Jump to content

Për alfabetin e gjuhës shqipe

Nga Wikibooks

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

(Me shkas nga libri “Rreth Alfabetit të shqipes” të prof.dr. Xhevat Lloshit)

Gjuha është një nga tiparet themelore të kombit dhe gjithë strukturimit të tij nga lart poshtë. Në historinë e popullit shqiptar, veçmas gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare çështja e gjuhës së shkruar u kthye në një aksion imediat, të domosdoshëm dhe të vazhdueshëm.

Në historinë e kësaj lëvizjeje ne kemi shembuj të shumtë patriotik, atdhetar dhe kontribues të kësaj fushe. Pavarësisht se gjuha e shkruar është një dukuri kulturore, ajo ka rëndësi të veçantë dhe për shkakun e plotësimit të shumë veprimtarive të tjera jetësore, qofshin ato ekonomike, tregtare, të veprimtarive fetare apo dhe të shtetit.

Sado që të kalojnë vitet dhe koha, aktualiteti i përhershëm i Kongresit të Manastirit (1908) nuk do të zbehet asnjëherë, pasi mbas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ky kongres është dakordësia më e madhe e njerëzve të dijes shqiptare, që përveç njësimit të alfabetit të shqipes, akti është fundamental, i cili riaktivizon një mori fenomenesh dhe aktesh të tjera kombëtare shqiptare, deri në angazhime politike të kohës, të cilat marrin një rëndësi jetike për vendin dhe kohën.

Si i tillë, Kongresi i Manastirit do të mbesë një ngjarje jo vetëm historike, por kulturore, shkencore, bashkëpunues dhe i nevojshëm për interpretime qoftë të fushës gjuhësore, burimeve historike dhe të dijes linguistike, krahasuese, të traditës së vendit dhe traditës evropiane apo ballkanike të alfabetit, por dhe si një akt qytetar, brenda të cilit ishte nevoja e shqiptarëve.

Studiuesi shqiptar, me dije të gjera shkencore, historike të dijeve gjuhësore dhe kulturologjike, interpretim i mrekullueshëm dhe elegant i metodës moderne të komunikimit të dimensionit intelektual, prof. dr. Xhevat Lloshi, pas shumë punimeve të tjera mbi alfabetin në gjuhën shqipe, i rikthehet këtyre zhvillimeve në një botim posaçërisht për alfabetin me punimin shumëdimensional të titulluar “Rreth alfabetit të shqipes”, (2008), në nderim të përvjetorit të Kongresit të Manastirit.

Them një punim shumëdimensional për shkakun e “thyerjeve” të shumta që ka punimi, për shkak të vështrimit historik mbi punën e alfabetit të shqipes, punimet e kongresit në mënyrë integrale dhe specifike, për raportet e brendshme që kishin pjesëmarrësit në kongres, për alfabetet e kohës dhe qëndrimi korrekt për alfabetin më jetëgjatë dhe më funksional, për gjendjen historike dhe aktuale të shkrimit të shqipes në trevat shqiptare, krishterimin, tekstin e parë të shkruar shqip, përdorimi i shkronjave greke, pastaj ato latine, për kontribues të shumtë të gjuhës dhe tekste të rëndësishme, çështja e arbëreshëve të Italisë, arbëreshët e Greqisë, përkthimet dhe shumë çështje të tjera të rëndësishme që i “qerthullon” çështja e shqipes, për të arritur në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes në vitin 1972, në standardin e saj.

Siç shihet, “aventura” për të arritur në atë që sot kemi në gjuhën shqipe, ka qenë e gjatë, me ulje e ngritje, me interpretime të shumta, që kanë kaluar përmes etapave të shumta të saj. Prof. Lloshi është një nga njohësit më të mirë të kësaj fushe. Kthimi gjithherët në dakordësinë e Kongresit të Manastirit, do të jetë një nevojë për ekuilibër sa herë që për arsyetimet bazike të shqipes do të kenë sugjerime apo debat.

Së pari, duhet shënuar se Kongresi i Manastirit nuk vinte nga një terren djerr. Prof. LLoshi njofton në retrospektivat e detyrueshme të studimit se, shqiptarët kishin traditë shkrimi dhe më parë, që nga Formula e Pagëzimit apo dhe më parë, pavarësisht mungesës së dokumenteve apo teksteve të shkruara, pasi cilido që ka njohur një gjuhë tjetër ka shkruar. Pra tradita e shkrimit nuk ka munguar. Duke qenë një nga momentet më të rëndësishëm për gjuhën shqipe, këtij kongresi i ka shërbyer mjaft nga pikëpamja leksikografike “Fjalori gjuhës shqipe” (1904) i Kristoforidhit, si një përvojë e nevojshme, që më pas do të ndiqej dhe nga “Fjalori i Bashkimit”.

Përvojat leksikografike janë të rëndësishme, për shkakun e një tradite të qëndrueshme për një gjuhë të caktuar, mënyrën e paraqitjes së fjalëve dhe leksikologjinë e tyre. Kristoforidhi kishte një përvojë praktike të rëndësishme për çështjet e përdorimit të alfabetit, pavarësisht se ai ka përdorë atë grek. Praktika e rëndësishme e fjalorëve vijoi sistematikisht dhe mbi kritere të pranuara pas vitit 1944, ndërsa projekti i rregullave drejtshkrimore të drejtshkrimit u botua që në vitin 1967, e më pas në vitin 1972, në “Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit” u vendos të hartohet “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”.

Në kohën kur mblidhej Kongresi i Manastirit në Shqipëri dhe kudo shkruhej shqip dhe përdoreshin katër alfabete; alfabeti i Stambollit, i cili ishte “… një zgjidhje kompromisi, si një kompromis që theksohej duke u quajtur “alfabet kombëtar”. Ai ishte hapi i fundit, përpara se të arrihej shkëputja vendosmërisht nga alfabeti grek”, që ishte përhapur vetëm në Shqipërinë e Jugut dhe Shqipërinë e Mesme. Në Shqipërinë e Veriut (Shkodër) përdoreshin tri alfabete; ai i shoqërisë “Bashkimi” (1899), i “Agimit” (që përdorej nga jezuitët) dhe alfabeti i shkrimtarëve të vjetër të Veriut (katolikëve), por në rrethanat e reja, kur shkollat shqipe ishin shtuar, domosdo kërkohej që të përdorej një alfabet kombëtar për shkollën shqipe.

Në Kongresin e Manastirit (Manastiri ishte një nga qytetet ku kishte një veprimtari atdhetare dhe kulturore të rëndësishme për kohën, por dhe të atdhetarëve të njohur që kontribuonin në këtë qytet) pati një pjesëmarrje të gjerë gjithëkrahinore dhe mbarëkombëtare, gjithëfetare dhe gjithë rrymash, morën pjesë lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba; veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajo e Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Gligor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu (nga Shkupi), Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resna) etj.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë: Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi, të cilët rrafshuan të gjitha moskuptimet dhe hatërmbetjet që u shfaqën apo mund të shfaqeshin. Ndërsa Atë Gjergj Fishta, mbante një fjalim emocionues, saqë përqafohej nga një fetar mysliman, kreu tjetër Mit’hat Frashëri ia kthente nderin duke i kujtuar atij dhe pjesëmarrësve Shkodrën, si i vetmi qytet ku është folur dhe shkruar shqip. Me 150 delegatë, kongresi, zgjodhi anëtarët e Komisionit të Alfabetit, të cilët ishin: Atë Gjergj Fishta (kryetar), Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Gjergj Qiriazi (protestant), Dom Ndre Mjeda, Grigor Cilka (protestant), Taqi Buda, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Bajo Topulli, Nysret Vrioni dhe Fineas Kenedi (protestante), vëzhguese amerikane.

Kongresi nuk mbështeti asnjërin nga alfabetet që përdoreshin në Jug dhe Veri apo gjetkë, ai vendosi me votë unanime të lërë mënjanë alfabetin e Stambollit dhe të shkruhej në gjuhën shqipe me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabeti që përdoret dhe sot. Siç dhe kuptohet dhe është zbuluar nga historianët e gjuhës, Kongresi dhe Komisioni i Alfabetit ka qenë një forum i hapur, mjaft bashkëpunues, pasi vetëm Dom Ndre Mjeda nga trembëdhjetë propozime që i ka paraqitur komisionit për çështje të ndryshme të alfabetit tetë prej tyre janë miratuar.

Para se të hyjmë dhe në interpretime të tjera të Kongresit të Manastirit dhe alfabetit të shqipes, duhet shënuar se me të drejtë historianët e historisë së alfabetit se kongresi shënoi heqjen dorë nga Orienti dhe kthimi përfundimtar nga Perëndimi, por një nga vendimet e tij të rëndësishme për kushtet historike dhe politike të vendit kishte të bënte me programin prej tetëmbëdhjetë pikash që ai miratoi. Programi tetëmbëdhjetë pikash do t’i paraqitej parlamentit turk nga delegati i Kongresit të Manastirit Shahin Kolonja, ku vendin kryesor e zinin kërkesat politike, pasi alfabeti i shqipes kishte të bënte thelbësisht me kombësinë shqiptare, gjuhën shqipe, ç’ka nënkuptonte dhe kërkesën për autonominë e Shqipërisë.

Prof. Xhevat Lloshi ka krijuar një marrëdhënie dhe një interpretim të gjerë lidhur me njësimin e alfabetit të shqipes, i cili u vendos në Manastir në vitin 1908, duke e interpretuar shkencërisht, historikisht dhe gjuhësisht këtë dakordësi të njerëzve të dijes gjuhësore, historike, leksikografike dhe politike gjithashtu. Ndërsa lidhja e afërt e alfabetit të shqipes ishte kryesisht me Kristoforidhin, apo dhe me fjalorin e 1908 të “Bashkimit”, përpjekjet e para të shqiptarëve për të arritur në një alfabet të përbashkët janë më të hershme, ndoshta që nga viti 1864.

Përkthimet e Kristoforidhit, në bashkëpunim me nismën e Shoqërisë Biblike për Britaninë e Madhe dhe Vendet e Huaja (BFBS), që u angazhua në përkthimin e Biblës në shqip, krijoi një përkujdesje të tij për të njohur nga afër dialektin gegë, pasi përkthimet e tij kërkoheshin në dialektin e Jugut dhe atë gegë. Në një deklaratë të përfaqësuesit britanik në shqip të Biblës, Hoxhson, i cili shënonte: “nuk ka dyshim se alfabeti latin, i vë më afër shqiptarët në kontakt me jetën moderne dhe mendimin e Evropës Perëndimore” me ç’rast informohej, se natyra e shkronjave shqipe kishte pasoja vendimtare për veprimtarinë e mëtejshme në Shqipëri.

Kjo do të thoshte se vendimi i Kongresit të Manastirit lidhur me alfabetin, mbi bazën e latinishtes u pranua ndërkombëtarisht, ndërsa për shqiptarët ky moment konsiderohet si njësimi i ndërgjegjes kombëtare. Më pas, po një përfaqësues i Shoqërisë Biblike, Hodgson (1909) njofton për provën që ka kaluar përkthimi në shqip i botimeve biblike me alfabetin latin.

Përvoja e mirë që demonstroi Kongresi i Manastirit u vijua në përvojat të tjera, siç është dhe Kongresi i Elbasanit (1909), i cili e konsideroi të ezauruar çështjen e alfabetit, por në të u rekomandua që e folmja e Elbasanit të përdorej për të gjithë shqiptarët, e cila në të vërtetë ishte një hallkë e rëndësishme që lidhte dy dialektet (atë gegë dhe atë toskë), i cili gjen jehonë në korrespondencat e huaja, veçmas ato angleze, që i adresoheshin dhe Eduart Greit, një personalitet i rëndësishëm i diplomacisë, ku shfaqet tendenca kombëtare dhe dakordësia për çështjet thelbësore të qeverisë – komb, për propozimin e të folmes së Elbasanit si një gjuhë që nuk duhet ta kundërshtonin as gegët dhe as toskët.

Prof. Lloshi i kushton një vend të veçantë konceptit të abece-së, e cila është një bashkësi shenjash grafike të një sistemi shkrimi, apo një sistem shkrimi, sistem shkronjash për të dhënë me shkrim tingujt e një gjuhe. Alfabeti latin është konsideruar një tip shkronjash, të cilat përdoren nga gjuhë të ndryshme.

Ndërsa alfabeti grek, pavarësisht i njohur që herët, që nga viti 900 para e.r, i krijuar në Azinë e Vogël, ai prej 24 shkronjave që ka vetëm 18 mund të shërbejnë për alfabetin e gjuhës shqipe. Siç u shënua dhe më parë historia e shkrimit për shqiptarët lidhet qartësisht me kontributin e shqiptarëve që njihnin një gjuhë tjetër.

Ndërsa shkrimi i parë në trevat ilire ndeshet në trevat helene të Bregut të Detit që në shekullin V para erës së re, kryesisht me alfabetin arkaik grek. Përdorim të dendur të shkrimit të kësaj kohe gjenden në gurët e varreve. Më pas, pushtimi romak, në shekullin II-të p.e.r solli në praktikën e ditës dhe të veprimtarive njerëzore gjuhën latine.

Prof. Xhevat Lloshi sjell në vëmendje dhe historinë e përkthimit në gjuhën shqipe, e cila lidhet ngushtësisht dhe më historinë e alfabetit, që më së shumti lidhet me përkthimet e librit të shenjtë “Biblën”, e cila zë kohën që nga viti 1816.

Duke përshkruar këtë ngjarje, të cilën ai e quan të rëndësishme, profesori sjell në vëmendje të shtypurit të përkthimit në shqip përmes alfabetit grek, ku shfaqen vështirësi të dukshme për të shprehur disa tinguj shqip në alfabetin grek, pra tinguj që nuk i ka greqishtja. Në këtë kohë mësohet se janë botuar shkrime të misionarëve katolikë, të cilët kanë shkruar në alfabetin latin. Pra, latinishtja ka një prani të hershme dhe të suksesshme në historinë e shkrimeve dhe përkthimeve shqip.

Praktika me këtë alfabet ka qenë e lehtë që nga gramatika e Da Lecces (1716), dhe më së hershmi që nga fjalori i Bardhit (1635). Letërkëmbimet me Londrën në këtë kohë, pasi kjo periudhë zë një angazhim të rëndësishëm të përkthimit të “Biblës” nën kujdesin e “Shoqërisë Biblike për Britaninë e Madhe dhe Vendet e Huaja” (BFBS), prej ku informohemi për çështjet e nevojash së alfabetit të shqipes, pavarësisht kontekstit, materialet e shtypura në këtë rast u përshtatën me shkronja diakronike, madje duke iu drejtuar dhe alfabetit latin.

Prof. Lloshi hedh vështrimin tek arbëreshët e Italisë, në të cilët plekset një problematikë e gjerë dhe e diskutueshme, të cilët më së shumti, duke qenë ortodoks, siç kuptohet kanë shtegtuar me alfabetin grek, të trashëguar, i cili është më së shumti i pranishëm (me katër shkronja) dhe tek De Rada. Rritja e lëvizjes kombëtare, si faktori më i rëndësishëm i kohës, parashtroi dhe tek arbëreshët, veçmas gjatë kohës së De Radës (gjatë viteve 1800), gjetjen e një zgjidhje të përbashkët.

De Rada, tek i cili “qerthullohet” një problematikë e gjerë dhe e madhe iu drejtua alfabetit latin, duke ruajtur vetëm një shkronjë greke. “Milosao” u botua në latinisht me ca shkronja greke konvensionale, por më vonë ai u rikthye përsëri tek përdorimi (d.m.th prania) e katër shkronjave të alfabetit grek, të përdorura tradicionalisht në shkrimet dhe alfabetin e arbëreshëve të Italisë. Diskutime ka me Kamardën, shënon prof. Lloshi, për të cilin ai mendon se ka botuar në italisht, përkundër ndonjë tjetri, që mendon se ai ka shkruar në greqisht. Në vitin 1867 De Rada dhe Kamarda kanë përdorur alfabetin latin.

Natyrisht historia dhe rrethanat e alfabetit kanë lidhje të kuptueshme me zhvillimet në Ballkan dhe marrëdhëniet kulturologjike dhe të fushave të tjera që shqiptarët kishin me këtë mjedis. Si me latinët dhe me grekët lidhjet ishin të hershme, por gjatë këtyre kohëve nuk ishin shfaqur referime të thella dhe tendenca për proteksione politike. Kështu, në fillim të shekullit XIX, pas ngjarjeve të natyrës nacionaliste të Pashallëkut të Janinës (Ali Pashës) nga ana e politikës greke nuk do të pëlqehej më mbështetja e shkrimeve të shqipes, qoftë dhe me shkronjat greke.

Në këtë kohë do të ndërmerreshin veprime që shqiptarët të mos shkruanin gjuhën greke dhe pse shqiptarët nga ana e tyre po bënin përpjekje që të kishin një zhvillim të tyrin lidhur me çështjen e alfabetit, pavarësisht se një literaturë e madhe, libra, studime, kronika historike, letërsi artistike etj të shqiptarëve, veçmas të trevës së Jugut të Shqipërisë ishin shkruar dhe vijohej të shkruheshin në alfabetin grek.

Në këtë kohë shfaqet Abetarja e Veqilharxhit, e cila ishte një reagim konkret, një angazhim dhe veprim konkret për të shmangur alfabetin grek. Por pavarësisht kësaj, mbishkrime të shumta greke do të mbeteshin për nevojat e kishës, pavarësisht se në gjuhën greke ishin shkruar libra, vepra të përkthyera dhe libra artistikë, qoftë dhe nga mesi i Shqipërisë, nga Elbasani.

Lidhur me zhvillimet e çështje së alfabetit shqip, përkundër dhe në kontekst me atë të përdorur mjaft nga shqiptarët, atë grek, për të kuptuar mirë atë që kishte ndodhur dhe po ndodhet, duhen parë dhe zhvillimet historike, nëpërmjet të cilave shfaqen dhe zhvillimet politike të mëvonshme.

Pas pjesëmarrjes së arbëreshëve në Revolucionin grek, kur dhe në parlamentin grek mund të flitej shqip, shqipja në Greqi u përball me ndalimin përfundimtar të ushtrimit dhe komunikimit publik. Gjatë kësaj kohe, përmes kronikave të kohës, tregohet se arvanitasit nuk e pëlqenin greqishten. Në këtë kohë Selaniku nuk ishte në territorin e Greqisë, prandaj shumë shqiptarë kishin frekuentuar Zosimenë, duke menduar se nuk kishte një çështje shqiptare në shtetin grek.

Dëshmi interesante për këtë kohë sjellin shumë shqiptarë të njohur, botues dhe hartues fjalorësh, themelues gazetash dhe librash në Greqi, në tekstet e të cilëve ka lëndë filologjike dhe kumtuese për çështjet e alfabetit dhe të pranisë së shqipes. Një nga figurat e njohura është leksikografi Kupitori, i cili la një fjalor greqisht- shqip, në të cilin gjenden dhe trajta të gegnishtes, duke treguar se një interesim për shqipen ishte prezent në këtë kohë.

Duke e parë një një kompleks të gjerë, qoftë vertikalisht, por dhe në retrospektiva të shumta dokumentare, madje të zhvilluara në konceptet e zhvillimeve gjuhësore, prof. Lloshi referon arsyetime bazike në gjithë kompleksin e vet periudhën e viteve 1800 e në vijim, në gjithë spektrin e të shkruarit me alfabetin grek të shqiptarëve, posaçërisht të linguistit dhe përkthyesit më emblematik të kohës, të Kristoforidhit dhe praninë e çështjeve të alfabetit në albanologë dhe autorë të tjerë të njohur, deri në zhvillimet që çuan në kundërshtimin e shkronjave greke.

Këtë kundërshtim përveç faktorëve të tjerë e nxitën radikaliteti politiko – historik pas Kongresit të Berlinit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe përhapja e alfabetit të Stambollit, i cili kishte një nismë relativisht të hershme mu në zemër të Perandorisë otomane. Intelektualët e kohës dolën hapur ndaj përdorimit të alfabetit grek dhe kundër gjithë armiqve që kërkonin të eliminonin çdo nismë për krijimin e një alfabeti shqiptar të gjuhës shqipe.

Pas Kongresit të Manastirit, në të cilin u vendos që të përdorej alfabeti shqip mbi shkronjat latine, nuk ishte një gjë e lehtë, pasi alfabetet e stambollistave, ata të “Bashkimit” dhe të ndonjë përvoje tjetër e kishin të vështirë të shkëputeshin nga përvoja e tyre. Thuhet se i dyzuar në ndonjë rast qe dhe Mit’hat Frashëri, i cili shkruante me alfabetin e “Stambollit”.

Prof. Xhevat Lloshi i kushton një vend të rëndësishëm në studimin mbi alfabetin e shqipes punës leksikografike, kryesisht fjalorëve të Kristoforidhit, në punën e të cili ka një problematikë të madhe që lidhet kryesisht me alfabetin e gjuhës shqipe.

Që në krye të herës, duhet shënuar se Kristoforidhi ishte fort i lidhur me mësimin dhe përdorimin e shqipes në shkollat e qytetit të tij të lindjes, Elbasanit. Mjafton të sjellim në vëmendje të shprehurit të tij se:”Qytetarët e varfër i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat greke, që të mësojnë lexim e shkrim në një gjuhë të huaj, përpara se të kenë mësuar gjuhën e tyre amtare gramatikisht, dhe nxënësit janë të detyruar të mësojnë përmendësh rregullat e gramatikës mekanikisht, pa e kuptuar, e në këtë mënyrë shpenzojnë shtatë ose tetë vjet të jetës së tyre e zor se i kuptojnë autorët grekë.”, për të kuptuar nevojën që ai ndjente për gjuhën, shkollë dhe alfabetin shqip.

Çështja e alfabetit shqip Kristoforidhit i ka dalë vazhdimisht gjatë punës për përkthimin e “Biblës” në shqip, jo vetëm në toskërisht, por dhe në gegnisht, ku njihet gjithashtu dhe një kërkesë në Shkodër, që librat e përkthyer të shtypeshin në latinisht.

Në këto kushte, qoftë përfaqësuesit anglez, por dhe vetë Kristoforidhi do të ishin shumë të lidhur me alfabetin e shqipes, si një nevojë e librit të shkruar shqip. Prof. Lloshi e shtjellon të gjithë situatën, e cila vërtitej dhe qe “shkaktuar’ për arsye të botimeve të “Shoqërisë Biblike për Britaninë e Madhe dhe Vendet e Huaja “(BFBS). Në këtë rast nuk është vendi të merremi me këtë çështje, e cila është teknike, e raportuar dhe e reflektuar, përveç nevojës, e cila përbën thelbin e zhvillimeve lidhur me alfabetin shqip.

Në historinë e alfabetit shqip, Kristoforidhi ka dhe një kontribut të qartë shkencorë në një punim me titull “Vështrim krahasues të sistemeve alfabetike”, ku u bë shumë punë dhe progres përmes debateve me anglezët, gjatë procesit të vazhdueshëm të botimeve të përkthimeve të tij. Kristoforidhi krahas përkthimeve, në të cilat u mishërua gjithë problematika për shqipen dhe shkrimin shqip, natyrshëm dhe alfabetit të shqipes, ai u përfshi në debatet për shumë probleme të kësaj natyre, të cilët më së shumti përbënin një zhvillim të nevojshëm, ku reflektojnë rreth tridhjetë vite përvojë, ai botoi “Fjalorin e gjuhës shqipe” (1904), në të cilin u mishëruar gjithë përvoja, idetë dhe çështje të tjera pragmatike që ai kishte për këto çështje dhe për gati 15 vjet shkrimet e tij kanë vijuar të përbëjnë rrjedhën e rëndësishme të lëvrimit të gjuhës shqipe dhe konteksteve të tjera.

Studimi “Rreth alfabetit të shqipes” i prof. dr. Xhevat Lloshit është një punim i gjerësishëm, interpretues, hulumtues, ku praktika e historianit të gjuhës shqipe plekset mjaft mirë me atë të studiuesit të shqipes, ndërvarësi të natyrshme të leksikografisë, gramatikës, gjuhës si shenjë dhe si sistem dhe çështje të tjera anatomike në rrjedhë të kohës.


Tiranë – Vlorë, nëntor 2018