Përgjigjja e Kadaresë ndaj censorëve

Nga Wikibooks

Nga Bedri Islami

Dëshira për të rrënuar të shkuarën e një letërsie, është aq e lashtë sa edhe vetë letërsia.

Gjashtë shekuj para erës së re, një rapsod nga Kolofoni, Ksenofan quhej, i lodhur nga vargjet e Homerit që i kishte kënduar qyteteve, i pamundur për të risjellë diçka të ngjashme me atë të bardit të verbër iliadas, kërkonte harresën e tyre.

Në Angli, në mesin e shekullit të XVII, në njërin nga Kuvendet popullorë të thirrur nga kryerepublikani Kromuell, shkruan Samuel Johnson-i, “u propozua me seriozitet që të digjeshin arkivat e Kullës së Londrës, që të fshihej çdo kujtesë e gjërave të shkuara dhe që krejt regjimi i jetës të zinte fill nga e para”.

26 shekuj pas rapsodit grek dhe disa shekuj pas kronistit anglez, në politikën shqiptare, jo krejt befas dhe jo krejt rastësisht, sillet nëpër këmbë dhe, mjerisht, nëpër dhëmbë projekti i një ligji të ri, thjeshtë censurues në pamjen e parë dhe thellësisht antivlerë në përmbajtjen e tij; më shumë ndaj disa majave se sa ndaj hapësirës fushore të letërsisë dhe arteve tona.

Fantazia për të anuluar të kaluarën e botës së artit, sidomos të letërsisë, nuk është diçka e re dhe e papritur.

Me fjalë të tjera, qëllimi për të asgjësuar të kaluarën letrare, – në mënyrë paradoksale – është një nga provat se kjo e shkuar nuk mund të asgjësohet. E shkuara e artit të të shkruarit është e pashkatërrueshme, herët a vonë të gjitha gjërat kthehen, dhe njëra nga gjërat që kthehet është projekti për të asgjësuar të kaluarën e botës së letrave.

Të gjitha regjimet tiranike e kanë provuar këtë. Të gjitha mendjet e ngushta e kanë synuar këtë. Pavarësisht kohës, pavarësisht regjimeve kanë synuar të njëjtën gjë: të heqin një të shkuar të shkruar; të ndalojnë ose damkosin një botë letrare, e cila është ngritur pa mundin e tyre, pa qenë ato vetë pjesë dhe shumë lart e arritshme për mendjet e ngushta. Me djegë dhe me damkos libra dhe me ngritë mure mes botëve letrare është punë e zakonshme e tiranive, por nuk mund të jetë kurrë kodi i një mendimi politik, i cili, kur mendoi se u lind, do të ishte mendja europiane që kishte munguar dhe jo lindja e perëndive të stepave të mendimit.

Perandori i Parë i Kinës, Shih Huang Ti, ishte njeriu që filloi ngritjen e murit të madh kinez dhe diktoi që të hidheshin në zjarr të gjithë librat e shkruar para tij. Ata që nuk iu bindën, shkrimtarët e mendimtarët e mëdhenj, përfunduan duke ngjitur gurët e murit që po lartohej, por ruajtën edhe disa vepra, disa libra e mendime, të cilat jetojnë edhe sot e kësaj dite. Pak kush në botë e di emrin e perandorit të parë, por emrin e Konfucit e dinë të gjithë. E pra, ky i fundit, ishte dënuar me djegien e librave të tij, e kishin menduar se është lënë në harresë, është diku, në anonimitet, por ndodhi e kundërta, ndodhi rizgjimi, sepse fjala ishte e mbetet e para.

Të synosh të vësh gardhin e një are të madhe, të stërmadhe, mund të jetë një punë që bëhet, por të bësh gardhëzimin e një bote letrare, ose është miopi politike, ose hyn ndër ata shqiptarët që prej një viti nuk kanë lexuar një libër, ose vetvetishëm je i verbër, ose, në fund të fundit, të jesh budalla që mendon se me një urdhër verbal apo me një “pullë blu a rozë” që njerëzit të heqin dorë nga kujtesa e të kaluarës së vet, mitike qoftë apo e vërtetë, ardhur përmes një botës së fjalëve.

“Të gjitha gjërat duan të qëndrojnë në të qenët e tyre”, ka shkruar Baruh Spinoza, edhe bota e artit kërkon të qëndrojë në tri shtyllat që mbajnë mbi shpatullat e tyre qiellin e qiellit; të së djeshmes, të së tashmes dhe të së ardhmes. Animi i njërës prej tyre mund të sjellë rrokupujën e madhe dhe kjo nuk i ngjet lojërave fëmijërore; ajo sjell rrënimin. Historia e një kombi është ajo e letrave të tij; historia e Shqipërisë, edhe në vitet e rënda të diktaturës, saktësohet në gjendjet e mbijetesës dhe të lumturisë, në mitologjinë dhe përvijimin, në fytyrat e gdhendura nga koha, në disa mugullime e do vende, të cilat, edhe sot e kësaj dite, në atë gjuhë dhe në ato rrethana, duan të na thonë diçka, ose patën thënë diçka që nuk duhet ta humbasim, ose në fund të fundit, mes rreshtave na kanë thënë të vërtetën, dhe kjo afërsi, kjo gjendje, kjo zbulesë, ashtu si vjen, nuk është humbje, është dëshmi.


Cili është thelbi i këtij ligji që po përgatitet. Po sjell një citat nga fjala e një figure të njohur të opozitës së tashme, Alibeaj:

“Mjetet që do të duhet të përdorim siç është shoqëria e civilizuar sot, të mos e privojë individin për të marrë informacionin të cilin do, të cilin pëlqen, por duke i dhënë paralelisht në të njëjtën kohë informacionin tjetër atë real, atë të vërtetin, që në fund të fundit për çdo libër, qoftë edhe të Kadaresë, kur ta lexojë të mos dalë i mpirë në arsyetimin e vet për situatën apo për gjendjen që ka qenë por të shohë edhe faqet e tjera të librit të pashkruar të Kadaresë, ato të cilat diktatura nuk ia lejonte të shkruante”.

Gjëja e parë që më shkoi ndër mend kur lexova këtë pasazh nga mendimi i opozitës ishte se cili do të kishte qenë mendimi i vetë Kadaresë. Si do të kishte reaguar ai vetë, njeriu i krijimit të një bote të përbotshme? Ndoshta më shumë se 50 vite të jetës së tij Kadare ka kaluar përmes një dalldie të habitshme, i bindur se pjesë të shpirtit të tij janë njëkohësisht edhe pjesë të kujtesës së një kombi, i cili, nga përvoja e tij fisnike, monumentale, kishte krijuar atë figurë të gjallë dhe thellësisht vetjake, që është ndër gjërat e pakta, mjerisht shumë të pakta, përnjëmend të mëdhaja të botës sonë të artit e të kohës sonë, kishte krijuar vetë figurën e kombit.

Ky kombkrijues në letrat e tij, i habitshëm për nga përmasat dhe liridhënës nga vetë shpirti i tij, kur ishte kaq e vështirë të meditoje për të, befas, si nga një humnerë gojëprishur, e gjen veten si një shembull përmes të cilit duhet të kalojë censura e re shqiptare.

T‘i afrosh njerëzve kthjelltësinë në erën e hidhur të komunizmit dhe të materializmit dialektik, duke qenë vetë projektim i veprës dhe realizues i saj, mospërfillës ndaj një lumturie e moskokëçarës ndaj thërrimeve të lëshimeve të çastit për të përpjesëtuar madhërishëm lirinë tek të tjerët, ishte misioni i gjithëmeritueshëm i Kadaresë.

Si do e kishte menduar ai gjithë këtë rrënojë që kërkojnë të sjellin, çfarë do të kishte thënë.

“Ne të gjithë e dimë se ç’ka ndodhi pas rrëzimit të komunizmit. Ne dimë se ç’pluhur u ngrit, ç’çoroditje u krijua, ç’llum i zi doli nga thellësitë e kësaj bote. Kjo rrokopujë e zbehu shumë shpejt gëzimin e lirisë të porsafituar, dehjen e saj, ylberet e shpresave, që lindën e u fikën aty për aty.

…Nuk ka gjë më të shëmtuar se kurajoja e vonuar e frikacakëve, e skllevërve. Të ndërgjegjshëm se e kishin ulur kryet më fort se ç’duhej, të turpëruar për bindjen e tyre të gjatë, të tërbuar nga prania e të tjerëve, atyre që nuk ishin thyer, gjëja e parë që bënë ishin t’u vërsuleshin këtyre të fundit.

…Pas kësaj nuk pritej veçse tmerri i fundit: t’i suleshin atdheut“. (Dialog me Alain Bosquet, faqe 137).

Përse po thirret në ndihmë një ligj i tillë?

A është e vërtetë se ende vazhdon beteja e gjatë e kurrë e pamundur ndaj një sistemi, atij komunist? Si është e mundur që pluralizmi në Shqipëri, dalëngadalë po bën po aq vite jetë sa edhe komunizmi dhe ende nuk ka nisur betejën për të fituar mbi të, sa që kërkon edhe një herë, ta kthejë këtë vend në vitin 1946 e pak më tej, kur me ligj e pa ligj, u ndaluan disa vepra e disa autorë, disa nga të cilët kishin pasur pikëtakimi me fashizmin, por shumë të tjerë u ndaluan, u mallkuan, u lanë në harresën e përkohëshme sepse kishin qenë si tepër zotërinj për fitimtarët, si shumë moskokëçarës, si shumë nacionalistë dhe me histori që nuk e kishin të ardhurit.

Në një formë, disi në pamje më të zbutur, por shumë më të përbuzshme, kërkohet që çdo libri të krijuar në “atë kohë” ta sjellim “në këtë kohë”, duke i vënë një shënim, i cili, as më pak e as më shumë, ngjan me ato yjet gjashtëcepësh që i detyruan izraelitët t’i ven në jakët e rrobave të tyre.

E mendoni se çfarë mund të ndodhë, nëse për një çast e mendojmë se kjo do të mund të realizohet, se kjo mund të ishte diçka që bëhet?

E mendoni se si përmes “pullave” një kalbësi mendimi përpiqet të gardhojë botën e letrave, dhe të nisë të gërmojë në botën e tyre të letrave, e cila, edhe pse shkuan 28 vite jetë plurale, ende ka mbetur në kujtesën e emrave të shkuar dhe dalja e emrave të rinj po bëhet tmerrësisht e vështirë.

Do të shkruaj më pas për Kadarenë dhe pse e gjithë kjo bëhet, në fund të fundit, si një hapje e re e frontit të lindjes kundër njeriut të botës së perëndimit.

Historia e letërsisë nuk mund të jetë kurrë historia e jetës së autorëve, e të papriturave të karrierave të tyre a të veprave të tyre, por është Historia e Shpirtit si prodhues dhe si konsumator i kësaj letërsie.

Këtë shpirt në Shqipëri e kanë ngjeshur autorë që befas mund të kenë mbi emrin e tyre pullën blu a rozë. Jakov Xoxa apo Fatos Arapi, Koçi Petriti apo Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo apo Dritero Agolli, Lasgush Poradeci apo Mitrush Kuteli, Helena Kadare apo Adelina Mamaqi, Mimoza Ahmeti apo Sulejman Mato, Petro Marko apo Sterjo Spasse, e dhjetëra të tjerë, befas mund të gjendeshin nën thundrën e “pulës blu apo rozë“.

Mendoni sikur në të gjithë librat e autorëve që kanë krijuar Shpirtin befas të vendoset, si një gjashtëcepash shënimi i censurës moderne se “ky libër u shkrua në komunizëm, autori nuk ka mundur të dëshmojë të vërtetën, çka do të thotë se ka qenë frikacak..etj etj „ dhe se trimat e vërtetë erdhën tani.

Çasti i parë i kohës përkon me çastin e Krijimit, thotë Shën Augustini, por ai çast i parë bart jo vetëm një të ardhme të pafund, por edhe një të kaluar të pafund. Një të kaluar , e cila, përmes botës së fjalëve, letërsisë, mund të jetë e hollësishme, kërshëruese, por kurrë fatale.

Tani mendoni më tej: sikur në të gjitha tablotë e asaj kohe të viheshin shënime të tilla censuriane, që më tingëllon pak me pretoriane, dhe, ashtu si dikur klerikët e lartë synonin të fshinin botën intime në pikturat murale, edhe sot të heqim ose të vendosim nillat e një kohe që është thënë se do të jetë moderne, e perceptueshme dhe e njëmendtë me lirinë.

E pra, nuk është.

Një ligj i veçantë për Kadarenë është ky?

Në Drenicë kam dëgjuar që në krye të herës një djalë të mençur “Mos e pyet, se tregon vetë“.

Edhe Alibeaj nuk ishte e nevojshme të pyetej, ai e tregoi vetë.

Përse synohet rrënimi i një kështjelle, më e fuqishme se ajo e Argjirosë?

Në fakt, me ikjen nga jeta të Dritëro Agollit, meskinët, duke u ngutur, kur ende ishte në përcjelljen e fundit, vrapuan të hedhin poshtë gjithçka të tij. E bënë në mënyrë kaq meskine, por ishin aq të kënaqur, sa që edhe sot e kësaj dite ndoshta i kanë duart e djersitura nga kënaqësia e çastit.

Ismail Kadareja ka qenë gjithnjë në tehun e tyre. Që në fillim. Ende pa ikur, pa na dhënë kumtin e largimit, ata ishin aty, të strukur në qelizat e errëta të shtetit. Pjesë e padukshme e një mekanizmi që lehtësisht mund të kthehej në vrastar.

Kadare për to është shembëlltyra e njeriut që mund të sjell lirinë ose pjesë të mëdha të saj edhe duke qenë i njëjtë me të tjerët; i njëjtë në gjendjen e tij, por jo në mendjen e tij.

Në të vërtetë nuk ka një Ismail Kadare të vërtetë. Kadare është letërsia shqipe në ngjizjen e saj madhore, një organizëm intelektual aq i thjeshtë dhe aq shumëdimensional. Magjik në artin e tij, më tej se magjik në mesazhet përcjellëse të tij. Ai solli Kujtesën e Madhe kur ende nuk ngiheshim me frymën e kohës, krijoi simbolet që mund t’i quaje pa droje si pjesë të shpirtit tënd, ishte në fund të fundit, dukuria befasuese që është e vështirë të shpjegohet.

Të kalosh nga bota e jashtëzakonshme që ai krijoi – në kronikën e ditëve të jetës së tij- përbën kohën dhe tokën, pra të ardhmen dhe të sotmen.

Kadare është një institucion i artit, por jo vetëm shqiptar e as vetëm ballkanik. Ai, prej shumë kohe, ka dalë në një orbitë më të ngjeshur, më të madhe dhe më të vështirë. Është një botë që synohet nga të gjithë, ngulmohet nga disa dhe arrihet nga fare pak vetë. Koha kur ai e arriti ishte në vetminë e madhe, jo vetëm të shtetit të tij, por edhe të atij vetë. Nëse e bëri këtë në këtë periudhë dhe ngriti përmes kujtesës një Monument të vendit të tij, kjo është arsyeja e kërkesës së herë pas hershme për rrënimin e pashmangshëm të veprës së tij.

Kadare është i njëjti në të gjitha kohërat. Nëse sot, një lexues i ri, im bir, ta zëmë, do të lexonte “Gjeneralin e Ushtrisë së vdekur”, “Përbindshin”, “Pallatin e Ëndrrave”, “Kronikë në gur”, “Darka e gabuar”, “Tri këngë zie për Kosovën”, “Viti i mbrapshtë“, jo vetëm do të ishte i mahnitur nga arti, jo vetëm që nuk do të besonte se shumë prej tyre janë shkruar në një kohë tjetër, por edhe që ato i kanë shërbyer diktaturës. Stuhia më e madhe ndaj Kadaresë u ngrit kur botoi “Dimri i Vetmisë së madhe”, e cila, as më pak e as më shumë, në thelbin e saj është përsëritja e Makbethit në një kohë tjetër, përmasat e së cilës kërkohen të rishfaqen si shtrigicat në fillimin e tragjedisë.

Kadare na solli një tjetër zgjim, nga një tjetër gjumë i thellë, për të ndjerë më afër, në çastin kur frika do të mungonte: lirinë dhe kombin.

Ndaj lirisë ai do të vendoste gërmat një pas një si gurët e mëdhenj të qëndresës, duke hequr nga vetja qelizat e krijimit, duke na thënë se, në çdo çast, duhet t’i besojmë secilës fjalë, sepse ata ishin tej dëshpërimit, të vrullshme si erërat dhe të fisme si qytetërimi.

Ndaj kombit atij më shumë se gjithçka i përqaset titulli i një medieje franceze se “Kur vjen fjala për kombin e vet, Kadareja është po aq i verbër sa Homeri”.

Kombprishësit kanë qenë kundërshtarët më të mëdhenj të Kadaresë – ata kanë lëvizur gjithë gurët, përmes denoncimeve të paskajshme dhe të paqëndrueshme, deri në nivel ambasadorësh, për të rrënuar atë çka ai vetë, krejt fillikat, ka ngritur – perandorinë e tij, në të cilën, si në çdo të tillë, mund të gjesh edhe pluhur që sillet nëpër këmbët e udhëtarëve, por që nuk mund të pengojnë të vërtetën, pavarësisht se cili do të jetë vendimi një tufë deputetësh, gjysma e të cilëve mund të mendojnë se Kadare është një biznesmen, ose, në fund të fundit, një njeri që ka në dorë të të afrojë një tender të madh.

Kadare vazhdon të jetojë nëpër shkrepëtima. Ky ishte fati i tij.

Si duket, jo më kot, dikush ka krijuar edhe liliputët.

Dhe stuhitë sahariane kundër një perandorie Kadareane ngrihen sa herë që përafron nominimi për çmimin Nobel.


24 Gusht 2018