Jump to content

PIRROJA I EPIRIT, POEZI TË LASHTA KUSHTIMORE

Nga Wikibooks

Me botën e kulturën e stërmotshme ilire, me personalitetet e saj, lidhen edhe disa poezi të kultivuara me karakter kushtimor, ku gjejmë një informacion me interes historik të veçantë për kohën e krijimit të tyre.

Është shkruar disa herë për këtë temë 1).

Ilirët e kanë njohur poezinë e kultivuar, ndonëse epigramet e mbishkrimet poetike i kanë shkruar me gjuhë kulture greke apo latine, dukuri kjo e përbashkët për shumë popuj evropianë e mesdhetarë në një hark kohor të gjatë nga antikiteti deri në mesjetë.

Kjo nuk e mohon në asnjë mënyrë karakterin etnik dhe përmbajtjen ilire të këtyre krijimeve e bërësve të tyre.

Kurse gjuha e huaj e përdorur duhet kuptuar dhe shpjeguar në konvencionalitetin e saj, si dhe ndoshta me një përdorim ndërkombëtar, siç ndodh edhe sot.

Në shekullin XVI Marin Barleti i shkroi në latinisht kryeveprat e tij, por asnjë nuk e mohon shqiptarësinë e tij.

Kjo parantezë na fut më në temë edhe të krijimeve të lashta poetike që lidhen me Pirron e madh të Epirit (318-272 para erës sonë), një nga figurat më të çuditshme e energjike të antikitetit, krijues i një shteti të fuqishëm epirot, që luajti një rol të madh në historinë e lashtë, në betejat kundër romakëve e maqedonasve etj.

Diodori i Sicilisë (shekulli I para erës sonë) në veprën e tij “Bibliotheca Historica”mbasi shkruan për një fitore të Pirros kundër galatëve, aleatë të maqedonasve, shton se Pirroja “vendosi në tempullin e Athinasë Itone mburoja të armikut dhe plaçkën më të çmuar, ai gdhendi edhe këtë mbishkrim:

Pirro Molosi ja dhuron Athinasë Itone

këto mburoja që ua hoqi galatëve të fortë

mbasi mundi tërë ushtrinë e Antigonit2

po kjo nuk është ndonjë çudi e madhe

se ajakidët3 janë edhe tani luftëtarë

siç kanë qenë përherë në të kaluarën”

Të njëjtin mbishkrim poetik e përmend edhe Plutarku në veprën e tij “Vitae parallelae” në shekullin II të erës sonë, si dhe Pauzania në “Discriptio Graeciae” në të njëjtin shekull.

Pauzania na bën të ditur edhe një tjetër mbishkrim poetik të Pirros. Pauzania ve në dukje se Pirroja “edhe Zeusit të Dodonës i kushtoi mburojat e marrura maqedonasve, ku qe shkruar:

Këta dikur plaçkitën Azinë plot me ar,

këta dhe Heladën deshën që ta robërojnë,

tani në shtyllat e tempullit të Zeusit

si jetime rri plaçka e Maqedonisë mburracake!”

Të dy këto poezi janë bërë para vitit 272 para erës sonë.

Tani diçka për përmbajtjen e poezive.

Së pari, del qartë me anë të vargjeve (që janë edhe dokumente epigrafike të kohës) se Pirroja është me origjinë epirote-ilire.

Ai jo rastësisht e mbiquan vehten “Molosi”, dmth nga fisi i madh ilir i molosëve.

Gjithashtu ai shënon se “ajakidët, (dmth, gjinia të cilës i përket Pirroja) janë dhe tani luftëtarë” duke shprehur një njohje të historisë së tyre të kaluar e një krenari për traditën e tyre luftarake.

Lidhur me këtë Diodori i Sicilisë ka shënuar se “epirotët e kanë për gjë të madhe jo vetëm të luftojnë për atdheun e tyre, por edhe të japin jetën për të mbrojtur miqtë e tyre dhe farefisin”.

Me rëndësi të veçantë është fakti se poezinë e dytë Pirroja e bëri pikërisht në tempullin e Zeusit të Dodonës, qendër pellazgo-ilire, që Homeri e lartëson në epet e tij duke e quajtur hyun suprem si “Zeus pellazgjik”.

Kushtimi i poezisë dhe armëve në këtë tempull është bërë nga Pirroja me qëllim të caktuar.

Kjo shpreh ndërgjegjen e tij për origjinën epirote-ilire si dhe një nderim për një kryevend kulti të lashtë për të parët e tij. Sipas Herodotit ky ishte orakulli më i vjetër.

Pirroja e rindërtoi tempullin vetë në fillim të shekulli III para erës sonë.

Në portikun e tij ai vendoste mburojat e trofetë ushtarake. Atje ruheshin edhe paktet politike të epirotëve.

Sipas Dakarit 4) gjatë gërmimeve arkeologjike në Dodonë janë gjetur në tempull mburoja me mbishkrime. Në njërën shënohej “Mbreti Pirro dhe epirotët e tarantinët prej romakëve e aleatëve të tyre ia kushtojnë nanaosit të Zeusit”, kurse në një mburojë tjetër ruhet vetëm fjala “Bazileus”.

Pirroja i Epirit ka qenë, veç të tjerave, një savant i kohës, me dijeni shumë të gjera për artin strategjik.

Plutarku dëshmon “për shkrimet e shumta e librat e shkruara nga Pirroja”, si dhe për një vepër të tij “Kujtimet”. Ciceroni ka shkruar për një libër të Pirros të quajtur “Mbi rrethimet”.

Dihet legjenda antike, sipas të cilës kur e pyetën një nga shokët e Aleksandrit të Maqedonisë se kush ishte strategu më i shquar, ai u përgjigj: “Pirroja, kur të arrijë në moshë të pjekur!”.

Mik i ngushtë i Pirros ishte edhe filozofi Kinea Thesalioti, nga vepra e të cilit kanë mbetur fragmente ku flitet për pellazgët. 5).

Vetë Pirroja i njihte mirë poemat madhështore të Homerit. Ai e quante vehten pasues të Akilit. 6)

Mbishkrimet poetike, të cilat i përmendëm më sipër, i ka kompozuar padyshim ndonjë i afërm i Pirros, bile ndoshta vetë ai.

Në vitin 167 një ilir me kulturë, me origjinë nga qyteti i Rizonit, në veri, i kushtoi dy poezi hyut ilir të luftës, Medaurit, në një tempull të Eskulapit në Lambesian e largët në Numibi të Afrikës, ku përmend “moenia aecia”, dmth “muret ajakide”. Është fjala për llojin e fortifikimit të Rizonit, të cilën studiuesit e lidhin me stilin e fortifikimeve epirote – ilire.

Kushtuesi nga Rizoni shpreh kështu një krenari për fisin e ajakidëve të Pirros.

Një legjendë e lashtë që tregon Ana Komnena e lidh Pirron me qytetin e Epidamnit, dmth Durrësin. 7).

Kohët e fundit studiuesit kanë gjetur disa legjenda shqiptare në vargje, që flasin për Pirron.

Në njërën prej tyre thuhet se Pirroja lindi në fshatin Ledhësë të Gumenicës, se qe jetim dhe e kishin lënë në malin e Bozhurit.

Kundër Pirros fëmijë u turr ta hante një ujk, por në çast përkrah tij u dukën dy ipe (shqiponja) që e ndihmuan. 8) Shqiponja mbahet si një shpend totem i Pirros e i shqiptarëve. Në një letër të Skënderbeut Pirroja mbahet si një paraardhës i shqiptarëve. 9)

Për Pirron, Marin Barleti shkruan: “Shqiptarët janë fis bujar, fis mbretëror, fis ajakidësh. Njeriu në botë ndjek gjurmët e fisit dhe të gjakut të vet, ky është ligj, pra edhe shqiptarët kanë shpirtin dhe zjarrin e Pirros, sepse prej tij rrjedhin”. 10).

Dy mbishkrimet poetike të shekullit III para erës sonë që lidhen me emrin e Pirros janë nga dokumentet më të lashta e autentike, që tregojnë edhe një traditë të lëvrimit të poezisë së kultivuar nga të parët tanë.

__________

1) “Poezi antike nga Durrësi”, “Drita” 4.3.1983, “Dy poezi të vitit 167”, “Drita”, 3.7.985 etj.

2) Antigon Gonata, prijës i Maqedonisë në vitet 283-239 para erës sonë.

3) Fisi epiroto-ilir i ajakidëve, shtëpia mbretërore nga rridhte Pirroja.

4) S. Dakaris “Dodona”, bot. angl. faqe 93.

5) Kinea Thesaliotin e përmend edhe Stefan Bizantini në leksiokonin e tij të shekullit VI të erës sonë.

6) Sipas Plutarkut Akili kishte një kult të fuqishëm në Epir e në gjuhën e këtij vendi quhej “Aspet”, fjalë që shpjegohet me shqipen “I shpejtë” – cilësi karakteristike kjo për heroin homerik.

7) Shih Ana Komnena në “Aleksiada”.

8) “Këngë popullore nga Çamëria”, Tiranë, 1983, faqe 319-395.

9) Letër e Skënderbeut me 31 tetor 1460 princit të Tarentit, ku kryetrimi thotë: “nëse kronikat tona nuk gënjejnë ne quhemi epirotë dhe duhet të kini dijeni se të parët tanë në kohëra të tjera kaluan në vendin që mbani ju sot e patën luftime të mëdha me romakët”, në “Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë”, vëllimi II, faqe 331.

10) Marin Barleti “Rrethimi i Shkodrës”, Tiranë faqe 108-109. (Drita 31 gusht 1986)


Moikom Zeqo

20 shtator 2018