Një vizitë nga Kongresi i Manastirit në Korçë

Nga Wikibooks

Me rastin e 110-vjetorit

Prof. Xhevat Lloshi

Deri kohët e fundit askush nuk e dinte, se për Kongresin e Manastirit në nëntor 1908 kishte folur edhe një amerikane: Violeta Kenedi. Ishte e bija e Luis Bondit (Lewis Bond, 1839-1919), një misionar amerikan, i cili erdhi më 1882 në Manastir bashkë me dy të tjerë. Rastisi që ata zunë banesë prapa shtëpisë së familjes Qiriazi. Njëri prej tyre e ndihmoi Sevastinë e vogël kur ishte sëmurë dhe pas kësaj familjet u miqësuan. Më 1884 me të gjitha mundësitë ai është marrë për ta liruar Gjerasimin, që e kishin zënë peng kaçakët. Më vonë e ka ndihmuar vëllanë tjetër, Gjergjin, që të paguante një gjobë të rëndë, të cilën ia kishin vënë komitët bullgarë dhe që nuk mund ta paguante.

Violeta lindi më 1870 (vdiq më 1952), domethënë ishte vetëm një vit më e madhe se Sevastia dhe prej kësaj mësoi shqipen. Bashkë ishin nxënëse në Kolegjin amerikan të Stambollit, prandaj është e tepërt të them se ishin shoqe të ngushta. I ati doli në pension më 1904 dhe u kthye në SHBA. Atje ajo u njoh me pastorin presbiteran Fineas Kenedin (Phineas Kennedy, 1867-1963) dhe u martuan. Të dy ishin të parët misionarë amerikanë, që erdhën në mars 1908 për të qëndruar në Shqipëri. Violeta hyri mësuese në shkollën e vajzave të Korçës, por jepte mësim frëngjishten dhe muzikën në shkollën e djemve, ndërsa i shoqi më vonë do të bëhej edhe drejtor i saj. Fati i këtij çifti amerikan në Shqipëri është mjaft i ndërlikuar dhe interesant, po nuk është rasti këtu për t’u zgjatur rreth jetës së tyre të mëtejshme.


Atdhetari i njohur Mihal Gramenoja, i cili qe një nga nënshkruesit e Vendimit të Kongresit të Manastirit, me rastin e dhjetëvjetorit të ngjarjes ka botuar një artikull në revistën e Parashqevi Qiriazit “Yll’ i mëngjezit” në Boston, në numrin 2-3 të vitit 1918, me titullin “I pari Kongres Kombëtar”, ku lexojmë: “Klubi i Korçës i ftoj me telegraf gjithë delegatët për një vizitë, po nga shkaku i punëravet dhe i rrugës, nuku muntnë të vijnë përveç se Nyzhet Bej Vrioni, Gurakuqi, Hil Mosi, Sotir Peci dhe Loni Naçi, të cilët u pritnë me nderime të mëdha.”

Vetëm dhjetë ditë pas mbylljes së Kongresit, më 3 dhjetor 1908, Violeta u ka shkruar një letër miqve të saj në Amerikë. Ishte e bindur, se ata kishin lexuar diçka nëpër gazetat e kohës për këtë “Konferencë të mrekullueshme”, por dëshironte t’u përcillte disa njoftime më të hollësishme. U tregonte, se kishin ardhur 150 delegatë nga anë të ndryshme të Shqipërisë dhe nga bashkësitë shqiptare në vende të ndryshme. Qëllimi në radhë të parë ishte të miratohej një alfabet i përbashkët. Kuvendi u mbajt në sallat e Klubit shqiptar dhe ai klub kishte qenë i pari që u organizua pas shpalljes së lirive në korrik. Në vlerësimin e saj, ishte një konferencë për herë të parë qartas kombëtare, që u mbajt nën qeverisjen osmane.

Atdhetari i njohur Mihal Gramenoja, i cili qe një nga nënshkruesit e Vendimit të Kongresit të Manastirit, me rastin e dhjetëvjetorit të ngjarjes ka botuar një artikull në revistën e Parashqevi Qiriazit “Yll’ i mëngjezit” në Boston, në numrin 2-3 të vitit 1918, me titullin “I pari Kongres Kombëtar”, ku lexojmë: “Klubi i Korçës i ftoj me telegraf gjithë delegatët për një vizitë, po nga shkaku i punëravet dhe i rrugës, nuku muntnë të vijnë përveç se Nyzhet Bej Vrioni, Gurakuqi, Hil Mosi, Sotir Peci dhe Loni Naçi, të cilët u pritnë me nderime të mëdha.” Por i pari që ka njoftuar për këtë vizitë ka qenë konsulli austro-hungarez Postlin Posfai në një raport për Ministrinë e punëve të jashtme në Vjenë të datës 30 nëntor 1908, domethënë vetëm pak ditë pas mbylljes së Kongresit. Sipas tij, në Korçë shkuan nëntë delegatë, domethënë edhe: Fehim Zavalani, Akile Eftimiu, Dhimitër Mole, Shefqet beu, ndërsa kjo më duket më e saktë, sepse Gramenoja mbështetej në kujtimet e veta. Posfai shton se u pritën me ceremoni nga populli, nga misioni amerikan dhe se nuk munguan edhe njerëz nga komiteti lokal i xhonturqve (ishin ende muajt e parë pas shpalljes së Kushtetutës nën veprimin e fuqishëm të shqiptarëve veçanërisht në Manastir), deri edhe nga disa grekomanë. Por njëkohësisht ai ka vënë në dukje, se: “Nga Korça do të niset rryma e fortë kombëtare, e cila do të duhet t’i bëjë ballë helenizmit që vjen nga jugu dhe ta prapësojë dalëngadalë.”

U zgjodh kryetar Mithat Frashëri, por Violeta e quan dragoman (përkthyes) të Hilmi Pashës, valiut të Selanikut, i cili më 1907 e mbajti çiftin Kenedi për disa muaj në Selanik, sepse nuk donte t’u jepte lejen për të kaluar në Shqipëri. Duke qenë vetë misionare, para së gjithash asaj i ka tërhequr vëmendjen toleranca fetare e shqiptarëve: “Të gjithëve u bëri përshtypje fryma e bukur e vëllazërisë, që u shfaq nga këta delegatë, duke përfaqësuar katër besime të ndryshme. At Fishta, katolik, prift nga Shkodra, mbajti fjalën më të mirë. Nuk po flas për temën e tij, por fjalët e tij bënë që të rridhnin lot nga sytë e gjithë dëgjuesve të tij. Një hoxhë mysliman apo një prift u prek aq shumë, saqë u sul ta përqafonte atë përpara gjithë auditorit”.



Megjithatë, e quaj të domosdoshme të shënoj veçan, se ajo e ka kapur thelbin e Kongresit. Dihet se në vendimin përfundimtar u lanë dy alfabete: ai i Stambollit me disa ndryshime dhe alfabeti i ri, ai që përdorim sot: “Pas shumë diskutimeve të zjarrta, u vendos që të mbahej përkohësisht ai që njihet si Alfabeti i Stambollit, i cili ka qenë i përhapur në Shqipërinë e jugut, por të miratohej si alfabet kombëtar ai latin, ai prej Veriut. Ky veprim do të konfirmohet nga një kuvend tjetër, që do të mbahet pas dy vjetësh në Janinë”. Me fjalë të tjera, Violeta e rroku qartë, se alfabeti i Stambollit ishte pranuar përkohësisht, për një periudhë kalimtare, ndërsa si alfabet kombëtar do të mbetej alfabeti i ri. Kjo pikë ka rëndësi thelbësore, sepse deri më sot ka autorë, të cilët e tjerrin gjatë çështjen, përse Kongresi i Manastirit la në përdorim dy alfabete. Edhe një e huaj si Violeta e kishte parë qartë, se delegatët kishin ardhur për një alfabet kombëtar, e kishin miratuar atë qysh në ato ditë dhe vetëm disa individë vijuan me kokëfortësi të përdornin alfabetin e Stambollit edhe për nja shtatë-tetë vjet. Vendimi i Kongresit të Manastirit ishte një kompromis vetëm i përkohshëm, por shqipja e kishte fituar një alfabet të vetëm dhe zhvillimet e mëpasme e vërtetuan përfundimisht, domethënë kompromisi ra si një lëvozhgë e konsumuar.

Nuk jam në gjendje ta saktësoj, por Violeta përmend dhjetë delegatë nga Manastiri, ndërsa Gramenoja numëron gjashtë bashkë me veten. Ata bënë një vizitë nëpër Korçë, qytet “të cilin shqiptarët e vështrojnë si një qendër arsimore dhe politike”. Pas dite të gjithë së bashku bënë një vizitë në Shkollën e vajzave. Violeta tregon, se kishin hapur një kurs ligjëratash, prej të cilit nxënëset ushtrohesin si të mbanin shënime dhe të gjenin lëndë për ato që atëherë u thoshin hartime, ndërsa ne sot i quajmë ese. Flisnin si rregull pedagogët e shkollave, ndërsa vinin për t’i dëgjuar edhe njerëz të tjerë të jashtëm, të cilët e vlerësonin shumë mundësinë që u jepej. Kurse atë mbrëmje u ftuan si përjashtim të flisnin delegatët e ardhur nga Manastiri. Salla e shkollës ishte mbushur përplot, asnjëherë më parë nuk kishte pasur më shumë dëgjues: “Sa shumë ishin të mbushur me vrull atdhetar, sa të etur ishin për të mësuar dhe për të ditur”.

Grigor Cilka, i cili kishte dhënë mësim në Shkollën e vajzave, sapo ishte liruar nga burgu në korrik dhe kishte qenë delegat nga Korça në Manastir, e paraqiti Fehim Zavalanin si kryetar të Klubit të Manastirit për të thënë dy fjalë të hapjes. Pastaj e mori fjalën Luigj Gurakuqi, i cili si delegat i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës dhe i arbëreshëve të Italisë, ishte zgjedhur nënkryetar i Kongresit dhe sekretar i Komisionit të posaçëm për alfabetin Ka qenë ai, që zbuloi një dërrasë të zezë përpara gjithë të mbledhurve, ku ishte shkruar alfabeti i vendosur nga Komisioni. Më mirë po jap të përkthyer shqip atë që ka shkruar Violeta në letrën e saj:

1. Gurakuqi është shkodran (nga Shkodra), i shkolluar në Itali. Ai është pak si poet dhe autor i një vepre për vjershërimin, si dhe i veprave të tjera. Tema e tij ishte se cilat arte ka nevojë të nxiten në Shqipëri. Pasi përmendi poezinë dhe muzikën, të cilat njerëzit i duan kaq shumë, ai foli duke vënë në pah se çfarë është lëvruar kaq pak në këtë vend deri më tash. Duke kaluar te disa ‘arte’ më praktike, ai e vuri theksin te bujqësia si më e rëndësishmja. Ai përmendi burimet vendëse të këtij vendi, fuqinë e mrekullueshme të ujërave, pasuritë minerale etj. Në mbyllje ai foli më në veçanti mbi nevojën e shkollave për arsimimin e përshtatshëm të të rinjve. Si një katolik, ishte domethënëse të vihej re se çfarë vlerësimi u bëri ai shkollave amerikane. Ai tha se Austria, Italia dhe Greqia kishin ngritur shkolla dukshëm për arsye politike, ndërsa amerikanët synonin të mirën e njerëzve, mes të cilëve ata ngrinin shkollat e tyre. Ai e mbylli me disa fjalë afërsisht kështu: “Ndërsa ne jemi ende të varfër, i lutemi Amerikës që të hapë shkolla të tjera në mbarë vendin tonë”.

Shihet se Violeta e njihte veprimtarinë e Luigjit mjaft mirë, domethënë e dinte se ai kishte botuar një libër për vjershërimin në gjuhën shqipe dhe prandaj ka përmendur poezinë. Një vit më pas Gurakuqi do të ishte drejtor i Normales së Elbasanit, ndërsa Violeta me kënaqësi ka regjistruar veçanërisht fjalët e tij për vlerësimin e shkollave amerikane dhe kërkesën, që të ndihmonin për hapjen e shkollave në Shqipëri.

I dyti foli Nyzhet Vrioni, delegat i Beratit, sekretar i Kongresit për turqishten dhe anëtar i Komisionit; ka qenë edhe sekretar i Ismail Qemalit, deputet në parlamentin e Stambollit. Violeta shkruan për të:

Ishte një mysliman nga Berati. Ai mburrej se e kishte prejardhjen nga familja Komneni, mjaft pjesëtarë të së cilës kishin mbajtur fronin bizantin që nga shek. XI deri në shek. XIII. Dokumentet që i zotëronte kjo familje shqiptare e provojnë të vërtetën e këtij mëtimi. Ndonëse familja e tij e drejtpërdrejtë është myslimane, degë të tjera të saj janë të krishtera. Nuslim Beu ishte shkolluar në Paris dhe kishte punuar me zell për të mirën e kombit të vet. Ai dhe i ati gjithashtu kishin vuajtur nga internimet, vetë për nja dymbëdhjetë vjet. Fjala e tij iu kushtua kryesisht nevojës për veprimtari të gjallë nga ana e shqiptarëve, që të përfitonin nga kjo liri e sjellë nga Zoti për të ndërtuar të ardhmen e Shqipërisë. Edhe ai foli gjithashtu me mirënjohje për shkollat tona.

Të dhënat e Violetës për Vrionin janë pak të çuditshme dhe nuk i njohim nga burime të tjera. Gjithsesi, ajo sërisht thekson, se ai ka folur mirë për shkollat amerikane. E mori fjalën edhe Petro Nini Luarasi, i cili para pak kohësh ishte kthyer nga Bostoni, ku kishte qenë në mërgim për katër vjet, ndërsa më pas do të ishte delegat në Kongresin e dytë të Manastirit. Atë kohë ishte mësues në shkollën e djemve të Korçës. Janë mjaft prekëse fjalët e tij: “Ai foli për Korçën si qytet kryesor, por u bëri thirrje dëgjuesve që me ndihmën e Zotit ta bëjnë atë më të mirën nga të gjitha pikëpamjet, në mënyrë që ta meritojë plotësisht cilësimin si “Bostoni i Shqipërisë”.

Fjalën e mbylljes e mbajti sërish Fehim Zavalani. Violeta e quan të moshës së mesme dhe në të vërtetë ai ishte atëherë rreth pesëdhjetë vjeç. E ka vënë në dukje, se si veprimtar të lëvizjes atdhetare e kishin denoncuar dhe Hilmi Pasha e kishte internuar në Bejrut. Në disa burime të tjera thuhet se ishte internuar në Aka, një qendër që nuk kam qenë në gjendje ta përcaktoja. Por është emri pikërisht i atij Hilmi Pashës, i cili e mbajti disa muaj çiftin Kenedi në Selanik, sepse nuk donte t’i lejonte të shkonin në Shqipëri. Zavalani paska qëndruar i internuar gjysmë viti, kurse paska thënë “se e ndiente që kishte vuajtur por fare pak për atdheun e vet në krahasim me qindra të tjerë”.

Fehim Beu në fjalën e tij të mbylljes shprehu me hijeshi mirënjohjen e gjithë shqiptarëve ndaj Bordit Amerikan për Shkollën tonë të vajzave, e cila me guxim kishte mbijetuar në shumë vite të kaluara. Ai u bëri thirrje nxënëseve që të përfitonin nga privilegji i tyre dhe t’i përmirësonin orët e mësimeve. Ai gjithashtu përsëriti shpresën se mund të ngriheshin edhe më shumë shkolla të tilla. Unë nuk e kapa gjithçka tha ai për zonjushën Sevasti Qiriazi, drejtoren tonë të zonjën. Duke më dhënë faktet për këtë letër, ajo me modesti i la jashtë këto gjëra. Por unë mund të them këtu, se është e këndshme të shohësh vlerësimin të cilin ajo dhe z. Cilka gëzojnë mes bashkatdhetarëve e tyre.

E mbyll letrën Violeta, duke vënë në dukje se fjalët jo vetëm u ndoqën me vëmendje, por edhe u dëgjuan me gëzim. Pastaj nxënëset bashkë me mësueset kënduan këngë, për të cilat ato ishin të përgatitura mirë, sepse çdo fund viti i shkollës shoqërohej pas provimeve me një ceremoni, në të cilën nxënëset jepnin një program të plotë me recitime, skeçe dhe këngë. I shoqëruan delegatët deri te hoteli dhe të nësermen në mëngjes i përcollën për t’u kthyer në Manastir. Ndërsa ndjenjat e veta i shpreh me këtë vlerësim të ngrohtë: “Pamja e kaq shumë fytyrave inteligjente e plot dëshira, myslimane e të krishtera, ishte frymëzuese dhe zgjoi lutje të nxehta në zemrat tona, që këta njerëz të dashur të mund të marrin urtësinë dhe dritën e vërtetë”.

Nuk ka dyshim se informacionin e pasur për Kongresin Violeta e ka marrë prej Sevastisë dhe prej delegatëve. Ndërkaq, është me rëndësi ta vë në dukje, se një letër të tillë ajo ua dërgonte miqve të saj në Amerikë jo thjesht për kureshti, por sepse sukseset e arritura nga lëvizja kombëtare shqiptare i shtoheshin punës së frytshme të shkollës në Korçë dhe të gjitha këto së bashku shërbenin për të gjetur nga Amerika mbështetjen aq të nevojshme për ta vazhduar punën si shkollat, ashtu edhe ata vetë si çift. Njëkohësisht prapa rreshtave të kësaj letre janë edhe fjalët e Sevastisë, e cila ishte ftuar të shkonte si delegate në Kongres, por nuk mund ta linte shkollën në ato muaj, kur për shkak të shpalljes së Kushtetutës nga sulltani, domethënë të njëfarë lirie pas aq kohe tiranie të egër, nxënëset vërshuan në shkollën shqipe. Iluzionet dhe ngazëllimi i atyre pak muajve nuk vazhduan gjatë dhe do të riktheheshin përndjekjet deri në shpalljen e pavarësisë. Por me Kongresin e Manastirit ishte hedhur një hap vendimtar në rrugën e bashkimit të shqiptarëve dhe ishte përcaktuar alfabeti, i cili ishte aq i domosdoshëm për funksionimin e shtetit shqiptar dhe pikërisht me atë do të shkruhej edhe akti i shpalljes së pavarësisë më 19012.