Raportet e mia me dijetarin shqiptaro-amerikan Peter Prifti

Nga Wikibooks

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

E kisha harruar thuajse fare moshën e Peter Priftit, jo vetëm se kishim disa vjet pa u parë dhe qemë shumë larg nga njëri tjetri, por në komunikimin tonë të herëpashershëm, përmes bisedave telefonike dhe letërkëmbimit, nuk i ndjeja ndryshimet që sillte koha në moshën e tij.

Për më tepër, mbahesha dhe pas fjalëve që më shkruante kur mbushi të ‘80-at. “E kam të vështirë të besoj se kam arritur këtë moshë të lashtë. E përfytyroj veten gjithmonë si një djalosh 17-vjeçar.” Madje, një muaj e ca përpara, ai pash kish lexuar librin tim të fundit “Nën zë”, që i kisha dërguar, do të më përgëzonte me fjalët “ti po tregon një vitalitet shembullor në fushën e krijimtarisë.” Por nuk qe e thënë të gëzohesha gjatë. Një telefon larg, kur nuk e prisja, më njoftonte se Peteri kish mbyllur sytë përgjithmonë. Është pak të them se u trondita.

Kishte ikur jo vetëm një nga miqtë e mi më fisnik, por mbi të gjitha, një nga personalitetet e shquara të kulturës shqiptaro-amerikane, dishepulli i devotshëm dhe nxënësi i fundit i drejtpërdrejtë i Fan Nolit. Duke sjellë ndërmend stacionet kryesore të jetës dhe arritjet e veprimtarisë së tij të gjithanshme, ai do të më shfaqej ashtu siç e njohu dhe e çmoi bota shqiptare dhe rrethet shkencore, patriot i artë dhe dijetar i nderuar (historian, politolog, gjuhëtar, publicist, përkthyes dhe letrar). Një intelektual i formuar dhe solid, dy herë master në letërsi e filozofi, autor veprash të spikatura, kërkues shkencor në Institutin e famshëm Teknologjik të Masaçusetit dhe profesor në Departamentin e gjuhës në Universitetin e San Diegos, që i kish bërë vend vetes në radhët e para të studiuesve amerikanë si specialist shkencor i historisë moderne të Shqipërisë dhe i Çështjes së Kosovës.

Ky është portreti dhe statura intelektuale e Peter Priftit në vija të përgjithshme. Por në këtë rast do të doja të evokoj Peterin ashtu siç e njoha unë, përmes raporteve tona në afro tre dekada si miq dhe si kolegë në planin njerëzor dhe në fusha të përbashkëta pune.

Ne u takuam për herë të parë në mesin e viteve ’80 dhe pastaj disa herë pas viteve 90 gjatë vizitave që ai bëri në Shqipëri. Ajo që na afroi dhe na bashkoi ishte dashuria dhe përkushtimi i përbashkët për një figurë madhore, siç është ajo e Fan Nolit. Unë atëherë isha në kërkim të burimeve dhe informacioneve për të dhe ardhjen e Peter Priftit, që e mora vesh nga i vëllai Naumi, e quajta fatlume. Mbaj mend që u takuam në Hotel Dajti dhe që në takimin e parë nuk e patëm të vështirë të komunikojmë për së mbari. Ai ishte i thjeshtë dhe i përzemërt, ndonëse i ngadalshëm dhe fjalëpakë, por tepër i sjellshëm dhe i vëmendshëm. Vinte disi shtatgjatë e truphollë, me mustaqe e mjekër të vogël që sapo kishin filluar t’i thinjeshin, me një vështrim të menduar, i qetë dhe i matur. Fliste një shqipe të pastër e të bukur, por me një theks të lehtë anglo-sakson dhe ajo që më bëri përshtypje ishte gjykimi i mprehtë, qartësia dhe saktësia e gjithë sa thoshte.

Takimet e para do të qenë vetëm fillimet e njohjes së Peterit, sepse në vitet që erdhën, nga kontaktet që pata me të, ai do të më shfaqej një intelektual i një formati të ndryshëm nga ai i tanëve, jo aq nga inteligjenca dhe kultura, se sa nga mënyra e veçantë e të arsyetuarit, nga lirshmëria dhe natyrshmëria e të gjykuarit, gjë që nuk ndodhte në mjediset tona intelektuale e të atëhershme. Aq e vërtetë ishte kjo sa ndonjëherë, gjatë bisedave tona, ai shkonte aq larg në arsyetime, sa ato më tingëllonin si një farë herezie përballë shablloneve e dogmave të kohës sonë. Por shpejt do ta kuptoja se ai asgjë s’e bënte me tendencë, se kisha përpara një intelektual shqiptaro-amerikan që udhëhiqej nga liria e mendimit. Bile kjo natyrë e lirë harmonizohej me një thjeshtësi dhe urtësi gati magjepsëse. Edhe kur kishim mendime të kundërta, ai reagonte me takt e mirësjellje, me një tolerancë që të bënte për vete. Në këtë qëndrim nuk kish asgjë formale e të shtirë, përkundrazi, siç do të vija re me kohë, kjo do të ishte shprehje e një shpirti human e delikat, e një kulture të brendshme, e vizionit të gjerë që kish për njerëzit dhe botën, për vlerat universale.

Në takimet tona si dhe në letërkëmbimin shumëvjeçar, të vështruara këto në kontekstin e veprave të tij, do të ndjehej një natyrë e butë, por me tone burrërore, karakterizuar nga fryma paqtuese dhe pajtuese, aq sa dhe mendimet kundërshtuese do të tingëllonin të pranueshme e krejt të natyrshme. Me kohë, do të dalloja qartë ekulibrin shpirtëror e mendor që zotëronte tek ai, falë forcës së karakterit dhe koherencës së bindjeve, sinqeritetit dhe ndershmërisë. Ai ishte aq i drejtë dhe njeridashës, sa prekesha nga mirësia e tij dhe e quaja veten të privilegjuar që ai më falte miqësi.

Në personalitetin e Peterit, vëzhguar thellë-thellë, do të konstatoja një përputhje të vetvetishme midis mendjes racionale, shpirtit kritik të dijetarit dhe një natyrë artistike të përmbajtur, që shprehej nga një sens i hollë ndjeshmërie ndaj së bukurës, nga dashuria për artet, për letërsinë, muzikën, pikturën e natyrën. Nga ana tjetër, tek ai do të vëreja përputhje të tjera të çmuara, si harmoninë e virtyteve të njeriut me vlerat intelektuale, të krenarisë shqiptare dhe të qytetarisë amerikane, të komunikimit e të mirëkuptimit me brezat e rinj.

Në marrëdhënie me njerëzit e sidomos me ata të fushës së tij, Peteri dinte ta respektonte dhe ta çmonte punën e të tjerëve, t’i shihte veprat e tyre në dritën e vlerave reale. Ai kish një mënyrë të vetën të paraqitjes së mendimeve, ku integroheshin natyrshëm dhe bindshëm meritat dhe dobësitë, larg çdo konformizmi dhe lajkatimi, parimor dhe konkret, konsekuent në gjykimet e veta.

Peteri, edhe pse jetoi larg Shqipërisë, në vendin më kozmopolit të botës, ku u shkollua dhe u formua, mbeti shqiptar në shpirt, atdhetar i përkushtuar, kolonjar i vërtetë. Shqiptarinë e tij ai do ta tregonte jo vetëm brenda komunitetit nga vinte, si vatran i dalluar, por mbi të gjitha në veprën albanologjike që ngriti nëpër vite, kushtuar tërësisht Shqipërisë dhe kauzës së saj. Duke ecur në rrugën e Nolit, ai solli kontribute të spikatura shkencore duke bërë emër të nderuar midis brezit të dijetarëve shqiptaro-amerikanë të gjysmës së dytë të shekullit XX, si një nga specialistët e kualifikuar dhe autoritarë për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare në botën shkencore anglofolëse. Veprat e tij do të dalloheshin për nivelin e lartë shkencor dhe njohje të thellë të problematikës, për trajtimin objektiv dhe pasurinë e informacionit, për vizionin e gjerë dhe kurajën qytetare. Ndaj ato do të ishin një pikë referimi kur qe fjala për Shqipërinë e atëhershme si vend problematik dhe enigmatik. Dhe jo rastësisht ato do të botoheshin nga qendra të njohura shkencore nga universitete si Harvardi, Kolumbia ose San Diego. Nga ana tjetër, edhe në studimet e veta, Peter Prifti do të manifestonte karakterin e tij të palëkundshëm parimor e intransigjent, besnik i së vërtetës dhe kurajoz me mend. Ndonëse ishte mirëpritur në Shqipërinë socialiste, ai nuk do ta ndryshonte filozofinë e tij politike, duke e cilësuar atë si kalanë e stalinizmit në Europë, që ndiqte politika sektare e dogmatike, por kjo nuk e pengonte të vlerësonte emancipimin e gruas shqiptare apo “përparimet e dukshme të arsimit dhe të kulturës shqiptare.” Po kështu, megjithëse A.Pipën e kish një nga miqtë e kolegët e afërt, ai do t’i kundërvihej dhe do ta kritikonte brenda etikës së tij fisnike për veprën “Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste”, në të cilën e trajtonte çështjen e gjuhës së njësuar shqipe jo nga pozita shkencore, por politike, pa marrë parasysh historinë dhe ligjësitë e brendshme të gjuhës. Fryt i një formimi solid dhe i mendjes së mprehtë është dhe vështrimi i tij vizionar, kur në studimet politiko-sociologjike ai do të parashikonte me argumente prishjen e pritshme të marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Bile do të kishte kurajën t’i dërgonte librat e veta edhe në Misionin diplomatik shqiptar pranë OKB-së. Deri këtu arrinte ndershmëria dhe besimi në drejtësinë e mendimeve të veta. Sipas kujtimeve të diplomatëve të Misionit, pavarësisht nga dyshimet dhe shpërfillja zyrtare, ai shkelte në derën e tyre duke kërkuar materiale të letërsisë shkencore dhe shtypin që botohej në Shqipëri.

Për këto veti të veçanta, që unë ia njoha nga afër e nga larg, Peter Prifti më ka vënë jo një herë në mendime. Veti të tilla, të projektuara në raportet njerëzore, merrnin kuptim dhe vlera origjinale. Dhe tani që Peteri iku, nuk di pse në përfytyrimin tim, ai më shfaqet si një guru, një mësues shpirtëror që la pas shëmbëlltyrën e njeriut dhe intelektualit të mençur e të urtë, të virtytshëm dhe të mirësjellshëm, të kalorësit të së vërtetës dhe të bukurisë njerëzore.

E pra, me Peterin guru pata fatin të miqësohem e të bashkëpunoj. Ai hyri në jetën time në një kohë kur unë kisha nisur udhëtimin për të zbuluar e njohur Nolin, dhe Peteri u bë natyrshëm sa bashkudhëtar aq dhe bashkëpunëtor në një farë mënyre. Unë kisha gjetur njeriun e duhur, jo vetëm se e kish njohur Nolin nga afër dhe kish bashkëpunuar me të, por kisha të bëja me një studiues tepër serioz. Vërtetë ai nuk kish shkruar ndonjë vepër të posaçme për të, por kish njohje të thellë, me të dhëna dhe impresione të drejtpërdrejta, të gjykuara nga pozita shkencore të dijetarit. Kjo dukej qartë në studimet dhe kujtimet për të, ku ai kish kapur e trajtuar thelbin e figurës së tij, sipas të cilit Nolit ishte “një burrë i madh i racës shqiptare, intelektual gjigand, shembull i patriotizmit të kulluar, shembull i një pune vetëmohuese për të ngritur kulturën shqiptare në një nivel më të lartë dhe përparimin e gjithanshëm të popullit shqiptar.” Mendimin shqiptaro-amerikan për Nolin, të përfaqësuar nga F. Konica, Q. Panariti, A.Pipa, A. Liolini etj. Peter Prifti e çoi dhe e pasuroi më tej dhe kjo dukej qartazi në studimin “Fan Noli dhe komuniteti shqiptar në SHBA”, paraqitur në Simpoziumin shkencor të 100 vjetorit të Nolit, organizuar në Universitetin e Harvardit në maj 1982. Një studim ky sa analitik aq dhe sintetik, trajtuar në rrafshin historik, social, kulturor, fetar e psikologjik, mbi çështje kyçe të jetës dhe veprës së tij poliedrike. Nga ana tjetër, në kujtimet e tij të pasura për Nolin, të dhëna përmes një rrëfimi të vërtetë e magjepsës, përbëjnë një dimension tjetër për ta njohur dhe kuptuar realisht Nolin. Këto, bashkë me kontribute të tjera, e bëjnë Peterin një prej fanologëve më seriozë e më të besueshëm. Prandaj i kthehem përsëri mendimit se sa e rëndësishme do të ishte për mua njohja dhe lidhja me të gjatë procesit të hartimit të biografisë së Nolit. Sigurisht, falë kërkimeve dhe studimeve që kisha bërë, unë kisha njohje të gjithanshme për Nolin, por bisedat, diskutimet dhe letërkëmbimi me Peterin më ndihmuan të rrok tharmin e figurës së tij komplekse. Në ballafaqimet e mendimeve tona, çmoja mënyrën e qasjes dhe trajtimin realist që i bënte çështjeve që shtroja për zgjidhje. Në fillim do të më bënte përshtypje mendimi i tij i lirë e i hapur, larg çdo paragjykimi, në një kohë kur unë vuaja nga kufizimet e kohës që jetoja. Bile kish momente kur debati ynë hynte në çështje delikate, që dilnin jashtë kornizave tona ideologjike, dhe krijohej ndonjë situatë që sot duket paradoksale, por ai ishte aq fisnik e i ndjeshëm sa i shmangte me takt zonat ku hynte politika. Në 1987, unë guxova t’i dërgoj me postë një pyetësor mbi disa çështje që kërkonin përgjigje, gjë të cilën ai e kreu më së miri. Ishte kjo një ndihmë konkrete që hidhte dritë në aspekte të jetës së Nolit dhe të komunitetit shqiptar në Boston.

Miqësia dhe bashkëpunimi ynë në vitet 90, kur ai erdhi në Shqipëri disa herë, njohën përmasa të tjera dhe ç’është më e rëndësishme një frymëmarrje më të lirë e më të hapur, me një mirëkuptim akoma më të çiltër. Kur i kujtoj dhe i mendoj të gjitha këto tani dhe bëj bilancin e këtij bashkëpunimi e ballafaqimi të ndërsjellë ndjej praninë e tij, të mikut po aq dashamirës, por dhe të oponentit që m’u gjend bujarisht në punën time më të vështirë.

Pa dyshim, Peter Prifti ishte nxënësi dhe dishepulli i denjë i Nolit, por ai ishte aq modest, sa nuk e dëgjova a lexova qoftë edhe një herë ta shprehte një gjë të tillë. Veç këtë të vërtetë nuk ishte vështirë ta kuptoje e ta prekje në jetën dhe formimin e tij. Ai ishte mëkuar që për së vogli dhe rritur me dritën dhe hijen e personalitetit të Nolit. Qe ushqyer e formuar me veprat e predikimet e tij, me modelin e tij të atdhetarit e të dijetarit, të etjes për dije, të mendimit e të fjalës së lirë. Kish pastaj në mes mësuesit dhe nxënësit afri që e bënin më të ngushtë lidhjen e tyre; qenë të dy me prejardhje fshatare dhe vinin së bashku nga treva e njohur e Kolonjës. Po kështu, në rrugën e jetës dhe të interesave intelektuale të Peter Priftit, do të gjejmë përngjasime fatlume me shëmbëlltyrën e Nolit. Jo vetëm ndoqi me konsekuencë rrugën atdhetare të mësuesit të tij, duke u aktivizuar në hapësirat e “Vatrës” dhe të “Diellit”, por punoi dhe krijoi gati në të njëjtat fusha, i frymëzuar nga të njëjtat ideale kombëtare, qytetare dhe shkencore. U mor me histori, me publicistikë, me përkthime (duke përkthyer letërsi shqipe në anglisht) deri dhe drama shkroi si Noli. Nuk jam në gjendje të flas për metodologjinë e punës, por ndihet ndikimi i gjuhës e i stilit të mësuesit të tij, lakonizmi e qartësia e të shprehurit. Por nuk duhet të harrojmë, nga ana tjetër, që Peteri i takonte një brezi të ri studiuesish që do të sillte koncepte dhe prurje të reja, shfaqje këto të individualitetit të tij. Dhe unë do të isha një nga ata që do t’i ndjeja e do t’i çmoja raportet tona shumëvjeçare. Ai do të tregohej i vëmendshëm ndaj punës sime, duke ndjekur me dashamirësi, por dhe me sens kritik gjithë sa shkruaja e botoja unë për Nolin. Kështu do të jepte mendime publike për veprat “Udhëtim me Fan Nolin”, “Fanoliana”, përgatitjen dhe botimin e veprave të plota të Nolit etj. Por, tek rilexoj letrat e tij më tërheqin vëmendjen mendime të tilla si “Çdo letër e jona është një kapitull i ri në librin e miqësisë sonë”, ose “Ne ndihemi afër shpirtërisht se miqësia jonë qëndron e fortë si gjithmonë dhe se koha veçse ia ka rritur vlerën.”

Unë nuk mund të harroj entuziazmin që më shfaqte kur botova më në fund librin “Jeta e Fan S.Nolit” me fjalët “Urime, urime dhe përsëri urime…Është një gëzim personal për mua, siç thua dhe vet në letrën tënde, isha bashkudhëtar me ty nga koha në kohë në rrugën e gjatë që bëre. Është sa një triumf i veçantë i vullnetit tënd të çeliktë, aq dhe i punës sate të fuqishme.” Dhe sa për mirënjohjen time të thellë që i shprehja për ndihmën që më kish dhënë në të përpjetat dhe të tatëpjetat shpirtërore e fizike të punës sime, ai e quante “vlerësim shumë të lartë”, pasi “As më shkonte ndërmend se ndihma ime kishte një peshë të tillë.”

Dhe sikur të mos mjaftonin këto fjalë, kur e lexoi veprën shkroi një artikull të gjatë analitik, nga pozitat e kritikut e të studiuesit, por dhe me dashamirësinë e mikut. Modestia e tij arrinte kulmin kur shkruante se “Njohuritë e mia janë si dy pika uji në krahasim me detin e njohurive që nga jep vepra ‘Jeta e Fan S.Nolit’”. Nga ana tjetër, drojës time se a e kisha arritur të shkruaja një biografi të denjë për Nolin, ai në artikull do t’i përgjigje me fjalët se “autori s’ka aspak arsye të bëhet merak, sepse i ka ngritur një monument.” Veçse konsiderata të tilla nuk do ta pengonin të bënte dhe vërejtje me vend, që ishin dhe mbeten vazhdim i ndihmës që ai më jepte.

Gjykuar tani në distancë mund të them se vlerësimi i Peterit ishte ndoshta çmimi më i lartë dhe më i besueshëm që mora për punën time e që më bën të emocionohem, por dhe të ndjehem ngushtë, megjithëse isha i bindur se ai thoshte gjithnjë atë që mendonte, të vërtetën dhe nuk dinte kurrë të shtirej. Është ky një kujtim tjetër i shtrenjtë e i paharruar nga Peteri. Por ja erdhi dita që dhe vet Peteri u shndërrua në një kujtim. Në një nga ditët e gushtit të kaluar, ai u shua në apartamentin e tij në San Diego, ku jetonte prej vitesh fill i vetëm. Vdiq në gjumë, pas një sëmundjeje të heshtur, pa shqetësuar njeri, me stoicizmin dhe dinjitetin e tij të njohur. Iku i përgjegjshëm dhe i qetë se kish lënë pas një emër të mirë dhe një vepër të dobishme. Peteri nuk kish krijuar familje, por do t’i mungonte dashuria e të afërmve dhe bashkatdhetarëve, respekti i kolegëve dhe i të gjithë atyre që e kishin njohur e bashkëpunuar me të nga afër e nga larg. Nuk di sepse këto ditë, duke menduar për të, s’më hiqej nga mendja vdekja e tij i vetmuar dhe kjo më kujtoi rastin që me kish treguar kur Noli njëherë i kish propozuar të bëhej prift, me synimin që një ditë t’i zinte vendin si peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA. Peteri e kish falenderuar sinqerisht për besimin, por me keqardhje e kish refuzuar, pasi nuk i pëlqente karriera klerikale. Noli e kish mirëkuptuar, siç e kish mirëkuptuar edhe ai Nolin. Peteri kish të tjera ëndrra dhe aspirata dhe këto lidheshin me rrugën që kish zgjedhur, siç ishte fusha e studimeve, që e bashkonte gjithsesi me rrugën që kish ndjekur mësuesi i tij i madh. Sinqerisht, Peteri nuk ndjente ndonjë lidhje shpirtërore dhe intelektuale me fenë. Ai ndjehej njeri i studimeve, siç e tregoi në fakt veten, bile i studimeve shqiptare, që me kohë do të merrnin një kuptim e vlerë të veçantë. Ndoshta vlerën e një feje intelektuale, që me sa duket ishte shqiptarizmi, ideali për t’i shërbyer kauzës së atdheut të origjinës. Dhe kjo nuk do të qe vetëm një aspiratë fisnike, por dhe një realitet në jetën e tij, që u shpreh e u mishërua në sa e sa vepra me vlerë. Vepra që kërkuan përkushtim e angazhim, energji e sakrifica, dije dhe mençuri, vepra që lypën mbi të gjitha atdhedashuri dhe besim të patundur te populli i tij. Një punë kolosale që ai kreu nëpër vite, në vetminë e studios së tij, si një eremit, rrethuar përherë nga librat dhe mendimet e shqetësimet e një dijetari e mendimtari, që me trup ishte në Amerikë, kurse me shpirt në Shqipëri. Kështu, do ta përfytyroja ngaherë mikun tim dhe në një nga letrat e fundit, krejt vetvetishëm do t’i shkruaja: “Besomë se kam mall për një mik të rrallë si ty dhe t’i çmoj aq fort vlerat shpirtërore, morale e intelektuale sa ndodh që ato herë-herë më bëjnë të të shenjtëroj vetmevete.”


1 Korrik 2018