Përse merremi me Mokrën?

Nga Wikibooks

Ramazan Kica

Në kohën e Skënderbeut, përjashto 4 rastet e ardhjes drejt Epirit të vetë sulltanëve (si dhe betejat e ndërmjetme gjatë kohës që Sulltani mbante të rrethuar Sfetigradin, apo Krujën), pjesa më e madhe e ushtrive osmane kanë sulmuar territoret e Skënderbeut duke hyrë nga Shkupi në Mokër. Po i shohim me radhë, sipas kohës ardhjes drejt Epirit, ashtu siç i tregon Barleti dhe Frangu, dy autorët autentikë dhe të besueshëm të historisë së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut:

– Ushtria e Ali Pashës erdhi nga Shkupi, në Mokër, në Pollog e pastaj drejt vendit të betejës.

– Ushtria e Ferizit nga Shkupi në Mokër, ku u bë dhe beteja.

– Mustafai I, nga Shkupi në Mokër, ku u bë dhe beteja.

– Mustafai II erdhi nga Shkupi në Mokër, në Pollog (për të ruajtur territoret osmane). Në fund, beteja u bë në Ohër.

– Dy herë Sulltan Murati.

– Hamzai erdhi nga Shkupi dhe hyri në Mokër, pastaj drejt Modrisës.

– Debrea erdhi nga Shkupi, në Mokër dhe shkoi në fushë të Pollogut.

– Moisiu erdhi nga Ohri.

– Isak Pasha (me Hamza Kastriotin) erdhi nga Ohri.

– Sinami II nga Shkupi në Mokër.

– Hasan Beu hyri në Epir nga Ohri.

– Isuf Beu erdhi drejtim Shkupit për në Mokrër.

– Karaxhabegu nga Shkupi në Mokër dhe pastaj në Pollog.

– Sheremeti erdhi nga Ohri.

– Ballabani (4 herë brenda pak muajsh) hyri në Epir nga Ohri.

– Jakupi erdhi në Kashar nga jugu.

– Dy herë Sulltan Mehmeti.

Krahina e Mokrës, epiqendra e betejave të Skënderbeut me ushtritë osmane, deri më sot e pasaktësuar nga historigrafia jonë. Në librin tim “Beteja e parë e Skënderbeut. Ku shtriheshin Dibrat, Mokra, Modrisa, si dhe ku u bë beteja e vitit 1444 e ushtrisë së Skënderbeut kundër ushtrisë osmane, dhe jo vetëm”, botuar në shtator 2017, sqarohet se ku ndodhej Mokra në kohën e Skënderbeut. Me saktësimin e këtij territori, historia e Gjergj Kastriotit, Heroit tonë Kombëtar, e dokumentuar nga Barleti dhe Frangu, sot kuptohet plotësishtë nga ana jonë, me të gjitha vendet ku u zhvilluan betejat.


Historia jonë për Mokrën.

Në “Historia e popullit shqiptar”, f. 397 &, {Historia e popullit shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë botimet Toena, Tiranë 2002, vëllimi I}, thuhet që Mokra ishte “mali Jakupice“. Mmalet Jakupica shtrihen në jug të Shkupit, mbi 30 km larg Pollogut, në vijë ajrore. Nuk na rezulton të jetë e vërtetë.

Noli e vendos Mokrën “midis Dibrës dhe Gostivarit”, (Noli, Skënderbeu, f. 98 &). {Fan S. Noli, vepra 4, botim nën kujdesin e Akademisë së Shkencave të RPSSH, Tiranë 1989}.

Në librin për Skënderbeun, Frashëri shkruan: “Rruga nga Shkupi në Dibrën e Sipërme nuk kalon nga mali i Mokrës, por nga lugina e Radikës. Në të vërtetë edhe sot në grykën e Radikës ndodhet një mal që vendasit e quajnë Mokër, ashtu siç e quajnë Barleti e Biemmi (ky i fundit Mokrën e Librazhdit e quan Mokrenë)”. (K. Frashëri, Skënderbeu, f. 141). {Kristo Frashëri “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra”, botimet TOENA, Tiranë 2002}. Unë nuk kam gjetur ndonjë mal në grykën e Radikës që vendasit e quajnë Mokër. Gjithashtu, kjo që thotë Frashëri, se “ky i fundit (Biemmi – R. Kica) Mokrën e Librazhdit e quan Mokrenë”, nuk është e vërtetë. Biemmi në librin e tij “ISTORIA DI GIORGIO CΑSΤRΙΟΤΟ DETTO SCANDER – BEGH”, MDCCXLIL, nuk përdor emërtim tjetër përveç; Mocre, Mocra, Mocree.

Duke arsyetuar çka thotë Barleti, Frashëri konkludon: “lugina e Mokrës ndodhet diku midis Dibrës e Kërçovës” (K. Frashëri, Skënderbeu, f. 140). Më tej, duke folur për lëvizjet e ushtrive osmane thotë: “ushtritë turke… duhet të kenë kaluar nëpër fushën e Pollogut, pastaj në Grykën e Radikës, e cila nuk është gjë tjetër veçse ajo që Barleti dhe Biemmi e quajnë Grykë e Mokrës” (K. Frashëri, Skënderbeu, f. 140).

Shmit (Schmitt), në libri i tij për Skënderbeun, mendon që mali i Mokrës është mali i Korabit (Schmitt, Skënderbeu, f. 173 &). {Oliver Jens Schmitt, Skënderbeu, rishtypje e zgjeruar, shqip nga Ardian Klosi, shtypur në shtypshkronjën Natyra, Tiranë 2009}.

   Biçoku e vendos Mokrën në malet Jakupice (Skënderbeu dhe Evropa, f. 70 &). {Konferenca shkencore ndërkombëtare “Skënderbeu dhe Evropa”, Përmbledhje kumtesash, Ilar, Tiranë 2006}.

Mendimi i shfaqur nga disa studiues, se Mokra e Barletit është Reka e sotme, sipas meje, nuk është i vërtetë (Janë shkruar shumë materiale të ndryshme, nga studiues të ndryshëm, për këtë version, që nuk po i trajtojmë nominalisht).

Sapo futesh në jug të grykës së Radikës, në lindje të Rahovnikut (Dibrës së Madhe), pasi kalon Kosovrastin, pa arritur në Skudrinje, në të djathtë të kthesës së parë djathtas, ku merr rrugën për Kërçovë (rruga që në gjuhën e popullit njihet “Rruga e Arbrit”), është një fshat që quhet Mogorçe. Janë shkruar disaherë materiale, nga studiues të ndryshëm, duke menduar që Mogorçe është Mokra e Skënderbeut, gjë që nuk është e vërtetë.


Të dhëna mbi Mokrën

Barleti shkruan: “luginat e Mokrës, (janë) të mbyllura nga të katër anët me male të dendura, të cilat zihen bashkë me Dibrën e Sipërme, por me gjithë këtë ndajnë mbretërinë epirote nga viset armike” (Barleti, Skënderbeu, f. 383). {Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut, Marin Barleti, shtypur nga “Mihal Duri” Tiranë 1964}. Pra Mokra (sëbshku me Dibrën e Sipërme), ndan territoret epirote nga viset turke.

Mokra ishte në krah të fushës së Pollogut. Barleti shkruan: “Barbari kish zënë vend aty në fushë të Pollogut dhe po priste të gdhihej… Kastrioti, i cili, duke shfrytëzuar atë natë aq të mbarë, dha urdhër që të nisej ushtria dhe të marshonte përpara me një shpejtësi të pazakontë. Skish hyrë ende në fushë, kur, me të lënë Mokrën u prish koha… (Pastaj) qielli u pastrua, si dhe hëna që po ecte përpara me rreze dhe më të ndritura, i bënin ata që të mos i shpëtonin syrit të armikut, sepse edhe ishin afruar. Armiku në fillim u drodh dhe, pasi u bë gati si për luftë, si për ikje, qëndroi pakëz me dyshim në zemër, të priste apo jo. Atij ia bënte frikën më të madhe nata… Kështu, pra, Debrea (komandanti i ushtrisë otomane – R. K.), si u dha shenja e betejës…(por) Epiroti, i cili ia kish vënë me kohë syrin, e qëlloi mu në gjoks me patërshane dhe ia përshkoi tej për tej. Me gjithë se deshi t’i shmangej hekurit, duke përkulur kokën, ai i rrëshqiti nën mjekër dhe iu ngul i tëri. Kështu mbaroi ai dhe bashkë me të beteja në fjalë” (Barleti, Skënderbeu, f. 301-306). Pra Skënderbeu brenda natës shkoi nga Mokra në Pollog, bëri betejën me ushtrinë osmane nën komandën e Debreas dhe e përfundoi atë pa mbaruar nata. Kuptojmë që nga Mokra hyhet drejtpërdrejt në fushë të Pollogut, si dhe anasjelltas, nga fusha e Pollogut hyhet menjëherë në Mokër.

Në betejën e dytë me ushtrinë osmane të komanduar nga Ferizi, Skënderbeu “zuri menjëherë i pari dhe e mbushi me ushtarë të armatosur një luginë të ngushtë që e quajnë Mokër e që ishte e vetmja rrugë kalimi për barbarin” (Barleti, Skënderbeu, f. 134). Shtojmë që e njëjta logjikë është për shumë beteja. Ferizi po lëvizte nga Shkupi në drejtim të perëndimit, dhe u përplas me Skënderbeun në Mokër, pa shkuar në Pollog dhe që ishte e vetmja rrugë kalimi për të. Pra, nga Shkupi për në Pollog, kalohet nëpër Mokër. Këtu kuptojmë thjeshtë që në jug të ngushticës së Radushës, jemi në Mokër (ngushtica e Radushës nga kalon Vardari, është e pakalueshme për ushtrinë).

Pasi Skënderbeu i fitoi të gjitha territoret që kishte zotëruar i ati, vazhdoi dhe i zgjeroi ato, ku sipas Barletit: “përballë tribalëve, ishte një vend fort i bukur i asaj krahine, shumë i populluar dhe plot me katunde të dendura. Banorët fqinj e quajnë Mokër. Për këtu u nis së bashku me ushtrinë dhe kështu i shtriu dhe i zgjeroi kufijtë e mbretërisë së vet më tepër se pati i ati Gjon” (Barleti, Skënderbeu, faqe 89). Pra Skënderbeu “kishte futur në mbretërinë e tij, me dëshirën e tyre të dy Dibrat… edhe Mokra, e cila se kishte provuar kurrë sundimin e fisit të Kastriotëve” (Barleti, Skënderbeu, f. 90). Mokra nuk ishte pjesë e Dibrave. Ajo shtrihej më në verilindje të Dibrës së Epërme dhe ndodhej përballë tribalëve (bullgarëve), “plot me katunde të dendura”.

Kërkova për Mokrën (aq sa literaturë munda të siguroj), të dhëna që po i radhis, për t’i parë me kujdes.

Në një sigjil të Vasilit II lëshuar në favor të kryepeshkopatës së Ohrit, të vitit 1019, lexojmë: “urdhërojmë që vetë kryepeshkopi në kështjellat (qytetet) e juridiksionit të tij, d.m.th., në Ohër, në Prespë, në Mokër e në Kërçovë të ketë klerikë 40 dhe patrikë 30…” (Dokumente bizantine, f. 35). {Dokumente të periudhës bizantine për historinë e Shqipërisë (Shek. VII-XV), përgatitur për botim nga Koço Bozhori, Tiranë 1978, f. 35. (Për të interesuarit sqarojmë që përkthimi është bërë nga: I. e E. Zepu, Jus Graecoromanum, vëll. I, f. 272-273)}. Në futnotë, z. Bozhori sqaron: “Ekzistojnë dy Mokra, një në veri të liqenit të Ohrit (shih Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë,… f. 115) dhe një tjetër, krahinë në perëndim të Pogradecit” (Dokumente bizantine, f. 35). Nisur nga shënimi i z. Bozhori, iu referuam librit “Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë”, ku lexuam: “që nga koha e Mokrit”. Në futnotën 129, për këtë, gjetëm: “Ky pasazh e në mënyrë të veçantë emri Mokër dhe … kanë ngjallur diskutime të ndryshme lidhur me interpretimin e tyre. Dujçev … arrin në përfundimin se Mokër nuk është emri i ndonjë mbreti, por i malit Mokër… Duke i kundërshtuar këto pikëpamje, J. Vojnov mendon se prapa këtij emri nuk duhet kërkuar ndonjë personazh historik, por autorja (Ana Komnena – R. Kica) ka pasur si qëllim që të tregojë se ndryshimi i emrave grekë ka ndodhur në kohën e disa mbretërve bullgarë dhe se emri Mokros, duhet të jetë një shpikje e thjeshtë e autores ose i nxjerrë prej saj nga legjendat…” (Burime tregimtare bizantine, f. 115, në futnotë). {Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, Shek. X-XV, Tiranë 1975}. Siç shihet, kemi vetëm fjalë boshe dhe asgjë të saktë.

Në “Nga një letër e Theofillaktit (Primat i Ohrit) dërguar magjistrit Jan Pentehnit”, e vitit 1108, thuhet: “Përsa u përket krahinave të Ohrit, të gjitha janë plot me frikë. Dhe pjesa e Mokrës (Mokra është pjesë e Ohrit), plaçkitet prej skllavit dhe renegatit” (Dokumente bizantine, f. 51). Në futnotë, z. Bozhori sqaron: “… lidhur me identifikimin e saj (Mokrës – R. Kica), ekzistojnë mendime të ndryshme, identifikohet në krahinën Mokri, Mohur, Mohëri, në veri të Ohrit në luginën e Drinit të Zi nën Dibrën (Novakoviç). Në lindje të liqenit të Ohrit, në fund të malit Mokri ku gjendet fshati Mokra (J. Ivanov). Me emrin e Mokrës njihet edhe një krahinë në jugperëndim të qytetit të Pogradecit”( Dokumente bizantine, f. 51, futnota 1). (Pra z. Bozhori në futnotën këtu na shprehet për tre Mokra, ndërsa në futnotën më lart na foli për dy).

Gjithashtu, Theofillaki (P. G., 126 col. 484), shkruan që Boemundi (Boemund, 1054-1111, komandant në Kryqëzatën e parë) shkatërroi krahinat e Mokrës dhe Bagorës (Burime bizantine, f. 121, në futnotë).

Në librin e Faveirial, në, fragment i një krisobule të Bazil Bullgaroktonit (Bazil Bullgaroktoni – perandor i Lindjes, 976-1025), për Gjonin, argjipeshkvin e Bullgarisë, lexojmë: “…ky ipeshkëv do të ketë në kështjellat e dioqezës së tij, domethënë në Ohër, Prespë, Makron, Kishavë (Krushevë), dyzet klerikë dhe tridhjetë famullitarë…” (Faveirial, Historia, f. 156). {Historia (më e vjetër) e Shqipërisë”, e Zhan Klod Faveirial, Plejad, Tiranë 2004}. (Këtu shohim që Kishavë është shkruar në kllapa Krushevë, që nuk është e vërtetë; Kishavë është Kërçova, ndërsa Krusheva është tjetër, e cila ndodhet mes Kërçovës dhe Prilepit, apo diku në verilindje të Demir Hisarit. – R. Kica). Kjo fjali është e njëjta, e cituar më lart, në faqe 63 [Dokumente të periudhës bizantine për historinë e Shqipërisë (Shek. VII-XV), përgatitur për botim nga Koço Bozhori, Tiranë 1978, f. 35], nën titullin: “Në një sigjil të Vasilit II lëshuar në favor të kryepeshkopatës së Ohrit, të vitit 1019”. Autori i librit, Zhan Klod Faveirial, thotë që këto janë fragmente të nxjerra “nga zotërinjtë Rali dhe Pote, të cilët janë shprehur se i kanë nxjerrë nga një dorëshkrim i Gjerasimit, ipeshkvi i Argolidës, dhe që ata e kanë përfshirë në koleksionet e tyre (Vëllimi 5, faqe 266)” (Faveirial, Historia, f. 157). Në “Shënime” (të zotit Qemal Velija, redaktorit të librit), lexojmë: “Ohër, Prespë, Makron, Krushevë [këtu redaktori shënon Krushevë, duke marrë vetëm pjesën në kllapa të shënuar nga përkthyesi më lart “Kishavë (Krushevë)”, pra është fjala për Kishavë, d.m.th., Kërçovë, të cilën redaktori, si dhe përkthyesi, e ngatërron – R. Kica], – dioqezë që përfshinte Ohrin dhe vendet përqark saj, Makrova dhe Krusheva (është fjala për Kishavë-n, d.m.th., Kërçovën – R. Kica), në verilindje të Ohrit” (Faveirial, Historia, f. 159). Pra, Mokra na jepet me emrin Makrova.

Fusha e Pollogut, siç e ka përkufizuar Barleti, “kufizohej nga njëra anë prej malit tonë të Mokrës, nga ana tjetër prej qytetit të turqve, që e quajnë Shkup. Kish edhe dy male të tjerë që rrethonin fushën, me një lartësi të shënuar, të cilët kam marrë vesh se i quajnë, me një emër jo të veçantë, male të Pollogut” (Barleti, Skënderbeu, f. 302). Nga kjo na del se mali i Mokrës ishte në anë të fushës së Pollogut. Përveç Mokrës, në anë të fushës së Pollogut, kishte dhe dy male të tjerë që rrethonin fushën dhe që quheshin male të Pollogut (dihet që Shkupi ndodhet në vazhdim të fushës, pasi merr kthesën drejtim lindjes).

Ushtria turke, e komanduar nga Sinami, nga kampi i saj që ishte afër Alhries, “ish drejtuar për në fushën e Pollogut drejt Mokrës” (Barleti, Skënderbeu, f. 382). Pra, për të shkuar në fushën e Pollogut nga Ohri, merr rrugën në drejtim të Mokrës. Kjo përputhet plotësisht me Barletin që fusha e Pollogut kufizohet në njërën anë prej Mokrës.

“Që këtej (nga fusha e Pollogut – R. Kica) ai (Sinami – R. Kica) e kishte pastaj rrugën të hapur për në Dibër të Sipërme dhe Modrisë” (Barleti, Skënderbeu, f. 382), d.m.th., të kuptojmë, duke kaluar nëpër Mokër.

Turqit, shkruan Barleti, “hynë pasi kaluan malin e Mokrës, ne luginën që shtrihej ndërmjet (Mokrës dhe Modrisës), dhe po bëheshin gati t’i ngjiteshin Modrisës” (Barleti, Skënderbeu, faqe 298). Na del se Mokra (e kohës së Skënderbeut) kishte në njërën anë fushën e Pollogut, e cila ndodhet edhe sot po me këtë emër, ndërsa në anën tjetër malin e Modrisës.

Barleti, duke përshkruar vendbetejën e Skënderbeut me Ferizin (beteja e dytë e tij me ushtrinë osmane), shkruan: “Skënderbeu… zuri menjëherë i pari dhe e mbushi me ushtarë të armatosur, një luginë të ngushtë që e quajnë Mokër, e që ishte e vetmja rrugëkalimi për barbarin. …Ferizi po afrohej… Tanët po prisnin me një heshtje të pandërprerë gjersa panë se barbari (Ferizi – R. Kica) po hynte (në luginën e Mokrës) plot gëzim dhe se kalorësia ishte e rrethuar nga të katër anët prej qafash plot dushqe të maleve dhe prej shkëmbinjsh thikë” (Barleti, Skënderbeu, f. 134). Pra, nga Shkupi për në fushë të Pollogut, shkohet duke kaluar nëpër Mokër. Kjo luginë e ngushtë që e quajnë Mokër është e vetmja rrugëkalimi nga Shkupi në Pollog. Nga sa parashtruam më sipër:

– Mokra është përballë tribalëve.

– Mokra dhe dy male të tjerë që quheshin male të Pollogut, rrethonin fushën e Pollogut (pra fusha e Pollogut rrethohet nga malet e Pollogut dhe mali i Mokrës).

– Mokra është në anë të fushës së Pollogut dhe, Modrisën e ka në anën tjetër.

– Nga Shkupi për në fushë të Pollogut, shkohet duke kaluar nëpër Mokër.

– Lugina e ngushtë që e quajnë Mokër është e vetmja rrugëkalimi nga Shkupi në Pollog.

– Mokra është në anë të Shkupit, pra, ngjitur me Shkupin (në anën perëndimore).

– Mokra përbëhet prej qafash plot dushqe të maleve dhe prej shkëmbinjsh thikë.

– Mokra nuk është pjesë e Dibrave.

– Mokra bashkë me Dibrën e Epërme ndan territoret tona nga ato otomane.

– Nga Fusha e Pollogut shkohet në Mokër e pastaj (nëse e ke Mokrën në dorë), rruga është e hapur për në Modrisë si dhe për në Dibër të Epërme, duke i hyrë nga veriu.


Ku shtrihet Mokra?

Pollogu është i dokumentuar shumë kohë më parë dhe ndahet në dy Pollogë, i Epërmi dhe i Poshtmi. Pjetri, i biri i Alifës, i dërguar nga Boemundi (në fillim të shekullit XII) pushtoi dy Pollogët (Burime tregimtare bizantine, f. 103).{Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shekulli X-XV, përgatitur për botim nga Koço Bozhori – Filip Liço, Tiranë 1975. “Πόλογος” në gjuhën e vendit do të thotë “pyll i perëndisë”. (Pachymeres G. “Historia” ed. Bonnae. Vëll. V, 6, f. 352). Me këtë emër njihet dhe një mal dhe një luginë në juglindje të malit Sharr (shih Glasnik na institut za nacionalja istorija gol. 1 broj. 1. Skopje 1957, f. 271-275)}.

Fusha e Pollogut (nga Gostivari në Tetovë, si dhe më në veri) është një luginë afërsisht jug-veri (në kuptimin nga Pollog i Epërm, në Pollog të Poshtëm), që ka dy anë, perëndimore dhe lindore.

Ana perëndimore, (sot) përbëhet nga shumë fshatra, pas qytetit të Gostivarit, si, Debreshe, Vrapçisht, Toplica, Dobri Dol, Gradec, Pirok, Bogovinë, Kamenjan, etj., deri në Tetovë. Këto vende ishin territore osmane, fakt shumë i thjeshtë për tu kuptuar sepse ishin në anën e bjeshkëve të Pollogut ku grabiste bagëtitë Skënderbeu (faktin që Skënderbeu grabiste bagëtitë në bjeshkët e Pollogut, na e thotë Barleti, Frangu dhe disa kronikanë osmanë të kohës së Skënderbeut). Popullsinë e këtyre territoreve Barleti e quan Tribalë (e thjeshtë për tu kuptuar që Skënderbeu nuk grabiste territoret e veta). Pra malet në anën perëndimorë të fushës së Pollogut janë malet e Pollogut që rrethojnë në njërën anë fushën e Pollogut.

Ana tjetër e fushës së Pollogut (kujtojmë që Barleti na thotë që fusha rrethohej nga dy male që quhen male të Pollogut dhe mali i Mokrës), është ana lindore, që është një mal i cili (sot) ka shumë fshatra (në shpatin perëndimor), si Forinë, Çegran, Volkovije, Stençe, Tenovë, Miletin, Radiovç, Çelepek, etj., (të cilët, së bashku me malin shtrihen përball tribalëve). Ky mal me të gjithë fshatrat, na del që është mali i Mokrës (i Barletit). Më duket shumë e thjeshtë për të arritur në këtë përfundim. Pra ky mal, me fshatrat në anën perëndimore, por jo vetëm (sepse ka fshatra dhe në anën veriore, lindore dhe jugore), është krahina e Mokrës, për të cilin Barleti na thotë që “përballë trialëve ishte një vend fort i bukur i asaj krahine, shumë i populluar dhe plot me katunde të dendura. Banorët fqinj e quajnë Mokër” (Barleti, Skënderbeu, f. 89). Kështu kemi saktësuar që Mokra e Barletit është mali që sot quhet Suva Gora.

Nga krisobula e carit Stefan Dushan me të cilën i dhuron Manastirit të Shën Mërisë në Tetovë prona dhe të drejta të tjera feudale, midis viteve 1337-1346 (S. Novakoviç «Stojan Novaković», Zakonski Spomenici, ff. 657-658. Origjinal sllavisht), shkruhet: “Në Pollogun e Sipërm metohun e Shën Ilisë. Fshati Stençe me të gjitha pronat dhe sinoret, me modriçanët dhe gostivarasit deri në metohinë e kishës së Shën e Djelës drejt poshtë gjatë lumit Velika në Dub Jedini… dhe vetë qytetin e vogël Stençe që ka qenë i perandorit, dhe në të çdo gjë, qoftë fushë, mal ose pyll” (Burime të zgjedhura, f. 126). {Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, vëllimi II, shekulli VII-XV, shtyp. N.I.SH. Shtypshkronja “Mihal Duri”, Tiranë 1962}. Shohim që krisobula, fshatin (ose qytetin) Stençe, që është dhe sot me po këtë emër, siç e thamë, në anën lindore të Pollogut të Epërm, në anën perëndimore të malit Suva Gora, e konsideron si qendër për modriçanët dhe gostivarasit, nga konkludojmë që Modriçi (Modrisa, Modrishta), Stençe (Mokra) dhe Gostivari, janë afër me njëra tjetrën.

Edhe sot, gjithë malet nga fusha e Pollogut në drejtim të Shkupit, janë të mbuluara me dushqe, fakt që e ka parë (ose mund ta shohë) çdo kalimtar i asaj rruge. Gjithashtu, sidomos pjesa lindore e Mokrës (Suva Gora), në perëndim të Shkupit, është me “shkëmbinj thikë”.

Mokra (Suva Gora) është e vetmja mundësi kalimi nga Shkupi në fushë të Pollogut dhe gjithashtu është në anë të Shkupit (në anën perëndimore).

Në vitin 1992, duke lëvizur me avokatin e Gostivarit, Shaban Stafa, mësues histori-gjeografie, në anën lindore të lumit Vardar, nëpër fshatrat Forinë, Çegran, Stençe, etj., na tha: “Këto katunde, në emërtimet e vjetra quheshin Mokra, si dhe krejt ky mali në të gjithë të djathtën tonë, që ne shqip e quajmë mali i Thatë. Maqedonasit e quajnë Suva Gora”.

Këtë, që mali i Thatë (Suva Gora), është mali i Mokrës, ma pohoi dhe mësuesi, në pension tashmë, në Dibër të Madhe, ish inspektori i Ministrisë Arsimit në Maqedoni, Luan Sllova, të cilin gjej rastin ta falënderoj për gatishmërinë që pati për të më ndihmuar. Kështu, përfundimisht konkludojmë që Mokra (e Barletit) është në anën lindore të fushës së Pollogut (mali i Thatë – Suva Gora), përball tribalëve, që janë në anën perëndimore të luginës së Pollogut. Mokra ishte një krahinë, plot me katunde, lugina, male e gryka. Mokra shtrihet në lindje të Pollogut, të cilën lumi Vardar e ndan prej saj. Gjithashtu vazhdon në veri deri te lumi Vardar, në verilindje kufizohet me Shkupin, ndërsa nga ana lindore ndahet nga territoret e maleve Jakupica prej lumit Treska. Ndërsa në jug të Mokrës shtrihet Modrisa.

Mokra ishte vend shumë strategjik për lëvizjen e ushtrisë, nga fusha e Pollogut drejt juglindjes, si dhe lëvizjen nëpër luginën e lumit Treska, ku Mokra është në anën perëndimore të tij. Gjithashtu për të shkuar nga Shkupi në luginën e Pollogut, ushtria kalonte detyrimisht nëpër Mokër, e cila siç na thotë dhe Barleti, Mokra “ishte e vetmja rrugë kalimi për barbarin” ( Barleti, Skënderbeu, f. 134). Ngushtica e Radushës është e pakalueshme për ushtrinë. Ndaj Skënderbeu e bëri Mokrën pjesë të territoreve të tij. Dhe po të shohim me kujdes, në të gjitha betejat kur ushtria osmane vinte nga veriu, përmendet Mokra. Kjo sepse ushtria nuk kishte rrugë tjetër (përjashto shtegut nga Ohri) për të hyrë në Epir. Megjithëse kemi shtegun mes Mokrës dhe Sfetigradit, që na përmend Barleti (në lindje të Kërçovës), por përsëri, për të shkuar afër këtij shtegu, duke ardhur nga veriu (nga Shkupi), duhej kaluar nëpër Mokër, ose nëpër lumin Treskë, i cili gjithashtu shtrihej në anën lindore të Mokrës. Sa kohë që Sfetigradi ishte në duar të Skënderbeut, ky shteg e kishte humbur rëndësinë, sepse që ushtritë osmane të vinin aty nga ana e jugut, duhet të kalonin në lindje të tij (Sfetigradit). Kalaja që ngriti Skënderbeu në Modrisë (pasi ra Sfetigradi), e cila ishte 14 mijë hapa (Barleti, Skënderbeu, f. 294), rreth 20 km, larg rojeve të kufirit, si dhe rreth 30 mijë hapa larg Sfetigradit (Barleti, Skënderbeu, f. 382), shërbente pikërisht për të lajmëruar ardhjen e turqve, si nga lugina e Pelagonisë (nga jugu), po ashtu dhe nga Shkupi (nga veriu).


Në këtë pjesë harte kemi paraqitur: pjesë nga Dibra e Poshtme, Korabin, pjesë nga Reka, malet e Pollogut, luginën e Pollogut, Mokrën (sot Suva Gora), lumin Vardar, ngushticën e Radushës, Shkupin, lumin Treska, pjesë nga malet Jakupica dhe Modrisën. Me vizë të kuqe japim kufirin verilindor të territoreve të Skënderbeut me ato osmane (nga mali Korab, në jug të fushës së Pollogut, sipas lumit Vardar, në perëndim të Shkupit dhe më tej, sipas lumit Treska).

Në këtë pjesë harte kemi paraqitur kufirin lindor të territoreve të Skënderbeut.


2 Nëntor 2018