Jump to content

Petro Nushi, heroi i puseve të naftës

Nga Wikibooks

Nga DHIMITËR SHTËMBARI

Para disa kohësh pata lexuar në një rrjet social një shënim të inxhinerit gjeolog Hajri Kasemi kushtuar punonjësit të shkëlqyer të Naftës, të ndjerit Petro Nushi – Hero i Punës Socialiste. Teksa e lexova, nuk m’u mbajtën lotët. M’u zgjua malli dhe respekti për atë njëri të rrallë. E pata pas njohur në puset e gazit në zonën e Divjakës, kur i shkoja si gazetar.

Por le të citojmë inxhinier Hajriun:

“Kush nuk i njohu Petro Nushin dhe bashkëpunëtorët e tij?! Njerëz që sakrifikuan familjen, rininë, gëzimin, deri edhe rritjen e fëmijëve.

Kush nuk e njohu këtë njëri, që nuk e jetoi jetën e vetë, por mbeti puseve të naftës në çdo skaj të vendit, natën e ditën, në shi e në diell. Dhe unë si ixhinier i ri i thosha: “Ik në shtëpi, përgjegjës, se jam unë këtu”.

Ai, me nje buzeqeshje gjithë siklet, më thoshte: “Jo, inxhinier, puna e do që të jem edhe unë me ty pranë pusit”…

Një jetë e tërë puseve të naftës e të gazit!Vetmohues në punë, artist në mendime, i drejtë në gjykime. Edhe ushqimin e hante në këmbë…

Iku Petrua! Nuk u shkruajtën dy rreshta! Shkruan vetëm kryeinxhinieri ynë, Përparim Hoxha dhe kolegu i tij, Skënder Sakaj. Iku Petrua, njëri i mirë. Eh, kishte një të “keqe”: ishte komunist! Kishte edhe një të “keqe” tjetër: ishte Hero i Punës Socialiste!

Petro Nushi dhe shokët e tij në 70 për qind të jetës së tyre kanë fjetur në kantieret e puseve të naftës…”


Telefonata e mesnatës

Rasti e solli që në Lushnje shumë vite të shkuara shtëpinë ta kisha në Pallatin e Naftëtarëve, siç quhej atëhere një gjashtëkatësh i ngritur në qëndër të qytetit.

Në një mesnatë dhjetori bie zilja e telefonit. Çohem, shkoj te aparati telefonik që e mbaja diku në koridor afër derës, ngre receptorin dhe… “Alo, Dhimitër; më fal që po të shqetësoj në këtë orë shumë të vonë të natës, por ashtu e kam hallin…”

E njoha nga zëri. Ishte Petro Nushi, përgjegjës pusi. “Aty pranë hyrjes tënde është ajo e kryeinxhinierit tonë, Rikard Shllaku. Të lutem, thirri të më dalë në telefon…” vazhdoi të më thoshte tjetri përmes telefonit.

Nxitoj drejt hyrjes së kryeinxhinierit, trokas në derën e fqinjit tim të mirë dhe mbas pak shikoj të dalë Rikardi. Pa pritur të më thotë gjë, e ftoj të vijë në telefon. Dhe në çast nisi të bisedojë me atë që e pat thirrur. Vazhduan për disa minuta. Pasi mbaruan, Rikardi më drejtohet:

– Më duhet të nisem urgjent për në Gërmenj – Çok. Më thërret përgjegjësi i pusit, Petro Nushi…

– Në këtë qamet?! – i drejtohem. – Për pak orë gdhihet dhe … pastaj nisu.

– Më thërret Petro Nushi… Dhe kur thërret ky njëri, është krejt ndryshe. Ai është tepër i zoti, por… diçka e rëndë duhet të ketë ndodhur.

Qendrova në koridor dhe e pash Rikardin të dalë nga shtëpia veshur me çisme dhe me një pelerinë të trashë. Më përshëndeti me dorë dhe, ashtu në errësirë, mori shkallët për të zbritur poshtë.

Rikard Shllaku, atëherë një mesoburrë dhe shumë simpatik, që ata që e njihnin nga larg mbase e konsideronin aristokrat, ishte njëri i punës dhe i sakrificës.

Atë mesnatë dhjetori ai shkonte t’i përgjigjej sakrificës me sakrificë.

Kush ishte Petro Nushi

Lindur më 10 gusht të vitit 1944 në fshatin Mazhaj të rrethit të Lushnjës, Petro Nushi do të vazhdonte rrugën atdhetare të të parëve të vetë. Nga rrënja gjyshërore e tij kanë pas dalë shumë klerikë atdhetarë, në disa breza. Janë të njohur për veprimtarinë e tyre në shërbim të komunitetit Papa Mitrushi, Papa Josifi, Papa Anastasi, At Dheodhori, Papa Thanasi, Papa Petrua, Papa Ilia Zegali, Papa Nikolli, që ishte i ati i Petros, si dhe të tjerë si këta.

I ati i Petros, Papa Nikolli, ishte shumë shpirtëror. Nëpërmjet kishës ndihmonte më të vobegtit e fshatit. Atje ku ishte halli, aty gjëndej dora e shtrirë e Papa Nikollës.

Shkollën fillore Petro Nushi e bëri në vendlindje, atë shtatëvjeçare e kreu në fshatin Toshkëz, të mesmen e mbaroi në Teknikumin e Naftës në Kuçovë.

– Edhe pse kanë kaluar disa dekada, – tregon intelektuali i njohur Fore Dori, – Petron e Mazhajt të Lushnjës nuk e harroj. Pasditeve kur mblidheshim në klasë për të mësuar për të nesërmen, të gjithë vinim nga konvikti, ndërsa Petroja vinte nga puset e naftës. “Hajdeni, more, me mua, sepse mësuesit më të mirë të shkollës janë punëtorët e puseve”, na thoshte herë mbas here.

Me mbarimin e shkollës e nisi punën si punonjës i thjeshtë i industrisë së Naftës, e vazhdoi si mekanik në brigadat e shpim – kërkimit, si sondator, si kryesondator dhe, më në fund, si përgjegjës pusi.

Kudo që punoi, më sakt, kudo që sakrifikoi dëshmoi ndërgjegje të lartë. Treguesit që pat arritur brigada e drejtuar prej tij kanë qënë të jashtëzakonshme. Falë vullnetit dhe këmbënguljes së tij janë arritur rekorde në ritmet e shpimit, në thellësinë e puseve, në kursimin e rulave apo të naftës etj., etj.

Dhe jo më kot i qe akorduar titulli më i lartë: Hero i Punës Socialiste.

Rruga drejt suksesit i kalonte vetëm përmes sakrificave

Si edhe disa të tjerë. Petro Nushi u besonte fort bindjeve dhe forcave të veta. Nuk nxitonte të vraponte symbyllur mbas turmës. Kishte guximin ta thoshte troç mendimin e vetë dhe ta mbronte atë qoftë edhe i vetëm.

Në një aktiv të zgjeruar në Lushnje diskutoheshin treguesit ekonomikë për vitin pasardhës. Në këtë aktiv kishte ardhur ministri, Lavdosh Ahmetaj, madje edhe nënkryetari i Këshillit të Ministrave, Besnik Bekteshi.

– Vitin e ardhshëm, – ishte shprehur drejtori i ndërmarrjes së Shpim – Kërkimit të Naftës e Gazit, do të punojmë për një plan 12 për qind më të lartë se ai i këtij viti…

Salla kishte rënë në qetësi. Shokët e presidiumit të mbledhjes kishin hedhur vështrimin e tyre drejt pjesëmarrësve në sallë. Prisnin të dëgjonin ndonjë diskutim për rritje treguesish, ose, së paku, për mbështetjen e sugjerimit të shprehur.

Mbas disa minutave heshtje e kishin marrë fjalën disa inxhinierë e teknikë, që kishin lënë të kuptohej, se rritja e planit do të qe e vështirë të realizohej për disa shkaqe, që ata i konsideronin objektive. Kur thuajse po mbyllej diskutimi i këtij problemi, ishte ngritur Petroja dhe kishte “zgjuar” aktivin.

– Unë mendoj, se planin e shpimit mund ta rritim jo 12 për qind, por 15 për qind…

Në çast qe ndjerë një “u” e zgjatur.

– Nuk ka pse të çuditemi, – u ishte kthyer Petroja. – Sikur të gjitha brigadat të punojnë si ajo më e dalluara e ndërmarrjes sonë, atëhere do të mund të arrinim një tregues që do të ishte 20 për qind më i lartë se ai i këtij viti. Por unë nuk them se do të mund të punohet si brigada më e mirë, por ama si brigada me tregues mesatar mund të punohet. Dhe atëhere do të mund të arrinim 15 përqndshin që unë sugjeroj… Apo e kam gabim?

Kaq u desh dhe diskutimi u fut atje ku dëshironin ata të presidiumit të mbledhjes.

– Mirë e pate propozimin, o Petro, – i pat thënë dikush në të dalë të mbledhjes, – por mos harro se nuk janë të gjithë Petro Nush…


Gjakftohtë dhe zemërngrohtë


Puna vazhdonte normalisht në pusin që shpohej në Kryevidh të Kavajës. Mirëpo, në sektortin e naftës atë që ta sjellë minuti nuk ta sjellë moti. Në punë e sipër, sonda bllokohet. Të gjithë pranë pusit tërë sy e vesh. Pa vonesë gjënden aty edhe inxhinierët e ndërmarrjes. Japin e marrin, se si mund ta zgjidhnin problemin e vështirë teknik.

Mes të tjerëve, si kërpudha mbas shiut, u gjend aty edhe një operativ i Sigurimit të Shtetit. Inxhinierët dhe punonjësit e tjerë iu dhimbte koka për avarinë e ndodhur, sepse bëhej fjalë për një kosto të madh për shtetin, ndërsa ai….

– Hajde pak me mua të shkëmbejmë nja dy fjalë andej menjanë, – i kish thënë Petros operativi.

– Sikur nuk është koha pikërisht tani për biseda, – ia kish kthyer përgjegjësi i pusit. – Mënjanojmë njëherë avarinë, pastaj kemi kohë të bisedojmë…

Kaq kishte dashur operativi dhe kishte nxituar të shkonte atje ku raportonte.

Të nesërmen Petron e kishin thirrur ne Komitetin e Partisë të rrethit.

– E dini ju, se në brigadën që drejtoni keni një të pakënaqur?! E kush ju siguron juve, se avarinë mund ta ketë shkaktuar pikërisht ai njëri?!

Petroja kish vënë buzën në gaz dhe, gjakftoht siç ishte, ia kishte kthyer:

– E marrë me mend se për cilin e keni fjalën, por unë ju garantoj, se është pikërisht ai njëri që mund të na ndihmojë shumë për mënjanimin e asaj avarie. Ai vërtet është mekanik, por ka intuitë prej inxhinieri.

Ata që e kishin thirrur Petron patën shikuar njëri – tjetrin. E kishin parë të kotë ta zgjasnin bisedën. Petroja qe treguar gjakftohtë dhe zemërngrohtë.

– Sidoqoftë, vigjilencë aty ku punoni! – kish përfunduar ai që i kishte thirrur.


Mendonte si njëri i veprimit dhe vepronte si njëri i mendimit


Bisedoja këto ditë me një nga drejtorët e ish Ndërmarjes së Shpim – Kërkimit për Naftë e Gaz dhe më mbeti në kokë një ndodhi tepër interesante:

… Aty nga fundi i dhjetorit të atij viti i thirra të gjithë përgjegjësat e puseve dhe inxhinierët përkatës, i përgëzova për arritjet që kishin bërë dhe i urova për Vitin e Ri.

Në fund të atij takimi, si me shaka, u thash: Unë ju falënderova, se e meritoni të përgëzoheni, ndërsa unë, si drejtor, besoj se do të marrë një kritikë nga ana e ministrit. “Përse?” – më tha dikush nga ata që kisha përpara. “ Sepse nga 44 mijë metro linear shpim që kishim planin vjetor, na mbetet vetëm 140 metro pa realizuar”!

Sigurisht, u erdhi keq.

Në fund të atij takimi shtërnguam duart me shoqi – shoqin dhe u ndamë si miq. “Unë po shkoj sot andej nga pusi, që të sistemojmë ca gjëra atje”, më tha Petroja. Ndërkohë, më dha dorën dhe u largua.

Mbas dy ditësh, aty nga dreka e 31 dhjetorit, dëgjoj të më thuhet në telefon: “Drejtor, raporto në Ministri 60 metro linear shpim mbi planin! Bëmë 140 metrot e mosrealizimit, shpuam edhe 60 metro të tjera mbi planin”.

Ç’kishte ndodhur? Me të mësuar të vërtetën e planit vjetor, Petroja kishte shkuar te pusi, kishte mbledhur brigadën e vetë dhe u kishte folur lidhur me atë çka mendonte. “Po ne si brigadë e kemi tejkaluar planin, përgjegjës”, ishte hedhur një punëtor.” Është e vërtetë, por le ta thellojmë tejklaimin, që të nderojmë tërë ndërmarrjen” i ishte drejtuar Petroja.

Petro Nushi mendone si njëri i veprimit dhe vepronte si njëri i mendimit.


“Qe larguar nga jeta një naftëtar i një kalibri të jashtëzakonshëm”…


Inxhinieri i mirënjohur i Naftës, Novruz Limaj, shkruan për Petro JNushin:

“…Eshtë vështirë të ketë, ose të paktën të kem njohur unë ndonjë naftëtar të këtij kalibri, qoftë edhe ata Heronj të Punës Socialiste, që, me të drejtë, Nafta ka disa. Vetitë e tij për punën, mprehtësia dhe intuita e tij për të nuhatur shpejt fenomenin e padukshëm e të rrezikshëm të nëntokës, fontanimin ose avari të tjera ishin të rralla. Pasioni i tij për punën, energjitë e pashtershme dhe angazhimi 24 orë për 24 pranë pusit ishin të veçanta. Në qoftë se do të isha shkrimtar ose piktor, ai do të më frymëzonte të bëja një vepër të tillë për të, me besim se do të mund të mirëpritej e do të mund të pëlqehej edhe nga ata që nuk e kanë njohur.

Pas vitit 1979 u ndamë në detyra e objekte të ndryshme, por deri në vitin 1984 takoheshim nganjëherë në Lushnje, sepse kishim familjet në të njëjtin pallat. Pastaj rrallë e më rrallë, ndërsa mbas vitit 1991 nuk u pamë më. Dëgjova se Petro merrej me një dyqan të tij në Lushnje. Habitesha, se si mund ta mbante energjinë e tij një hapsirë e vogël!!!

Fatkeqësisht, nuk e mora vesh kur iku nga kjo jetë, që të isha i pranishëm në përcielljen e tij të dhimbshme.

Petro Nushi ishte komunist, por kurrë nuk pat përfituar asnjë grimë, përkundrazi, njohu vetëm vështirësi e sakrifica, që as nuk imagjinohen sot.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Petro Nushit!”


2 Nëntor 2018