Piktori Gazmend Leka rrëfen enigmën e simboleve kombëtare

Nga Wikibooks

Anila Dedaj

Piktori dhe pedagogu Gazmend Leka në kuadër të ekspozitës “Procesi” shpjegon historikun dhe rëndësinë e simboleve. Ai shprehet se shteti nuk ka bërë asgjë për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe shpjegon pse kisha duhet ta kishte shpallur shenjt heroin

Festat e 28-29 Nëntorit kanë bërë që Shqipëria të vishet në kuq e zi. Për dikë simbolet bëhen burim shprese, për një tjetër urë për të përcjellë dëshpërimin e premtimeve të thyera dhe për të gjithë ne janë mjete identifikuese të një kombi, që ende pret të shikojë të ardhmen e ëndërruar, atë perëndimore. Mirëpo sa i njohim ne realisht simbolet tona?! Piktori dhe pedagogu Gazmend Leka, në një situatë kur materialet e ofruara shpesh kundërshtojnë njëra-tjetrën në mënyrë të qëllimtë ose jo, gjatë aktiviteteve kulturore të mbajtura në Fakultetin e Arteve të Bukura në kuadër të ekspozitës “Procesi”, vendos të ndalet në historikun dhe domethënien e simboleve shqiptare. “Unë jam shumë i ndjeshëm ndaj atyre gjërave që shënjojnë esencën e kombit tonë” shprehet artisti ndërsa ndalet tek një nga pikat më të dashura për të, ngjyra kuq e zi e simboleve kombëtare. Mes një larmishmërie veprash në galerinë “FAB”, Leka sjell krahas disa gravurave edhe një “tablo” ku shpjegohen me kujdes kuptimi dhe vlera e elementëve kyç të simbolikës kombëtare të kombit tonë. Siç ai shprehet, interesi i tij lidhet me koshiencën, por edhe subkoshiencën kombëtare. “Nuk jam historian, por jam artist, edhe në këtë sallë e sjell simbolikën edhe si një vepër arti”. Për Lekën e rëndësishme është që të përcjellë diçka nga historiku i flamurit tonë, kjo edhe për faktin se toka jonë është e mbushur më një larmishmëri e sasi të madhe simbolesh. Ai ka vendosur që të fokusohet tek simboli, në kuptimin e zëvendësuesit të një totemi(një objekt ose kafshë që nga një shoqëri e caktuar mendohet të ketë një domethënie shpirtërore duke u adobtuar si një emblemë). “Pikërisht ashtu siç janë totemet, që tek popujt modern edhe pse e kanë humbur fuqinë e tyre, manifestohen në flamuj, në copa rreckash të ngjyrosura, nëse flasim në një gjuhë vulgare, por që mbartin një ngarkesë shumë të madhe”. Për shenjat që shpesh thuhet se ne i kemi marrë nga Bizanti, pedagogu shpjegon se ndoshta mund të jetë pjesërisht e vërtetë, por ai thekson faktin, se bëhet fjalë për elementë që më së shumti kanë qenë pjesë e krijimtarisë sonë popullore. “Është një fushë eksplorimi e pafundme, thjesht nga pikëpamja simbolike”. Përsa i përket shqiponjës me dy koka, të konsideruar si shenjë perandorake, në një kohë që vendi ynë nuk ka qenë asnjëherë perandori, për Lekën ky simbol është i pranuar nga bota, pa u kundërshtuar. “Në botën drejtvizore të sipërfaqes, kjo gjë mund të jetë e vërtetë. Mund të konsiderohet si diçka që duhet të ndodhte, apo mund të ndodhte, ndërsa në botën e subkoshiencës nuk mund të ndodhë, se këto lloj simbolesh janë shumë të thella, është gati-gati gjenetike për popullin shqiptar”. Në një kohë që Shqipëria përmendet më së shumti në botë për vepra kriminale të individëve të caktuar, apo për dukuri të tjera negative, piktori përpiqet që përmes artit, historisë e simbolikës të kontribuojë sadopak për të ndryshuar këtë imazh. “Është për të ardhur keq fakti që edhe kur shqiptarët bëjnë vepra të mira, përsëri fokusi mbetet mbi gjestet e këqija që mund të kenë bërë individë të caktuar. Diçka e tillë bën që Shqipëria të mos pozicionohet në vendin e merituar. Dhe në një situatë të tillë detyra ime është që të ngre sadopak frymën pozitive”. Studimi i Lekës, siç ai shpjegon, nuk është i ndërtuar në bazë të një sistemi shkak-pasojë, por mbi një botë simbolike, ku nënshtresa ka për qëllim të krijojë një lloj energjie tek shqiptarët. Vepra e tij e artit u vjen gjithashtu në ndihmë studentëve, pasi siç pedagogu thekson, ata duhet të dinë se çfarë kuptimi ka flamuri që na përfaqëson. “Kështu kur studentët tanë do të jenë pjese e konferencave, mund ta thonë se flamuri ynë është më i bukuri, sepse është më i vjetri. E kuqja e flamurit tonë kombëtar siç Leka rrëfen, ka të bëjë me jetën, me energjinë vitale, me gjithë mendimin ezoterik, të fshehtë, okult. E kuqja, sipas pedagogut ka shoqëruar njerëzimin që në fillimet e tij, madje ka qenë ngjyra e parë që është përdorur. “Kjo edhe për faktin se kur është shkaktuar një plagë, ka qenë pikërisht ngjyra e kuqe që ka pikturuar trupin e njerëzve. E kuqja, e zeza dhe e bardha janë ngjyrat që shënjojnë kufijtë tonal, sikurse e bardha e zeza. Ndërsa, e kuqja, jemi ne. Nuk i kanë thënë më kot Adamit, që u bë nga balta e kuqe (nëse është e vërtetë)”. Shiritat e tirqve (pantallonave të bardha tradicionale të veshura nga burrat shqiptarë), siç pedagogu shpjegon kanë qenë gjithashtu të kuqe, mirëpo pas ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar, në shenjë zie u vendos të kthehen në të zezë. “Në një farë mënyre është e ngjashme me shiritin e zi që mbahet në dorë, si shenjë që rrëfen se një njeri po mban zi”.

Respekti ndaj simboleve

Për Lekën kujdesi apo respekti kundrejt simboleve tona kombëtare shpesh ndodh instinktivisht. “Stadiumi vishet në kuq e zi gjatë ndeshjeve të futbollit”. Interesant për të është fakti se shqiptarët i mëshojnë simbolit dhe jo figurës. “Nuk shprehen se janë bijtë e shqiponjave dy krenare, por thërrasin e thonë: Jemi kuq e zi!”. Për artistin është e rëndësishme që t’u rrëfehet njerëzve se cilat janë vlerat që ngrënë imazhin e vendit. “Përsa i përket simboleve, pavarësisht se dikush ka ditur të bëjë politikën, apo dikush e ka bërë keq atë, njerëzit e thjeshtë mendoj se e kanë respektuar. Mirëpo nuk është vetëm flamuri pjesë e simbolikës, ne kemi gjithashtu një gjuhë të thellë simbolike. Janë të gjithë këto elementë së bashku që e bëjnë vendin tonë shkëlqimtar. Nuk pretendoj ta dinë këtë të gjithë, por them se ne duhet që e dimë duhet ta tregojmë”. Artisti është koshient se shumica e njerëzve, pavarësisht se e mësojnë himnin në shkollën fillore, nuk i dinë vargjet. Sipas piktorit ajo që ai quan jeta e fshehtë e një kombi, nuk koinçidon me jetën e përditshme. “Është energjia që lëshon jeta e fshehtë e një kombi që e bën të mirë jetën e përditshme, sikurse ndodh me rrënjët, që ndihmojnë pemën të rritet dhe nëse e pret, atëherë pema thahet. Kur sheh se një komb fillon e zhbëhet, në errësirat e thella pjesa gjenetike e kombit ka pësuar tronditje”.

Të huajt e shpikin një hero si Skënderbeu, ne e kemi dhe duhet ta mbajmë gjatë!

Gjatë këtij viti jubilar në nder të 550 vjetorit të ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, artisti Gazmend Leka i bashkohet mendimit të shumë prej kolegëve të tij, se nga ana e shtetit nuk është bërë mjaftueshëm. “Iniciativa për ta shpallur 2018-ën si Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut ishte diçka shumë pozitive, por mendoj se duhej të bëhej diçka më e madhe. Nga ana e shtetit nuk është bërë gati asgjë, veçanërisht në Krujë ka pasur nisma vetëm nga muzeu edhe punonjësit”. Pavarësisht neglizhencës së Qeverisë për të pasuruar këtë vit me aktivitete me peshë në nder të heroit, Leka përsëri i qëndron faktit se ky vit dedikuar Skënderbeut shërben pozitivisht, pasi në një farë mënyre shërben për të kujtuar njerëzit, gjuhën e tyre, heronjtë dhe simbolet. “Ai është heroi ynë kombëtar, e ka marrë vulën e tij, është quajtur atlet i Krishtit. E ka emrin Gjergj edhe koinçidon me Shën Gjergj. Habitem që kisha nuk e ka bërë shenjt, duke qenë se ka mbrojtur kishën, ka formuar shtetin shqiptar dhe ka pasur rol kyç për të ndaluar shkatërrimin e kulturës evropiane. Pra Skënderbeu, duhet të ishte bërë shenjt!”. Sipas Lekës Skënderbeu është një figurë për të cilën kanë shkruar shumë, duke bërë që miti i tij të mos zhduket, të mos vdesë. Sipas tij, popullit shqiptar i ka dhuruar historia një hero që shpesh vendet e tjera përpiqen ta sajojnë, ndaj kërkon më shumë vëmendje. “Të huajt kanë shpikur Vilhem Telin, ndërsa ne e kemi real dhe ndaj duhet ta mbajmë gjatë”. Sipas pedagogut, Skënderbeu si udhëheqës shteti mund të ketë qenë liberal, si dhe diktator nëse lypte nevoja, por mbetet një figurë gjigante. Përsa i përket simboleve, Leka shprehet se mjet shprehës nuk ka pse të jetë vetëm fjala. Kështu, ai është një tifoz i simbolit të bërë me duar. “Edhe shenjat ndonjëherë mund të flasin shumë, simboli i shqiponjës i bërë me duar edhe pse mund të duket si populiste, sipas meje është diçka shumë e bukur për t’u parë”.


30 nëntor 2018