Pse u mundua veterani 93 vjeçar në Gjirokastër, në fund të Nëntorit

Nga Wikibooks

Fitim Çaushi

Shpesh në vitet e shkollës, por edhe kur dolëm në punë, na vinin për biseda kaudro të rinisë dhe lektorë akademikë, për Luftën Nacionalçlirimtare dhe dëshmorët. Ndienim, qysh të vegjël, emocione të mëdha për idealet dhe qëndresën e heronjve tanë, dhe ngjarjet e treguara prej tyre jetonin mes nesh për një kohë të gjatë. I përfytëronim ata përmes detajeve jetësore që tregonin lektorët dhe në imazhet tona shfaqeshin silueta kreshnikësh, të cilat më vonë konkretizoheshin kur i shikonim në filmat për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Mes tyre mbaj mend edhe ligjëruesin brilant, tepër të kthjellët, të qartë si një …, të ngrohtë e frymëzues, kuadrin e Rinësë dhe Partisë, që ka punuar për një kohë të gjatë me rininë në Gjirokastër, Sevo Tarifën, fjala e të cilit përherë ishte e ngarkuar me emocione që na tërhiqte si manjet dhe na ngazëllente për atë trimëri, krenari dhe përkushtim që ndodhej mes popullit tonë në atë vite të lavdishme të heroizmit masiv.

Në atë gjurmë të dikurshme, e dëgjuam plot kureshtje dhe kënaqësi, Sevo Tarifën, edhe në takimin me rastin e 23 Nëntorit në Gjirokatër, ndonëse po hynte në vitin e 93 vjetorit të tij. Kishte ardhur nga Tirana për të shkarkuar para veteranëve dhe të rinjve të qytetit, ndjenjat dhe respektin e tij të thellë për rininë gjirokastrite në Luftën Antifashiste dhe në punën ndërtimtare.

Ka ndryshuar koha, por idealet e këtij njeriut të ndershëm në shërbim të Luftës dhe popullit, kanë mbetur po ato, edhe nga mosha ka mbetur po ai, si në rininë e tij. Edhe pse është larguar me arsye nga vendlindja, edhe pse “atdheun e vogël” Gjirokastër e ka marr me vete atje ku jeton, ai prapë ishte i përmalluar, i pasionuar, i dëshiruar që t’i jepej edhe një herë mundësia të punonte me rininë gjirokastrite si dikur.

Sa hyri në sallë zemra nisi të vallëzojë dhe ligjërimi, për rininë xhevaire gjirokastrite, në ato ditë të rënda pushtimi, depërtoi thellësisht plot ngrohtësi në zemrat e pjesëmarrësve. U ndje si 19 vjeçar!

Foli për aksionet e guximshme të Misto Mames si sekretar i Komitetit Qëndror të Rinisë Antifashiste Shqiptare, si dhe të Mihal Durit, të dy nga Erindi i Gjirokastrës. Foli për shumë të rinjë gjirokastrit, që i mbante mend emër për emër, se i kishte skalitur në zemër dhe u pushtua nga malli, notalgjia dhe emocionet.

“Këtu ne kemi rrënjët tona, zemrat tona, gjakun tonë, rininë tonë, djersën tonë, kujtimet tona, gjurmët tona, shokët dhe miqtë tanë. Kryefjala e këtij takimi është : 23 Nëntori 1941, Themelimi i Rinisë Komuniste Shqiptare, datë që kujton, na freskon, na gjallëron, na rinon. Më 23 Nëntor rininë e thërriste liria, pushka, Atdheu. PKSH i tregoi rrugën e lirisë, të fitores, u arrit Pavarësia e vendit. Në çdo qime një aksion, një ekskursion, një takim, një këngë, një valle, një tregim, një recitim, një duartrokitje:

Veteranë të dashur shokë/ Kemi një “arkiv” në kokë/ Mbushur me kujtime plotë/ Le t’i hedhim në letër/ E t’ja lëmë brezit tjetër.”

Ky ishte motivi përse u mundua nga Tirana në prag dimri, veterani fisnik i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Sevo Tarifa.

“Vështrojmë edhe para, por kthejmë edhe sytë e mendjes, në ata vite të zjarrta të LANÇ , kur barutin e mbanim të thatë, kur situatat e prushta kërkonin edhe sakrifica të jetës, sikundër vajzat e Gjirokastrës: Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Fato Berberi dhe Sofia Noti, të cilat u varën në litar nga nazizmi gjerman.”

Sevo Tarifa, përmes detajeve jetësore, na tregoi për Qemal Stafën në Gjirokastër: “Situata ishte e elektrizuar, veprohej mes terrorit fashit, ndaj shokët ilegalë, për të themeluar Rininë komuniste, u mblodhën në shtëpinë e Bule Naipit në lagjen Dunavat. Gjatë zhvillimit të mbledhjes themeluese për Rininë Komuniste të Gjirokatrës, hyri pa trokitur në shtëpi një kushëri i Bules. Ai shkoi drejt e në dhomë ku ilegalët diskutonin. Kjo ishte e papritur për Bulen, por edhe për vizitorin, sepse nuk i njihte ata njerëz. Bulja e mblodhi veten dhe i thotë: “Mirë se erdhe të keqen motra! Ky është i fejuari im me njrëzit e tij (dhe i tregoi Qemalin), por nuk duam ta hapim hë për hë, kohë lufte, do thonë dynjaja: “tani e gjetën këta të martohen!” ndaj mos ja trego njeriu”. Pas kësaj. Lato Braho merr Qemalin në Lunxhëri dhe krijojn edhe atje organizatën e rinisë.”

Veterani tregonte dhe ne mësuam detaje të panjohura më parë për jetën e heroinave tona. “Bule Naipi u lidh me komunistët Muzafer Asqeriu, Mustafa Matohiti, Muhamet e Nebaet Bakiri, Qibrie Ciu etj. Shpërmdante trakte e komunitata nën hundën e fashistëve. Shtëpia e saj ishte bërë bazë e rëndësishme e Luftës. Kjo ra në sy të armiqve. Në korrik 1944, Dunavati i Parë u rrethua nga armiqtë. Bulja u largua me shpejtësi drejt Malit të Gjerë, por nuk mundi të kalojë, sepse rrethimi ishte çark… Pas torturave e varën në litar. Para vdekjes ajo iu drejtua nazi-ballitëve:

“Armiq! E shikoni agimin që po afrohet? Është agimi përjetshëm i popullit, i Shqipërisë së dashur! Ju vetë jini errësira që do t’i zhduket fara nga rrezet e diellit tonë. Ditët i kini të numëruara, kështu e kanë pësuar të gjithë armiqtë në vendin tonë”.

Fato Berberi ishte fëmijë kur doli partizane. Një partizan i moshuar iu drejtua: “Je menduar mirë, moj vajzë e xhaxhait!” Fatua i përgjigjet: “Po unë nuk e nis sot luftën, shoku partizan. Kam kohë që e kam filluar këtë rrugë të gjatë. Kam punuar në qytet e fshatra, edhe kjo është luftë. Por tani erdha partizane, të luftoj me armë, si shokët e shoqet partizanë.”

Duke luftuar në malet e Kurveleshit, gjatë operacionit armik të qershorit 1944, Fatua u godit nga një copë predhe dhe e shpunë në një stan të plagosur rëndë. Gjatë rrethimit ballisto-nazist, e kapën dhe e dërguan në burgun “Pavlu-Mela” në Selanik ku ishin të burgosura 300 shqiptarë dhe shumë grekë. Atje u takua edhe me Sofie Notin nga Erindi i Gjirokastrës. Gjatë natës, së bashku edhe me Sofia Notin, nazistët i varën në litar.

Ishin vajza që nuk e humbën personalitetin. Qëndruan të paepura deri në frymëmarrjen e fundit, nuk e përfillën armikun edhe para trekëndëshit. Nuk e kursyen jetën për lirinë, për Shqipërinë. E shkruan historinë e rinisë me pushkë, nëpër shkëmbenj e male. Ato luftuan sypatrembur mes 70. 000 partizanëve, luftëtarëve të lirisë, 28.000 dëshmorëve, midis të cilëve 153 Heronj të Popullit.”

Veterani Sevo tregonte dhe të pranishmit përjetonin aktin heroik të vajzave gjirokastrite dhe Rinisë Antifashiste të Gjirokastrës. Në Gjirtokastër kishte 250 baza të luftës, 2000 partizanë, 600 gra e vajza partizane, 499 dëshmorë, 10 heronj, (katër heronj nga Gjimnazi) 55 dëshmorë nga qyteti. Dëshmorja më e re, e vogla 2 vjeçare Shpresa Demaj. Vetëm Minoriteti kishte 140 dëshmorë.

“Nga të gjithë këta, – tregon Sevo – 11 ishin pionierë si Fato Berberi, Çelo Sinani, Bashkim Kokona, Kujtim Ruli, Ali Çani, Ilo Çani, Xhezo Proda, etj. Predha e armikut u preu jetën. Dëshmorët tanë janë më të gjallë se të gjallët. Trimat nuk vdesin. Lavdia nuk tretet”

Ky ishte një nderim i madh i veteranit Sevo Tarifa për veprën sublime të atdhedashurisë së atyre u flijuan për çlirimin e Atdheut. Ligjërata e tij e bukur, impresionuese, u gërshetua edhe me unitetin e brezave: “Dy breza një ideal. Rinovim ka kur brezat janë tok. Brezi i vjetër e ushqen brezin e ri me ajkën e kujtimeve pozitive…Është mirë kur të rinjtë nuk ndahen nga brezi i vjetër, janë trëndafila që ritin trëndafila, që krasitin e kalitin, ferrat priten që të mos rriten, se “djali i mirë çel derën”, “djali i keq të vë ferrën”. Ky kujdes është njerëzor, na ngazëllon veteranë e pasardhës.”

Pasi foli edhe për mobilizimin e rinisë në vitet e pasçlirimit, për ndërtimet madhështore dhe aksionet kombëtare, veterani Sevo Tarifa shprehu kënaqësinë e tij për punën me rininë: “Jam i lumtur për vitet që kam punuar me rininë e artë. Ato dekada i kujtoj me mall, me dashuri, me kënaqësi, me nostalgji. Punë, shoqëri, miqësi, mbarësi. Rinia e qytetit grupe grupe, me barkun bosh, zhvillonin gara: Fitonte Dunavati, ndizej Palortoja, fitonte Manalati, nxehej Hazmurati, fitonte Varroshi nxitej Meçitja, fitonte lagjia “Puntore”, inatosej Sfaka, zëmërohej Pllaka, qeshte Pazari i Ri. Rinia e sotme s’i ka parë ato kohë.”

Veterani ndiehej si i rinuar, por edhe të pranishmit përjetuan një emocion të madh që po e diskutonin edhe pas bisedës, aq interesante dhe frymëzuese. Ajo njëherazi ishte dhe një apel për veteranët, ish kuadrot dhe intelektualët, që ta informojnë rininë me sakrificat e brezave të kaluar në shërbim të atdheut, duke i frymëzuar me ndjenjën e atdhedashurisë, që të mos braktiset Shqipëria, sikundër ka filluar të braktiset.

Të gjithë pjesëmarrësit: veteranë, kaudro të Rinisë nëpër vite, e falënderuan veteranin Sevo Tarifa dhe i uruan jetë sa më të gjatë e bisdeda të tjera në të ardhmen.


22 nëntor 2018