Jump to content

Parathânë

Nga Wikibooks

Kjo përpilesë përfshín në dy vëllime nji tog studimesh e hartimesh, disa me mbrêndsinë historike, do tjera ethnografike-zakonore, në të cilat përmblidhen sende të kohës së tashme,1915, qi i përkasin zhvillimit ekonomik kombtar të Shqipnís, sidhe shkoqitje mbi të shkuemen e afër të vêndit. Auktorët e këtyne punimeve, të rendueme simbas kronologjís dhe lândës së tyne, janë dijetarë e shkrimtarë nga të dy Shtetet e Monarqís. Botuesi ka marrë përmbi vete qi nj'ato punime dijetarësh specjalista mbi çâshtje iliro-shqiptare të cilat kanë dalë ndër rivista të ndryshme t'i a bâjë të njohuna (me anën e këtij libri) nji rrethi kënduesash mâ të gjânë, të cilët nuk enthusjazmohen për Shqipnín vetëm në t'ashtu-quejtmen stinë balkanike 1913-14, por janë interesue kurdoherë për këtë copë vênd. Âsht padyshim nji farë detyre nderi për dijetarët e Monarqís me e kultivue këtë fushë ditunije, mbasi nji konsull i përgjithshëm austro-hungar, Gjon Gjergj von Hahn-i (1811-1869), ka qênë i pari qi me Studimet shqiptare të tija (1854) na e ka prûmë Shqipnín mâ ngjat, po më bâhet me thânë madje, na e ka zbulue. Mbas tij ka qênë Benjamin Kállay-i, politikani mâ i randsishëmi i Hungarís për Orjentin, ai qi me durimin e vet të pashoq ka përkrahun si ministër (1880-1903) me fjalë e me punë çdo nisjativë shkencore qi kishte për qëllim njohjen e Shqipnís. E para historí e vêndit, e shkrueme shqip, i dihet për nder atij. Edhe alfabeti shqip e krijim'i nji gjuhe shqipe përbâjshin dy pika të programës së tij balkanike. Punimet ditunore të pasardhësve të pandërmjetëm qi po botohen këtu, nga të cilat janë për t'u vûmë në rend të parë studimet e Prof. Kostandin Jireçekut e të Prof. Milan Shufflayt, na sjellin prej burimesh të zbulueme krejt rishtas nji pasunim të plotvlershëm të njohunivet historike mbi Shqipnín dhe mbi marredhânjet e ksaj me fqîjt. Punimet në fushën e ethnografís e të së drejtës zakonore shqiptare, veçan studimi udhçelës i Shefit të Sekcjonit Theodor Ippen, përbâjnë gurët e themelit t'ethnologjís krahashore. Vëllimi II. 1 ka mbrênda dy thema prej kompetentash të provuem, të cilët merren me gjêndjen ekonomike e hydrografike të Shqipnís. Në pjesën e dytë të të II. vëllim, botojmë kontribute, të mbajtuna ngushtsisht ndër caqe objektive, për historín e Shqipnís së re qi porsa ka dalë në dritën e jetës prej konferencës s'ambashatorvet në Londër e qi pa plasun ende lufta botore ra përsri në gjumë. Me botimn e këtyne studimeve e projekteve, kemi synue me provue se Austro-Hungarija, në të gjitha përpjekjet e saja qi i përkasin Shqipnís, kishte para sysh pikrisht marrveshjet e konferencës s'ambashatorvet në Londër, sidomos mbasi çâshtja shqiptare, nëpër vëndimet e ksaj konference, pat marrë formën e nji probleme evropiane.2 Mb'anë tjetër, Monarqija u ka rregullue ngushtas mbas nj'asaj marrveshtjeje qi ka qênë bâmë mbi Shqipnín ndërmjet ministrit të jashtëm t'Austro-Hungaris, Golukowskit, dhe t'atij t'Italis, Visconti-Venostas, së pari me gojë në pjekjen e Monzës me 6 e 7 nânduer 1897 dhe mbrapa edhe me shkrim nëpër nji shkëmbim notash në 1900-19013. U bânë mundime, gjithsa herë qi gjindej ndonji farë baze, për me zbulue mjete dhe udhë të përshtatçme për nji pajtim t'interesave t'Austro-Hungarís me ato t'Italís. Na e kemi mbajtun veprën t'onë larg asaj politike. E nëse, nga pikpamja e vëzhgimit historik, botuem përnjimênd para kohe thema të tashvonshme të së kaluemes s'afër, këtê e bâmë me qëllim qi të paraqesim nji materjal të dobishëm, thjesht të sendërt, për gjykimin e zhvillimit qi âsht tue gjamë sod në Balkan. Se sa vështirë ka për të qênë me i lidhun objektivisht në nji formë të përpikët pêjt e zhvillimeve mâ të rejavet, s'ka as nevojë me e thânë. Me gjithë këtê, kjo barrë bâhet mâ e lehtë si për botën e soçme ashtu edhe për të nesërmen, po qe se bashkpuntorët e njikohshëm kthiellojnë qëllimet e çdo veprimi. Qoftë ndera e ministrit mbretnuer t'arsimit të Hungarís, Béla von Jankovich-it, i cili, tue e çëmue qëllimin e ksaj përpilese, i dha shkas botimit të saj.

Dr. Ludvig von Thallóczy, dhetuer 1915.

  • 1 Nuk bân pjesë në këtë përkthim. (Përkthyesi)
  • 2 Akte diplomatike qi u përkasin marredhânievet t'Austro-Hungarís me Italín nga 20.VII. 1914 deri me 23. V. 1915. Vjenë, 1915. Akti 144, f. 137
  • 3 Për parahistorín e luftës me Italín. Vjenë, 1915, f. 19-21.