Jump to content

Opera e parë shqiptare “Mrika” feston sot 60 vjetorin

Nga Wikibooks

Opera e parë shqiptare “Mrika” e kompozitorit të shquar shqiptar Prenk Jakova (1917–1969) me libret të shkrimtarit Llazar Siliqi, u shfaq më 1 dhjetor të viti 1958 në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Ishte opera më katër akte dhe e vënë në skene nga regjisori Andrea Skanjeti, shkruan KultPlus.

Ketë vepër që ishte një proces krejtësisht i ri, në të gjithë veprimtarinë e tij krijuese, Prenk Jakova e pasuroi me këngë, valle, pjesë korale, arie, duke e bërë atë një operë kombëtare. Puna për operën filloi në vitin 1956. Me një punë këmbëngulëse e vullnet të fortë, Prenk Jakova fillon të hedh në partiture notat e muzikës që ai kishte në imagjinatën e vet. Te gjithë punimet mbasi i kalonte në piano, çdo pasdreke deri natën vonë, i konsideronte të përfunduara. Kompozitori ishte shumë i vendosur dhe këmbëngulës për ta çuar punën deri në fund ashtu siç e kishte programuar ai vet. Në maj të vitit 1958 filloi puna për vënien në skenë të operës.

Provat bëheshin herë në shtëpinë e kulturës (më vonë filarmonia e qytetit) herë në teatrin Migjeni, përfundimisht më 27 nëntor bëhet prova e përgjithshme. Kurse më 1 dhjetor 1958 u bë shfaqja e operës e cila pati një sukses të madh. Drama muzikore u vu me sukses të plotë nga trupa e Shkodrës. Suksesi ishte jo vetëm për kompozitorin por edhe për libretistin Llazar Siliqi, regjisorin Andrea Skanjeti, këngëtarët, korin, valltarët dhe orkestrën.

Kur Prenk Jakova zuri vend në podin e vet të dirigjimit, para orkestrës, i veshur me një kostum jeshil i errtë, me një paraqitje elegante. Pesë minuta para se të fillonte flautisti i parë Tish Hila, që ishte njëkohësisht edhe argjendar i dhuron Prenkës një shkop ari si dhuratë nga orkestra, me të cilin do të dirigjonte Prenk Jakova operën atë natë.

Ngjarjet e operës “Mrika” zhvillohen në vitet e 50-ta dhe në to përshkruhet jeta e një vajzë mirditore dhe e familjes së saj. Aria e Mrikës, “dielli ka perendue”, ka një ton lirik dhe shume tërheqës, po ashtu edhe aria e aktit të dytë “Oh ! Ç’janë këto trazime” është po aq e bukur, tërheqëse dhe me shumë elemente lirike dhe dramatike ashtu si e gjithë muzika që kompozitori ia ka përshtatë vendit të ngjarjes, dialektit të të folurit, veshjes dhe botëkuptimit.

Për herë të parë opera “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova u interpretua nga artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë në 26 nëntor 1959. Një foto e nxjerrë nga arkiva e TKOBAP na risjell të gjallë interpretimin e Marie Krajës, në rolin e Mrikës dhe Ibrahim Tukiçin, në rolin e Dodës.


1 dhjetor 2018