Pepili/Fisnikët e Lirisë
Nxierr nga Radio Kosova e Lirë
(Monografi)
- Kryeredaktor
- Nezir MYRTAJ
- Kolegjiumi i Redaksisë
- Dilaver Goxhai
- Ahmet Qeriqi
- Bedri Tahiri
- Sheremet Krasniqi
- Remzie Zeqiri
- Bedri Zyberaj
- Murat Musliu
- Ruzhdi Jashari
- Xhavit Sadriaj
- Anëtarë nderi të Redaksisë
- Adem Demaçi
- Rifat Jashari
- Radhitja kompjuterike
- Kadrie Gashi
- Realizimi kompjuterik
- Rrezart Galica
- Fotografia
- Habib Zogaj
Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
(Monografi)
Prishtinë
2001
- PARATHËNIE
Me daljen në dritë të vëllimit të parë të monografisë “ Feniksët e lirisë”, lexuesit shqiptar i jepet mundësia të njihet me jetën dhe veprën e dëshmorëve të rënë nën emblemën dhe me betimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftën e udhëhequr prej saj për çlirimin e trojeve të pushtuara shqiptare.
Hapin për botimin e monografisë " Feniksët e lirisë", Redaksia Dëshmorët e UÇK-së e ka marrë duke u mbështetur në vendimin e Kuvendit Themelues të Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i mbajtur më 23 shtator 2000, në Prishtinë.
Qëllimi i këtij botimi, është prezentimi në mënyrë sa më të plotë, sa më proporcionale dhe të paanshme të heroizmit e të sakrificës sublime të dëshmorëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky heroizëm do të përjetësohet si pjesë e historisë sonë të shkruar, e cila brezave të ardhshëm do t'u dëshmojë se u desh të derdheshin lumenj gjaku që Kosova të çlirohej nga pushtuesi serb.
Redaksia Dëshmorët e UÇK-së për botimin e monografisë " Feniksët e lirisë" ka marrë hapin ta fillojë këtë punë kolosale duke u nisur nga obligimi që duhet të ndijë secili shqiptar para veprës heroike të dëshmorëve të rënë në luftë për lirinë kombëtare, gjaku i të cilëve qëndron në çdo shkëndijë lirie që ne gëzojmë sot dhe në themelin e lirisë të cilën do ta gëzojnë brezat e ardhshëm.
Duke pasqyruar jetën dhe veprën e pavdekshme të dëshmorëve të kësaj periudhe historike, në shërbim të lirisë së atdheut, mbi bazën e fakteve të mbledhura nga shokët dhe nga bashkëluftëtarët e dëshmorëve, nga anëtarët e familjeve dhe të afërmit e tjerë të tyre, monografia " Feniksët e lirisë" do të jetë një mjet i fuqishëm i edukimit atdhetar për brezat tanë. Në kujtesën e këtyre brezave, heroizmi i dëshmorëve të lirisë do të tingëllojë zëshëm si porosi jetësore se si duhet jetuar dhe si duhet vdekur , duke mos e bërë rrojtjen vdekje të përditshme, por luftë dhe punë në shërbim të idealeve të lirisë e të atdheut.
Siç dihet, Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi dhe u rrit me një shpejtësi marramendëse për një periudhë shumë të shkurtër, si në asnjë rast të luftërave çlirimtare botërore. Duke u bazuar në faktin se ajo bënte një luftë të drejtë për t’u çliruar nga një ushtri dhjetëra herë më e madhe në numër e shumë herë më e armatosur me armët më moderne të kohës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës fitoi përkrahjen dhe simpatinë e mbarë botës përparimtare liridashëse. UÇK-ja ishte aleate ex officio e NATO-s dhe e SHBA. Prandaj, lufta që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte lufta më madhështore, ndërsa akti i flijimit të pjesëtarëve të saj ishte një heroizëm i pashoq.
Nismën për ngritjen dhe funksionimin e Redaksisë për botimin e monografisë " Feniksët e lirisë" e mori një grup intelektualësh profesionesh të ndryshme, politikisht të shëndoshë, e partiakisht të paanshëm, i cili rreth vetes arriti ta afrojë një numër kuadrosh, që edhe gjatë kohës së luftës që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishin dëshmuar zell e profesionalizëm, duke kryer me sukses obligimet kombëtare.
Duke marrë parasysh faktin mbi aktivitetin qëllimmirë, por të pakoordinuar, në pasqyrimin dhe përjetësimin e veprës së dëshmorëve të UÇK-së, si dhe mungesën e përkujdesjes përkatëse institucionale, Këshilli Nismëtar kishte projektuar ngritjen e një redaksie në nivel vendi, me një kuadër profesionalisht të përgatitur, e cila do t'i qasej punës për publikimin, në dhjetëra vëllime, të shënimeve të domosdoshme faktografike e dokumentare për të gjithë dëshmorët e luftës që udhëhoqi Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ngritja e Redaksisë u bë pas prezentimit të këtij projekti, gjithsesi ambicioz, para asociacioneve përkatëse siç janë: Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, Shoqata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shoqata e Invalidëve të Luftës të UÇK-së, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së, si dhe para personaliteteve kyçe, politike e ushtarake, drejtuese të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nënshkrimet e përfaqësuesve të këtyre asociacioneve e të këtyre personaliteteve, në shenjë pëlqimi të këtij projekti, kishin domethënien e legjitimitetit moral për Redaksinë e ngritur dhe për punën e filluar nga ajo. Si e tillë, ajo është dhe do të jetë derëhapur për të gjithë ata krijues, individë e institucione, të cilat shprehin vullnet dhe angazhim për të ndihmuar në realizimin e projektit për botimin e monografisë " Feniksët e lirisë", që ka një rëndësi të veçantë kombëtare. Mbi bazën e këtij legjitimiteti, Redaksia do të funksionojë deri në krijimin e kushteve dhe të rrethanave, të cilat do të mundësojnë marrjen nën përkujdesjen institucionale të këtij projekti. Me ngritjen dhe funksionimin e strukturave qeverisëse në të gjitha nivelet e Kosovës, Redaksia Dëshmorët e UÇK-së shpreson të forcohet e të përkrahet edhe më fuqishëm në punën e saj, duke qenë pjesë obliguese e institucionit përkatës përgjegjës.
E ndërgjegjshme se do ta kryejë vetëm një pjesë të obligimit tepër të madh dhe se do të mbetet edhe shumë më tepër për të bërë për dëshmorët tanë të mëhershëm e për ata të ardhshëm, Redaksia Dëshmorët e UÇK-së e ka vlerësuar si nevojë të ngutshme dhe ka parashikuar si të mundshëm botimin e monografisë " Feniksët e lirisë", në të cilën do të përfshihen të gjithë dëshmorët e evidentuar deri tash në regjistrat zyrtarë të dëshmorëve të rënë, që nga paraqitja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 27 nëntor 1997, e deri në përfundim të tërheqjes së shpallur të forcave të pushtuesit serb nga Kosova, më 21 qershor të vitit 1999 *)(Në këtë monografi do të përfshihen, gjithashtu, edhe dëshmorët që kanë rënë në luftërat e mëvonshme për çlirimin e trojeve shqiptare në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, si dhe në Maqedoni). Meqenëse Redaksia Dëshmorët e UÇK-së nuk është kompetente t'ia përcaktojë ndokujt statusin e dëshmorit, gjatë punës së saj, ajo do t'i konsiderojë si zyrtare regjistrat për dëshmorët të formuluar nga shtabet e zonave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (derisa ekzistonte ajo) dhe nga shtabet e Trupave të Mbrojtjes të Kosovës, më pas. **)(Redaksia do t’i konsiderojë si zyrtare, po ashtu, edhe regjistrat e përpiluara nga organet përkatëse të pushtetit vendor, pas konstituimit të tij). Evidentimi në këta regjistra i dëshmorëve të UÇK-së dhe të luftës së saj nuk është kompetencë e Redaksisë. Shpallja e tyre dëshmorë ishte e drejtë e komandave dhe e shtabeve të rendimeve ushtarake të UÇK-së, e Shtabit të Përgjithshëm të saj gjatë periudhës së luftës, si dhe e pushtetit vendor pas konstituimit të tij. Regjistrat janë siguruar nga ish-shtabet dhe komandat e batalioneve e të brigadave të zonave operative të UÇK-së dhe më vonë nga ato të Trupave të Mbrojtjes të Kosovës. Po ashtu, Redaksia ka shfrytëzuar edhe regjistrat ekzistuese të dëshmorëve, të përpiluara nga organet përkatëse të pushtetit vendor.
Redaksia Dëshmorët e UÇK-së ka parasysh faktin se këta regjistra nuk do të jenë përfundimtarë dhe se numri i dëshmorëve të lirisë të periudhës së luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të rritet krahas ndriçimit të argumenteve të reja mbi sakrificat e atyre që u flijuan për Kosovën e për trojet shqiptare. Ajo, po ashtu, ka parasysh edhe faktin tjetër, se ky numër i dëshmorëve do të ndryshojë edhe pas krijimit të institucioneve të Kosovës dhe përcaktimit nga ana e tyre të kritereve ligjore lidhur me statusin e dëshmorit të atdheut. Prandaj, në vëllimet e monografisë " Feniksët e lirisë", Redaksia nuk do ta përkufizojë numrin e dëshmorëve të kësaj periudhe në vetëm rreth 1800, sa ai konsiderohet sot. Në këto vëllime do të përfshihen edhe ata që nesër, në bazë të kritereve të caktuara, do ta gëzojnë statusin e dëshmorit. Prandaj, në këtë drejtim, puna e filluar nga Redaksia Dëshmorët e UÇK-së do të jetë një ndihmë e çmueshme edhe për strukturat e ardhshme të pushtetit lokal e të atij qendror në Kosovë, sepse do ta bëjë më të lehtë procesin e korrigjimeve e të plotësimeve të nevojshme në listat e dëshmorëve të rënë në luftën e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Gjatë punës së mëtejme, Redaksia Dëshmorët e UÇK-së parasheh botimin e vëllimeve të posaçme edhe me biografitë e dëshmorëve të rënë para dhe pas periudhës së përfshirë në monografinë " Feniksët e lirisë". Duke u përqendruar në fillim, brenda kësaj periudhe, ajo nuk harron faktin se dëshmorët që dje ranë gjatë luftës në Kosovë, kishin për ideal jo vetëm çlirimin e saj, por edhe bashkimin kombëtar. Ishte ky ideal shekullor, që pastaj u ndez në luftën për liri në trojet shqiptare nën pushtimin serb, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe nën atë maqedonas, në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Vazhdimi i luftës në këto troje, ndonëse, për shkak të rrethanave të caktuara kombëtare e ndërkombëtare, nën uniformat e modifikuara të Ushtrisë Çlirimtare, ishte një përpjekje dhe vazhdim për ta jetësuar aspiratën e të gjithë atyre që më parë u flijuan në Kosovë, nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke pasur parasysh këtë element shumë të rëndësishëm, Redaksia, dëshmorë të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka konsideruar edhe të gjithë ata dëshmorë që dikur kishin luftuar në kuadrin e kësaj ushtrie, porse më vonë kanë rënë duke luftuar si pjesëtarë të UÇPMB-së ose të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Po për këtë arsye, ajo ka synuar që monografinë kushtuar dëshmorëve të lirisë të rënë në Kosovë, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ta titullojë me titullin, domethënia figurative e të cilit do ta pasqyronte në mënyrën sa më të qartë rizgjimin dhe ringjalljen e idealeve të tyre. Është Vlerësuar se emërtimi “Feniksët e lirisë” ***)(Feniksi është zog mitologjik, i cili ka vetinë të digjet e të ringjallet nga hiri i tij) simbolizon në mënyrë të kënaqshme figurën e përjetshme të dëshmorëve dhe idealin e tyre.
Seria në vëllime “ Feniksët e lirisë" fillon me regjistrin e dëshmorëve të luftës së UÇK-së, si në asnjë rast të ngjashëm të këtij lloji. Redaksia u përcaktua që ky botim të niste me këtë veçori, pasi Kosova, duke qenë nën protektorat, nuk i ka ende strukturat e veçanta të ligjshme, të cilat do t'i evidentonin normalisht dëshmorët e luftës. Për shkak të kësaj rrethane, është vlerësuar se renditja në regjistër, sipas radhës alfabetike, e jo sipas numrit rendor, do të jetë më e qëlluar. Renditja alfabetike nis me emrin dhe jo me mbiemrin e dëshmorit, duke përfillur specifikat e traditës shqiptare në këtë çështje. Në krye të renditjes alfabetike të dëshmorëvë qëndron emri i Komandantit Legjendar, Adem Jashari, i cili, që nga shpërthimi i luftës në Kosovë u bë legjendë, jo vetëm për popullin e Kosovës e për luftëtarët e UÇK-së, por edhe për gjithë kombin tonë. Shqiptarët, pa asnjë porosi institucionale, pa asnjë dekret shtetëror dhe pa asnjë imponim të çfarëdoshëm, kudo filluan ta radhitin portretin e tij përkrah atij të Skënderbeut. Pavarësisht se institucionet shkencore dhe ato ligjore, ende nuk e kanë vënë në rendin e ditës për diskutim vlerësimin e kësaj figure madhështore, Redaksia Dëshmorët e UÇK-së e respekton vendimin e kësaj vetëvendosjeje mbarëkombëtare.
Vëllimi i parë i monografisë " Feniksët e lirisë", me regjistrin e emrave të dëshmorëve, paraqet të dhënat për vitin e për vendin e lindjes, si dhe për vitin e për vendin e rënies. Të dhënat e tjera biografike janë parashikuar të jepen në monografitë e shkurtra e të veçanta, që do të vijojnë në vëllimet pasardhëse. Numri i dëshmorëve, biografitë e të cilëve do të botohen në secilin vëllim vijues, është paraparë të përcaktohet në bazë të kritereve të caktuara, duke përfillur edhe përfaqësimin proporcional në përputhje me numrin e dëshmorëve të rënë sipas zonave ushtarake. Me qëllim që secili vëllim të jetë gjithëpërfshirës për të gjitha krahinat e Kosovës e të trevave të tjera shqiptare nga kanë ardhur vullnetarë në radhët e UÇK-së, në çdo vëllim do të ketë dëshmorë nga të gjitha këto vise, në bazë të raportit që ata zënë në numrin ekzistues të regjistrit të përgjithshëm të dëshmorëve të kësaj periudhe.
Në këto vëllime synohet të përfaqësohet tërë Kosova, por edhe të gjitha trevat shqiptare që dërguan djemtë e tyre për çlirimin e saj .
Hartimi i biografisë së dëshmorëve do të bëhet duke u mbështetur mbi materialin faktografik të mbledhur në terren, sipas të dhënave të parashtruara në pyetësorin e formuluar nga Redaksia. Përpunimi i këtyre të dhënave do të jetë rezultat i punës së përbashkët të kolegjiumit të Redaksisë. Për pasqyrimin sa më të plotë të jetës dhe të veprës së dëshmorëve, si material shtesë faktografik, Redaksia do t'i shfrytëzojë edhe burimet e ndryshme të shkruara, sikurse që janë publikimet e veçanta në shtypin e përditshëm e në atë periodik, si dhe botimet e ndryshme monografike, letrare, historike, publicistike e të tjera. Në treguesin e emrave e të të dhënave, në fund të secilit vëllim të monografisë, Redaksia do të shënojë emrin e autorëve, publikimet e të cilëve janë shfrytëzuar. Në vëllimin e parë të monografisë " Feniksët e lirisë", toponimet për vendlindjet dhe për vendin e rënies së dëshmorëve janë të periudhës së paraluftës e të gjatë luftës të bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo mënyrë e shkrimit të këtyre toponimeve u kushtëzua për shkak të vështirësisë teknike që krahas tyre të vendoseshin edhe toponimet e reja. Mirëpo, ky korrigjim do të realizohet në monografitë e veçanta për secilin dëshmor, ku krahas emërtimit të vjetër, të vendosur brenda kllapave, për çdo fshat, komunë, qytet, krahinë e të tjera, do të shënohet edhe toponimi i ri.
Kushtet në të cilat Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar një luftë, skajshmërisht të pabarabartë me pushtuesin serb, kanë bërë që një numër i pjesëtarëve të saj të bijnë në fushën e nderit, e që të dhënat për ta të mos mund të kompletohen sot e kësaj dite. Disa prej të rënëve janë trajtuar, apo edhe mund të trajtohen ende si persona të zhdukur. Redaksia ka bërë përpjekje që regjistrat me emrat e dëshmorëve, të vënë në dispozicion nga shtabet e zonave, të verifikohen hollësisht përmes bashkëpunëtorëve në terren dhe të ekipeve të saj të posaçme. Megjithatë, ajo nuk ka arritur t'i kompletojë shënimet e domosdoshme për të gjithë dëshmorët në regjistër, madje për disa prej tyre nuk ka arritur ta sigurojë asnjë shënim të vetëm. Arsyeja pse një numër dëshmorësh të evidentuar mbetet pa të dhëna të plota qëndron në faktin se familjet dhe të afërmit e tyre tashmë ndodhen në vendbanime të ndryshme pa adresë, kurse disa prej tyre edhe jashtë Kosovës. Arsyeja tjetër e mungesës së plotë të të dhënave qëndron në faktin se ata figurojnë në regjistrin e dëshmorëve, ashtu siç kanë mundur të shënohen pas rënies në vijën e frontit, vetëm me emër e mbiemër, apo vetëm me emër e me mbiemër të pasaktë e të përgjithësuar dhe pa asnjë të dhënë tjetër. Me gjithë keqardhjen për këto mangësi, Redaksia e ka vlerësuar të nevojshme paraqitjen e emrit të këtyre dëshmorëve në vëllimin e parë të monografisë " Feniksët e lirisë", me po aq të dhëna sa ka për ta, me shpresë dhe me këmbëngulje që në botimet dhe në vëllimet e tjera të kësaj monografie, të dhënat për ta të paraqiten të plota. Shpresojmë se lexuesi dhe sidomos familjet dhe të afërmit e këtyre dëshmorëve do të kenë ndjenjë mirëkuptimi ndaj vështirësive në të cilat ka hasur Redaksia në këtë drejtim, me bindjen se më e mirë është një rreze e vetme drite, se një terr i plotë.
Duke iu qasur punës për ndriçimin e jetës e të veprës, të idealit e të sakrificës sublime të dëshmorëve të rënë si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në monografinë " Feniksët e lirisë", Redaksia Dëshmorët e UÇK-së nuk pretendon ta rishkruajë historinë, të cilën këta dëshmorë e kanë shkruar me gjakun e rrjedhur nga damarët e zemrave të tyre. Ajo, me monografinë " Feniksët e lirisë", do ta servojë vetëm lëndën e parë për shkrimin e historisë për këta dëshmorë dhe materialin bazë, mbi të cilin do të mund ta marrin fillin vepra të mëdha historike, letrare e artistike. Po t'ia arrinte këtij qëllimi, Redaksia do të ndihej e lehtësuar nga barra e rëndë që me vetëdashje ia ka ngarkuar vetes dhe njëkohësisht do të ndihej e gëzuar për shlyerjen e një pjese të obligimit të përjetshëm që kemi ndaj atyre që dhanë jetën dhe derdhën gjakun për lirinë dhe bashkimin e kombit.
Redaksia është e vetëdijshme se në këtë vëllim, në të cilin janë publikuar emrat e dëshmorëve, mund të jenë përvjedhur gabime, andaj ajo do t’u jetë mirënjohëse të gjithëve që me vërejtjet dhe sugjerimet e tyre do të ndihmonin për korrigjimin e këtyre gabimeve me rastin e botimit në vijim të vëllimeve të monografisë.
Redaksia
Për më shumë, shkarkoni dokumentin në Word dokument : "Feniksët e lirisë.doc"