Poetika antike dhe mesjetare e Durrësit

Nga Wikibooks

NJË LEGJENDË E VJETËR NDËRTIMI

Dijetarja bizantine Ana Komnena në librin e saj “Aleksiada” (viti 1148) përshkruan sulmet normane kundër Durrësit në shekullin XI, si dhe shumë të dhëna interesante me karakter historik e kulturor.

Ana Komnena bën fjalë për një pjesë të lashtë të qytetit, të cilën e quan Epidamn, të braktisur në shekullin X.

Në gërmadhat e Epidamnit normanët ngritën kampin e tyre ushtarak, duke ndërtuar baraka, gjatë rrethimit të kështjellës së Durrësit.

Ana Komnena shënon se qyteti i lashtë Epidamn, pas një shkatërrimi në kohën e Pirros së Epirit (shekulli IV para erës sonë) “në vitet e mëvonshme… siç tregojnë shkronjat e skalitura në qytet, ai u rindërtua prej Amfionit dhe Zetit, në formën që shihet sot dhe duke ndërruar emrin u quajt Dyrrah”.

Pra, kemi të bëjmë me një legjendë shumë të lashtë ndërtimi.

Mbishkrimi i kësaj legjende, siç dëshmon kronikhistoriania bizantine, ka qenë në fakt më i vjetër se shekulli XI, pasi në këtë shekull Epidamni qe kthyer në gërmadhë.

Legjenda e ndërtimit të Durrësit është kështu më e vjetër se vetë shekulli XI, e del se është legjenda më e vjetër e ndërtimit që përmendet nga një autor në mesjetë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Ballkan.

Dihet se Marin Barleti në 1504 në librin “Rrethimi i Shkodrës” tregon legjendën e ndërtimit të Rozafës, d.m.th. 5 shekuj më vonë se legjenda e ndërtimit, për të cilën flet Ana Komnena.

Legjenda e Durrësit është legjenda e Amfionit dhe Zetit, e dy muzikantëve mitologjikë, që me forcën e tingujve i lëviznin gurët njëri mbi tjetrin.

Në fakt legjenda pasqyron antikitetin dhe jo mesjetën, kur krishterimi i lë krejt në harresë e s’i përmend figurat e heronjtë e panteonit pagan, e miteve të lashta.

Dyrrahasit e motshëm jo vetëm e kishin ruajtur këtë legjendë, por më tepër edhe e kishin shkruar me shkronja të skalitura ne epigrame poetike në ndonjë portë, ose monument tjetër të qytetit, që sot nuk ekziston më.

Mbishkrimi i legjendës ka qenë me vlerë të veçantë historike e arkeologjike.

Pra, na del se legjenda, si krijimtari folklorike e mirëfilltë, ka qenë e regjistruar, e gdhendur në gur.

Legjenda e ndërtimit të Durrësit me Amfionin e Zetin, si ndërtimtarë mitologjikë, ka si paraardhëse një legjendë më të vjetër, atë që tregon Apiami e Stefan Bizantini, për heroin vendas Epidamn, i cili ndërtoi në gadishullin kodrinor buzëdetit, qytetin me të njëjtin emër.

Kjo legjendë pasqyron një kohë tepër të skajshme, të paktën kapërcyellin kohor para viti 627 para erës sonë, kur kronika flet për ardhjen e dorëve në vendbanimin ilir.(A. 22 janar 1984)


POEZITË ME TE HERSHME

Poezia më e hershme që i është kushtuar një banori të Epidamnit të Ilirisë, Kleostenit, kampion olimpik në Olimpiadën e 66 i takon vitit 516 para erës sonë.

Është një epigramë, ku me krenari fituesi përmend vendlindjen e tij.

Arkeologu francez Zhan Pjerr Misho ka zbuluar në Museiot të Thespies (Greqia Veriore) një monument ku është skalitur dhe emri i një Platon Graioni nga Epidamni, fitues i një gare poetike shoqëruar me kitarë.

Ky poet i Epidamnit ka jetuar në shekullin III para erës sonë.

I kësaj kohe është dhe një tjetër poet (njëkohësisht dhe muzikant), që është shënuar në një mbishkrim të Butrintit.

Një monument me një poezi katërvargëshe lidhet me qytetin e Apolonisë “të ndërtuar pranë Jonit” e përjetëson një ngjarje të historisë apolloniate që ka ndodhur në vitet 470-460 para erës sonë.

Dy mbishkrime poetike lidhen me emrin e Pirros së madh të Epirit, të shekullit III para erës sonë, ku Pirroja shënon përkatësinë e tij etnike si Pirro Molosi, dhe për fisin epiroto-ilir të ajakidëve thuhet se “janë luftëtarë, siç kanë qenë përherë në të kaluarën”.

Në shekullin II të erës sonë një ilir i ditur me origjinë nga Rizoni i Dalmacisë i kushton hyut ilir Medaur në një tempull të Eskulapit në Lambesian e largët në Numibi të Afrikës,një statujë me paraqitjen plastike të hyut kalorës, si dhe dy poezi – 10 dhe 4 vargjëshe në hekzametër.

Këto poezi të bëra nga kushtuesi ilir i quajtur dhe vetë Medaur Basiana janë bërë në vitin 167 dhe dëshmojnë kultin e hyut ilir dhe krenarinë e ilirëve në këtë lak kohor për perënditë e panteonit të tyre etnik.

Në të njëjtin shekull një ilir nga Dardania i quajtur Geta i kushton gruas së tij Gentianës dhe fëmijëve Redon e Hare një epigramë poetike të cilën e ka botuar së pari Zhan Boske.

Tërheq vëmendjen sidomos emri i Redonit që dihet se ka qenë dhe emri i hyut ilir të detit e që sot në formën Rodon ruhet në toponimin e kepit të në Veri të Durrësit.

Në shekullin V në Durrës jeton e shkruan një figurë e shquar për dituri, poet dhe prokonsull i ilirëve, Gjoni i Epidamnit, të cilit kur ka vdekur i ka kushtuar një epigramë prekëse një bashkëkohës – Kristodor Kopti.

Në vargjet e epigramës Gjoni cilësohet “yll i Epidamnit” si dhe njeri “i kurorëzuar nga Muzat”.

Një tjetër poet dhe muzikant ilir përmendet në periudhën e antikitetit të vonë: Niketa e Remezianës, nga i cili ruhet deri në ditët tona një hymn i krishtërimit të hershëm, i famshëm e prej të cilit janë frymëzuar dhe kompozitorë të mëvonshëm botërorë si Berliozi, Verdi etj.

Një poezi prej 13 vargjesh është skalitur në 1225 në një pllakë mbi një kryekullë të Durrësit.

Po në Durrës i ka kushtuar një epigramë 36 vargjëshe poeti (njëkohësisht dhe piktor) Isidor Mele të vëllait Konstandinit, arkidiaktri i Arbanonit.

Monumente me poezi mesjetare të shekujve XI-XIV janë gjetur në Ballsh, Zvërnec të Vlorës, Berat.

Gjergj Arianiti, qendismëtar artist i Epitafit të Gllavinicës të vitit 1373, në mbishkrimin e kësaj vepre të rrallë arti ka shënuar edhe një varg poetik.

Deri tani numri i monumenteve antike e mesjetare me mbishkrime poetike të trevave iliro-shqiptare, ose që lidhen me historinë ilire është afro 20.

Pavarësisht nga gjuha greke e latine e këtyre mbishkrimeve, të përdorura si gjuhë kulture edhe nga popuj të tjerë, ato dëshmojnë për një jetë intelektuale e me vijueshmëri në shekuj të poezisë së kultivuar të kulturës profesionale poetike, të poetëve, banorëve të qyteteve të Ilirisë e Arbërisë mesjetare.

Në këto poezi përmenden hyjnitë e emrat ilirë, toponime tona, ngjarje e persona historikë të historisë sonë, ndërtime, aspekte të jetës shpirtërore etj.

Nga kjo pikëpamje këto mbishkrime poetike japin një informacion autentik e të paçmuar për historinë iliro-shqiptare e traditat tona kulturore të shekujve. (Z.P. 12.3.1988)


Mokiom Zeqo