Jump to content

Projekti kinez për albanologjinë

Nga Wikibooks

Prof. Chen Fenghua*

Përkthimi i letërsisë shqipe në gjuhën kineze dhe anasjelltas ka filluar nga vitet ’50-’60 të shekullit të kaluar, por me kalimin e kohës, shumica e këtyre përkthimeve të para, qoftë për shkak të tematikës politike, qoftë për shkak të një tirazhi të kufizuar, mbeti në Kinë në harresë ose u zbeh, me përjashtim të disa fragmenteve të veprave të Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë. Ndoshta, edhe veprat kineze të asaj kohe po pësojnë të njëjtin fat në Shqipëri. Prandaj, në një kuptim, përkthimi i letërsisë midis dy gjuhëve filloi shumë vonë, pas viteve ’90. Vetëm këto dhjetë vitet e fundit ose diçka më shumë, me shkëmbimet e shumta kulturore, përkthimet letrare janë shtuar në një masë të konsiderueshme, sidomos për veprat e Ismail Kadaresë, duke nisur me romanin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” e duke vazhduar me të tjerë, si “Prilli i thyer”, “Kronikë në gur”, “Kush e solli Doruntinën”, “Darka e gabuar”, “Ura me tri harqe” etj.

Në vitin 2015, me ndihmën e Ambasadës së Kinës në Shqipëri, të dyja palët kanë nënshkruar “Marrëveshjen Kinë-Shqipëri për përkthimin dhe botimin e ndërsjellë të veprave klasike”, për të thelluar shkëmbimet kulturore dhe miqësinë tradicionale midis dy vendeve. Kjo marrëveshje cakton që të dyja palët të botojnë nga 25 vepra të shquara brenda 5 vjetëve. Qoftë në përmasa, qoftë nga rëndësia, kjo marrëveshje mund të konsiderohet si më e madhja në historinë e shkëmbimeve kulturore mes Kinës dhe Shqipërisë. Bashkëpunimi në bazë të kësaj marrëveshjeje do të thellojë më tej njohjen e kulturës, historisë midis nesh, dhe në një mënyrë të veçantë, të veprave dhe shkrimtarëve më të shquar të vendeve tona.

Në Kinë, universiteti ynë BFSU-ja (Beijing Foreign Studies University) dhe shtëpia botuese FLTRP-ja (Foreign Language Teaching and Research Press), me përparësinë e vet në fushën e studimeve albanologjike, janë ngarkuar me këtë projekt, kanë krijuar komisionin e ekspertëve kinezë dhe shqiptarë, dhe kanë propozuar listën e librave që do të përkthehen. Në Shqipëri, me organizatën e Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë dhe me ndihmën e Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë, janë përfshirë disa botues, si Onufri, Dituria, OMBRA etj , si dhe një grup përkthyesish veteranë, si Iljaz Spahiu, etj. Pas përpjekjeve dyvjeçare, nga të dyja palët janë botuar tetë vepra, si “Nënë Shqipëri”, “Enciklopedi e shkurtër e historisë dhe trashëgimisë kulturore të Shqipërisë”, “Hyrja në historinë dhe kulturën kineze”, “Rruga kineze e reformave dhe zhvillimit ekonomik” etj. Botuesit kinezë dhe shqiptarë kanë organizuar promovimet e këtyre veprave, ose në një rast të caktuar, si me rastin e panairit të librave ndërkombëtarë, për të reklamuar këto vepra të përkthyera. Duhet të theksojmë se veprat jo vetëm po dalin me një ritëm të shpejtë, por edhe se cilësia e tyre garantohet. Një nga përkthyesit e këtyre veprave, Iljaz Spahiu, në vitin 2017, dhe një nga botuesit e tyre, Bujar Hudhri, në vitin 2018 morën çmimin specifik kinez të librave në Pekin.

Doja të përmendja, gjithashtu, që ky projekt qeveritar është shumë domethënës për ne si Katedër e Gjuhës Shqipe dhe si Qendër e Studimeve Shqiptare në Pekin. Ne shohim një mundësi të madhe perspektive për të kualifikuar përkthyes të rinj dhe për të thelluar studimet albanologjike në Kinë. Dhe besojmë se me këto vepra të përzgjedhura nga fusha të ndryshme, edhe më shumë kinezë do të dinë për Shqipërinë dhe shqiptarët dje, sot dhe nesër. Çfarë më ka mësuar “Aksidenti” mua?


“Aksidenti” më mëson si të sillem si një lexues i kujdesshëm

Shkrimtari italian Italo Calvino ka thënë “Ai që zotëron historinë nuk është zëri, por veshët”. Para se ta përktheja “Aksidentin”, kisha lexuar disa romane të Kadaresë, si “Gjenerali”, “Ura me tri harqe” dhe “Kështjella”. Por këto romane i kam lexuar për qejf, që do të thotë se kur hasja në fjalë dhe fjali që nuk i kuptoja, i anashkaloja pa mundimin për të gjetur kuptimet e sakta. Me siguri, njëra asrye vjen nga dembelizmi i lexuesit, tjetra është që procesi i hamendjes vetë bën një punë fantastike. Kështu, leximi i një vepre letrare mbetet një pushim i këndshëm, kurse përkthimi i saj është krejt ndryshe, një punë e lodhshme. Së pari, duhet të isha në çdo moment një lexues i kujdesshëm. Në çdo pikë, në çdo qoshe më duhej të ndalesha për të biseduar me autorin, për t’i bërë pyetje, çfarë qëndronte nëpër germat, paragrafët…, derisa të kapja diçka që të më bindte. Duket se “Aksidenti” luajti rolin e një trajneri me përvojë. Ai më shfaqet, në pjesën e parë, si një roman policor (hetimi për aksidentin), duke më zgjuar që në fillim kureshtjen për të gjetur rezultatin; në pjesën e dytë, romani shndërrohet në një histori dashurie; shënimet, ëndrrat, rrëfimet dhe situata reale, gërshetohen në historitë e personazheve kryesorë, dashuria jeton në rrëmujë derisa të lind dyshimi; kurse në pjesën e fundit, historia përfundon në paqartësi, e vërteta mbetet në hije, sepse ndoshta kjo e vërtetë nuk ka rëndësi. Duke e krahasuar me romanet e tjera të Kadaresë, subjekti në këtë roman paraqitet në një mënyrë më të copëtuar, më kryqëzuar nëpër personazhe të ndryshme, tamam si të jesh duke lexuar një dosje hetimi, ku aty-këtu dalin prova nga më të ndryshmet, të cilat duhet t’i përmbledhësh me kujdes dhe durim, që të mos fluturojnë pa i vënë re.

“Aksidenti” më mëson si të bëhem një përkthyese e kualifikuar.

Në këtë roman Kadareja thotë “Si çdo histori, asaj do t’i duhej të kalonte nëpër tri faza: përfytyrimi pa fjalë, pastaj veshja me to, së fundi rrëfimi për të tjerët”. Pa dyshim, Kadareja shquhet në çdo fazë. Vështirësia bie tani mbi përkthyesit, kryesisht lidhur me pjesën e fundit të thënies se Kadaresë – rrëfimi për të tjerët, sidomos për ata që mbartin një kulturë tjetër. Duke marrë parasysh diferencat kulturore, kaq të mëdha midis dy gjuhëve, përkthyesi gjithmonë do të gjendet i gozhduar në një dilemë të vështirë: të ruajë sa më shumë shijet e tekstit origjinal, apo të bëjë ndryshime për t’ia përshtatur një teksti objektiv. Sidoqoftë, ka edhe “kapërcime ylberore”, kur vetë “Aksidenti” e ndihmon përkthyesin që të kapërcejë natyrshëm pengesat kulturore, të cilat, do t’i quaja, përherë të bezdisshme.

Në roman, autori e ka përdorur imazhin e “ylberit” në tri vende: ose duke fjetur me ylberin, ose duke e kapërcyer, dhe duke shpjeguar se “kapërcimi i ylberit” do të thotë ndryshimi i gjinisë. Por këto përdorime me ylber as nuk mund të përfytyrohen në kulturën kineze. Kur e hasa “ylberin” për herë të parë, m’u duk e pamundur t’ia shpjegoj kuptimin tekstor lexuesit pa shënime të hollësishme, por kur u përqendrova edhe dy-tri herë të tjera, shqetësimi im u zhduk. Kjo ndodhi sepse autori vetë e ka shpjeguar dukurinë e dhënë kulturore në mënyra të ndryshme, gjithnjë më të qarta. Nga ky rast kuptova që përkthyesi duhet të ruajë gjakftohtësinë duke kërkuar nëpër rreshta shënime të ndryshme të autorit në origjinal, dhe jo të vetëkrijojë me ngut e pa bazë. Në pamje të parë, kjo metodë ndoshta duket mosvepruese, por, nëse thellohesh, kuptohet se në shumë raste pikërisht më e thjeshta është më e mira.

Kompleksiteti i dashurisë, jetës dhe botës.

Pavarësisht se ju pëlqejnë ose jo personazhet e romanit apo ideja e autorit, nuk mund të mohojmë se me një strukturë të ndërlikuar dhe me gjuhë të përpiktë, Kadare paraqet kompleksitetin e dashurisë, jetës dhe botës që ne jetojmë. Nëpërmjet romanit autori vetë shtron pyetje për këto aspekte të jetës, dhe ai e di shumë mirë që nuk mund të gjenden përgjigje të qarta, por çdo njeri duhet të përgjigjet sipas jetës së vet. Autori shkruan diku në fund “… më pas do ta kuptoni se bota është më e ndërlikuar se ç’duket…” “… atëherë, sytë e verbër njerëzorë, befas, ashtu siç ndodh kur era ngre rastësisht cepin e perdes mbuluese […] shihnin atë për të cilën do t’u duheshin shekuj.” Në roman, autori ka të drejtë që lexuesit të jenë në dispozicion të tij, kurse në realitet, çdo njeri është i barabartë, është i kufizuar në kohë dhe në hapësirë. E bardha dhe e zeza që ndahen me një vijë të prerë nuk ekzistojnë, kompleksiteti është normal dhe i përhershëm dhe ne duhet ta kuptojmë dhe pranojmë që në fillim.

Librat kanë fuqinë e vet. Njeriu që lexon nuk bie asnjëherë në vulgaritet. Më tej, është një mrekulli e shumëfishuar të përkthesh një libër që të pëlqen. Ndarja e librave të mirë me të tjerët është një eksperiencë me vlera. Më bie ndërmend se para afro 50 vjetësh, dublimi i filmave shqiptarë në Kinë, u pati dhënë kinezëve të asaj kohe një dritare të vogël për të parë botën. Në kohën e sotme, me pjesëmarrjen në projektin e përkthimit dhe botimit, ne do të hapim më shumë dritare për njëri-tjetrin dhe me përpjekjet e çdo përkthyesi dhe botuesi, jetët tona do të bëhen më të afërta, kulturat më të kuptueshme dhe lidhja më e ngushtë.

  • Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit


6 Nëntor 2018