Jump to content

Precedent pas precedenti!

Nga Wikibooks

Mbrëmë e ndoqa Ilir Metën,

tek Eni-fshatarja ime,

dhe të themi të vërtetën,

s’la vend për hamendësime!



Po gjë s’do kuptoja fare,

sikur të isha një toç,

se shumica shqiptare,

i do gjërat fare troç!



Meta është elekuent,

nuk i hyjmë dot në hak,

edhe ka goxha talent,

të flasë shumë e të thotë pak!



Para dy javësh kur shkrova,

fiks këtu-tek kjo gazetë,

saktësisht parashikova,

se nuk do kishim dekret!



Për shokun e idealit,

e spjegova dhe pengimin,

se yjet e gjeneralit,

binin ndesh me dekretimin!



Që Meta të mos e digjte,

i thashë Lleshit direkt,

nëse yjet do t’i hiqte,

bëhej ministër direkt!



Mbasi Meta refuzoi,

nuk hodhi firmën në letër,

asnjeri nuk e mendoi,

dhe ripropozimin tjetër!



Tash që shkruaj është mëngjes,

e Premtja sa ka filluar,

si të tjerët dhe unë pres,

një Sandër të dekretuar!



Unë dhe mijëra shqiptarë,

po shohim këtu çuditë,

se pas precedentit t’parë,

kemi precedent të dytë!



Që të dyja i prodhoi,

më e larta zyrë shteti,

që dikush e pagëzoi,

si mungesë serioziteti!



Edhe pa dekret të tija,

Lleshaj drejton normalisht,

Bota thotë se Ministria,

nuk funksionon plotësisht!



Po Meta mendon krejt ndryshe,

dhe pa hezitim e thotë,

gjersa është Ardi Veliu,

funksionimi është i plotë!



Plotësisht na funksionon,

sipas ligjit të “magjishëm”,

se policinë e drejton,

veç Drejtori i Përgjithshëm!



E tha Meta mbrëmë tek Eni,

dhe nuk qe aspak skeptik,

s’ka shumë rëndësi ministri,

me rolin e tij politik!



Këtu përsëri dyshova,

se s’do kishim prapë dekret,

po diku-sërish mendova,

ka dhënë fjalën Zoti Metë!



Tash jemi këtu ku jemi,

dhe Meta e mbylli luftën,

po përgjigje prapë nuk kemi:

“A ka shkelur Kushtetutën?!”


Arben Duka

17 Nëntor 2018