Projektet kombbërëse dhe universale të Naim Frashërit
Projektet kombbërëse dhe universale të Naim Frashërit
Në 10 qershor të këtij viti, së bashku me historianin e shquar dhe të paepur, Pëllumb Xhufin, u nisëm që në mëngjes nga Tirana drejt Prizrenit. Në Prizren do të organizohej një tubim shkencor, për raportet e Tre Vëllezërve Frashëri dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Dihet se më 10 qershor 1878 shqiptarët e vetëdijshëm sendërtuan diçka vizionare dhe të pashembullt për kronologjinë e pushtimit shekullor osman, krijimin të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ky organizim pati atributet e një Qeverie Autonome për shqiptarët e 4 vilajeteve, pa harruar këtu dhe organizimin e Ushtrisë Kombëtare, si dhe të një lloj Ministrie të Punëve të Jashtme, të kryesuar nga kryediplomati Abdyl Frashëri, për të mbrojtur dhe bërë të njohur Çështjen Shqiptare në Europë dhe në Botë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një Edicion i Dytë i Lidhjes së Lezhës në 1444 i princërve shqiptarë me në krye Gjergj Kastriot Skënderbeun.
Në Prizren u rindërtua Memoriali i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u dogj nga serbët dhe ky qytet me simbolikë të jashtëzakonshme në historinë kombëtare me të drejtë duhet konsideruar kryeqyteti i dytë i shqiptarëve, pas Krujës së Shekullit XV Skënderbejan. Historia përcaktoi më pas qytetin e Vlorës, për të plotësuar kështu një Trinitet Atdhetarie për shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912.
Të pafundme kanë qenë dhe janë studimet dhe të ashtuquajturat studime për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, botimi i dokumenteve (ende i mangët) dhe librat e shkruar për këtë subjekt.
Ndonëse jemi në shek.XXI, duke i riparë tërë këto artikuj, referate, doktoratura etj. mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e kupton mirëfilli se niveli shkencor ende ka nevojë të ngrihet më lartë, të kapërcejë fazën empirike studimore për t’iu referuar një konceptualiteti më të lartë dhe më cilësor.
Ka shumë retorikë, madje broçkulla boshe pseudopatriotike, të ashtuquajturat studime që bëjmë për Rilindjen Kombëtare, por dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ndonëse thelbi i thelbeve, ka qenë dhe është shumë i qartë për të gjithë shqiptarët, për të tëra gjeneratat, për kuptimshmërinë e patjetërsueshme të Historisë tonë të martirizuar.
Tema që mbajta në këtë tubim ku kishin ardhur kolegë dhe studiues të nderuar, ishte “Naim Frashëri dhe Kombi Shqiptar”.
Naim Frashëri është poeti ynë kombëtar, një kryeemër i qendërzuar i Rilindjes Kombëtare dhe njeriu që ka ndikuar ndoshta më fuqishëm se çdo shqiptar tjetër mbas Skënderbeut, në historinë për të farkëtuar formulat e vetëdijes kombëtare, të identitetit tonë të përjetshëm.
Emblema konceptuale e sintezës është “Porosia e Madhe”. Studimi i jetës i Rexhep Qoses dhe model studimor për Kulturën Shqiptare!
Të tre vëllezërit, Abdyli si organizator politik dhe mbrojtës i Çështjes Shqiptare ndërkombëtarisht, Samiu si shkencëtar dhe dijetar i klasit të parë, kanë bërë shumë për kombin. Por i takon pikërisht atij ,që dukej si njeriu më delikat, por që vizionarisht dhe emocionalisht arriti mrekulli konceptuale, pra Naimit, që të dalë në krye, për të përfaqësuar semantikisht gjithçka.
Naim Frashëri si poet i ka lidhjet me kombin e vet të ndërthurura në mënyrë substanciale.
Në botë ka studime serioze, të cilat në rrafshin krahasimtar do të na ndihmonin shumë edhe ne shqiptarëve, të tregojmë lidhjet të poetëve të mëdhenj me kombet e tyre përkatëse. Studime të tilla si roli i Dantes për kombin italian, i Adam Mickjeviçit për Poloninë,i Gëtes për Gjermaninë, i Shandor Pëtëfit për Hungarinë, i Pushkinit për Rusinë, i Victor Hugoit për Francën, i Robert Bernsit për Skocinë, i Kristo Botevit për Bullgarinë etj., do të ishin paraprijëse për studime më të plota për Naim Frashërin dhe kombin shqiptar.
Naim Frashëri i përket Rilindjes Kombëtare, i një grupi intelektualësh shqiptarë të pashembullt në histori. Në shek.XIX, që është dhe Shekulli i Romantizmit, disa shqiptarë të ditur, të pafrikshëm, sakrifikues dhe tejet vizionarë kërkuan të bëjnë Ringjalljen të Shqipërisë.
Më i hershmi, nuk duhet harruar kurrë, është poeti gjenial, romantiku De Rada, i cili që në 1836 u bë emblema e “Rishpikjes” të Arbërisë
Kryevepra e tij “Milosao” është poema më e bukur shqipe e të gjitha kohërave.
I dyti por që ka disa përparësi gjithashtu të karakterit vizionar është padyshim Naim Frashëri.
Naim Frashëri është frymëzuesi, ftillëzuesi i dy projekteve vigane dhe të patjtetërsueshme të kombit shqiptar. Projekti i parë është krijimi i vetëdijes, pra sqarimi, formulimi i pakundërshtueshëm i qenies shqiptare si një qenie e meveçme e një kombi, e një qytetërimi të vijimësuar që nga zanafilla më e hershme kulturore në Europë, për simbolikën dhe strukturën universale të kuptimit pse shqiptari duhet të jetë krenar që është i tillë dhe pse ai është i barabartë me të gjithë pjesëtarët e kombeve të tjerë dhe pse shqiptari në histori e ka kërkuar Lirinë dhe ka sakrifikuar pafundësisht, deri në fund për të.
Ky Projekt i Vetëdijes është një projekt kolektiv. Në këtë projekt kanë marrë pjesë të gjithë. E paharrueshme dhe e pavdekshme është klithma e Milosaos: Erdhi dita e Arbrit!
Një rilindës i jashtëzakonshëm, shumëdimensional dhe poliglot, Vaso Pashë Shkodrani, shkoi poemën tronditëse, të papërsëritshme, të padyzueshme dot, “O moj Shqipni”.
Kjo poemë është një kryevepër programore e intelektit, e fuqisë së pashtershme të evokimit dhe ndërgjegjësimit tërësor dhe inkandeshent.
Poema “O moj Shqipni” ka luajtur një rol që s’e mohon dot askush dhe tingëllon e jashtëzakonshme edhe për ditët e sotme. Jo më kot në studimet e mia unë e kam krahasuar rëndësine e poemës së Vaso Pashë Shkodranit për Shqipërinë me rëndësinë që pati poema “Italia” e poetit të madh italian Jakomo Leopardi për epokën garibaldiane të lirisë së Italisë.
Në këtë mjedis evropian përcaktimi i identitetit dhe i shqiptarësisë për bashkëkombasit e vet nga Naim Frashëri, është gjithashtu i pashembullt.
Në poemën e tij “Bagëti dhe Bujqësi” Naim Frashëri me një mençuri paraprijëse shkroi vargjet:
Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqiptar
Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr…
Shikoni ju lutem, Naimi përdor emrin përbashkues: Shqipëri. Ai kapërcen fazën parashtetërore dhe parakombëtare të krahinave, të merave gjeografikë më të vegjël, të koleksionit të emrave në përgjithësi të vendbanimeve të shqiptarëve, madje edhe të 4 vilajeteve, emërtimeve administrative osmane dhe përdor emrin e vetëm, pra kryeemrin: Shqipëri.
Kjo është shpikja e pasaportës kombëtare për shqiptarët, pa lindur akoma ideja e një pasaporte të tillë. Vargjet e Naimit janë pasaporta konceptuale e përbashkimit, e njësimit, e mbijetesës, e ekzistencës dhe e ëndrrës së ëndrrave, të lirisë së Shqipërisë.
Lexoni ç’thonë polakët e mençur për Adam Mickieviçin e tyre. E quajnë profetin e lirisë së Polonisë. Pa Victor Hugoin nacionalizmi francez do ishte më tepër një frazë politike, por jo e iluminuar dhe e strukturuar emocionalisht si një gjëmim dhe triumf shekujsh.
Janë disa lidhje, shpesh të padukshme, nganjëherë të përcaktueshme me vështirësi, për të kuptuar se si një poet mund të jetë më i rëndësishëm për kombin e vet, sesa shumë luftëtarë, martirë, kordhëtarë dhe njerëz të bëmave të furishme dhe të bujshme.
Sepse poeti është Shpirti. Dhe Shpirti është gjithçka.
Projekti i dytë i Naim Frashërit është gjithashtu madhështor dhe epokal.
Ky projekt është krijimi i gjuhës letrare shqipe, si një gjuhë unike dhe përbashkuese, si një gjuhë e niveleve të larta estetike me një peshë gravitacionale të unicitetit të pashkatërrueshëm dot.
Edhe De Rada e kishte një projekt të gjuhës kombëtare.
De Rada, ky arbëresh gjenial, të cilit ne i kemi shumë borxh, borxh që është vështirë të shlyhet plotësisht, duke shkruar veprat e tij poetike mendoi, se gjuha letrare e ardhshme e Shqipërisë do të ishte varianti i tij tosk i vendlindjes, i Makias.
De Rada mendonte se varianti letrar për një popull krijohet nga poeti i madh. Ai tregon shembullin e Dantes që në shek.XIII, pra 7 shekuj më parë ,përcaktoi gjuhën letrare italiane ,duke u ngritur mbi situatën polivalente të dialekteve italiane që kishin shumë mospërputhje midis tyre.
Por De Rada nuk arriti ta kuptonte sensin e zhvillimit gjuhësor të shqipes.
Vetë liriku i madh arbëresh Serembe në poezitë e tij ngrihet mbi dialektet e motshme të arbëreshëve dhe fut risi të gjuhës shqipe të rilindësve shqiptarë të shek.XIX. ai që pati sukses për shkak të vizionit, të perceptimit dhe të fuqisë estetike të shkrimit qe Naim Frashëri.
Para Naim Frashërit ne kemi një traditë sidomos të shek.XVII dhe XVIII të bejtexhinjve shqiptarë. Disa prej tyre si Nazim Frakulla qenë poetë mistikë të klasit të parë, poetë të sofizmit shpirtëror dhe të mistikës shqiptare.
Hasan Zyko Kamberi qe një poet rebel social, me kryeveprën e tij “Paraja” ai të kujton disa pasazhe stigmatizuese të tragjedisë “Timoni nga Athina” të Shekspirit për fetishizimin, totemizmin e konceptit të parasë etj.
Por poezitë e bejtexhinjve janë të shkruara gati me një shqipe hibride, me shumë fjalë arabe dhe turke. Është një ndotje e rrezikshme dhe e çuditshme e gjuhës.
Ky dyzim i shqipes, duke ju shmangur një varianti të pastër letrar, përbën një përvojë, që do t’i bëjë studiuesit përherë të mendojnë seriozisht, për të parë ndoshta konturet e mjegullta të një katastrofe gjuhësore, që mund të ndodhte, por që nuk ndodhi dhe u shmang.
Ishte pikërisht Naim Frashëri që e kreu këtë detyre titanike, që e pastroi gjuhën shqipe, pra në një farë kuptimi, “e shqiptarizoi” shqipen.
Në kohën e Naimit ishte harruar, kishte humbur fjala “dritare”. Nga emri “dritë” Naimi bëri fjalën “dritare”.
Në kohën e Naimit mungonte nj fjalë e rëndësishme dhe thelbësore siç është fjala “hapësirë”. Nga folja “me hap” Naimi krijoi fjalën “hapësirë”.
Kryeveprat poetike të Naimit, sidomos “Lulet e verës”, poemat e tij në formë eposi për Skënderbeun por dhe për Qerbelanë janë një koleksion madhor dhe monumental i shqipes së shkruar, të qëruar, të pastër, të gjihës së mirë, të bukur, fisnike, por dhe estetike. Naimi me projektin e tij të gjuhës letrare përbashkoi të gjithë shqipatrët, pavarësisht dallimeve të gjuhës së folur dialektore, pavarësisht traditave të shkruara dialektore.
Kjo gjë u bë nga Naimi pa patur parasysh institucione të caktuara linguistike, administrata të sofistikuara shtetërore, debate të pafundme dhe sterile për detaje dhe subjekte gjuhësore të pafundme etj.
Kjo fitore e madhe konceptuale e gjuhës së shkruar të Naim Frashërit është ndoshta kontributi më i madh që mund të bëjë një poet në historinë e kombit të vet.
Naimi bëri për shqipen, atë që bëri Dantja për italishten, apo Getja për gjermanishten.
Në këtë pikë Poeti i tejkalon që të gjithë.
Atë nuk mund ta mposhtin dot as intrigat e mëvonshme, as perceptimet retrograde, as rikthimet në fazën dialektore, në paradhomën e gjuhës letrare, as etiketimet e neveritshme dhe pezhorative politike, pothuaj asgjë përçarëse, separatiste, primitive nuk mund ta prekë Poetin në Amshimin e tij.
Kur lexoj me trishtim marrëzitë erazmike të disa pseudogjuhëtarëve të sotëm, mendjengushtë dhe klientelistë të ideve më të mbrapshta kundër gjuhës letrare, pra në këtë thelb dhe kundër vetë Naim Frashërit, më kujtohet historia e përrallës së Lizës në Botën e Çudirave kur Mbretëresha i urdhëron ushtarët e saj t’i presin kokën Lizës dhe ajo lëviz dorën dhe thotë për këta ushtarë: “Po ju qenkeni letra bixhozi!”
Një nga historianët e mëdhenj të shekullit XX Marc Bloch, i Shkollës së Analeve në Francë ,kur bën analizat e tij kirurgjikale për historinë, ai vëren me mjeshtri të madhe të perceptimit ,se çka mbetet nga një strukturë historike e një epoke të caktuar nuk janë kronologjitë, apo format kronikore të ngjarjeve, sesa simbolikat e tyre domethënëse, pra semantikat e bëmave historike, që vetvetiu strukturohen si struktura kulturore.
Kështu ai shkruan se nga epoka e Shekspirit do të mbetet më shumë struktura konceptuale letrare e vetë Shekspirit, kurse detajet e Mbretëreshave, Lordëve, parlamentarëve, politikanëve nuk do kenë një përparësi aq të madhe për t’u lexuar për shkak të një koleksioni të pafund detajesh që nganjëherë nuk inkuadrohen dot në universalitet.
Dikur John Milton ka shkruar frazën e famshme dhe të pakundërshtueshme dot: “Një ditë Perandoria Britanike do të bjerë, por Perandoria e Shekspirit nuk do të bjerë asnjëherë”.
Këto shëmbëlltyra na e bëjnë më të qartë edhe mendimin tonë për Naim Frashërin.
Naim Frashëri i ka të gjitha atributet jo vetëm të së kaluarës të kombit shqiptar, por sidomos të së ardhmes së tij.
Ka shumë ardhmëri të çuditshme në poezinë e Naim Frashërit.
Është ai që ka thënë kryevargun “për Diellin, që lind nga perëndon”. Në epokën e Europës së Bashkuar Naimi është integruar qytetarisht dhe konceptualisht si asnjë shqiptar tjetër.
Naimi kuptoi dhe dramën e madhe të vonesave historike të Shqipërisë. Ai kuptoi si askush se injoranca e trashëguar primitive, mungesa e shkollimit, boshllëku i traditave të lashta universitare dhe akademike, tribadizmi, nderimi klientelist i pushtetarëve etj. e kanë vonuar dhe do e vonojnë Shqipërinë. Naimi si Edipi para Enigmës së Sfinksit donte të kuptonte dhe kuptoi pse ne shqiptarët jemi të vonuar në histori, pse gjithmonë vonojmë në histori?
Dhe ai e tha kryesentencën e pashlyeshme: “Dhe dritë e diturisë përpara do të na shpjerë!”
Naim Frashëri qe një fat i madh i Shqipërisë, por në një kuptim më determinues por ndoshta dhe më shpirtëror Naim Frashëri në shumë kuptime është vetë Shqipëria.
Në ditët e sotme, të demonizuara nga politika e mbrapshtë dhe primitive, e paqytetëruar e klasave të prapambetura të politikanëve shqiptarë në trojet, ku ata jetojnë, njohja e Naim Frashërit do të ishte ngulmi dhe apeli për Emancipim të Ri.
Naim Frashëri është më modern se të gjithë shqiptarët ambiciozë, delirantë dhe me dituri sipërfaqësore që zotërojnë fatet e Shqipërisë, që shfrytëzojnë dhe injorancën dhe prapambetjen ende të dukshme të shqiptarëve.
Të gjithë popujt e qytetëruar i kanë nderuar poetët e tyre kombëtarë.
Poetët kombëtarë janë më shumë se figurat e politikës dhe të historisë.
A mund të kuptohet Gjermania pa Gëten?
Në sheshin më të madh të Varshavës është statuja e Mickieviçit.Indentifikimi i kombit polak !
I vetmi vend evropian – dhe kjo përbën një turp për ne,– që në sheshin dhe në qendrën metropolitane të kryeqytetit të Tiranës nuk e ka statujën e madhe të Naim Frashërit është vetëm Shqipëria.
Po si ka mundësi vallë?
Asnjë falje, apo ndjesë s’mund t’i kërkojmë poetit.
Ai i refuzon të gjitha, sepse atij i mjafton në pambarim dhe në pavdekësi vetë Shqipëria. Amen!
Dr. Moikom Zeqo
15 qershor 2017