Pas 60 vitesh…
Petrit Myftiu
Në fundin e vitit 1957, me detarë të mobilizuar nga të gjithë rrethet e vëndit, u formuan katër ekuipazhet e para të nëndetsëve, të cilët, nga fundi i atij viti deri në muajin maj të 1958, kryen me sukses kursin e kualifikimit në Shkollën e Specialiteteve të nënujësave, në qytetin Sevastopol të Krimesë.
Priteshin të vinin nga ish Bashkimi Sovjetik, shteti kryesor i Traktatit të Varshavës, pjesë e të cilit ishte bërë dhe Shqipëria, nëndetset e Pr. 613, seria e mesme, për nga tonazhi.
Në fillim të muajit gusht të 1958 u nis me avion për në Moskë grupi shqiptar i komandantëve, zëvendëskomandantëve dhe kryemekanikëve të të katër nëndetseve, me në krye komandantin e Brigadës të nëndetsëve, Xhemal Shani. Pas një udhëtimi 2-3 ditor, nga Moska me tren grupi arriti në bazën ushtarako-detare të Kaleningradit (Keninzberg), një port ushtarak në detin Balltik.
Grupi i oficerëve shqiptarë do të asistonte në kalimin e nëndetseve nga Kaleningradi për në bazën e re ushtarako-detare të Pashalimanit. Ishin katër nëndetse dhe Baza e tyre Lundruese “Nemçinov” (më vonë u quajt “Tomorri”), të cilët, në një natë të errët, dolën nga porti i Kaleningradit dhe në rreshtim “një kollonë” morën kursin drejt Mesdheut. Në krye të kollonës printe Baza Lundruese, me komandantin e Brigadës së nëndetseve, kapitenin e rangut të I-rë, Egorov S. dhe shtabin e tij të brigadës në bord dhe pas saj lundronin mbi ujë të katër nëndetset, me shpejtësi rreth 10 nyje ( 10 milje/orë).
Lundrimi sigurisht u bë nëpër ngushticat Kategat e Skategat të Danimarkës, në Detin e Veriut, nëpër Lamansh, në Gjiun e Biskajës dhe, pas pesë ditësh lundrim në Detin Mesdhe, më datën 25 Gusht të vitit 1958, ditën, grupi i anijeve mbërriti, pa asnjë vërejtje, në Pashaliman të Gjiut të Vlorës.
Gjatë gjithë ditëve të lundrimit anijet tona shoqëroheshin, herë pas herë, nga avionat ushtarakë të NATO-s, të cilët, si duket, filmonin dhe ndiqnin me interes itinerarin e lundrimit të nëndetseve.
Më kujtohet, gjatë lundrimit në Gjiun e Biskajës deti qe me shumë tallaz dhe mjaft i egërsuar. Nëndetset mbi ujë, si të ishin fuçi, lëkundeshin sa nga njëri bord në tjetrin, me kren afro 30-35 gradë. Baza Lundruese, në krye të kolonës, herë dukej nga nëndetsja, ku ndodhesha unë, dhe herë zhdukej nga perdja e brazdës që krijonte dallga gjigande e oqeanit. Në këto kushte kaq të vështira të motit një oficeri sovjetik të nëndetses sonë i filluan dhimbje tepër të forta të barkut, të cilat mjeku i nëndetses i klasifikoi si dhimbje nga apandesiti. Duhej që i sëmuri të transportohej patjetër në Bazën Lundruese, sepse vetëm atje, në sallën e operacionit, ai mund të operohej. Dhe me të vërtetë, posa komanda sovjetike mori njoftimin për oficerin e sëmurë, shohim që drejt nesh vinte motoskafi i vogël që me shumë vështirësi e rrezik, i drejtuar me shumë mjeshtri nga Shkurin (nostromo – bocmani i anijes), po çante dallgët e mëdha të oqeanit.
Ai me kujdes iu afrua nëndetses për të mos u përplas me të, në një distancë të tillë që i sëmuri të mund të hidhej nga kuverta e nëndetses mbi motoskaf, në të cilin paraprakisht ishin shtruar dyshekë për ta bërë sado pak të parrezikshëm rënien e tij mbi motoskaf. Pas dy orëve, ne mësuam se të sëmurit, nga kirurgu B.G. Bienko i ishte hequr me sukses apandesiti.
Nëndetsja ku unë lundronja komandohej nga kapiteni i rangut të 3-të Emiljanov, me një fizionomi tipike ruse, gjithnjë buzagaz dhe me humor të këndshëm. Ai mundohej që gjithnjë në Urën e Komandimit të nëndetses, veç seriozitetit në zbatimin e normave të lundrimit, të kishte edhe këngë, edhe humor, me qëllim që ekuipazhi të ishte gjithnjë me moral të lartë. Koleg i tij nga pala shqiptare ishte shoku ynë i paharruar, Muharrem Lulolli, një oficer shumë i përgatitur, i dashur, por edhe i rreptë me vartësit e tij. Kur Muharremi dëgjonte Emiljanovin që me zërin e tij melodioz e me kitarë në dorë këndonte këngën e krijuar po nga vetë ai, “Albania, Albania…”, atëhere Muharremi buzëqeshte, por patjetër që do të shqiptonte edhe shprehjen e tij karakteristike: “Shiko, mizerja, qenka dreq ky!…” Shumë i dashur ishte edhe komisari i nëndetses, J.N. Savçenko, një njeri që respektohej shumë nga i gjithë ekuipazhi i nëndetses. Më vonë, gjatë viteve të përbashkëta në Pashaliman, u miqësova me të dhe , për çudi, ishte ai i pari, midis nënujësave sovjetikë, që rivendosi korespondencën me mua në vitin 1994, nëpërmjet shokut tim, shkrimtarit durrsak, Bido Ibrahimi, i cili pati rastin të njihej rastësisht me Safçenkon në Sevastopol.
Më 21 Shtator të vitit 1958, në Pashaliman, në prani të mjaft autoriteteve të larta të asaj kohe të Ushtrisë dhe të Flotës Luftarako-Detare, konkretisht të Beqir Ballukut, në atë kohë Ministër i Mbrojtjes së vendit dhe Teme Sejkos, komandantit i FLD në mënyrë ceremoniale në Bazën Lundruese dhe në të katër nëndetset, u ulën flamujt luftarakë të Flotës sovjetike dhe në vend të tyre, u ngritën flamujt luftarakë të Flotës sonë Luftarako-Detare, çka shënoi ligjërisht kalimin e pronësisë mbi anijet nga shteti sovjetik në pronësi të shtetit shqiptar, sigurisht në përputhje me aktmarrëveshjet, në kuadrin e Traktatit të Varshavës.
Të paharruar do të mbeten: komandanti i BrND, Xhemal Shani, Zv.komandanti për punë politike, Mihallaq File, antarët e shtabit Vasil Palodhi, Skënder Sulku, Naim Seseri, Skënder Spahivogli, komandantët e parë të nëndetseve: Dashamir Ohri, Muharrem Lulolli, Spiro Kote e Shyqyri Cukaj, si dhe kuadrot e tjerë: Paskal Thanasi, Resmi Shametaj, Milto Zhamo, Enver Kalluçi, Petrit Shehu, Ilmi Kapo, Thanas Nako, Korab Mejdani, Safet Hysi, Asti Popa e shumë të tjerë, të cilët me shumë vullnet e përkushtim iu përveshën punës titanike të krijimit, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, të brigadës së nënujësave shqiptarë. Këta kuadro e qindra të tjerë detarë nënujës të shërbimit ushtarak të detyrueshëm shkruan faqe të lavdishme në historinë e detarisë ushtarako-detare shqiptare.
Do të nderohen për jetë detarët nënujës e viteve 1957-1961, si: Stefan Gjoni, Ndoc Kelaj, Enver Pajenga, Beqir Këlmendi, Daniel Prifti, Hysni Peku, Besnik Latifi, Bai Mataj, Ramazan Dedja, Pavllo Prifti, Kristaq Teneqexhiu, Jani Samara, Thanas Konini, Lavdim Ciraku, Hysen Canoku, Gëzim Rryta, Xhemal Cala, Gurazi Cela, Llazar Zhora, Gjergji Shyti, Fahri Perona, Andrea Katro, Kastriot Karamuço, Qani Maliqati, Kasem Bleta, Skënder Demeti,, Hysen Kërtusha, Nasho Pali, Tonin Fishta, Behxhet Mehja, Seit Norja, Besim Voci, Mehmet Kojani, Mehmet Motra, Kleanth Daka, Arqile Llazari, Hajdar Alushi e shumë e shumë të tjerë, që për pak muaj, jo vetëm e përvetësuan armatimin dhe teknikën e nëndetses, por ata u bënë ndër më të preferuarit e ekuipazheve sovjetike, si instruktorë për nënujësit e rinj sovjetikë…
Para një muaj, më 11 Korrik të këtij viti, pushoi së rrahuri zemra e Aleko Pojanit, të njërit prej komandantëve më të zot të nënedetseve shqiptare. Ai, plot 20 vite të jetës, ia kushtoi artit të drejtimit të nëndetses, përgatitjes teorike e praktike të kushedi sa kuadrove dhe detarëve nënujës.
Për jetën dhe aktivitetin e tij si komandant i nëndetses dhe oficer i FLD-së janë shkruar e po shkruhen shumë mbresa e kujtime të vyera, në të cilat tregohen vlerat e tij intelektuale e komanduese të nëndetses. I tillë qe Alekua: i disiplinuar në vetvete dhe komandant kërkues ndaj vartësve, këmbëngulës në shkollë, në punë e në familje.
Ai kishte një fantazi profesionale për t’u admiruar, të cilën e realizonte me guxim e mjeshtërisht gjatë lundrimeve të nëndetses duke aplikikuar në praktikë zbatimin e varianteve të vështira të lundrimit. Ai qe i vetmi nga komandantët e nëndetseve, që në gusht të 1969 kreu me sukses të plotë lundrimin 22 ditor, më të gjatin që ishte bërë deri atëhere nga nëndetset tona.
Sot kësaj dite më ka mbetur pishman që unë, në atë kohë në detyrën e shefit të shtabit të Br.ND-ve, nuk insistova deri në fund tek Alekua dhe Dashamir Ohri, komandanti i Br.ND-ve, që atij lundrimi t’i ishin shtuar edhe 8 ditë për të realizuar “lundrimin në autonominë e plotë 30 ditore”, aq sa e kishte në formularintaktik nëndetsja e projektit 613. Po të ishin realizuar 30 ditë lundrim atëhere Alekua do të ishte rreshtuar për krah 3-4 komandantëve sovjetikë të nëndetses, të cilët në ato vite kishin lundruar në autonomi të plotë, në detet dhe oqeanet qe rrethojnë ish Bashkimin Sovjetik.
Për Alekon shkroi edhe z. Artan Fuga, në gazetat “Panorama” dhe “Dita”, shkrimin: “Për një komandant nëndetseje dhe të tjerë”. Midis të tjerave, me një stil të bukur letrar, autori pas shumë pyetjeve që ia bën lexuesit, shpreh habinë: “Si mundën këta djem e vajza, Aleko Pojani midis tyre, të kapërxenin nga zakonet dhe kultura e një popullsie urbane, artizanale dhe të përgjumur tregtie të vogël, ose nga një ekonomi e vogël te një botë teknologjike e hekurudhave, avionave, nëndetseve etj”. (??!)
E çuditshme! Nuk mendoj se akademiku i nderuar të mos jetë në gjendje t’u jape po vetë përgjigje pyetjeve që shtron në shkrimin e tij. Jo për Alekon, se babai i tij Kosta mbi gjysmën e viteve që jetoi i kishte kaluar në megrim, kryesisht në Amerikë. Por edhe “çomarrokët”, siç ka qejf profesori t’i quaj shokët e Alekos: Skënder Doçi, Shezai Kasaj, Beqir Gërbi, Jak Gjergji, Petrit Myftiu e të tjerë vinin nga Alpet e Veriut,, Mirëdita, Tepelena, Elbasani. Po, pse ka harruar profesori që pas çlirimit të vendit nga nazifashistët, vetëm pas 12 vitesh në Shqipërinë, dikur gjysëm analfabete, u arrit të hapej deri Universiteti Shtetror i Tiranës dhe në auditoriet e tij vërshuan djemtë e këtij populli kaq të zgjuar e arsimdashës? Pas, më pak se tre dekata, Shqipëria ngriti Akademinë e Shkencave. Përse është kaq i nevojshëm nihilizmi, ndjenja aspak e bukur e mohimit të gjithçka të vlefshëm e të bukur që ka arritur populli ynë në shekuj?
Akademiku i nderuar, aty ku ai ka patur rastin ta kishte Alekon pranë vetes rreth tavolinës familjare, nuk besoj të mos ishte habitur nga qëndrimet e Alekos sidomos, por edhe ne të shokëve të tij, në përpjekjet titanike që bënë nënujësit tanë për të ruajtur nga rrëmbimi nëndetset nga komanda sovjetike.
“Kërkoja gjurmët e zhburrërimit te fytyra e tij, – shkruan profesori, – te sjellja e tij dhe nuk i kam gjetur dot. asnjë hije zhburrërimi.”
Nga Fjalori i gjuhës shqipe, botim i Akademisë Shkencave e Shqipërisë, i vitit 2006 mund të lexojmë:
“Zhburrërim”- “Humbet vetitë e mira të burrit” “ia heq burrërinë, e turpëroj, e poshtëroj…” S’kishe si të gjeje tek fytyra e Alekos tiparet e zhburrërit, i dashur profesor. Përkundrazi, tek ai me të drejtë legjitime do të shihje ndjenjën e krenarisë së atdhetarit, e burrërisë të oficerit të disiplinuar…Prandaj, kur ti i “fillosofoje” Alekos për pyetjet e tua, ai me të drejtë dhe me shumë mençuri të thoshte: “E lere, se nuk i kupton ca gjëra ti, hajde hedhim nga një gotë vere dhe mos e vrit mendjen për gjëra që e tejkalojnë mendjen tënde…” Oh, sa bukur të është përgjigjur miku im Aleko ty dhe disa të tjerëve që mund të mendojnë si ti.
12 Gusht 2018