Pse Moikomi është arkeolog i fjalës shqipe

Nga Wikibooks

Pohimi i ndonjë studiuesi se letërsia shqipe në përgjithësi ka karakter provincial (Gazeta “Dita” 22.05. 2017), bërë me qëllim vlerësimin e shkrimtarit të spikatur Moikom Zeqo dhe shkëputjen e distancimin e tij nga tradita “provinciale” e letërsisë shqiptare, nuk është se i shërben shumë evidentimit të universalizmit në krijimtarinë e tij. Ç’do të thotë “provincë”?! Krahinë e prapambetur! Por, a ka qenë e prapambetur kjo krahinë, prapambetje, të cilën, së pari duhet ta shohim në mungesën e dëshirës dhe të përpjekjeve për t’iu përqasur qytetërimit evropian?! Nuk mund të gjesh një njeri, historikisht dhe aktualisht, të mohojë zërin evropian të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Është pikërisht ky zë, tepër kumbues, në të gjitha kancelaritë diplomatike evropiane e më gjerë, që mundësoi ekzistencën e shtetit, të cilin e rrezikonte “globalizmi”, në kuptimin e shkrirjes, tretjes, zhdukjes dhe harresës së kombit shqiptar. Fakti që e përballuam me sukses këtë lloj globalizmi, nuk na bën ta quajmë veten provincial, përkundrazi, është shfaqje e ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave shpirtërore, zakonore e kulturore, edhe pse të tjerë kombe iu nënshtruan asimilimit dhe hynë në histori me fytyrë tjetër, ndërkohë që shqiptarët ia arritën që këtë lëvizje për tjetërsim t’ia besonin vetëndryshimit.

Nëse ky është provincializmi, nuk besoj se ka vend për ndjenjë inferioriteti ndaj të tjerëve.”, Provincializmi nuk qëndron në tematikën që trajtohet prej shkrimtarëve, apo dhe në idetë që përçojnë, sepse, përderisa kanë të bëjnë me njeriun dhe njerëzimin, karakteri i përgjithshëm është i pranishëm, pavarësisht kohës kur nxjerrin kokë problemet, që mund të jetë e ndryshme në vende të ndryshme. Provincializmi në letërsi dhe arte ka të bëjë me mënyrën e trajtimit të problemit dhe të përcjelljes së tij te lexuesi dhe jo me popullin e vendin ku lëvrohet kjo letërsi. Letërsia shqiptare nuk mund të pranojë bazën provinciale nga duhet të nisin konceptimet e reja të letërsisë së shek. XXI, sepse në vendin tonë dy shekuj më parë, që i përkasin periudhës së Rilindjes (shek.XIX), lëvronin letërsi shkrimtarë eruditë, me kulturë të gjerë, njohës të thellë të gjuhës, të parimeve të krijimit dhe të estetikës, shkencës që studion të Bukurën në natyrë dhe në jetën shoqërore.

Kjo letërsi nuk doli nga hiçi, po të kemi parasysh që edhe dy shekuj të tjerë para saj, Pjetër Bogdani vjen me mesazhe sa aktuale dhe universale, për të cilin Moikom Zeqo thekson: “Pjetër Bogdani ka hyrë përfundimisht në panteonin e poezisë shqipe. Ky cikël i mrekullueshëm (cikli i Sibilave) është ndërtuar mbi strukturën e alegorisë dhe poezisë transcedentale. Ky cikël është një unitet më vete dhe në llojin e vet, për nga moderniteti dhe plotfuqishmëria e të shprehurit, mund të hyjë te ciklet më të mëdha poetike të krejt poezisë evropiane baroke të shek. XVII” (Gazeta “Dita” 11.04.2016). Ajo çka kërkohet aktualisht “prishja dhe fshirja e kufijve të letërsisë shqiptare me atë botërore”, është realizuar para katër shekujsh nga Bogdani, për të cilin Moikom Zeqo vazhdon se “Ai i përket racës titane të poligrafëve të Rilindjes Evropiane. Ai ka dashur që libri i tij të bjerë në duart e lexuesve të planetit dhe secili dituran të gjejë diçka për të lexuar”.

Është përgjigjja më e mirë që mund t’u jepet meraklinjve për fatin e letërsisë shqiptare që, sipas tyre, e vështirëson gjendja e saj provinciale, ndërkohë që tradita e letërsisë sonë në të dy rilindjet, atë evropiane dhe atë kombëtare shqiptare, është ajo e fshirjes së kufijve, gjë që i jep asaj karakterin universal. Studiues të tillë, që e kanë shumë të lehtë të fshijnë traditën qindravjeçare, e kanë të vështirë deri në pamundësi të ngrenë koncepte të reja e, nëse janë të ndërgjegjshëm në këtë pretendim; kjo do të thotë se “universalizmi” i tyre është sakat, i pazoti për kapërcime kufijsh dhe, ashtu siç provincializon traditën, ashtu nuk mund të modernizojë të tashmen e të paralajmërojë të ardhmen.


Moikom Zeqo me veprat e veta ka treguar se është virtuoz në përdorimin e fjalës, të mjeteve stilistike dhe në shestimin e figurave artistike. Nëse krijimtaria e tij shquhet për njëfarë “rebelimi artistik”, kjo për arsye se atij nuk i pëlqejnë kufizimet, ai është njeri i lirë dhe liria është bukuria më sublime për të cilën ia vlen të jetosh, e cila të bën të ndjehesh njeri, kur shijon gjithë erëmirat brenda saj. Figurat stilistike, sidomos metaforat “e pabindura” vlojnë si në zjarr në poezinë e Moikom Zeqos, por ato nuk derdhen prej saj, shkojnë këndshëm tek lexuesi dhe ndezin aty zjarr me zjarrin e poetit.

Ky raport bën fjalë për harmoni, marrëveshje me njerëzit dhe kuptueshmëri të plotë. Shkrimtarët tanë të Rilindjes e realizuan këtë nëpërmjet një depërtimi të mahnitshëm tek njerëzit, bashkëveprimi me të cilët garantoi ngritjen e shtetit shqiptar. Sintonia e këtyre shkrimtarëve me interesat e vendit e të popullit shqiptar nuk shënon karakterin provincial të letërsisë, sepse edhe letërsia jonë e sotme më cilësore, siç është edhe ajo e Moikom Zeqos, është në sintoni të plotë me atë të Rilindjes Kombëtare, qoftë për nga idetë, nga mesazhet, nga qëllimet, nga filozofia ku mbështetet dhe konceptimi artistik për trajtimin e tyre dhe, fakti që kjo sintoni anashkalohet për ta gjetur diku më larg në kohë dhe hapësirë, nuk e bën atë më tepër universale nga sintonia me letërsinë dhe pikëpamjet artistike të rilindasve tanë të shquar. Moikom Zeqo është në sintoni me rilindasit, mirëpo ndonjë studiuesi apo kritiku kjo u duket pak për të pohuar universalizmin e Moikom Zeqos, ndaj dhe kapërcehet më tej, tek Aristoteli, për të qenë më tepër bindës dhe të pakontestueshëm në shpjegimet e tyre.

Vetë Moikom Zeqo thekson se “Shpjegimi është jashtëletrar. Shpjegimi lidhet me ideologjitë, botëkuptimet, krahasueshmërinë. Shpjegim është interpretimi i tekstit në 100 pika shikimi”. Nuk na çudit aspak përputhshmëria pothuajse e plotë me N. Mjedën, sepse nuk kemi thjesht citimin e njërit prej tjetrit, por një konkluzion logjik, dalë prej parimeve të zbatuara në krijimtarinë e tyre, të cilat janë sa individuale, aq edhe të përgjithshme, sa artistike, aq edhe filozofike, sa aktuale, aq edhe historike, ndaj dhe mendimi shkon larg, te Aristoteli, ku të dy poetët tanë kanë kthyer kokën e “i buzëqeshin” me cepin e syrit. Mjeda thotë: “…poeti shfaq një send nën shumë pikëpamje, me nxjerrë shka nuk sheh syni e mundet me përshkrue njenën mbas tjetrës pikëpamjet e atij sendi”. Tek të dy poetët mendimi poetik konvergon me atë të Aristotelit, i cili “ … duke besuar se format universale ekzistojnë vetëm në sendet e veçanta, ndiente se artisti është i lidhur direkt me Universalen, kur ai studion sendet dhe i kthen ato në forma të artit” (S. Shtumpf).

Eshtë pikërisht procesi i kthimit të sendeve në forma artistike, që na jep të kuptojmë pikëpamjen e tij se arti nuk është thjesht imitim i natyrës (sendeve), që tek Mjeda, sikurse theksuam më sipër, lexohet: “ Sendja t’i përngjajë sendjes, por jo që të jetë një me të”, për të kaluar pastaj te Moikom Zeqo se “ “…ajo që mund të thuhet për substancën letrare nuk është asnjëherë identike me substancën letrare (Gazeta “Dita” 22.11.2017). Në këtë ballafaqim mendimi filozofiko-letrar qëllimi nuk është për të treguar provincializmin e Moikom Zeqos, por universalizmin e N. Mjedës, për të treguar se tradita jonë nuk është aq provincial, sa letërsia shqiptare të ndjehet inferiore ndaj letërsive të tjera dhe se thirrja e kohës është zhvillimi dhe pasurimi i artit tonë dhe jo ndryshimi thelbësor i artit, mision ky, sipas studiuesit (B. Cengu), për realizimin e të cilit “koha ka zgjedhur Moikom Zeqon”, i cili , nga ana e vet, ka tjetër mendësi për letërsinë shqiptare, për rolin, vlerën dhe cilësinë e saj: “… në vitet 60’ të këtij shekulli, poezia shqipe përjetoi një nga kulmet më të ndritshme të modernitetit të saj, që nuk kishte të bënte vetëm me sistemin e brendshëm figurativ, stilistik dhe veçanërisht metaforik, sesa,dhe kjo është më e madhja dhe s’duhet harruar asnjëherë, me dimensionimin për herë të parë të poezisë shqipe me poezinë më të shquar botërore. Këtë gjë e kish bërë dikur De Rada me N. Frashërin, Seremben, L. Poradeci, Mjeda dhe Migjeni”. Këtë gjë po bën sot Moikom Zeqo dhe do të vazhdojnë ta bëjnë edhe të tjerë në të ardhmen, sepse letërsia shqiptare ka traditën e vet të shkëlqyer, ku nuk zë vend provincializmi, por spikat fuqishëm çështja kombëtare. “Vizioni filozofik aristotelian shihet si kriter për karakterin universal të poezisë së Moikom Zeqos” (V. Ziko. Gazeta “Dita” 6.11.2017).

Po si është e mundur që ky vizion filozofik aristotelian, jo vetëm nuk e ka universalizuar poezinë e Mjedës, por përkundrazi, e ka provincializuar, edhe pse ky mendim (aristotelian) përbën thelbin e parimeve të tij estetike , të publikuara këto në shkrime të veçanta, që shënojnë, gjithashtu, kontribut në mendimin estetik shqiptar?! Tendenca e theksuar e snobizmit dhe “entuziazmi” për “ndonjë” shkëndijë që ndez zjarr dhe në vatrat e huaja si dukuri e re dhe e paparë në letërsinë tonë, do të kërkonte prej këtyre qëmtuesve e zbuluesve që të ndryshojnë drejtimin e flakës, duke i fyrë me gjithë forcën e mushkërive andej nga mendojnë se fitojnë vlera, paçka se u duhet të shtrembërojnë mendimin, idenë, filozofinë dhe artin e autorit, me bindjen se poeti këndellet e lazmohet nga një konglomerat fjalësh që të krijojnë përshtypjen se janë të përkthyera nga gjuhë të huaja, pa ia përshtatur sintaksës së shqipes, duke dhënë kështu një shembull tjetër snobizmi , për të thelluar më tej piketat e ndarjes midis provincializmit dhe universalizmit. Moikom Zeqo, sigurisht, nuk sugjestionohet.

Ai as e shikon, as e kupton veten dhe as pranon të jetë i shkëputur nga tradita, ndryshe “në betejën për artin e ri” nuk do të ishte “i zgjedhuri për të shikuar përtej” (B. Cengu), sepse do t’i ishte mekur shikimi. Me mjaft elegancë e mençuri ai i ka qartësuar idetë e pikëpamjet e tij dhe aktualisht, më tepër se kushdo tjetër, është përpjekur të evidentojë figurat më të shquara të kulturës dhe letërsisë shqiptare, që nga fillesat e deri në ditët e sotme. Janë vlerat e saj kombëtare e universale që i japin atij forcë të mos reshtë së shpërfaquri ato, pikërisht kur mjaft zëra kanë ndërmarrë një sulm të pafre, gjoja në emër të bashkëkohësisë e modernizimit, i cili është njësoj i dëmshëm, qoftë kur i shërben kauzës së kaosit, qoftë edhe kur mendon se i shërben kauzës “së zhvillimit”.

Moikom Zeqo është bërë një barrikadë e fuqishme dhe është ky motiv i lartë e mision fisnik që e ka kthyer atë në një institucion që jep shpresë, normalitet e racionalizëm, lidhur ngushtë me traditën e me vështrimin drejt së ardhmes.A është vërtetë aristotelian mendimi se “ Në hapësirën kozmike ekziston një shpirt suprem e i pavarur që vë në lëvizje mendimin”? Ç’thotë Aristoteli për lëvizjen? “ Të gjitha sendet janë përfshirë në procesin e ndryshimit”. Ai e shihte botën si diçka të përbërë nga sendet në lëvizje (S. Shtumpf). Por kush, çfarë i vë në lëvizje sendet? Për Aristotelin shpirti nuk ekziston jashtë trupit. Me vdekjen e trupit shpirti zhduket.

Pra, sipas tij, shpirti nuk është i përjetshëm, as i pavarur. Aristoteli e shpjegon lëvizjen nëpërmjet veprimit, shtytjes që u bëhet sendeve, të cilat janë potencialisht në lëvizje, nga diçka tjetër qëështë në lëvizje dhe këtu nuk i referohet as teorisë vitaliste, as edhe asaj fetare(Zotit), por Lëvizësit të palëvizshëm, që ka të bëjë me natyrën e brendshme të individit, si shtytje drejt qëllimit nga një forcë dinamike që çdo send zotëron. “Këtë qëllim Aristoteli e quajti “entelihi”. Të gjitha sendet kanë entelihinë e tyre” (S.Shtumpf).

Nëse Moikom Zeqo pohon ekzistencën e shpirtit suprem e të pavarur që vë në lëvizje mendimin, ky është një përfundim i studiuesit (V. Ziko) nxjerrë nga analiza e veprës së poetit, me të cilin edhe “mund të bjerë” në ujdi , por, që të jetë tërësisht i vërtetë, duhet “të konsultohet” edhe me Aristotelin për formatin hilozoist , që i dha konceptit të tij për shpirtin dhe lëvizjen, pa bërë fjalë, pastaj, për sintoninë mes tyre, apo për vizionin filozofik si burim i suksesit, papërshtatshmëria e të cilit bën ta kërkosh diku tjetër e jo te Aristoteli, i cili, gjithashtu, në kundërtinë që përmban shprehja “lëvizës i palëvizshëm”, nuk arriti dot që ta shohë lëvizjen si produkt të unitetit dhe të luftës së të kundërtave, gjë që do të thotë se ekstaza në përcaktimin e vizionit filozofik të Moikom Zeqos, duke gjetur kështu edhe çelësin kryesor për të kuptuar dhe interpretuar figuracionin e poetit, sidomos metaforat, jo vetëm që nuk përkon me ekstazën e poetit, por do ta shuante atë, sepse çelësi nuk mund të hapë portat e artit poetik të Moikom Zeqos, derisa nuk mundi të hapë portën e filozofisë së lëvizjes së mendimit, të shpjegimit dhe interpretimit të saj. Distanca kohore e ka kthjelluar këtë vështrim filozofik, duke përmirësuar e përsosur çelësin për shpjegime dhe interpretime realiste, tek të cilat është e pamundur të mbërrish kur qorrollepsesh qysh në nisje.

Atëhere shpjegimet dhe interpretimet marrin fluturimin për në kozmos, eter, kozmogoni, kaos, nëpër hone, yje, galaktika etj., duke shkuar larg dhe lart. Arti poetik vazhdimisht i ka shfrytëzuar emërtime të tilla, sikurse Parajsën dhe Ferrin, për t’i pushtuar hapësirat estetikisht dhe jo filozofikisht apo politikisht, sepse në këtë proces “pushtimi” biskon përftesa poetike dhe ngarendja për përftesa të tjera prej interpretuesve, studiuesve, kritikëve etj. , është ose abuzive, ose mediokritet, prurje këto që nuk u përqasen vlerave të veprës, edhe kur ata e synojnë një gjë të tillë.


Duke folur për lirikun e madh L.Poradeci, Moikom Zeqo e cilëson atë si “krijues të një sistemi të mëvetshëm, tepër origjinal, universal dhe shumë shqiptar”. Eshtë një këshillë për studiuesit seriozë, edhe për ata që studiojnë veprën e tij, që mendojnë se origjinaliteti i poetit nuk pranon asnjë ndikim nga autorët e huaj apo vendas, përkundrazi, ndikimi i letërsisë rumune, bën fjalë për faktin se mushkëritë e poezisë sonë thithin ajrin evropian, si dhe, njëkohësisht, ndikimi nga krijimtaria e Naim Frashërit, bën fjalë për faktin tjetër se tradita e letërsisë sonë nuk është provincializmi.

Dhe s’ka si të jetë, sepse një poet i përmasave të Poradecit, nuk mund të arrijë madhështinë me një krijimtari të mbështetur në provincializëm dhe mediokritet. Pikërisht këtë ka kuptuar Moikom Zeqo, atë çka ai thotë se Poradeci kuptoi prej N. Frashërit, etj. dhe që “studiuesit” nuk arrijnë të kuptojnë se çka ai kupton. Moikom Zeqo ka kuptuar “se një Poet i Madh kërkon gjithashtu poetë të mëdhenj, të një gjaku, të një etnie, por edhe të ndryshëm, komplementarë”, atë që për çudi nuk po mund të kuptohet se Moikom Zeqo, “ për të shikuar përtej në betejën për artin e ri”, duhet të thirret prej poetëve të mëdhenj dhe, nëse ata nuk ekzistojnë, pa dyshim që ky mision do të jetë i dështuar.

Moikom Zeqo nuk ka dështuar dhe nuk do të dështojë, falë mbështetjes, fuqisë dhe frymëzimit që ai gjen te poetët e mëdhenj, të cilët nuk ngurron t’i përmendë me zë të lartë, si dhe vizionit të tij patriotik, atdhetar dhe artistik për të ardhmen. Tashmë Moikom Zeqo është i pranishëm në “takimet” me të Mëdhenjtë dhe, sepse është Poet i Madh, ndaj dhe nuk lodhet, nuk ngopet me bisedat që organizon dhe zhvillon me De Radën, Seremben, N. Frashërin, Lasgushin, Migjenin, etj. Ata janë buzëqeshja e tij. Duke i sjellë këta mjeshtra në tavolinën e tij të punës dhe kudo në familjet shqiptare, Moikom Zeqo është bërë një barrikadë e pakapërcyeshme në mbrojtje të traditave të shquara të artit e kulturës sonë kombëtare, tek të cilat ai sheh shpirtin e popullit shqiptar, qëndrueshmërinë dhe vitalitetin e tij. Ndikimi i tyre, thekson Moikom Zeqo, ka qenë i pashmangshëm brenda për brenda së njëjtës substancë letrare, pavarësisht profileve të ndryshëm artistikë.

Letërsi botërore nuk do të thotë prishje dhe fshirje e kufijve të letërsive kombëtare, por ato, me identitetin e vet të spikatur qartazi dhe thekshëm, pasurojnë thesarin e letërsisë botërore. Për të përcjellë mesazhe universale nuk është nevoja për të prishur kufij, sepse, në këtë kuptim, kufij të tillë nuk ekzistojnë. Ndaj nuk mund t’i jepet Moikom Zeqos roli i “prishësit” të asaj që nuk ekziston. Përpjekja për konceptime letrare të reja është e natyrshme, por kozmopolitizmi në letërsi nuk është as dukuri e re dhe as moderne. Fakti që thënien” e Gëtes se “nuk ka më letërsi kombëtare, lokale, por ka letërsi botërore”, studiuesi (B.Cengu)nuk e sjell drejtpërsëdrejti, por nëpërmjet Moikom Zeqos, ngjall doza dyshimi në saktësinë e kësaj thënieje, shkëputur prej kontekstit. Aq më tepër, për sa jemi njohur me pikëpamjet e Moikom Zeqos në shkrimet e tij, nuk konstatojmë të jetë ithtar i një kozmopolitizmi të tillë.

Ajo çka Moikom Zeqo thotë është se : “Gëte nuk bën tjetër, veç vërteton tezën e tij profetike se letërsia në esencë, është përherë një letërsi botërore, pavarësisht origjinave etnike të poetit, pavarësisht gjuhëve”. (Gazeta “Dita” 13.12.2017). Ku qëndron mospërputhja? Në faktin që M. Zeqo e ka kuptuar Gëten jo ashtu siç pretendon studiuesi. Në thënien e Moikom Zeqos pohohet se letërsia gjithmonë ka qenë dhe është letërsi botërore, gjë qëështë krejt ndryshe nga thënia e Zeqos, siç e citon atë studiuesi : “…nuk ka më letërsi kombëtare!”. Pra, M.Zeqo “kundër” M.Zeqos?! Kur thuhet se “nuk ka më …”, do të thotë se diçka ka pushuar së ekzistuari ose së vepruari, në rastin tonë “letërsia kombëtare” dhe është zëvendësuar me diçka tjetër, “por ka…”, në rastin tonë, “letërsi botërore”. Duke iu përmbajtur këtij pohimi, kuptojmë që letërsia botërore ose ka ekzistuar paralel me letërsitë kombëtare dhe tashmë ka mbetur e vetme me pushimin e tyre së ekzistuari, ose ka lindur rishtas, me “shuarjen” e letërsive kombëtare.

Të dyja kuptimet janë të paplota, sepse në rastin e parë presupozohet zhbërja e letërsive kombëtare, kurse në rastin e dytë hamendësohet për sendërgjimin e një dukurie të re, letërsisë botërore. Janë të cunguara këto kuptime, sepse as letërsitë kombëtare nuk janë vdjerrë dhe as letërsia botërore nuk u dritësua pas një terratisjeje të tyre. Me një fjalë, Moikom Zeqo, shumë i qartë në referencën ndaj Gëtes dhe në shpjegimin që bën për natyrën e letërsisë botërore; krejt ndryshe, nëse këtë kuptim a qëndrim të Moikom Zeqos do ta merrnim nëpërmjet studiuesit, i cili, nga njëra anë i përjashton letërsitë kombëtare dhe, nga ana tjetër, bën fjalë për bashkësi ekumenike.

Bashkësi, me kë? Me atë që nuk është më?! Përderisa nuk është bashkësi letrare, për çfarë lloji bashkësie bëhet fjalë?!Arsyeja pse ngulmojmë në thelbin e problemit të letërsisë kombëtare dhe universale, është se në kushtet e zhvillimeve kaotike në vendin tonë, në emër të së resë e modernizimit, po konsolidohet një mungesë përgjegjshmërie në trajtimin e çështjeve të strukturës e të superstrukturës, të ekonomisë e të politikës, të ideologjisë, filozofisë, të artit e letërsisë, etj., papërgjegjshmëri e dirigjuar që, duke qenë se në fakt “i lehtëson” punët, i ngatërron dhe i mpleks aq keq, sa, duke menduar për t’i çmpleksur, gjen shtrat për të shtruar të pazhveshura pikëpamjet, të përgjumura, me kujdesin më të madh për të ruajtur rregullin e çrregullsisë. Nuk do të meritonte vëmendje, nëse nuk do të ndodheshim në furinë e njërevanshizmi kulturor, i cili është njësoj i rrezikshëm, edhe kur ecën pas berihajës.


Moikom Zeqo është arkeolog i fjalës shqipe. Ai zhytet në thellësi të hershmërisë së kulturës shqiptare me bindje se do të gjejë margaritarë, me besimin te prirjet e veta se do t’i nxjerrë ato në sipërfaqe. Dhe jo thjesht, si fosile, dëshmi historike, gjurmë të së kaluarës që shënojnë një ekzistencë të dikurshme, me të cilën mjaftohet edhe vlerësimi për të. Moikom Zeqo është dukuri e çuditshme, i cili shikon gjithmonë përpara edhe kur ecën “mbrapa”, ai përqafon tokën edhe kur “fluturon” në qiell, ai i falet atdheut të vet, nga cilido skaj i globit ku sheston. Por edhe vetë Moikom Zeqo “çuditet” kur, ndërsa kërkon të pastrojë pluhurin e kohës e t’u kthejë rrezatimin gjetjeve, ai ndriçohet dhe “befasohet” prej rrezëllimit, kur sheh veten të kalërojë mbi pegasin, shaluar nga mjeshtrit duarartë e mendjendritur. Nuk ka aspak sintoni me mendimin estetik të Moikom Zeqos, thënia se: “ Kjo që është arritur deri sot nuk është mjaft për të parë diçka të re “përtej gardhit” B.Cengu). Kësaj i thonë miopi, që të pengon të mos shohësh çka qëndron para teje e jo më të shikosh, pastaj “përtej gardhit”. Moikom Zeqo në se hedh shikimin përtej gardhit, kjo për arsye se ai shikon mirë çka ka brenda gardhit, aktualisht dhe historikisht, vështrim ky që kundërshton prerë pikëpamjet për traditën, provincializmin dhe universalizmin e letërsisë sonë, pikëpamje këto që nuk justifikojnë perceptimin artistik të Moikom Zeqos, i cili e shpreh mendimin e vet me një gjuhë brilante, autoritare, koncize, që do t’i jepte fund kësaj amullie, kësaj loje, që thuajse e nxjerr tërësisht jashtë loje letërsinë shqiptare, e cila që në hershmërinë e vet ka befasuar dhe nën ndriçimin e saj janë hedhur hapa të sigurt drejt së ardhmes; një vazhdimësi që na nderon dhe na bën krenarë.


Moikom Zeqo është i distancuar deri në skaj prej atyre që vlerat e kombit i lënë harruar e pluhurosur. Ai i mbledh, u heq pluhurin, restaurues i jashtëzakonshëm që i shpalos me një ndriçim të ri, i rrok me një vështrim ledhatues Gj. Buzukun, P.Budin, P.Bogdanin, N. Frashërin, N. Mjedën, etj. Shkrimtari ynë i madh, I. Kadare tret dhe shpërndan çdo mjegull me një elegancë shprehjeje, kur thotë se boshi tragjik i rinisë së Migjenit, “ai bosh ulëritës, ishte i atyre llojeve që natyra ua afron disa herë shkrimtarëve… u afron, pra, në vend të pasjes, mungesën, por të tillë që mund të pjellë të njëjtat brilante, në mos disa herë më të ndritura”.

Asociacione dërrmuese dhe një rraskapitje e ëndshme të lindin vetiu duke lexuar këtë postulat të Kadaresë që, sa i vërtetëështë për Migjenin, aq është i vërtetë edhe për atdheun e tij, Shqipërinë, e cila në historinë e vet ka pasur shumë “boshe”, realitete këto që disa studiues i shohin si boshe reale, jashtë kontekstit të gjithëmbarshëm, i shohin si mungesë vlerash, duke i atribuar vetes rolin e përndritur të kapjes së sinjaleve të reja të bashkëkohësisë dhe të evidentimit të tyre, pa kuptuar se të tilla sinjale nuk janë tjetër veçse një mirazh, në se i shkëput ato nga rrjedha e burimit. E, nëse poliedriku Moikom Zeqo është “i zgjedhuri i artit të ri për të shikuar përtej” (B.Cengu), kjo për arsye se ai çdo ditë shijon ujin e pastër të burimit dhe spërkat me të drejtimet e shtratit të rrjedhave të reja. E quan domosdoshmëri këtë dhe, sa më larg gjurmon në të kaluarën, aq më kthjellët e shikon të ardhmen. Në ato boshe, ku dikush shikon provincializmin, Moikom Zeqo zhytet e zhytet dhe, sa herë që ngre kokën dhe merr frymë thellë për t’u zhytur përsëri, ai na lë në duar diçka të re, të panjohur.

Ai është i sigurt se boshet mbajnë margaritarë në thellësitë e tyre.


Mihal Kalia