Qëndrestari i pazakontë Kundëradmirali Ziqiri Mero

Nga Wikibooks

Nga Bashkim Koçi

E konsideroj veten me fat që rasti ma solli të kuvendoj me një Hero të gjallë të Luftës Nacionalçlirimtare, kuadrin e Brigadës së Parë Sulmuese, Kundëradmiralin Ziqiri Mero. Për pak muaj ai mbush 99 vjeç. Për nga konstrukti i trupit, të cilin e ka dhe e mban si qiri, apo për nga sytë që i qeshin dhe i xixëllojnë me plot zjarr kur bashkëbisedon me njerëzit, për Ziqiri Meron urimi që bëjmë zakonisht “u bëfsh 100 vjeç!”, nuk ka fare kuptim, madje të sjell gaz e humor nëse ia bën një urim të tillë.

Ky ish-luftëtar ka bërë një jetë më shumë se heroike e që vazhdon të jetë qëndrestar i pazakontë për të mbrojtur vlerat e Luftës Nacionalçlirimtare, për të qenë në rreshtat e para në përballjen me të ligjtë, ata që e kanë mohuar apo falsifikuar atë epokë të shndritshme për popullin e Shqipërinë. Ai, duke e konsideruar veten si një nga dëshmitarët e fundit që mund dhe duhet të përcjellë tek brezat të vërtetat që kanë ngjarë në vitet e Luftës dhe pas saj, bën përpjekje që, për çka ka ndodhur, të përdorë fuqinë e fjalës, të argumentit, të “rrudhave” të shpirtit që nuk i janë plakur kurrë.

Kur flet Ziqiri Mero të lëviz zemra, të lëviz imagjinata dhe të dyja së bashku të sjellin si në një film me ekran të gjerë jetën e njeriut i cili ka “luajtur” në mënyrën më të përkryer rolin ideal të shqiptarit patriot, të mëkuar nga paraardhësit, nga breza të tërë që luftuan e u përpoqën “me pushkë e penë për Mëmëdhenë”. Sepse fisi Mero nga fshati Baban i Devollit ka qenë dhe mbetet kontriubues e madh për çështjen kombëtare, nga më të përpjekurit për zgjidhjen e problemeve që e kanë rrezikuar në shekuj këtë vend. Dhe kanë qenë e mbeten nga ai fis të cilët, përpara se të armatoseshin për të luftuar me pushtuesin, “armatosnin” mendjen, që të ishin të aftë për t’u përballuar me “argumentin” keqdashës “shqiptarët janë vetëm për të ruajtur bagëtitë”.

Një fakt. Në kohën që filloi Lëvizja Nacionalçlirimtare nga Merot e Babanit të Korçës kishin mbaruar shkollat e mesme e të larta plot 25 djem, gjashtë prej të cilëve në Romë, Paris, Stamboll e gjetkë. E pyes Ziqiri Meron për çka më duhet, për të nxjerrë ndonjë “perlë” nga jeta e tij si luftëtar dhe ushtarak i lartë, por mendja s’më hiqet nga çka ai tregon për të parët e tij. Gjysh Aliu paska qenë në kryesinë e një Organizate të krijuar në vitin 1887 për hapjen e shkollave shqipe, në të cilën merrnin pjesë 160 veta. Ndër këta 160 arsimdashës 100 ishin të krishterë dhe 60 myslimanë. Në krye të Organizatës ishte zgjedhur myslimani Alo Dishnica. I mëshoj dhe e cilësoj jo pa qëllim përbërjen e Organizatës në “myslimanë e krishterë” dhe zgjedhjes në krye të saj të njerit nga “pakica”, pra nga 60 myslimanët, sepse përbën faktin më domethënës për të nxjerrë në pah mençurinë e tyre, mendësinë progresiste se në krye të kuvendit, të një organizate, shoqate apo çete luftarake, zgjidhet ai më i zoti, më i afti, ai që prodhon konsensus, siç thuhet sot.

Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer vendit, por është vendimtare që këto “mënyra” të duken e të gjejnë zbatim atëherë kur duhet, atëherë kur zëri i atdheut kërkon dorën tënde. Po të ndjekësh me vëmendje dhe hap pas hapi angazhimin e të parëve të Ziqiri Meros, të gjakut nga ku ai trashëgon vlerat e njeriut të sakrifikuar për mëmëdhetari, nuk i shpëton dot, nuk mund të anashkalosh pa të rënë në sy qëndrimin e tyre progresist në kthesat e rëndësishme që ka kaluar vendi. Sepse mund të harrohen “personalitete” a njerëz të zakonshëm, të cilët e deshën vendin për interesa të tyre, për t’u kamur në kurriz të të pambrojturve, por kurrën e kurrës ata që u përpoqën e derdhën lot dhimbjeje për të ndryshuar e dhënë rrugë përparimit. Më duket se sjell fakte shumë domethënëse nëse tregoj atë çka Ziqiri Mero e konsideron pasuri, ndoshta edhe më shumë se kaq, sjelljen e pjesëtarëve të trungut të tij familjar gjatë lëvizjeve politike që ndodhnin në vend. Dy xhaxhallarët e tij, Maliqi dhe Saliu kishin mbaruar Universitetin e Stambollit për Drejtësi. Që të dy ishin atdhetarë të flaktë. Saliu u përfshi në Revolucionin Demokratik të Qershorit dhe u zgjodh deputet në asamblenë e Fan Nolit në vitin 1924. Sipas Ziqiriut paska qenë devolli shumë i vendosur për bindjet që kishte, por edhe “kokëshkretë” për t’i çuar gjërat deri në fund, pa marrë parasysh presionet, kërcënimet e deri tek “prerja e bukës së gojës”. Sali Meron, për shkak të bindjeve të tij demokratike e revolucionare, regjimi i Zogut e la rrugëve, të papunë.

Teksa dëgjoj me sy e vesh ish-ushtarakun e lartë dhe veteranin Ziqiri Mero, për çka ai i sjell me vërtetësi paksa të shdritshme, edhe për shkak të kujtesës së tij të shkëlqyer, sepse më vijnë në përfytyrimin tim personazhe të jashtëzakonshëm, si në përralla, të cilët luftuan e u sakrifikuan për Shqipëri. Babai im, Sefedini, kujton i biri për të atin, mbaroi Gjimnazin e Manastirit. Madje ka qenë pjesëmarrës në Kongres dhe ka diskutuar për miratimin e alfabetit shqip. Dhe ky gjimnazist i shkollës së famshme të Manastirit, nuk iu duk “post i vogël” pozicioni i sekretarit të këshillit nacional-çlirimtar në fshatin Baban. Shtëpinë e ktheu në bazë të fuqishme të Luftës, duke u angazhuar drejtëpërdrejt me dyfek në krah. “Familja e tim eti, ato të dy xhaxhallarëve, Fetiut dhe Xhemalit, u lidhën ngushtë, u bënë njësh me luftëtarët, të cilët i solli rruga në ato anë”, sjell kujtimet e largëta Ziqiriu. Pastaj m’u duk sikur iu prish gazi në fytyrë teksa përmend emrat e tre kushërinjve të tij të rënë dëshmorë për çlirimin e Atdheut, të “Heroit të Popullit” Fuat Babani dhe të Sedat e Servet Babanit. Veterani tregon, por mua më bëri përshtypje se ai, kur sjell emrat e tre dëshmorëve nga gjaku i familjes së tij, përmend emrat e baballarëve; Fuati i Shabanit, Sedati i Safetit e Serveti i Feimit. Unë nuk e pyeta përse ai e bën këtë, por mendja ma thotë se kur Ziqiri Mero për mbiemër vë emrat e baballarëve, do që të forcojë bindjen se rrënjët e luftëtarëve e patriotëve të Merove të Babanit janë shumë të thella, në breza njerëzish.

Por le të vijmë tani tek personazhi ynë i dashur Ziqiri Mero. Më vjen mirë që edhe për këtë, pra për cilësitë njerëzore e intelektuale të Ziqiriut “dardha ka rënë nën dardhë”. Siç e përmendëm edhe në fillim të këtyre radhëve ai edhe për një vit kap shekullin. Është i datëlindjes 26 mars të vitit 1920. Ka bërë një jetë vërtet të veçantë, vërtet heroike. Është edhe në natyrën e njeriut për t’i hipebolizuar gjërat, për t’i zmadhuar sadopak, por për personazhin tonë, për ish-ushtarakun e lartë, veteranin Ziqiri Mero, nuk ka vend për t’i thënë e dhënë lëvdata të pamerituara. Ai ka aq shumë për të treguar nga jeta e tij e mbushur me shumë çudira, e që të lënë “pa mend”, sa është mjaft e vështirë, gati e pamundur për t’i sjellë e ezauruar në një shkrim-portret. Sepse ndodh shpesh që vlera e personazheve të caktuar, kur ato zmadhohen padrejtësisht, shfaqen më të vegjël tek e sheh personazhin nga afër. Me Ziqiri Meron ndodh e kundërta.

U sollën fakte që Merot e Babanit kanë qenë arsimdashës, të “pangopur” për dije e shkollim. Këtë “pangopësi” e paskësh patur edhe Ziqiriu, djali që do të kishte fatin e madh të ishte nxënës në Normalen e Elbasanit. Ishte vetëm 19 vjeç në prag të përfundimit të shkollës, por edhe në prag të pushtimit të vendit nga Italia fashiste. Kjo përputhshmëri, pra e moshës relativisht të pjekur, e mbarimit të shkollës dhe e pushtimit të vendit nga Italia fashiste, ndoshta ndikuan për mirë në formimin e tij si patriot e revolucionar. Nuk kishte hidhërim, nuk kishte dhimbje më të madhe, thotë pas afro 80 vitesh veteran i luftës. Dhe me dy rrjeshta ai sjell “vajtimin” e asaj kohe të trishtuar: “U mbush deti me pamporë/qaj moj Shqipëri e gjorë!”

Kujtimet që ai sjell nga kohëra të largëta janë taze, fare të freskëta, si të kenë ndodhur aty përpara syve të mi. “Shpesh, për t’u njohur me situatat që ndryshonin nga çasti në çast, shkonim në pastiçerinë e Stefan Kolonjës, mik dhe dashamirës i yni, ku dëgjonim Radio Moskën në orën njëzet e dy, kur ajo jepte lajmet në italisht “Chui e Moska che parla”. Kur e dëgjonim, por sidomos kur merrnim vesh lajme të mira, tjetërsoheshim, na ngjallej shpresa. Bisedonim me njëri-tjetrin, madje bënim edhe plane “të mëdha” rreth ndihmës që mund të jepnim për vendin tashmë të pushtuar”.

Atë që shpesh herë e quajmë fund, në fakt është fillimi. Kjo filozofi e jetës do të materializohej edhe me normalistin Ziqiri Mero i cili, pasi u diplomua për mësues, në vitin 1940, mori emërimin për të punuar si i tillë në fshatin Panarit të Korçës. Ishte 20 vjeç djalë, në moshën më të mirë për ta filluar jetën mbarë, i privilegjuar për të bërë punëra të dobishme për vete dhe për vendin. Sigurisht, ashtu si të gjithë të tjerët, edhe mësues Ziqiriun e rrëmbyen erërat e luftërave të porsa nisura dhe që ishin bërë kryebiseda dhe kryepuna për të gjithë. “Aty në fshat, në Panarit, u njoha me një burrë të mençëm, goxha i ditur dhe patriot i flaktë”, kujton Ziqiri Mero. Shyqyri Haruni e thoshnin. Ai e paskësh aktivizuar, e kish nxitur për të krijuar një grup me tetë-nëntë të rinj antifashistë, me të cilët nisën të gjallëronin lëvizjen antifashiste aty në fshat e më gjërë. Punonin të organizuar dhe shpesh urdhrat u vinin nga Korça. Një nga këto porosi ishtë ajo e grumbullimt të armëve e municionit. Mblodhëm goxha, thotë veterani i luftës, mbasi në tërë atë zonë ish zhvilluar lufta italo-greke dhe municionin e armët e gjendeshin rrugëve.

Nga koha që Ziqiri Mero punoi si mësues në Panarit, e që sapo kish filluar lëvizja nacionalçlirimtare, mban mend një ndodhi jo të zakontë dhe që ka qejf ta tregojë sa herë që i kujton ato kohëra. “Kishte filluar ora e mësimit, tregon ai, kur tek dera e shkollës brofën 10 milicë nën komandën e Riza Kodhelit. Sapo pashë Rizanë, të cilit ia kisha dëgjuar emrin, sa i hodha sytë, më dha shenjë për të dalë prapa shkollës. Dëgjo, më tha. Mblidh plaçkat, merr ke çke, dhe largohu një orë e më parë. Kam ardhur të të arrestoj, më tha Riza Kodheli. Rrugës për në Korçë mos kalo nga Vithkuqi, se të kapin, se je i njohur nga xhandarmëria e Vithkuqit. Për mua kalo nga Shera. Unë po shkoj andej nga kam ardhur dhe do t’i them komandantit se nuk gjeta njeri, se ti Ziqiri nuk ndodheshe në Panarit. Unë shpëtova nga arrestimi, por nuk mund të harroj kurrë nderin që më bëri Riza Kodheli.Në janar të vitit 1943 Rizai, në bashkëpunim me Çetën e Gorës, u bie italianëve dhe kaloi përfundimisht me partizanët. Ai më pas u bë komandat çete, komandant batalioni dhe në fund komandant e Brigadës së XX Sulmuese, duke dhënë kontribut të veçantë deri në çlirimin e atdheut nga nazifashistët dhe tradhtarët e vendit”.

Ziqiri Mero nga këshillat që i vlerësonte dhe i zbatonte pa mëdyshje ishin ato që i jepnin prindërit dhe njerëzit e mençur. Këshillën që i dha Riza Kodheli e zbatoi pa mëdyshje. U largua qysh atë natë nga Panariti dhe bashkë me mikun dhe patriotin Riza Haruni zbriti në Korçë. Aty u përpoq të bëhej pjesë e Çetës Partizane të Moravës, por nuk mundi. Komiteti i Qarkorit të Partisë kishte vendosur që të krijohej organizata e partisë për gjithë krahinën e Devollit. Në këto rrethana u bë pjesë e organizatës, por ndërkohë tentoi të caktohej si mësimdhënës në fshatin Hoçisht. Kështu m’u desh të filloja punën si mësues, por ngjarjet zhvilloheshin aq shpejt sa nuk i linin radhë njëra tjetrës. Ishte 7 Marsi i vitit 1943 kur Çeta Partizane e Moravës u sulmua në Hoçisht, aty ku Ziqiri Mero kryente detyrën e mësuesit. Aty ne humbëm shumë shokë, kujton Ziqiriu. Ai thotë se në këtë përleshje u vra komandati i Çetës Fuat Babani si dhe partizanët Demir e Abdulla Progri.

Humbjet, jo rrallë, bëjnë që armiku të ngrejë veshët, të “trimërohet” dhe të bëjë reprezalje tek njerëzit e thjeshtë. Ka qenë 9 prill i vitit 1943, ditë që e kam shënuar si të veçantë në kujtimet e mia të kohës ë luftës, thotë Ziqiriu. “Atë ditë më erdhi në shtëpi, në Baban, kryeplaku i fshatit, Ahmet Mixha. Më tha: Kapiteni i karabinierisë ka mbledhur në Bilisht kryepleqtë e të gjithë fshatrave dhe u ka dhënë në dorë një listë me emrat e të tetë anëtarëve të celulës së Partisë, duke u dhënë urdhër që t’i gjenin kudo që ata të ndodheshin, se janë të dënuar me vdekje. Ti nga ky çast je i dënuar me vdekje, më tha Ahmet Mixha. Ç’të bëja? U nisa për në Poloskë, aty ku ndodheshin dy anëtarë të celulës, Mitati me Syrjanë. I takuam dhe u bëmë të ditur vendimin që ish marrë për dënimin e të tetë anëtarëve të celulës së Partisë me vdekje. Ndërkohë, njërit nga antarët e rinisë antifashiste, Xhevdetit, i dhamë një letër me anën e së cilës njoftohej sekretari i celulës së Partisë, Raqi Grabocka, i cili ishte mësues në Vishocicë. Por ishim shumë vonë. Rrugës pë të çuar letrën, Xhevdeti kish takuar një fshatar nga Vishocica, i cili e kish informuar se Raqin me Shyqyrinë i kishi pushkatuar diku në një vend, aty në anë të fshatit”.

Veterani Ziqiri Mero e ndërpret bisedën për një çast, më hedh sytë për të më parë sesa me interes e ndiqja bisedën dhe vijoi të ngiste fjalën aty ku e kishte lënë.J a, kështu ka qenë lufta, shumë e vështirë, na mori shokët. Unë pastaj zbrita në Korçë. Tek shtëpitë e Gjino Rizës, bazë e luftës. Atje gjeta Nesti Titanin, anëtar i Komitetit Qarkor, Raqi Qirinxhiun, professor në Liceun e Korçës, Teli Samsurin, një fotbollist i talentuar i “Skënderbeut”, Mustafa Belin, partizan i Çetës “Morava”. Aty u mor vendimi që unë të kaloja në Çetën e “Moravës”. “Ki durim sepse do të tregoj diçka nga ai takim”, thotë ish-ushtaraku i lartë. “Më pyeti Raqi Qirinxhi: Çfarë revole ke ti Ziqiri? Kam një nagantë që ma ka dhënë babai, ia ktheva, por që nuk ka fishek. Pasi më dëgjoi me kujdes, iu drejtua të gjidhëve: Unë kam katër fishekë, por një po ia jap Ziqiriut. Kështu bëri edhe Nesti me Telin, më dhanë nga një fishek. Mustafai, i cili kishte shtatë fishekë, nuk lëvizi. Jo, tha, nuk të jap, se më prishet kompleti. Raqi Qirinxhi për këtë gjest të Mustafait mori inat. Na, më tha, do të jap një nga të mijte, le të mbetem unë me dy fishekë. Ja ky ishte Raqi Qirinxhiu, profesori i shkëlqyer i Liceut, i cili u vra nga gjermanët në Operacinin e Dimrit të vitit 1944”.

Duhet të presësh gjëra të mëdha nga vetja jote, përpara se t’i bësh ato. Luftëtarit Ziqiri Mero këtë e kishte pjesë të formimit ndaj edhe jeta e tij përshkohet nga një vendosmëri e pashoqe. Atij, pasi iu dha miratimi që të bëhej pjestar i Çetës “Morava”, mori drejtimin për në Voskopojë, aty ku çeta kryente veprime luftarake. Nuk zgjati shumë, fare pak ditë, sepse Çeta e “Moravës”, në përbërje të batalionit partizan “Fuat Babani”, u bë pjesë e Brigadës së Parë Sulmuese, e cila u formua më 15 Gusht të vitit 1943 në Vithkuq të Korçës. Si njeri me përvojë dhe i njohur tashmë për vendosmëri e guxim, Ziqiri Meros iu besua detyra e komisarit të kompanisë së parë në batalionin e tretë. Ishte vetëm 23 vjeç. Por në rrugën plot lavdi të kësaj brigade heroike, u ngrit edhe autoriteti i Ziqiri Meros. Ai, si një luftëtar që kërkonte përsosmërinë në kryerjen e detyrës, shumë shpejtë u caktua në pozicionin e komisarit të batalionit të parë të brigatës.

Njeriu në momentet më të errëta duhet të fokusohet për të parë dritën. Ziqiriu mban mend dhe mund të të mbajë me ditë të tëra rreth veprimtarisë luftarake të Brigadës së Parë Sulmuese, por ka ca nga ato momentet që ai dëshiron të nxjerrë më në pah, t’i tregojë për të mos i zënë pluhuri i harresës. “Brigada ish përqendruar në Ballaban të Përmetit”, kujton ai. “Në një moment, aty ku qëndronin edhe partizanët, vjen një person i cili mbante një copë letër në dorë. Pasi bëri përshëndetjen, ashtu si e bënim ne partizanët, më tha: Më quajnë Besim Prishta dhe vij të të dorëzoj këtë letër, të cilën ma dha komandati im, Zylyftar Veleshnja. Njoftova menjëherë komandantin, Mehmet Shehun, dhe sakaq u dha urdhri për të kapur Tëndën e Qypit. Aty brigada e I-rë, siç edhe e thotë historia, tregoi aftësi të rralla. Gjermanët u shpartalluan, por edhe ne patëm humbje të mëdha.Tre partizanë i varrosa me duart e mija pranë një shtëpie të fshatit Spatharë. Pranë varreve ishte një dru arre.Kur përkujtuam 30 vjetorin e betejës së Tëndës së Qypit mu dha rasti të bëja një vizitë tek ajo shtëpi. Sapo iu afrova shtëpisë hodha sytë për të parë arrën, por ajo mesa duket ishte tharë. Ka qenë një arrë këtu, i thashë plakut të shtëpisë, ku është arra. Eh, rënkoi plaku. Arra është tharë, por këtu, ja këtu, në luftën me gjermanët kemi varrosur tre partizanë. Trupat e të vrarëve i shoqëronte një nga drejtuesit e brigadës së I-rë. Ishte një djalë i gjatë e i bukur. Kur i thashë plakut që ai “djalë i gjatë e i bukur” isha unë, ai mu hodh në qafë, më pushtoi si të isha djali i tij”.

Pas çlirimit të vendit Ziqiri Mero mbajti detyra shumë të rëndësishme, kryesisht si ushtarak. Gjatë viteve 1950-1955 kreu akademinë ushtarake në Moskë, një ndër akademitë më me emër të atij vendi. Duke qenë se ai i përkiste kontigjentit të ushtarakëve, të cilët pasi ngjiten goxha lart, mendojnë të hedhin një tjetër hap përpara, rasti e solli që për shumë vite të shërbente në detyra të rëndësishme në Flotën Luftarake Detare. Aty ai u vlerësua, i akorduan gradën më të lartë, atë të Kundëradmiralit. Nëse kujtojmë filmin “Ballë për ballë”, një ndër personazhet realë të asaj lufte të tmerrshme nervash e diplomatike, ka qenë edhe Ziqiri Mero. Ai u përball me personalitete të mëdha, siç ishte komandanti i Flotës Luftarake të Detit të Zi, Admirali Kasatanov. Ziqiri Mero, bashkë me ekipin që përfaqësonin palën shqiptare, e mundën Admiralin sovjetik, e bënë të ikte nga sytë këmbët.

Kundëradmirali tashmë është në pension. Pret të festojë edhe 100 vjetorin e lindjes. U gëzohet stërnipërve e stërmbesave si dhe dhjetra vlerësimeve që i janë akorduar si luftëtar, si ushtarak dhe si veteran i LANÇ-it. Ai e ka gjykuar çdo ditë të jetës së tij jo nga të korrat që ka marrë, por nga farat që ka mbjellë.Veçse përbrenda sepse ka një mllef, një inat ku nuk di ku ta nxjerrë. Këto ditë, më 15 gusht, u përkujtua 75 vjetori i Brigadës së Parë Sulmuese. Mijëra pjesëmarrës, në emër të ish partizanëve, i përshëndeti Ziqiri Mero. Nga pushtetarët, qeveria, parlamenti etj., nuk ishte asnjë përfaqësues. Për “koincidencë”, po atë ditë, presidenti i vendit dekoroi në ish burgun e Tepelenës, pasardhës të ish kolaboracionistve. Sa turp, shumë turp, thotë ish luftëtari i Luftës së Dytë Botërore, Ziqiri Mero.

8 Shtator 2018