Osea - Kapitulli 1
|
1 Fjala e Zotit që iu drejtua Oseas, birit të Beerit, në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Ashazit dhe të Ezekias, mbretit të Judës, në ditët e Jeroboamit, birit të Joasit, mbret i Izraelit.
2 Kur Zoti filloi t'i flasë Oseas, Zoti i tha atij: "Shko, merr për grua një prostitutë dhe ki fëmijë të kurvërisë, sepse vendi po kurvërohet duke u larguar nga Zoti".
3 Kështu ai shkoi dhe mori për grua Gomeren, bijën e Diblaimit, e cila u mbars dhe i lindi një djalë.
4 Atëherë Zoti i tha: "Vëri emrin Jezreel, sepse brenda një kohe të shkurtër unë do të marr hak për gjakun e derdhur në Jezreel mbi shtëpinë e Jehut dhe do t'i jap fund mbretërimit të shtëpisë së Izraelit.
5 Po atë ditë do të ndodhë që unë do të thyej harkun e Izraelit në luginën e Jezreelit".
6 Ajo u mbars përsëri dhe lindi një vajzë. Atëherë Zoti i tha Oseas: "Vëri emrin Lo-ruhamah, sepse nuk do të kem më mëshirë për shtëpinë e Izraelit, por do t'i heq të gjithë.
7 Përkundrazi do të kem dhembshuri për shtëpinë e Judës dhe do t'i shpëtoj me anë të Zotit, Perëndisë së tyre; nuk do t'i shpëtoj me harkun as me shpatën apo me betejën, as me kuajt ose me kalorësit".
8 Kur zvordhi Lo-ruhamahen, ajo u mbars dhe lindi një djalë.
9 Atëherë Zoti i tha Oseas: "Vëri emrin Lo-ami, sepse ju nuk jeni populli im dhe unë nuk jam Perëndia juaj.
10 Megjithatë numri i bijve të Izraelit do të jetë si rëra e detit, që nuk mund të matet as të llogaritet. Dhe do të ndodhë që në vend që t'u thuhet atyre: "Ju nuk jeni populli im", do t'u thuhet atyre: "Jeni bijtë e Perëndisë së gjallë".
11 Pastaj bijtë e Judës dhe bijtë e Izraelit do të bashkohen tok, do të zgjedhin për veten e tyre një prijës të vetëm dhe do të dalin jashtë vendit të tyre, sepse e madhe do të jetë dita e Jezreelit".