Jump to content

Reportazh: Në Vithkuq, 75 vjet pas krijimit të Brigadës së Parë

Nga Wikibooks

Nga Dilaver Goxhaj

Lajmi për krijimin e Brigadës I Sulmuese në 15 gusht 1943 ishte si fjala e një shprese të madhe. Ky lajm magjik qarkulloi në të gjithë Shqipërinë, prej Shtabit të Përgjithshëm dhe arriti gjer në prapavijat e thella të armikut. Sikur Ushtria Çlirimtare Shqiptare, e porsa krijuar, të kishte pasur radiopërhapje të saj, do ta kishte përshëndetur patjetër këtë lajm të ri magjik, me një marsh triumfi. Ky lajm i dha kaq shumë forca popullit, sa që edhe sikur t’u jepej urdhër të ndalohej krijimi i formacioneve të tjera partizane, ai nuk mund të ndalonte më.

Krijimi i Br1S u pasua në 17 gusht me disa urdhra të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇl: lëshohet Urdhri i SHP për formimin e Shtabeve të Qarqve, Urdhri për krijimin e spitaleve partizane, Urdhri mbi krijimin e gjyqeve ushtarake dhe urdhri mbi organikën e ushtrisë, duke i dhënë Ushtrisë Çlirimtare tiparet e plota të një ushtrie të rregullt.

Dy ditë më vonë, më 17 gusht, formohet Batalioni i Dibrës; në 23 gusht formohen Batalioni “Krujë-Ishëm” dhe Batalioni “Dajti”; në 31 gusht Batalioni “Perlat Rexhepi” i Shkodrës zhvillon Luftën e Reçit, luftimi i parë si batalion; në 14 shtator fillon Lufta e Drashovicës ku u angazhuan 6 batalione partizane; në 20 shtator krijohet batalioni “Margarita Tutulani” etj. Të gjithë këto aktivitete tregonin se populli ynë lumturinë dhe dëshirat e tij personale, të gjitha ëndrrat dhe ndjenjat e tij, i shkriu në një ndjenjë të vetme: në etjen e fitores së lirisë. Dhe ndoshta këtu qëndron arsyeja që Atdheu, për ne brezat pasardhës që e njohim atë histori, bëhet edhe më i shtrenjtë.


-Festimi i 75 vjetorit të Brigadës I Sulmuese, -na tha midis të tjerave Kryetari i Komitetit të Veteranëve të LANÇ të Shqipërisë, z. Rustem Peçi gjatë diskutimit për organizimin e asaj feste,- ka rëndësi shumë të madhe. Kemi shkak që të gëzohemi, sepse ishte kjo Brigadë që i dha emër e famë Ushtrisë të porsaformuar shqiptare në zjarrin e luftës për liri. Kjo, jo thjesht për faktin se ka qenë Brigada e parë partizane, njësia e parë e madhe e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare e Shqipërisë, por ajo në vetvete ishte e gjithë Ushtria Nacionalçlirimtare, sepse përbëhej nga partizanë të të gjitha trevave të Shqipërisë, madje edhe nga viset e tjera jashtë kufijve politikë të saj. Dhe ju e dini se një prej heronjve të saj është Heroi i Popullit Xheladin Beqiri, i cili mbante si pseudonim emërtimin e krahinës nga ai vinte, Karadaku i Kosovës. Kjo është një arsye më shumë që ajo Brigadë të përkujtohet me madhështi. Ajo Brigadë i dha Lirisë së Atdheut 371 dëshmorë. Rënia e tyre ka mbetur si kujtim dhe thirrje e amshuar që i bëhet popullit tonë, për të mos i harruar sakrificat e brezit të asaj lufte. Vdekja e tyre nuk është vetëm sakrifica që është bërë, por është edhe thirrje e zjarrtë dhe e pashuar që është shkruar me gjakun e tyre.

Shpallja dhe krijimi i Ushtrisë së rregullt Partizane Popullore, vijoi ai, nuk ishte më vetëm një ëndër e bukur; ajo u bë historikisht ngjarje e vërtetë, realitet. Luftimet e suksesshme të asaj Brigade bënë të mundur shpërthimin e krijimit të brigadave të tjera, në çdo krahinë që ajo shkonte dhe vendoste pushtetin popullor… Ngaqë kjo brigadë përfaqësonte mbarë trojet shqiptare, për këtë arsye, Shtabi i Përgjithshëm i vuri detyrë asaj Brigade që të bëhej tmerr për armikun e shpresë për popullin, sepse simbolizonte gjithë Shqipërinë, gjithë kombin dhe gjithë popullin shqiptar. Duke qenë një formacion i tillë, e që e justifikoi me nder e dinjitet atë mision, prandaj meriton respektin më të madh nga çdo pjestar i popullit tonë. Duke qenë një formacion mbarë shqiptar, i mbuluar me lavdi, prandaj dhe presim që në këtë përkujtim të saj të vinë përfaqësues të të gjithë piramidës shtetërore dhe të gjithë forcave politike që e duan Shqipërinë.


Në datën 14 gusht shkuam në zyrat e Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it për rrethin e Korçës. Zyrat e tyre janë në katin e parë, vijim i godinës së Bashkisë së Korçës. Porsa hyn në korridorin e atyre zyrave të bie në sy përkujdesi që ka treguar Bashkia e Korçës; dhe menjëherë të shkon ndër mend pozicioni i mjediseve të Komitetit Kombëtar të Veteranëve në Tiranë, të cilëve u duhet një orë të ngjiten për të shkuar në zyrat e tyre, sepse katet e ulëta u duhen djemve dhe vajzave të PS-së se është e pamundur të ngjiten në katin e gjashtë sikundër ngjiten 80-90 vjeçarët veteranë!

Prej shkallëve të jashtme dhe deri në secilën zyrë të Komitetit të Veteranëve në Korçë kishte plot njerëz. Kishte gjallëri. Të gjithë ishin në lëvizje për të shpërndarë ftesat, për të siguruar mjetet e transportit për qytetarët që do të vinin në përvjetorin e Brigadës I. Ata që hynin e dilnin i raportonin kryetarit të veteranëve, Tomor Hasanbelliu dhe atij të seksionit të dëshmorëve, mjekut Niko Riza, për zbatimin e porosive të tyre rreth organizimit dhe pjesëmarrjes në atë festë.

Të binte në sy fakti, se të gjithë sa hynin e dilnin në ato zyra, së pari përshëndeteshin me ish partizanin e Brigadës I, 96 vjeçarin Selami Kreka, njëkohësisht edhe autor i disa librave. Pasi mbaruan përshëndetjet e rastit dhe prezantimi me masat që ishin marrë e po merreshin për festën e ditës së nesërme, veterani Selami Kreka na ftoi për një kafe në një nga lokalet më të afërta.

-Shyqyr që sot Shqipëria nuk vuan nga mungesa e lokaleve, thotë me shpoti një prej anëtarëve të Komitetit të Veteranëve, duke vijuar: Thonë, se ne si shtet zemë vendin e parë në botë për sasinë e kafeneve e klubeve në raport me popullsinë.

-Por, me sa duket për këtë luftuat edhe ju,- i thashë unë Selamiut, për ta ngacmuar bisedën.

Dhe atëherë veteran Selami Kreka filloi të më kthente këtë përgjigje:

-Lufta në radhë të parë, besoj se duhet ta dini, që është një lloj pune, por është puna më e vështirë nga të gjitha punët që njeh njeriu; është një punë pa pushim të përjavshëm, pa çlodhje, është një punë prej 24 orësh në ditë… Dhe kushti i parë i Luftës dhe i Ushtrisë sonë çlirimtare ishte çlirimi i Shqipërisë dhe rindërtimi i saj. As që na shkonte ndër mend për kafenera e klube qejfi. Dhe Brigada I u bë kampion i asaj lufte çlirimtare. Po, pse u bë kampione Brigad I? Sepse ajo nuk e njohu mbrojtjen qysh sa u themelua.

Komanda italiane me ta mësuar krijimin e këtij formacioni të madh partizan, ndërmori një mësymje në shkallë të gjerë në rajonin ku u ngrit Brigada, në atë të Vithkuqit, duke hedhur në luftim rreth 10 mijë forca, për t’i dhënë kështu një grusht dërmues luftës së armatosur çlirimtare të popullit tonë dhe njëkohësisht të shkatërronte bazën e rëndësishme partizane të Vithkuqit. Nuk e di nëse jeni në dijeni, por raporti i forcave ishte 13 me 1, në favor të armikut. Dhe të gjithë sulmet e dy ditëve të armikut ne i thyem me sukses. Ishte vërtet luftim mbrojtës, por patëm shumë kundërsulme, dhe ato kundërsulme e thyen armikun. Si rrjedhojë, aksioni i parë u fitua. Fitorja e aksionit të parë është domosdoshmëri për çdo ushtri. Lufta e Vithkuqit ishte prova e parë e besnikërisë së saj, e aftësisë për t’u matur me sukses me pushtuesit fashistë, edhe pse në një luftë të pabarabartë. Qysh në këtë luftim të parë spikati trimëria dhe vendosmëria e partizanëve.

I tërbuar armiku nga dështimi i operacionit, komandanti i divizionit italian “Areco”, në 6 shtator 1943 u lëshoi një qarkore të posaçme reparteve të tij vartëse me porosi që të njoftoheshin të gjithë “ushtarakët e kryepleqësitë e katundeve” se “kushdo të zejë kryetarin e çetës, Mehmet Shehun, do t’i paguhet një shpërblim prej franga shqiptare 40.000”.

Vetëm kur sulmonim dhe përparonim, vijon të flasë Selamiu, e ndjenim veten partizanë, e ndjenim veten çlirimtarë të popullit. Pse mendonim kështu të gjithë partizanët, prandaj Brigada I e justifikoi si emrin ashtu edhe betimin, duke u bërë shpresë për popullin dhe tmerr për armikun. Kjo Brigadë, si dhe gjthë të tjerat, përbëheshin nga djemtë dhe vajzat e shtresavë më të ulta të popullit, të cilët mishëronin figurën ideale të njeriut shqiptar, mishëronin figurën ideale të luftëtarit shqiptar… Partizanët luftuan për ideale të larta, për një demokraci ideale, pothuajse utopike, luftuan për një republikë të mendjeve, ku njerëzit të jetonin në harmoni të plotë. Lufta që ne bëmë ishte një operacion i thellë në shoqërinë shqiptare, e cila bëri diferencimin e klasave dhe të njerëzve, duke u ndeshur me forcën dhe rreptësinë e një stuhie si me pushtuesit edhe me shtresat apo klasat që iu bashkuan pushtuesit”, përfundon bisedën e tij veterani Selami Kreka.


Të nesërmen, në udhëtimin për në festën përkujtimore të 75 vjetorit të Brigadës I Sulmuese, nga Korça për në Makërz të Vithkuqit, rreth tridhjetë kilometra rrugë, na panë sytë të tilla bukuri të ndryshme të nayrës, që rrallë mund t’i gjesh në rrethet e tjera të vendit tonë. Duke kaluar përbri qëndrave të banuara na kujtoheshin ngjarje historike, fshatra të përmendura për heroizma dhe punë, figura madhështore të Rilindjes e të Luftës Nacionalçlirimtare por edhe të periudhës moniste, të dalë nga populli i këtij rrethi, të cilët i kanë shenjtëruar këto vise të rrethit të Korçës.

Porsa morëm kthesën për në Vithkuq u befasuam për zgjerimin dhe asfaltimin e freskët që i ishte bërë asaj rruge. Dhe menjëherë shprehëm fjalë miradie për pushtetin lokal. Por shoqëruesit na treguan se riparimi dhe rregullimi i rrugës për në Vithkuq si dhe prej Vithkuqit në fushën e Makërzës e ka bërë TAP-i, pasi tubacioni i gazit kalon mespërmes fushës së Makërzës. Si rrjedhojë, ndryshe nga vitet e tjera të periudhës së “demonkracisë”, aktiviteti përkujtimor do të zhvillohej në fushën e Makërzës dhe jo në qendër të Vithkuqit. Kjo na gëzoi edhe më shumë. Duke udhëtuar për në Vithkuq e Makërz, biseda rrodhi për ditët e grumbullimit të partizanëve gjatë pesëmbëdhjetë ditëve të para të gushtit të vitit 1943, fillimisht në Vithkuq.


Jeta dhe lufta e Brigadës I Sulmuese edhe pse përbën një pjesë të vogël të Historisë së Luftës nacionalçlirimtare, ajo ka një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi jo vetëm që u krijua në kohë rekord, një muaj pasi u krijua institucioni më i lartë ushtarak i asaj lufte, (Shtabi i Përgjithshëm), por qysh ditët e para të inaugurimit të saj ajo e justifikoi besimin që u dha nga ai institucion, por edhe e manifestoi në mënyrë të shkëlqyer atë besim.

Brigada I Sulmuese luftoi në dy fronte, sikundër dhe u zhvillua ajo luftë: kundër pushtuesve të huaj, nga njera anë, dhe kundër tradhëtarëve të vendit që u shkrinë përfundimisht në një barikadë me pushtuesit, nga ana tjetër. Ngaqë u luftuan me armë edhe kolaboracionistët, “teoricienë” pasardhës të tyre duan ta etiketojnë atë luftë çlirimtare si luftë civile.

“Është e vërtetë se repartet reaksionare nuk mund të krahasoheshin si forcë ushtarake me njësitë dhe repartet partizane,- ka theksuar Mehmet Shehu,- sepse partizanët ishin revolucionarë të ndërgjegjshëm, prandaj ishin të vendosur e të guximshëm; kurse ballistët luftonin për një qëllim të kundërt me atë të partizanëve, luftonin jo për lirinë e popullit, por për të ruajtur skllavërinë e popullit dhe pushtetin reaksionar në shërbim të pushtuesve të huaj, prandaj nuk e kishin guximin e partizanëve”.


Meqenëse jemi duke folur për Br1S, duhet thënë se në figurën e komandantit Mehmet Shehu, komisarit Tuk Jakova dhe zv.komandantit Tahir Kadare mishëroheshin figurat e luftëtarëve të Rilindjes sonë kombëtare, të cilët me shembullin e tyre i bënë njësoj trima dhe heronj të gjithë partizanët, si veten e tyre. Nga radhët e asaj Brigade dolën shumë komandantë e komisarë për të drejtuar formacionet e tjera partizane. Ata luftuan duke ëndërruar një shoqëri ku njeriu punonjës të mund të jetoi me dinjitet; partizanët e asaj brigade kanë mbetur simboli i guximit, trimërisë dhe vendosmërisë revolucionare, por dhe i heroizmit të popullit shqiptar kundër sunduesve të pashpirt.

U bënë 68 vjet që u shpallën “armiq” Tuk Jakova e Tahir Kadare dhe 37 vjet që u shpall “armik” Mehmet Shehu, për turpin që i bënë Brigadës I Heroinë e Popullut burokratët partiakë të shtetit shqiptar, dhe 28 vjet që politikanët dhe shtetarët e lartë nuk duan as t’ia përmendin emrin asaj lufte çlirimtare, as kësaj Brigade heroinë dhe as gjithë brigadave të tjera partizane.

– Sukseset e Br1S, tregon shpesh veterani Ziqiri Mero, vinin radhë njëri pas tjetrit pasi komanda e saj luftimet nuk i analizonte vetëm e vetëm sipas përfundimit final, megjithëse kjo natyrisht që është kryesorja. Ajo komandë luftimin e gjykonte edhe sipas mënyrës se si ishte përgatitur ky dhe ai luftim, si kishte filluar dhe si qe zhvilluar. Ajo merrte parasysh rastet e paparashikuara që paraqiteshin kurdoherë gjatë përpjekjeve.

Por ka edhe më keq. Pas vitit 1990, bijtë dhe pinjollët e bashkpunëtorëve të fshizmit por edhe shumë pasardhës karreristë ish-anëtarë të PPSH që sot janë në pushtet dhe me pushtet, hapën skenën e re të tragjedisë kombëtare. I kthyen krahët luftës. Filloi vendosja e statujave të tradhtarëve në vend të monumenteve të heronjve të asaj lufte, duke e marrë nëpër këmbë çdo gjë me vlerë demokratike të këtij kombi, duke vendosur në çdo dikaster mosmirënjohësit e asaj lufte çlirimtare. Veteranët e panë dhe po e shohin këtë tmerr për së gjalli në këto 28 vitet e ashtuquajtura demokratike; populli e pa kur u shpallën armiq të gjithë Heronjtë e Popullit; e pa kur u hoqën monumentet e heronjve dhe u zëvendësuan me “heronjtë” e tradhtisë apo të atyre që sabotonin pasurinë e popullit; e sheh ku po hiqen emërtimet e rrugëve dhe shesheve që mbanin deri dje emërat e dëshmorëve, duke u bërë zotër të Shqipërisë kriminelët dhe politikanët e lidhur me ta. Politikanët borgjezë të sotëm kanë rënë aq poshtë sa nuk i lënë të qetë dëshmorët në varrezat e tyre, duke i rrahur shokët e tyre kur shkojnë të vendosin ndonjë kurorë me lule te vendi ku ata prehen, si dhe i fyejnë me anën e kalemxhinjve e “analistëve” të shumtë që i paguajnë me miliona nga lekët e popullit, vetëm e vetëm që të përbaltin luftën dhe heronjtë e asaj lufte. Kritika e sotme “demokratike” orvatet të zvogëlojë dhe shtrembërojë trashëgiminë e shkëlqyer partizane dhe atë letrare e artistike për atë luftë.


Në orën 11.00 të datës 15 gusht 2018, prezantuesi Andrea Pepi çeli mitingun. Filloi ekzekutimi i Himnit Kombëtar, i pasuar me Himnin e Brigadës I. Mbarimi i tyre u pasua nga duartrokitjet e mijëra njerëzve të mbledhur si para 28 viteve. U vendosën kurora me lule në emër të Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it dhe të gjithë organizatave të veteranëve e të pushtetit lokal të qarkut të Korçës. Dhe, gjatë kohës që përfaqësuesit e oganizatave të veteranëve dhe të pushtetit lokal po dilnin në tribunën përpara monumentit të Brigadës I, jehoi kënga “Nënë moj, do pres gërshetin”, e kënduar nga këngëtaria e mirënjohur Lazarela, me tekst të dëshmorit Memo Meto dhe e përshtatur nga poeti Hysni Milloshi. Përveç duartrokitjeve dhe brohoritjeve, kjo këngë u përshëndet edhe me lotë gëzimi nga shumë pjesëmarrës në atë miting.

Menjëherë pas këtyre ekzekutimeve Andre Pepi prezantoi personalitetet që e nderonin këtë aktivitet, duke ua dhënë fjalën me radhë. Fillimisht përshëndeti kryetari Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo, pas tij përshëndeti kryetari Bashkisë së Maliqit Gëzim Topçiu dhe me radhë Altin Prifti kryetari Njësisë Administrative të Vithkuqit, Polikron Miho kryetar i Këshillit zonal të veteranëve të Vithkuqit. Dhe pas tyre e mori fjalën kryetai i komitetit të Veteranëve të LANÇ-it për qarkun e Korçës Tomor Asabella, i cili bëri një përmbledhje të gjithë veprimtarisë luftarake të Brigadës I Sulmuese, e cila u shoqërua shpesh herë me duartrokitje. Pas tij foli Kryetari i Komitetit Kombëtar të Vteranëve të LANÇ-it, Rustem Peçi, i cili në fjalën e tij u përqëndrua në vlerat dhe rëndësinë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe rolin dhe vendin që zë lufta e Brigadës I Sumuese në atë luftë. Pas tij e mori fjalën sekretari i Departamntit Kombëtar të Dëshmorëve të Shqipërisë, Dalan Buxheli. Në mes të atij entusiazmi Andra Pepi i prezantoi mitingut ish-partizanin 19 vjeçar të Brigadës I Sulmuese dhe sot nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve, 98 vjeçarin Ziqiri Mero. Prezantimi i tij u prit me ovacione. Në fjalën e tij veterani Ziqiri Mero përshkoi disa nga luftimet dhe heroizmat më të shquara të asaj Brigade Heroinë. Të gjithë këta folës, në përshëndetjet e tyre nuk lanë pa theksuar rolin e Enver Hoxhës, të Spiro Moisiut, Mehmet Shehut e Tuk Jakovës, dhe sa herë që përmendeshin emrat e tyre shpërthenin duartrokitjet.

Me të mbaruar përshëndetjet filloi aktiviteti artistik me këngë e valle prej trupës artistike të qytetit të Korçës dhe ai i Vithkuqit, të shoqëruara apo të ndërprera shpesh herë prej këngëve partizane të kënduara nga Lazarela dhe gjithë pjesëmarrësit në miting. Ato këngë, sikundër u shpreh partizani 98 vjeçar Ziqiri Mero, krijuan të njëjtën atmosferë si në 15 Gushtin e vitit 1943.


Për fat të keq, sot, përfaqësuesit e reaksionit të brendshëm edhe atij të jashtëm vijojnë jo vetëm ta shtrembërojnë të vërtetën e asaj Lufte Çlirimtare, por vijojnë ta fusin shoqërinë shqiptare në anarshi, si dhe për ta shuar LANÇ-in nga kujtesa e popullit. Për fat të keq, po e përkrahin të gjitha partitë politike parlamentare shqiptare. Puna ka ardhur gjer atje, sa të mendohet se po të mbaroi përkujtimi i BrIS, do të mbarojë përfundimisht edhe kujtimi për gjithë Luftën Nacionalçlirimtare. Prandaj, në 15 gusht nuk erdhën për ta nderuar këtë datë historike me rëndësi kombëtare as edhe një përfaqësues nga Qeveria, as edhe një deputet a përfaqësues partish politike. Por nuk erdhi asnjë përfaqësues si dhe nuk denjuan të dërgonin qoftë edhe një përshëndetje me dy fjalë edhe nga Ministria e Mbrojtjes, por as edhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, që do të thotë se këto dy institucione ushtarake nuk e pranojnë të quhen trashëgimtarë të atyre formacioneve heroike partizane që e çliruan Shqipërinë dhe i rikthyen asaj pavarësinë e grabitur nga pushtuesit, duke e shpëtuar atë nga coptimi i fqinjëve grabitqarë. Prandaj dhe konsiderohet thjesht një hipokrizi gjesti i tyre shkojnë e vendosin kurora në varrezat e Dëshmorëve.

Dhe provat për këtë nismë janë dhënë qysh në ditët e para të pluralizmit politik në Shqipëri. E filloi Partia Demokratike, duke burgosur Heronjtë e Popullit; duke u hequr veteranëve shpërblimin për luftën e bërë; duke i hequr veteranët nga zyrat e tyre modeste dhe duke vendour në ato zyra përfaqësuesit e kolaboracionistëve, dhe veteranët i hodhën në rrugën e madhe. Vijoi kështu edhe Partia Socialiste duke i çuar veteranët në katin e gjashtë e pa ashensor të godinës së selisë së saj, me shpresën se duke u ngjitur nëpër shkallë do t’u pushojë zemra, (sikundër edhe u ka pushuar); duke propaganduar Bunker-Artet e vëndokomandave për kohë lufte si gjoja vend torturash; duke e paraqitur në Tepelnë vendgrumbullimin e familjve që ishin bazë të terroristave-diversntë si një kamp shfarrosës hitlerian; duke u hequr familjeve të dëshmorëve shpërblimin e caktuar me ligj, e duke ua dhënë atë shpërblim pasardhësve të bashkëpuntorëve të fashizmit dhe sabotatorëve të pasurisë socialiste.

Prandaj me të drejtë poeti ynë i pakompromis e rebel, Arben Duka, lëshon kushtrimin: “Tridhjet vite klikë pas klike,/ ju kanë mbytur veç me rrena, / ndaj kjo klasë politike, / duhet të zhduket nga skena!”


20 Gusht 2018