Jump to content

PS, Enveri dhe Mit’hati

Nga Wikibooks

Muharrem Xhafa

Që nga data 14 nëntor kur në Tiranë u bë një ceremoni e bujshme shtetërore për rivarrimin e Mit’hat Frashërit, ish-kreut të Ballit Kombëtar kolaboracionist gjatë Luftës së Dytë Botërore, është ndezur një debat rreth figurës së Mit’hatit dhe rolit të Ballit. Në të vërtetë gjesti i kryeministrit Rama me pjesëmarrjen në ceremoninë e rastit dhe sidomos fjalimi i tij ishin një përpjekje e dëshpëruar për të rehabilituar një bashkëpunëtor të fashizmit. Ndaj dhe me të drejtë nga shumica e atyre që kanë shkruar e folur për këtë ngjarje gjesti i Kryeministrit është konsideruar provokativ dhe krejtësisht i panevojshëm. Për këtë janë sjellë dhe argumentet që mendoj se janë të mjaftueshme për ta zhvlerësuar atë ceremoni.

1.

Po bëhen 30 vjet që historianë, sociologë, politikanë, filozofë, ekonomistë e intelektualë të tjerë shtrembërojnë turpshëm LANÇ-in e historinë e saj dhe i servilosen në mënyrë të pështirë pushtetit tëradhës për të bërë botime, për të ngritur buste, monumente, përmendore etj. në nderim të bashkëpunëtorëve të nazifashizmit, edhe të Mithat Frashërit, ndërsa anatemojnë LANÇ-in dhe kryeheroin e kombit shqiptar, Enver Hoxhën, duke fshehur e mohuar deri edhe çfarë kanë thënë e çfarë kanë shkruar në kohën e Enverit e për çfarë edhe janë “graduar” e titulluar historianë, shkrimtarë, poetë, filozofë, sociologë, politikonomë etj!

Ky lloj intelektualësh laramanë e di mirë, po ata nuk duan të thonë të vërtetën historike, dikush pse ka frikë, dikush pse është i poshtër, dikush pse s’ka guximin e intelektualit të ndershëm të deklarojë botërisht se Skënderbeut, Marin Barletit, Buzukut, Budit, Bogdanit, vellezërve Frashëri, Çajupit, Jeronim De Radës, Petro Nini Luarasit, Hoxhë Tahsinit, Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Fan S.Nolit e qindra e qindra të tjerëve, burra të shquar, pa përmendur personalitetet e Luftës, përjetësimin në dheun e kombit, ua ka bërë Enver Hoxha me popullin shqiptar e me pushtetin e tij popullor, dhe jo Ahmet Zog tradhtari me tradhtarët e tjerë!

Fatkeqësisht, jo vetëm shteti borgjez antishqiptar, po edhe medja e borgjezisë, shohin e lexojnë të glorifikojnë antishqiptarizmin, tradhtinë e kolaboracionizmin, të bëjnë gjithçka të tjetërsohet e groposet e vërteta e një epoke, e epokës socialiste, e njohur në tërë botën si epoka e Enverit, çka kurrë e askush nuk do t’ia arrijë. Se e vërteta, sado te vonojë, nuk humb!

2.

S’është pa vend të thuhet se herë pas here shfaqen në rrugë e në mjedise publike qytetarë të moshave të ndryshme, të cilët të shtyrë, në shumë raste prej të tjerëve, të djathtëve ekstremë, bëjnë presion për të hequr dorë nga qëndrime e vlerësime të drejta, siç po ndodh këto ditë për çështjen e Mithat Frashëri!

Padyshim, rasti i ballistit Kryemadhi kundër gazetarit trim e të njohur të gazetës “Dita”, Xhevdet Shehut, është ekstrem e i paburrëri dhe nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar as nga organet e drejtësisë e opinioni publik, as nga vetë partia që Alimadhi drejton!

Para disa ditësh një person, i cili u prezantua me emër të rremë, Miles, jo si i ka hije një qytetari, kërkoi t’i thuhej se për ç’arsye komunistët e veteranët e LANÇ-it e quajnë tradhtar kolaboracionist Mit’hat Frashërin! Pa asnjë ngurrim, zotërisë iu bë e ditur se prezantimi i tij ishte provokativ dhe mori përgjigjen e duhur, bazuar saktë në të vërtetën historike! Po kështu iu bë e ditur së ato çfarë iu thanë ballë për ballë në rrugë për Mithat Frashërin, do të publikoheshin në medja, ndonse janë bërë publike në “Dita” etj!

S’e deshi veten zotëria kur iu tha se Mithat Frashëri është e do të mbetet tradhtar i kombit e bashkëpunëtor i nazifashistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, vite të rënda kur Shqipëria guxon të renditet faqebardhë me Koalicionin e Madh Antifashist dhe se asnjë forcë nuk mund të ndryshojë historinë e LANÇ-it, qoftë ky edhe kryeministri i vendit me shpurën e tij. Më keq u ndje, kur iu tha se çfarë pret ti, zoti Miles, që ballistët, neonazistët, reaksioni shqiptar, të deklarojnë se Mit’hat Frashëri është tradhtar?! Lidhur me çfarë thatë për De Golin, ato janë përralla dhe tregojnë se ti nuk e njeh atë histori ose e perdor atë për të mbuluar tradhtinë! Gjeneralit Pëten, presidenti i madh i Francës De Gol, i fali jetën,se ishte plak rreth 90 vjeçar, por nuk bëri për të asnjë ceremoni shtetërore si kryeministri ynë! De Goli i uli atij dënimin nga me vdekje, siç e kishte vendosur gjykata si kryeministër kolaboracionist, në internim të përjetshëm! Dhe ashtu vdiq! Po qe se ti e ata që të yshtin ty e vlerësoni ketë si homazh të De Golit për Pëtenin, ju paçi hijen tuaj! Dhe mos harro “mik” se ai ishte gjenerali Peten, jo Mit’hat Frashëri! Mos harro edhe se De Goli është ndër burrat e mëdhenj të shtetit francez borgjez antifashist, që e ka vlerësuar lart Enver Hoxhën, sikurse Çurçilli i Anglisë Stalinin! Ndaj mos e shtrembëroni De Golin!

Fitimtarët mbeten fitimtarë!Kolaboracionistêt mbeten kolaboracionistë! Të mundurit mbeten të mundur…

3.

Po PS-ja?

Në mos të gjithë, shumë pyesin: Po PS-ja? A është ky qëndrimi real i Partisë Socialiste lidhur me figurën e Mit’hatit dhe për Ballin Kombëtar? A e miraton baza socialiste kryetarin e saj për t’i ngritur përmendore një bashkëpunëtori të fashizmit?

Nuk besoj. Unë i njoh socialistët dhe i di mirë bindjet e tyre. Le të përpiqet kushdo të shtrembërojë të vërtetat historike, por një fakt mbetet i pamohueshëm: Partia Socialiste është vazhduese e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës që e ka themeluar dhe udhëhequr për më shumë se dyzet vjet Enver Hoxha. Le të distancohet Edi Rama dhe udhëheqja e kësaj partie nga Enveri, por PS dhe elektorati i saj e ka të sanksionuar në program mbrojtjen e vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Prandaj dhe për këtë parti dhe elektoratin e saj është i papranueshëm,madje tejet fyes nderimi që iu bë para pak ditësh një kolaboracionisti të regjur si Mit’hat Frashëri. Sidoqoftë qëndrimet e Edi Ramës kanë shkaktuar një situatë kaotike brenda kësaj partie në veçanti, por edhe së majtës shqiptare në përgjithësi. Të mos harrojmë se ceremonia shtetërore për Mit’hatin u krye në mesin e muajtit të festave të mëdha të Nëntorit. Pas këtij nderimi që iu bë kryekolaboracionistit, a do të pranojnë veteranët e Luftës Antifashiste të shkojnë përkrah kryeministrit më 29 Nëntor për të vënë kurora me lule te Varrezat e Dëshmorëve? Nuk besoj se mund të pranojnë.

S’ka ndodhur as në Europë e as në SHBA që të jetë nderuar me ceremoni shtetërore ndonjë bashkëpunëtor i nazifashizmit! Kjo ndodhi në Shqipëri si “për të përkryer” tradhtinë e bërë nga shteti borgjez shqiptar për dekorimin, nderimin e réhabilitimin e krerëve të reaksionit “të vjetër e të ri” shqiptar.

Partia Socialiste me elektoratin e vet duhet të shprehet qartë a është me LANÇ-in e me dëshmorët e saj apo është me Ballin e krimet e tij, me kolaboracionizmin e Mit’hat Frëshërit!

Kryetari i saj dhe kryeministri i zgjedhur nga elektorati socialist e rreshtoi hapur veten në anën e Ballit Kombëtar e me neofashistët e sotëm, kundër LANÇ-it! Po a do t’i shkojë pas PS-ja?

S’ka asnjë dyshim që gjatë luftës kundër pushtuesve të huaj, nuk mund të kursehej askush, as Abdyl Frashëri vetë, nëse do të vihej nê krah të pushtuesve italianë e gjermanë. Pra, për asnjë arsye, për asnjë asnjë kontribut të tij, Mit’hat Frashërit nuk mund t’i fshihet kolaboracionizmi me pushtuesit. Fundin e turpshëm dhe fatin e tij të zi, ai i vendosi vetë bashkë me Ballin Kombëtar tradhtar!

Mit’hat Frashëri ishte njeri i kulturës e me kontribute kombëtare. Kjo vlerë s’ka përse të mos i vihet në dukje, po s’ka perse t’i fshihet se ishte edhe ballist e kryetar i ballistëve, edhe kryebashkëpunëtori ballist i pushtuesve Italo-gjermanë kundër Luftës çlirimtare! As kjo nuk mund t’i fshihet Mit’hat Frashërit! T’i fshehësh Mithat Frashërit kolaboracionizmin e tij, ky është mohim i LANÇ-it dhe rreshtim me neoballistët e neonazifashistët! Është të jesh me anën e pushtuesve! Nuk mund të mos mbahet në konsiderate edhe fakti që vlerat e Mithat Frashërit janë shfaqur para pushtimit fashist italian të vendit tonë, më 7 prill 1939! Pasi vendi ynê u pushtua nga Italia fashiste e pastaj nga Gjermania naziste, Mit’hat Frasheri në krye të Ballit Kombetar mbajti anën e pushtuesve dhe u vu fort nê shërbim të tyre!

Pikërisht këtë kolaboracionizëm të Mithat Frashërit mbrojti kryetari aktual i PS-së e kryeministri neoballist, Edi Rama! Aq sa ballistët, për të thënë se u përket atyre, nxituan të deklarojnë se veteranëve e komunistëve plumbin e parë ua dha kryeministri, Edi Rama!

Partia Socialiste duhet të shprehet pa ekuivok, në qendër e në bazë, në ç’krah do të qëndrojë! Shndërrimi dora-dorë e njësimi i saj me të djathtën, me Ballin e me reaksionin kundër LANÇ-it, duke u fshehur pas se majtës, është me pasoja të rënda për kombin!

Që Lufta e Dytë Botërore kishte edhe fitues, edhe të humbur, kjo dihet, po dihet edhe që humburit – ballistët e nazifashistët – nuk mund të bëhen fitues! Historia nuk tjetërsohet! Historia e një vendi, e një populli, shkruhet e edhe rishkruhet gjatë jetës, plotësohet e edhe korrigjohet nga historianët, në përputhje me ligjet e saj, ku themelor mbetet ligji i së vërtetës historike! Ajo kurrë nuk zhbëhet dhe nuk përmbyset! LANÇ-in e të vërtetën e saj nuk ka forcë njerëzore që e ndryshon! Ballistët, neofashistët e neonazistët “shqiptarë” në pushtet, që janë ana e turpshme i historisë së lavdishme të Kombit Shqiptar, kanë forcë për ta shtrembëruar historinë, jo për ta ndryshuar! Pronari i historisë është populli!

Në media kemi parë e kemi lexuar plot mendime të ndryshme për Mit’hat Frashërin. Shtypi, gazeta “Dita” në veçanti, ka qenë më e qartë dhe e drejtpërdrejtë për çeshtjen e Mit’hatit! Po s’është vështirë të konstatohet së në media ka pasur frike të shkruhet e thuhet se LANÇ-in e organizoi dhe e çoi në fitore PKSH-se me Enver Hoxhën në krye te saj dhe si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptarë! Ka pasur frikë te thuhet se nuk ka qenë marrë e nuk ka ekzistuar asnjë vendim i shtetit shqiptar socialist, qe të ndalonte ardhjen e eshtrave të Mit’hat Frashërit ose të ndonjë tjetri për t’u varrosur në vendin e tij!

Përfundimisht, Mit’hat Frashërin nuk e kthen në patriot as një vendim i qeverisë, qoftë kjo ose jo përkrahëse e neofashizmit, as sjellja e varrimi në Shqipëri i eshtrave të tij me ceremoni shtetërore nga ndonjë qeveri e këtyre 28 viteve! Mit’hati, është dhe mbetet një ndër përfaqësuesit më kryesorë të reaksionit dhe një ndër intelektualët liberalë më pseudopatriotë e tradhtarë të kombit shqiptar!

Ndonjë intelektual frikacak, servil i pushtetit e interesaxhi, bën leksion duke na sjellur të cituar “djallin e të birin” për t’u mbushur mendjen të tjerëve së është gabim të mos i përmendësh Mit’hat Frashërit kolaboracionizmin me pushtuesit! Në të vërtetë kjo është e drejtë dhe nuk mund të mos i thuhet : Të lumtë, mirë e ke! Po guxo të thuash edhe se ishte PKSH ajo që udhëhoqi Luftën e çoi në fitoren e çlirimit të atdheut; guxo të thuash se në krye të Partisë Komuniste e të LANÇ-it ishte Enver Hoxha! Një intelektual i vjetër i paaftë sjell në shtyp «vlerat” e veprës letrare të Lumo Skëndos (Mit’hat Frashërit), por fshin, injoron e ka frikë të thotë një fjalë për tradhtinë e tij, për kolaboracionizmin e tij! Kjo nuk i falet! Për të vjetrit, populli ynë thotë :

Një plak njeri ka plot kohë për t’u turpëruar, po nuk ka kohë për t’u korrigjuar! Çdo njeri i kënduar e di se në vitet 1908-1912, Mit’hat Frashëri ndoqi vijën e bashkëpunimit me xhonturqit dhe iu kundërvu lëvizjes kryengritëse të popullit shqiptar, i cili luftonte për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. E di se në vitet e LANÇ-it, Mit’hat Frashëri ishte në krye të organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar dhe përgjegjësi kryesor për veprimtarinë që ajo zhvilloi për sabotimin e luftës çlirimtare, siç di edhe për bashkëpunimin e tij me pushtuesit nazifashistë italianë e gjermanë.

Pse ka qenë i biri i Abdyl Frashërit të madh, drejtues i disa organeve të shtypit të kohës, autor shkrimesh me pseudonimin Lumo Skendo (demaskuar fort nga Andon Zako Çajupi), anëtar a kryetar i Kongresit të Manastirit e Kryetar i Ballit Kombëtar tradhtar, kryeballisti Mithat Frashëri kurrë nuk mund shndërrohet në patriot! Asnjë vendim qeverie nuk të bën patriot! Po të kishte qenë i tillë, patriot, ai do të kishte ndjekur rrugën e babait të vet, rrugën e popullit, tê luftës kundër pushtuesve të huaj! Po të kishte qenë patriot, qeveria nuk do tê kishte pritur 28 vjet për të sjellë eshtrat e Mit’hat Frashërit në Atdhe! Jo, jo, qeveria ka interesa! Unë uroj që tê mos ketê ndonjë plan tjeter edhe më të llahtarshëm se rehabilitimi e glorifikimi shtetror i kryeballistit dhe kryekolaboracionistet, Mithat Frashëri!

Në mbyllje të këtij shkrimi nuk mund te lë pa vënë në dukje se intelektuali i njohur, Moikom Zeqo, në shkrimin e tij “Pseudodebati (për Mithat Frashërin-M. XH) nuk ka lidhje me historinë shkencore», botuar në “Dita”, i vinte debatit pikat mbi «i»! Po, Moikomi, shoku im i kursit të Gjuhës e Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës e edhe më pas, duhej ta çonte deri në fund vlerësimin e tij krejt të drejtë për historinë. Historia, thotë Moikomi, është ajo që ka ndodhur. Saktë e asgjësuese kjo për falsifikatorët! Po edhe PKSH-ja ka ndodhur e ka organizuar dhe udhëhequr LANÇ-in! Edhe që Enver Hoxha ka qene në krye të saj gjatë gjithë Luftës dhe Komandant i Përgjithshëm Ushtrisë Nacionalçlirimtare, edhe kjo ka ndodhur! Po i lëmë të tjerat, po pikërisht sepse kanë ndodhur studiuesi i talentuar, Moikom Zeqo, nuk duhej t’i anashkalonte!


26 nëntor 2018