pak lëvizi nga hyrja e shpe­llës, por jo edhe aq sa të mund të dilet prej saj.

Njeriu i tretë tha: “O Zoti im, unë kam pasur rrogtarë dhe të gjithëve ua kam paguar menjëherë fitimin e merituar përveç një njeriu i cili u largua para se ta marrë mëditjen. Unë mëditjen e tij pastaj e kam përdorur si du­het dhe pasu­ria e tij u shumëzua. Pas një kohe rrogtari im më erdhi e më tha: “O robi i Zotit, m'i jep të hollat për mëditjen time të papaguar!” Unë i thashë: “Krejt çka sheh, pasuria, delet, lopët, devet dhe robërit janë prej mëditjes tënde që është shtuar”. Ai tha: “O robi i Zotit, mos u tall me mua!” Unë atëherë i thashë: “Unë nuk po tallem me ty”, pastaj e mori tërë mallin dhe e çoi, duke mos më lënë asgjë. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për Ty, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e shpellës!” Shkëmbi u rrokullis, kurse udhëta­rët dolën dhe e vazhduan rrugën!” (Mutte­fe­kun alejhi).

Të gjithë dijetarët islamë janë të një mendimi, se tevbeja (pendimi dhe lënia, braktisja e mëkateve) është obligim i fortë is­lam (vaxhib). Nëse mëkati ka të bëjë vetëm me All-llahun e jo edhe me të drejtën e ndonjë njeriu, atëherë pendimi ka tre kushte. I pari, që menjëherë të largohet nga mëkati, i dyti që me zemër të bëhet pendimi për kryerjen e tij dhe i treti, që paluhatshëm të vendoset që as­njëherë të mos i kthehet të njëjtit mëkat. Nëse mungon njëri prej këtyre kushteve atëherë pendimi nuk është i vlefshëm.

Nëse mëkati ka të bëjë me ndonjë njeri atëherë pendimi ka katër kushte: tre të theksuarit dhe (i katërti) borxhin t'ia kthejë atij që i ka borxh. Nëse borxhi është i natyrës materiale atëherë të njëjtin ia kthen, kurse nëse mëkati është i atillë që ka dënim më të madh gjy­qësor ose të ngjashëm, atëherë është i obliguar të mundësojë ekze­ku­timin e dënimit ndaj tij, ose të kërkojë falje nga ai të cilin e ka dëmtuar, e nëse ka të bëjë me ofendim gjuhësor - atëherë do t'ia kërkojë hallallin personit të cilin e ka ofenduar.

Pendimi duhet të bëhet për të gjitha mëkatet. Nëse pendimi bëhet vetëm për disa mëkate - ai është i vlefshëm - dhe i falen ato mëkate, por të tjerat i mbesin pa iu falë. Për domosdoshmërinë e pendimit dhe braktisjes së mëkateve ekzistojnë shumë argumente të Librit të All-llahut, të Sunnetit të Pej­gam­be­rit dhe të Ixhmai Ummetit.

All-llahu i Madhërishëm thotë:

“...Dhe të gjithë pendo­huni tek All-llahu, o besim­tarë, ndoshta do të shpë­to­ni”. (en-Nur, 31) “Dhe që të kërkoni falje nga Zoti juaj dhe të pendo­heni”. (Hud, 3)

“O besimtarë! Pendohuni tek All-llahu me sinqeritet të thellë” (Tahrim, 8)

11. Ebu Hurejre r.a. thotë se e ka dëgjuar Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Pasha All-llahun, unë i drejtohem me tevbe dhe istigfar All-llahut për mëshirë dhe falje më tepër se shtatëdhjetëherë në ditë”. (Buhariu)
12. Nga el-Egarr ibni Jesar el-Muzennij r.a. trans­me­tohet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “O njerëz, drejtohuni All-llahut me tevbe dhe kërkim për falje, edhe unë i bëj tevbe All-lla­hut nga njëqindherë në ditë”. (Muslimi)
13. Ebu Hamza Enes ibni Malik el-Ensarij r.a, shërbëtori i Të Dër­guarit të All-llahut s.a.v.s. thotë se Alejhisselami ka thënë: “All-llahu më tepër gëz­ohet për pendimin e robit të vet se sa që do të gëzohej ndonjëri prej jush kur do ta gjente devenë e humbur në shkretëtirë, pa ujë dhe fryte”. (Mutte­fekun alejhi).

Ndërsa sipas transmetimit të Muslimit, ky hadith është si vijon: “All-llahu më tepër gëzo­het për pendimin (tevben) e robit të vet kur të pendohet, se ndonjëri prej jush i cili ka udhëtuar me deve nëpër shkre­të­tirë, e i humbet, kurse me të edhe i tërë uji dhe ush­qimi, e kërkon por e humb shpresën për ta gjetur, pastaj vjen nën një lis dhe nga lodhja shtrihet nën hijen e tij me shpresë të humbur, dhe duke qenë në këtë gjendje, e sheh devenë e vet duke qëndruar përpara tij, ai ngrihet, e kap për litari dhe nga gëzimi i madh bërtet: “O Zoti im! Ti je robi im, kurse unë jam zoti yt” duke u shpre­hur gaboi nga gëzimi i fortë”.

14. Nga Ebu Musa Abdull-llah ibn Kajs el-Esh'arij r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet All-llahu i Madhëri­shëm gjatë natës e mban të shtrirë dorën për të pranuar pendimin e mëkatarëve të ditës; dhe e shtrin dorën gjatë ditës për të pranuar pendimin e mëkatarëve të natës, derisa të lind Dielli nga Perëndimi”. (Muslimi)
15. Nga Ebu Hurejre r.a. përci­llet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush pendohet para se të lind Dielli nga Perëndimi, All-llahu do ta falë”. (Muslimi)
16. Nga Ebu Abdurrahman Ab­dull-llah ibn Umer ibn el-Hattab përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet All-llahu i Gjithëfuqishëm e pranon pendi­min e robit të vet deri para gargarës së tij (frymës së tij të fundit)”. (Tirmidhiu thotë se është hadith hasen)
17. Nga Ebu Seid Sa'd ibn Ma­lik ibn Sinan el-Hudrij r.a. për­ci­llet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Moti para jush ka qenë një njeri që ka vrarë nëntëdhjete e nëntë veta, ka pyetur për njeriun më të dijshëm në botë. Atë e udhë­zuan te një murg (prift). Shkon te murgu e i thotë se ka vrarë 99 veta, andaj a ka për të tevbe (mëshirë prej All-llahut dhe falje). Murgu i thotë se për të nuk ka tevbe. Ky e vret edhe murgun dhe me të i plotëson njëqind të vrarët. Pastaj vazhdon të kërkojë njeriun më të ditur në botë, e udhëzuan te një dijetar. Ky pasi e gjen i tregon se ka vrarë 100 njerëz dhe e pyet edhe këtë se a ka për të tevbe? Dijetari i tha: “Po! E cili është ai që mund të ndërhyjë ndërmjet tij dhe tevbes së tij? -Shko në atë vend dhe në atë vend, aty banojnë njerëz të cilët e adhurojnë All-lla­hun edhe ti adhuroje All-llahun me ta dhe mos u kthe kurrë në vendin tënd, sepse është vend i keq”. Njeriu u nis për në vendin e adhu­rimit të All-llahut dhe kur arriti në gjysmë të rrugës i erdhi vdekja. Atëherë lindi grindja në mes en­gjëjve të mëshirës dhe engjëj­ve të dënimit. Engjëjt e mëshirës thanë: “Ai deri këtu ka ardhur i penduar për mëkatet me zemër të drejtuar kah All-llahu i Madhërishëm”. Kurse engjëjt e dënimit thanë: “Asnjëherë më parë nuk ka bërë mirë”. Atëherë këtyre engjëjve u vjen një engjëll tjetër në formë të njeriut e këta e morën për gjykatës që të gjykojë se cilët kanë të drejtë. Ky u thotë: “Matni në mes dy vendeve (vendit të adhurimit dhe atij të mëkateve), e më afër cilit vend të jetë, atij vendi edhe i ta­kon”. Engjëjt e matën hapë­sirën në mes dy vendeve dhe konstatuan se i penduari ishte më afër vendit që synonte, andaj e morën engjëjt e mëshirës”. (Mutte­fekun alejhi)

Në Sahihun e Buhariut është ky transmetim: “Njeriu i pen­duar ishte më afër vendit të ibadetit vetëm për një pëllëm­bë, andaj dhe u llogarit si banor i tij”. Po ashtu, në Sa­hihun e Buhariut i shtohet edhe ky citat: “All-llahu i urdhë­ron njërit vend (të keqit) largohu kurse tjetrit vend (të mirit) afrohu, pastaj urdhëron engjëjt ta masin largësinë në mes dy vendeve, e engjëjt kon­statojnë se i penduari është vetëm për një pëllëmbë më afër vendit të tevbes dhe ibadetit - andaj iu falën mëkatet”. Kurse në një trans­metim qëndron: “Me gjoksin e zemrën e tij ishte më afër ven­dit të tevbes dhe de­votshmërisë”.

18. Nga Ibni Abbasi dhe Enes ibni Maliku r.a. përcillet se I Dër­guari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Sikur njeriu të kishte një luginë me arë, do të dëshironte t'i ketë dy lugina (në vend të njërës). Dhe gojën e tij asgjë nuk mund ta mbushë (ngopë) përveç dheut. Atyre që bëjnë tevbe All-llahu xh.sh. ua pranon tevben e tyre”. (Muttefekun alejhi)
19. Nga Ebu Hurejre r.a. përci­llet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “All-llahu i Madhë­rishëm qeshet (është i këna­qur) me dy njerëz, të cilët luftojnë në mes veti, e njëri e vret tjetrin, dhe të dy hyjnë në Xhennet! Njëri prej tyre lufton në rrugë të All-llahut, vritet dhe hyn në Xhen­net, kurse vrasësin e mëshiron All-llahu, e ky e pranon Islamin e pas­taj edhe vet bëhet shehid (vritet në xhihad)”. (Mutte­fekun alejhi)

All-llahu i Madhërishëm thotë:

“O besimtarë, kini durim dhe jini të qëndrueshëm...” (Ali Imran, 200)

“Ne gjithsesi do t'ju spro­vojmë me diçka nga frika dhe uria, edhe me hu­mbje të pasurisë dhe të jetës e të fry­teve. Dhe ti (Muhammed) përgëzoi durimtarët”. (el-Bekare, 155)

“...Vetëm ata që janë të durueshëm realizojnë shpër­blim të pakufizuar”. (ez-Zu­mer, 10)

“Por kush duron dhe falë, ajo është nga punët e men­çura”. (esh-Shurâ 43)

“...Kërkoni ndihmë për vete duke duruar dhe duke kryer faljen! All-llahu pa dyshim është me durim­tarët”. (el-Bekare, 153)

“Ne do t'ju sprovojmë de­risa t'i dallojmë luftëtarët nga me­si juaj dhe durim­tarët”. (Muhammed, 31)

Ajetet të cilat flasin për sabrin dhe shpjegojnë rëndësinë e tij janë të shumta dhe të njohura, kurse në vazhdim ja hadithet e Alejhis­s­elamit:

20. Nga Ebu Malik el-Harith ibn Asim el-Esh'arij r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Pastërtia është gjysma e imanit (besimit), el-hamdu li-l-lahi (falënderimi All-llahut) ia plotëson (besimtarit) peshojën (e veprave), subhanall-llahi velhamdu li-l-lahi (lavdia dhe falënderimi All-llahut) e mbush krejt në mes të qiejve dhe të Tokës, namazi është dritë (e zemrës), sadakaja (lëmosha) është dëshmi (e besimit), durimi (sabri) është shkëlqim, kurse Kur'ani është argument për ty ose kundër teje. Çdo njeri kur gdhin, shpirtin e vet e shet, e shpëton ose e shkatë­rron”. (Muslimi)
21. Nga Ebu Seid Sa'd ibni Malik el-Hudrij r.a. trans­me­tohet se ka thënë: “Një grup njerëzish prej Ensarëve kërkoi (gjësende të ndryshme) nga I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. dhe ai u dha, ata për­sëri kërkuan, e ai prap u dha çka kërkuan derisa nuk i mbeti atij as­gjë, e kur harxhoi krejt çka kishte ju tha atyre: “Çdo gjë të mirë që posedoj do t'ju jap, asgjë nuk do të kursej as s'do të mbaj për vete, por kush kërkon nderë (duke mos zgjatur dorën dhe edhe pse ka shumë nevojë) All-llahu do ta nderojë, e kush kërkon të jetë i pavarur (të këtë sa mos t'ia shtrijë dorën tjetërkujt), All-llahu do ta pavarësojë, e kush bën shumë durim, All-llahu do t'i ndihmojë në durim. Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më e rëndësishme se sa durimi (sabri)”. (Muttefekun alejhi)
22. Nga Ebu Jahja Suhejb ibn Sinan r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “E çuditshme është çështja e besim­tarit. Çështja e tij është krejt mirë për të dhe nuk është e tillë për as­kënd tjetër. Nëse besimtarin e go­det gëzimi, ai falënderon (All-lla­hun), e kjo i sjell dobi, kurse nëse e godet e keqja, ai bën durim (sabër) andaj edhe kjo i sjell dobi”. (Mus­limi)
23. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. që thotë: “Pasi që e rëndoi sëmund­ja Pej­gam­be­rin s.a.v.s., e kaploi mundimi i vdekjes, ndërsa Fatimeja r.anha tha: “O mundimi i babait tim!” (Ai alejhisselam) Tha: “Pas sodit, babai yt nuk do të ketë më mundime”. Kurse pasi ndërroi jetë Alej­his­selami, Fatimeja r.a. tha: “O babai, im iu për­gjigje thirrjes së Zotit tënd, o babai im xhenneti Firdeus u bë shtrati yt, o babai im, te Xhibrili po e ndajë pikëllimin tim”. Ndërkaq, kur u varros, Fatimeja r.a. tha: “A u pajtuan shpirtrat tuaj që të hedhin dhé mbi Të Dërguarin e All-llahut?” (Buhariu)
24. Trans­me­tohet nga Ebu Zejd Usame ibn Zejd ibn Hârithe - rob i liruar i Të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s., i dashur i tij dhe bir i të dashurit të tij r.a. se ka thënë: “Vajza e Pej­gam­be­rit s.a.v.s. më dërgoi tek Alejhisselami me porosi se djalin e ka të sëmurë për vdekje, që të vijë tek ajo. Pej­gam­be­ri e kthen me selam dhe i thotë: “Vërtet, e All-llahut është gjithçka që merr, gjithçka që jep dhe çdo gjë tek Ai është me afat të caktuar, andaj le të bëjë durim duke llogaritur shpërblim me të tek All-llahu”. Vajza e Alejhisselamit e dërgoi përsëri dhe i betohet që të vijë. (Alejhisselami) U ngrit në këmbë, e me të ishin: Sa'd ibn Ubade, Muadh ibn Xhebel, Ubej ibn Ka'b, Zejd ibn Thabit dhe të tjerë radi­jall-llahu anhum. Kur erdhi Pe­j­gam­be­ri te vajza e tij ia dhanë fëmijën në duar, ky e mori në pre­hrin e vet, trupi i dridhej ndërsa lotët i shpërthyen. Sa'di i tha: “Ç'është kjo, o I Dërguari i All-llahut? (Pej­gam­be­ri) Tha: “Kjo është mëshirë të cilën All-llahu e vendos në zemrat e robërve të tij”. Kurse sipas një transmetimi tjetër: “Në zemrat e robërve të tij të cilëve dëshiron, dhe njëmend, All-llahu bën mëshirë ndaj robërve të tij që janë të mëshirueshëm”. (Muttefekun alejhi)
25. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. që thotë: “Pej­gam­be­ri s.a.v.s. kaloi pranë një gruaje e cila qante mbi një varr dhe i tha: “Frikësoju All-llahut dhe bëj durim”. Gruaja i tha: “Largohu prej meje, sepse ty nuk të ka goditur fatkeqësia ime!” Ajo nuk e njihte Të Dërguarin. Kur i treguan se ai ishte Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ajo shpejtoi deri te dera e shtëpisë së Pej­gam­be­rit dhe pasi nuk gjeti roje te dera, e hapi derën dhe tha: (O I Dërguari i All-llahut) “Unë ty nuk të kam njohur”. (Pej­gam­be­ri) Tha: “Durimi është në goditjen e parë (sepse atëherë është më së vështiri)”. (Muttefekun alejhi)

Në Sahihun e Muslimit qën­dron: “Gruaja qante për fëmi­jën e saj (të vogël)”.

26. Nga Ebu Hurejre r.a. për­ci­llet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “All-llahu i Madhë­rishëm thotë: “Shpërblimi i ro­bit tim besimtar, kur t'ia merr të dashurin e tij nga banorët e kësaj bote, e ai bën durim për të duke llogaritur shpërblim, është me Xhennet”. (Buhariu)
27. Trans­me­tohet nga Aisheja r.a. se ajo e ka pyetur Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s për murtajën (taun) dhe ai e ka lajmëruar se: “Ishte dënim (vuajtje) që All-llahu ia dërgonte kujt të dojë, kurse për besimtarët e ka bërë mëshirë (rahmet). Nuk ka asnjë rob që gjendet në vendin ku është për­ha­pur murtaja dhe që qëndron në ven­din e vet, duke duruar dhe duke llogaritur në shpërblimin e All-lla­hut (për durim) dhe duke ditur se asgjë nuk mund ta godasë për­veç asaj që All-llahu ia ka për­cak­tu­ar - e që të mos e ketë shpër­bli­min e shehidit”. (Buhariu)
28. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. që thotë se e ka dëgjuar Të Dër­guarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “All-llahu xh.sh. thotë “Në­se robin tim e sprovoj me dy të dashurit e tij (me humbjen e syve) e ai bën durim, do t'ia kompensoj me Xhennet”. (Buha­riu)
29. Nga Ata'ibn Ebi Rebahu trans­me­tohet se ka thënë: “Mua ibni Abbasi më ka thënë: “A do të ta tregoj një nga gratë e Xhennetit? “Gjithsesi” - i thashë, e ai më tha: “Kjo grua zezake erdhi te Pej­gam­be­ri s.a.v.s. e i tha: “Mua nga­një­he­rë më godet epilepsia dhe unë (në atë gjendje) zhvishem, andaj lute për mua All-llahun e madhë­ri­shëm”. (Pej­gam­be­ri) Tha: “Nëse do, bëj durim në sëmundje, do ta fitosh Xhennetin, e nëse do, po i bëj lutje All-llahut të madhërishëm që të të shërojë”. Ajo tha: “Do të duroj”. Pastaj ajo vazhdoi: “Unë (në atë gjendje) zhvishem, andaj lute All-llahun që mos të zhvishem”. Dhe Pej­gam­be­ri i bëri lutje”. (Muttefekun alej­hi)
30. Trans­me­tohet nga Ebu Ab­du­rrahman Abdull-llah ibn Mes'udi r.a. i cili ka thënë: “Sikur e shikoj Të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s se si tregon për njërin nga pej­gam­berët e All-llahut, sala­va­tull-lla­hi ve selamuhu alejhim, se si e rrahu populli i vet aq shumë sa e ka përgjakur, ndërsa ai duke e fshirë gjakun nga fytyra thoshte: “O Zoti im, fale popullin tim, se ata nuk dinë”. (Muttefekun alejhi)
31. Nga Ebu Seidi dhe Ebu Hurejre r.anhuma përcillet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Çkado që e godet muslimanin, qoftë lo­dhje, pikëllim, brengë, hidhërim, mundim nga sëmundje a fatkeqësi, madje edhe të shpuarit e ferrës - me cilëndo prej këtyre, All-llahu ia shlyen mëkatet atij”. (Muttefekun alejhi)
32. Nga Ebu Hurejre r.a. përci­llet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kujt dëshiron All-llahu t'i japë të mira, do të sprovohet nga Ai (në trup, në pasuri, apo në të dashurit”. (Buhariu)
33. Nga Enesi r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Assesi askush prej jush mos ta dëshirojë vdekjen e vet për shkak se e ka goditur ndonjë e keqe. E nëse është i detyruar, atëherë le të thotë: O Zoti im, më le të jetoj përderisa jeta të jetë për mua më e dobishme, kurse më vdis nëse vdekja është për mua më e dobishme”. (Muttefekun alejhi)
34. Trans­me­tohet nga Ebu Ab­dull-llah Habbab ibn el-Eret'ti r.a. që thotë: “Iu ankuam Të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. (për per­se­ku­timet nga mushrikët) derisa ai ishte i mbështetur nën hije të Qa'besë në burdën e tij që e kishte bërë jastëk, e ne i thamë: “A nuk bënë të kërkosh ndihmë për ne, a nuk do të na bësh lutje (dua)? Ai na tha: “Më parë (para jush), për shkak të fesë e merrnin njeriun, e hapnin një gropë, e vendosnin në të, e pastaj e merrnin sharrën dhe ia vendosnin në kokë dhe e përgjysmonin, pastaj ia rrjepnin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri, por as kjo nuk e largonte nga feja e tij. Pasha All-llahun, All-llahu do ta plotësojë këtë fe ashtu që kalorësi do të shkojë prej Sana-së deri në Hadramevt e nuk do të frikësohet prej askujt tjetër përveç prej All-llahut, dhe prej ujkut për kopenë e vet, mirëpo ju po nguteni”. (Buhariu)

Në një transmetim shtohet ky citat: “Ai e pat vendosur burdën si jastëk, kurse neve mushrikët ashpër na per­sekutonin”.

35. Nga Enesi r.a. përcillet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kur All-llahu i dëshiron një robi të vet diç të mirë (hajr), Ai ia shpejton dënimin në këtë botë, ndërsa kur All-llahu dëshiron që një rob të vet ta qëllojë e keqja (sherr), Ai ia lë mëkatet e pafalura në këtë botë, ashtu që të vijë me mëkate në Ditën e Gjykimit (dhe aty e gjen e keqja)”. Pej­gam­be­ri s.a.v.s. po ashtu ka thënë: “Vërtet, madhë­sia e shpërblimit është sipas ma­dhësisë së vështirësisë (fat­ke­që­si­së). Vërtet, All-llahu kur e do një popull, Ai e sprovon me fat­ke­që­si­. Kush është i kënaqur me All-llahun në fatkeqësi (bela), edhe All-llahu është i kënaqur me të, ndërsa kush hidhërohet për këtë, edhe All-llahu hidhërohet me të”. (Tirmidhiu thotë se është hadith hasen)
36. Nga Ebu Hurejre r.a. përci­llet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Nuk është trim ai që fiton në (mundje), por trim është ai që e përmban veten nga zemërimi”. (Muttefekun alej­hi)
37. Nga Sulejman ibn Sured r.a. përcillet se ka thënë:”Isha ulur me Pej­gam­be­rin s.a.v.s. kurse dy njerëz grindeshin ndërmjet veti. Njëri prej tyre u skuq prej zemërimit dhe iu frynë damarët e qafës. I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Vërtet unë e di një fjalë që nëse e thotë do t'i kalojë ajo që e ka gjetur. Nëse thotë: E udhu bi-l-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim (I mbështetem All-llahut nga djalli i mallkuar), do t'i kalojë ajo që e ka kapluar”. Të pranish­mit i thanë: “Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë që t'i mbështetesh All-llahut nga djalli i mallkuar”. (Muttefekun alejhi)
38. Nga Muadh ibn Enesi r.a. përcillet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “ Kush e përmban zemë­ri­min e tij atëherë kur ka mundësi t'ia kthejë (personit që e ka zemëruar), All-llahu i Madhë­rishëm në Ditën e Gjykimit do ta ftojë që para të gjitha krije­sa­ve ta zgjedhë cilën të dojë nga hyri­të”. (Ebu Davudi dhe Tirmi­dhiu thonë se është hadith hasen)
39. Nga Ebu Hurejre r.a. trans­me­tohet: “Një njeri i tha Të Dër­guarit të All-llahut s.a.v.s.: “Më porosit diçka (më përudh)”. I Dërguari tha : “Mos u zemëro!” Ky e përsëriti pyetjen disaherë. I Dërguari sërish tha: “Mos u zemëro!”. (Buhariu)
40. Nga Ebu Hurejre r.a. për­ci­llet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Besimtarit dhe besim­tares nuk i pushojnë së godituri fatkeqësitë në ve­tveten e tij, në fëmijët e tij dhe në pasurinë e tij, derisa të takohet me All-lla­hun e madhërishëm kur në të nuk do të mbetet asnjë mëkat”. (Tirmi­dhiu thotë: hadith hasen sahih)
41. Nga Ebu Ibrahim Abdull-llah ibn Ebi Evfa r.anhuma përci­llet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. në një prej ditëve kur e pritte taki­min me armikun deri në fillim të perëndimit të diellit, u ngrit dhe të pranishmëve u tha: “O nje­rëz, mos e dëshironi përleshjen me armikun, luteni All-llahun për shëndet, por kur të përlesheni me armikun, atëherë bëhuni të qëndru­eshëm dhe di­jeni se Xhenneti është nën hije të shpatave”. Pastaj Pej­gam­be­ri s.a.v.s. tha: “O Zoti im, që je Shpallës i Librit, Lëvizës i reve, Mundës i aleatëve, mundi ata dhe neve na ndihmo ndaj tyre!” (lutja u bë në Luftën e Hendekut). (Mu­ttefekun alejhi)

Ndihma dhe suksesi janë nga All-llahu xh.sh..

- Besimi i fortë dhe i sinqertë

All-llahu i Madhërishëm thotë:

“O besimtarë, frikësojuni All-llahut dhe jini me ata që janë të sinqertë!” (et-Tewbe, 119) “.. Edhe të sinqertëve e të sinqertave.” (el-Ahzab, 35)

“.. Do të ishte më mirë për ata të jenë besnikë ndaj All-llahut”. (Muhammed,21)

Kurse prej haditheve mbi këtë temë janë edhe këto:

42. Nga Ibni Mes'udi, r.a. për­cillet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Sinqeriteti (sidk) shpie në mirësi, kurse mirësia shpie në Xhennet. Vërtet njeriu i cili vazhdimisht është i sinqertë (në besim dhe në të folur), tek All-llahu shkruhet besimtar i vërtetë (siddik). Gënjeshtra shpie në prish­je (morale), kurse prishja shpie në Xhehennem. Njeriu që gënjen vazhdimisht, më në fund tek All-llahu shkruhet gënjeshtar”. (Muttefekun alejhi)
43. Nga Ebu Muhammed el-Hasan ibn Ali ibn Ebi Talib r.a. përcillet se ka thënë: “Kam mba­jtur në mend se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Largohu prej gjithçkaje që është e dyshimtë, kurse përmbaju asaj që nuk është e dyshimtë. Vërtet sinqe­ri­teti në be­sim është siguri, kurse gënjeshtra është dyshim”. (Tir­mi­dhiu thotë se është hadith sahih)
44. Nga Ebu Thabiti, e është thënë nga Ebu Seidi, e është thënë edhe nga Ebu-l-Velidi, Sehl ibn Hunejfi që ishte pjesëmarrës i Luftës së Bedrit thuhet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Kush dëshiron dhe kërkon sinqerisht nga All-llahu që të jetë shehid, All-llahu do t'ia japë gradën e shehidit edhe nëse vdes në shtratin e vet”. (Muslimi)

All-llahu i Madhërishëm thotë:

“I cili të sheh kur ngrihesh të kryesh faljen, namazin, me të tjerët”. (esh-Shuara, 2l8-2l9)

“Ai është me ju, kudo qof­shi”. (el-Hadid, 4)

“Për All-llahun nuk ka asgjë të fshehur,as në tokë e as në qiell”. (Ali Imran, 5)

“Sepse Zoti yt është njëmend në pritë”. (el-Fexhr,l4)

“Ai e di ç'fshehin sytë mashtrues dhe ç'fshehin kraharorët”. (el-Mu'minu, l9)

Ajetet e Kur'anit mbi këtë temë janë të njohura dhe të shumta, kurse prej haditheve po i thekso­jmë disa:

45. Trans­me­tohet nga Umer ibn Hattabi r.a. se ka thënë: “Një ditë ishim duke ndenjur tek I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. kur u duk një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zeza. Në të nuk hetohej shenja e udhëtimit dhe askush prej nesh nuk e njohëm.U ul pranë Pej­gam­be­rit s.a.v.s. duke i mbështetur gjunjtë e vet në gjunjtë e tij, i vendosi duart e veta në kof­shën e tij dhe tha: “O Muhammed, më trego ç'është Islami?” I Dër­gu­a­ri i All-llahut s.a.v.s. tha: “Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muham­medi është i dërguar i All-llahut, ta kryesh namazin, ta ndash zekatin, ta agjërosh Ramazanin, ta vizitosh Qa'benë, nëse ke mundësi ta bësh këtë!” Ai tha: “Të vërtetën e the”. Ne u çuditëm: Po e pyet dhe po ia vërteton. Ai tha: “Më trego, ç'është imani? (Pej­gam­be­ri) Tha: “Të besosh All-llahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dër­guarit e Tij, Ditën e fundit dhe të besosh në të caktuarit e Tij të të mirës dhe të keqes”. Tha: “Të vërtetën e the”. Tha: “Më trego ç'është ihsani?” (Pej­gam­be­ri) Tha: “Ta adhurosh All-llahun sikur ta shohësh, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty”. Tha: “Më trego ç'është çasti (i fundit, Dita e shka­të­rri­mit)?” (Pej­gam­be­ri) Tha: “Për këtë i pyeturi nuk di më shumë nga ai që pyet”. Tha: “Më trego mbi shenjat e tij?” (Pej­gam­be­ri) Tha: “Kur robëre­sha t'i lind vetes zo­njushë, kur të shihen barinjtë kem­bëzbathur, të zhveshur e të mjerë se si garojnë në ndërtimin e godi­nave të mëdha”. Pastaj shkoi, kurse unë mbeta një kohë. Pastaj (I Dërguari) tha: “O Umer, a e di kush ishte pyetësi?” Thashë: “All-llahu dhe I Dërguari i Tij më së miri e dinë”. Tha: “Vër­tet ishte Xhibrili, erdhi t'ua mësojë fenë tuaj”. (Muslimi)
46. Nga Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunadeh dhe Ebu Abdurrahman Muadh ibn Xhebeli r. anhuma trans­me­tohet se I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Ki ndër­mend (frikësohu) All-llahun kudo që të jeshë. Të keqen përcille me të mirë, ajo do ta fshijë të keqen. Dhe me njerëzit bëhu i moralshëm-me moral dhe sjellje të mira”. (Tir­mi­dhiu thotë se është hadith hasen)
47. Trans­me­tohet nga Ibni Ab­basi r.a. i cili ka thënë: “Isha pas Pej­gam­be­rit s.a.v.s. një ditë, kur më tha: “O vogëlush, unë po t'i mësoj disa fjalë: Ruaje All-llahun (duke i kryer urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalimet e Tij), dhe Ai ty do të ruajë, ruaje All-llahun dhe Ai do të jetë me ty (do të mbrojë dhe ndihmojë), nëse dikënd e lut, atëherë lute vetëm All-llahun, nëse kërkon ndihmë, atëherë kërko vetëm prej All-lla­hut, dije se sikur mbarë populli të mblidhet për të ndihmuar në diçka, ata nuk mu­nd të të ndihmojnë as­gjë më tepër se sa që të ka për­caktuar All-llahu. Po edhe sikur të mblidhen për të dëmtuar diçka, ata nuk do t'ia dalin të të dëmtojnë përveç asaj që All-llahu të ka për­caktuar. Lapsat (për shënimin e përcaktimeve) janë ngri­tur, kurse ngjyra e shkrimit (të fatit) është tharë. (Don të thotë:nuk mund të shlyhet dhe të ndryshohet përcak­timi)”. (Tirmidhiu thotë se është hadith hasen sahih)

Kurse në një transmetim tjetër të këtij hadithi shënohen edhe këto fjalë: “Ruaje All-llahun, do ta gjesh përpara teje, njihe All-llahun (duke e respektuar) në rehati, e Ai ty do të njohë (me ndihmën e Tij) në vështirësi, dije se ajo prej të cilës ke shpëtuar nuk ka mundur të të godasë, dhe asaj që të ka goditur nuk ke mun­dur t'i shpëtosh, dije se fitorja arrihet me durim, kurse suksesi me mundim dhe se pas vështirësive vjen lehtësimi.”

48. Trans­me­tohet nga Enesi r.a. se ka thënë: “Vërtet ju i bëni disa punë të cilat në sytë tuaj janë më të vogla se qimja e flokut, kurse ne në kohën e Të Dërguarit të All-lla­hut s.a.v.s. i numëronim dhe kon­sideronim prej ga­bimeve (mëkat­eve) më të mëdha”. (Buhariu)
49. Nga Ebu Hurejre r.a. përci­llet se Pej­gam­be­ri s.a.v.s. ka thënë: “Vërtet All-llahu i Madhëruar është xheloz. Xhelozia e All-llahut vjen në shprehje kur njeriu i bën ato vepra të cilat i ka ndaluar All-llahu”. (Muttefekun alejhi)
50. Nga Ebu Hurejre r.a. përci­llet se e ka dëgjuar Pej­gam­be­rin s.a.v.s. duke thënë: “Tre njerëz nga Beni Israilët, All-llahu xh.sh. dëshiroi t'i sprovojë. Njëri prej tyre ishte zgjeban, i dyti qelan kurse i treti i verbër. All-llahu ua dërgoi një engjëll i cili së pari i vjen zgjebanit dhe i thotë: “Ç'ki­she dëshiruar më së shum­ti?” Tha: “Më së shumti kisha dëshiruar të kem ngjy­rë dhe lëkurë të mirë dhe të çlirohem nga kjo për shkak të së cilës më urrejnë njerëzit”. Engjëlli e fërkoi me dorë dhe prej tij ranë krejt zgjebet dhe e fitoi ngjyrën e mirë (të tru­pit). (Pastaj engjëlli) Tha: “Cilën pasuri më së shumti e dëshiron?” Tha: “Devetë - ose lo­pët” (nuk i kujtohet sakt trans­me­tu­esit), ai ia jep një deve barsë dhe i thotë: “All-llahu të bekoftë me të!” Pastaj shkoi te qelani dhe i tha: “Ç'kishe dëshiruar më së shumti?” (Qelani) Tha: ”Flokë të bukura dhe të largohet prej meje ajo prej së cilës njerëzit neveriten nga unë.” Engjëlli e fërkon dhe ai shërohet e i jipen flokë të bukur. (Engjëlli) Tha: “Cilën pasuri e dëshiron më së shumti?” (Qelani) Tha: “Lopët”. Engjëlli ia jep një lopë barsë dhe i thotë: “All-llahu të bekoftë me të”. Engjëlli i shkon të verbërit e i thotë: “Ç'kishe dëshiruar më së shumti?” (I ver­bëri) Tha:” Të ma kthejë All-llahu të pamurit, që t'i shoh njerëzit”. Engjëlli e fërkon dhe All-llahu ia kthen të pamurit. (Engjëlli) Tha:” Cilën pasuri e dëshiron më së shumti?” (I verbëri) Tha: “Dhen­të!” Engjëlli ia jep një dele që lind. Te të tre pasuria u shtua e u rrit kështu që njëri (zgjebani) e bëri një luginë me deve, i dyti (qelani) e bëri një luginë me lopë dhe i treti (i verbëri) e bëri një lu­gi­në me dele. Pas kësaj engjëlli i vjen zgjebanit në formën dhe pam­jen e tij të mëparshme e i thot­ë: “Unë jam një njeri i mjerë, më janë këputur lidhjet në këtë udhëtim timin, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç All-llahut, e pastaj ti, andaj po të lutem në em­rin e Atij që të ka dhënë ngjyrë dhe lëkurë aq të bukur dhe që të ka dhënë kaq deve, të më japësh një deve që të mund ta va­zhdoj rrugën”. (Ish-zgjebani, tash pasa­nik) Tha: “Jo, unë kam shumë ob­li­gime (borxhe). (Engjëlli) I tha:”Sikur po të njoh unë ty, a mos ke qenë një zgjeban nga i cili neveriteshin njerëzit, një i varfër të cilin All-llahu e ka pasuruar! “Tha: “Unë këtë pasuri e kam trashëguar nga të parët e më­dhenj”. (Engjëlli i) Tha: “Nëse po gënjen, le të të kthejë All-llahu në atë gjendje në të cilën ke qenë”.

Engjëlli pastaj i shkon qelanit - por në formën dhe pamjen e tij të mëparshme e i thotë ashtu siç i tha zgjebanit, por edhe ky i përgjigjet ashtu siç iu pat përgjigjur zgje­bani. (Engjëlli) Tha: “Nëse po gënjen le të të kthejë All-llahu në atë gjendje në të cilën ke qenë!”

Pastaj engjëlli i shkon ish të verbërit, por në formën dhe pam­jen e tij të mëparshme dhe i thotë: “Unë jam i mjerë dhe udhëtar, më janë këputur lidhjet në këtë udhëtim timin, andaj sot askush nuk mund të më ndihmojë përveç All-llahut, pastaj ti. Të lutem me atë që të ka kthyer të pamurit, më jep një dele, që (të ndihmohem me të e) të vazhdoj rrugën”. (Ish i verbëri)

Tha: “Vërtet unë kam qenë i ver­bër, por All-llahu ma ka kthyer të pamurit, merr vëlla çka të duash dhe lë çka të duash! Pasha All-lla­hun, asgjë sot nuk të ndaloj të marrësh në emër të All-llahut të Gjithëfuqishëm e të Madhërishëm. (Engjëlli) Tha: “Mbaje krejt pasurinë, ju vetëm keni qenë të sprovuar. All-llahu është i kënaqur me ty, kurse është i hidhëruar me dy shokët e tu”. (Muttefekun ale­jhi) Në transmetimin e Buhariut qëndron: “Nuk të falënderoj nëse lë diçka që të nevojitet”.


Ballina
faqe
- 1 -

Faqe 2