Për Inën e gjymtuar, shpellarët dhe policinë e nëpërkëmbur

Nga Wikibooks

Nga Arben Duka

Për pozitën çdo gjë e keqe që ndodh në Shqipëri ka lidhje me opozitën. E në të kundërt për opozitën çdo gjë e keqe që po na ndodh, ka lidhje me pozitën. Unë jam partizan i aksiomës se asgjë nuk ndodh rastësisht.

Ne kemi vite që shohim e dëgjojmë çdo ditë sjellje agresive dhe gjuhë shpellash që frymëzon lumpenët dhe barbonët e shoqërisë sonë të çoroditur.

Çfarë po ndodh me Unazën? Kemi një konflikt real midis një komuniteti të ngushtë që po u rrezikohen shtëpitë dhe pronat,me shtetin.

Në kuptimin njerëzor, human ne jemi në anën e këtyre banorëve,gjer në momentin që halli i tyre i madh bëhet “kauza” e radhës e opozitës. Pas kësaj deputetë e politikanë i hedhin benzinë zjarrit,duke bërë deklarata të rënda e provokuese.

Këta “liderë” që flasin sikur sapo kanë dalë nga shpellat janë frymëzuesit kryesorë të dhunës. Ata nuk i ndihmojnë banorët e Unazës, dhe as duan ti ndihmojnë ata.

Ata i përdorin hallexhinjtë në mënyrën më të papërgjegjshme e më të ndyrë të mundshme. Ata fusin në protestë instinktin e dhunës dhe rrugaçët profesionistë që duhet të ishin në burgje bashkë me Daliun nëse premtimet elektorale do mbaheshin.

Që të rikthehemi te protesta: Transferimi i saj nga unaza tek godina e Kuvendit është transferimi i paramenduar i dhunës. Gjithë “dufi” i akumuluar për 19 ditë u shfry mbi forcat e policisë që qenë me shumicë femra police.

Nuk kemi të bëjmë me policë të patrainuar si po thotë i pandëshkuari Basha, po me një polici më të butë se ç’duhet. Kam debatuar disa herë me titullarë të lartë të policisë, për pamundësinë e policëve për të përballuar protestues “të egër” të armatosur me gurë e molotov, dhe policë që s’u lejohet as shkopi i gomës në këto lloj tubimesh, që shpesh degjenerojnë në dhunë të hapur.

Nëse diku policia reagon ashpër kundër këtyre barbonëve, menjëherë fillon të ziej fort i gjithë kazani mediatik, opozita dhe shoqëria civile. Për dhunën e qytetarëve karshi forcave të policisë nuk e ngre kush zërin!

Policia nuk është trupë baleti, por organ dhune i forcës së ligjit. Kur ajo nuk mbron dot veten e vet,se ligji i tubimeve i ka hequr çdo mjet mbrojtës,si do t’i mbrojë qytetarët?!

Dje një vajzë e re, shërbëtore e ligjit, humbi gishtat e dorës nga dhuna e shpellarëve. Kur deputetja Kërpaçi gërvishti pak dorën, Monika ja ngrinte lart e ja tundte si flamur. Po sot ku ishte?

Policia është e shtetit, një pasuri e paçmuar kombëtare, nuk është pronë e Edi Ramës. Këta, nga urrejtja që kanë për Ramën,lumturohen kur “policët e tij” gjakosen. Sa turp. Çfarë cektësie politike.

Kemi parë protesta në vendet më demokratike të Botës,kemi parë se si valon shkopi i gomës,si hidhen granata tymuese e gaz lotsjellës mbi protestuesit dhe askujt nuk i shkon në mëndje t’i akuzojë për dhunë,se njerëzit, shumica, më së pari duan paqe e qetësi.

Nuk përballohen dot nga vajza 20 vjeçare këta barbonë. Aty duhen burra të fortë e sypatrembur. Presim që për dhunuesit e policisë së shtetit të ketë masa ekstreme. Po nuk e mësuan të gjithë njëherë e mirë se policia është e paprekshme, shpellarët nesër do vrasin dhe policë.

Nuk ka shqiptar që nuk ka pasur një hall e problem e që s’ka trokitur në dyert e policisë. Publiku i gjerë, populli pa diskutim e pa dallim duhet të jetë në anën e policisë,e cila ka ekspozim të drejtpërdrejtë karshi krimit. Prokuroria duhet të ngrejë e mbrojë menjëherë akuza serioze për dhunuesit e policisë dhe jo të bëhet lepur nga presionet e deputetëve të opozitës që “ngujohen” nëpër komisariate,për të nxjerrë trimat e tyre nga burgu.

Ne përsërisim apelin e përhershëm:”Larg duart nga policia!” Frymëzuesit e dhunës së djeshme mbi policinë e shtetit janë vrasësi i pandëshkuar Sali Berisha dhe krerët e së ashtuquajturës opozitë.


22 nëntor 2018