Një qasje emancipuese ndaj historisë (për letrën e kryeministrit në Dita)

Nga Wikibooks

Nga Fatos Tarifa

I nderuar z. Kryeministër,

Më lejoni, së pari, t’ju shpreh mirënjohje dhe vlerësim për seriozitetin me të cilin iu përgjigjët intervistës sime të dy ditëve më parë në gazetën Dita, si dhe për tonin miqësor me të cilin më jeni adresuar me atë rast. Po kështu, e çmoj që, mes punëve tuaja të shumta, keni gjetur kohë ta lexoni atë intervistë e të shkruani lidhur me çështjet për të cilat flitet në të, duke e qartësuar më mirë pikëpamjen tuaj. Ndoshta nuk është e udhës që i shkruaj këto radhë pasi ka folur sërish kryeministri i vendit, por dëshiroj të ndaj me ju dhe me publikun e gjerë, disa mendime që, edhe pse jo drejtpërsëdrejti, kanë të bëjnë me çështjen kaq të debatuar, ose të keqkuptuar, siç shpreheni ju, të rivlerësimit të një figure historike si Mit’hat Frashëri.


Unë nuk jam historian, por një sociolog i politikës dhe një studiues i jetës shoqërore. Nga ky këndvështrim profesional veberian, i patrazuar nga politika, jam përpjekur, në këto tri dekadat e fundit, të studioj, të kuptoj e të shpjegoj edhe historinë, përmes teorive sociale më të mira dhe metodës historike krahasuese që përdor në punën time kërkimore. Këto teori dhe kjo metodë më kanë bindur se të gjitha periudhat historike karakterizohen nga një sërë kushtesh esenciale, të cilat bëjnë të mundur interpretimin me vërtetësi të ngjarjeve historike. Foucault argumentonte se, sidoqoftë, me kalimin e kohës, këto kushte ndryshojnë dhe kjo mund të bëjë që një epistemë e një periudhe të caktuar historike, pra e vërteta mbi të, të zëvendësohet nga një epistemë e re. Këtë nocion Piaget dhe Kuhn e kanë quajtur “paradigmë”. Paradigmat e reja janë ato që e shpien shkencën dhe njohjen tonë, në përgjithësi, përpara. Paradigmat në shkencë janë e kundërta e dogmatizmit dhe unë, ashtu si ju, kam qenë dhe jam një kundërshtar i vendosur i çdo dogme, edhe i atyre që përpiqen të idealizojnë, ose të demonizojnë periudha dhe figura historike pa i marrë të gjitha faktet në shqyrtim. Ky qëndrim më ka orientuar edhe në vlerësimin e së kaluarës dhe më ka ndihmuar të kuptoj, shumë kohë më parë, se, ndërsa ne, shqiptarët dhe popujt e tjerë të Europës Lindore, që dolëm nga diktatura komuniste, jemi përpjekur e përpiqemi të rindërtojmë shoqëritë tona mbi parime demokratike, rivlerësimi i historisë sonë ka qenë e mbetet pjesë e domosdoshme e këtij procesi.


Siç edhe ju fare mirë e dini, rivlerësimi i historisë është një problem shumë i madh, shumë i ndërlikuar dhe ngarkon me përgjegjësi shumë të madhe cilëtdo (individë ose institucione) që marrin përsipër ta bëjnë këtë. Në shkencë nuk është e pamundur të marrësh një rrugë të gabuar, por seduktive dhe politikisht oportune. Por, nëse jemi të ndershëm me veten tonë, si shkencëtarë, dhe kemi vullnetin të ndjekim të vërtetën kudo që e shohim atë, duke përdorur të gjitha faktet që kemi në dispozicion, të padeformuar nga retorika dhe nga autoriteti, të ekzaminuar në mënyrë kurajoze e skrupuloze dhe të verifikuar në masën më të madhe të mundshme, pavarësisht se ku na çojnë këta fakte, atëherë mund të themi se kemi marrë rrugën e drejtë. Me misteret, paragjykimet dhe falsifikimet e saj, historia ka luajtur e do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në rindërtimin postkomunist të çdo vendi në këtë pjesë të kontinentit tonë. Seymour Martin Lipset, njëri prej sociologëve më të shquar amerikanë, në veprën e tij tashmë klasike Njeriu politik, ka argumentuar se “ata faktorë historikë që kanë ndikuar në mënyrën se si janë zgjidhur, ose kanë mbetur pa u zgjidhur çështje të rëndësishme që e kanë përçarë një shoqëri”, ndikojnë shumë në “stabilitetin politik të asaj shoqërie”. Ne e vëmë re këtë në shumë prej vendeve të Europës Lindore, në ish-republikat sovjetike, në Ballkan dhe, veçanërisht, në Shqipëri. Ndasitë tradicionale dhe problemet e pazgjidhura të së shkuarës kanë luajtur e vazhdojnë të luajnë një rol kritik pothuajse në të gjitha shoqëritë postkomuniste, duke justifikuar shqetësimin që shprehte, qysh në fillim të viteve 1990, Jon Elster, se zhvillimet politike në të gjithë këta vende rrezikonin të “ndikoheshin shumë nga faktorë të tillë, si urrejtja, hakmarrja dhe zilia”.


Të gjitha shoqëritë postkomuniste mbajnë mbi supe një barrë të rëndë historike. Sidoqoftë, kjo barrë nuk ka rënduar e nuk vazhdon të rëndojë njëlloj kudo dhe nuk ka pasur kudo të njëjtat pasoja. Në Shqipëri, vendi më i varfër dhe që, ndoshta, njohu sundimin më të ashpër komunist, hesapet e së shkuarës që lanë pas periudha e Luftës së Dytë Botërore dhe epoka e socializmit shtetëror kanë pasur e vazhdojnë të kenë një efekt më të madh në zhvillimet politike të këtij vendi sesa në shumë vende të tjerë. Përpjekjet për t’i “larë” me çdo kusht e në çdo formë këto hesape kanë qenë e janë një ndër faktorët që e kanë bërë më të vështirë, më të dhimbshëm, më të vonuar e më të pasigurt tranzicionin demokratik në Shqipëri. Natyrisht, shoqëritë tona kanë shumë se çfarë të kujtojnë nga e kaluara autoritariste, por ato kanë, gjithashtu, edhe shumë se çfarë të harrojnë. Harresa, siç vinte në dukje Nietzsche, është e domosdoshme për revolucionet. Krijimi i një fabrike të re sociale në një periudhë post-revolucionare, siç argumentonte ai, kërkon jo vetëm kujtesë, por edhe njëfarë “tabula rasa në ndërgjegje, për t’u bërë vend gjërave të reja”. Këtë, Burke e quante “jo thjesht një çështje dëshire, por domosdoshmëri”. Unë besoj se njëfarë amnezie është e domosdoshme për çdo shoqëri që del nga traumat e së kaluarës, siç janë edhe traumat që shkaktuan Lufta e Dytë Botërore dhe regjimi komunist. Pa dyshim që kujtesa për krimet e luftës dhe të ata që bashkëpunuan me pushtuesit, ashtu si dhe kujtesa për krimet e komunizmit duhet të mbeten gjallë, por kjo nuk duhet të justifikojë hapjen e plagëve të vjetra dhe rinisjen e një vale të re urrejtjeje e hakmarrjeje mbi bazën e asaj çka paraardhësit e dikujt mund të kenë bërë kundër dikujt tjetër. Një sjellje e tillë, karakteristike për trashëgimitë historike të popujve të Ballkanit, lipset të varroset bashkë me të kaluarën, së cilës ajo i përket; përndryshe, ajo do të helmojë e do të dëmtojë jetët e gjeneratave të sotme e atyre të ardhme dhe do të bëjë të vazhdojë, si në periudhën komuniste, lufta e klasave, apo një luftë hobesiane e të gjithëve kundër të gjithëve. Përvoja e vendeve të tjerë demokratikë dhe deduksionet teorike të nxjerra nga studimi i këtyre përvojave mund të shërbejë si një mësim i vyer në këtë drejtim. Ky mësim është se ne nuk duhet t’i konsumojmë jetët tona duke vështruar pas, në të kaluarën. E kaluara shndërrohet në një burg për këdo që jeton në të. Cilatdo qofshin besimet ose filozofitë tona politike, ne duhet të kujtojmë fjalët e kryeministrit Churchill, i cili, shumë kohë më parë, thoshte se, “nëse hapim një luftë mes së kaluarës dhe së tashmes, ne do të shohim se kemi humbur të ardhmen”.


Shqipëria dhe vendet e tjerë të Europës Juglindore kanë pasur një histori shumë të vështirë. Një pjesë e procesit të “zhbërjes” së kësaj të kaluare kërkon nxjerrjen para gjyqit të atyre individëve që kanë kryer krime. Kjo është trashëgimia e Nurembergut. Por ka, gjithashtu, edhe vend për amnesti dhe falje. Le të shpresojmë se ne, të gjithë, si shoqëri, kemi kuptuar tashmë se të angazhohesh në hakmarrje personale për të larë hesape ndaj atyre që besohet t’i kenë bërë dëm një individi ose një familjeje, nuk ndihmon. Hakmarrjet që synojnë ndëshkimin për të vënë në vend nderin e familjes nuk sjellin as çlirim, as nder, por shërbejnë vetëm për të mbajtur gjallë dhunën, urrejtjen dhe frikën. Në një bisedë me filozofin e shquar gjerman Habermas, Adam Michnik ka vënë në dukje se: “ne duhet të jemi për falje dhe kundër harresës”, përndryshe, “ne thjesht nuk mund të jetojmë. Ne duhet të kujtojmë, por duhet, gjithashtu, të jemi në gjendje të ngrihemi përtej horizontit të vuajtjeve tona”. E ardhmja e demokracisë në Shqipëri dhe në vende të tjerë të Ballkanit do të varet, pra, në një masë të madhe, nga mënyra se ç’qëndrim do të mbajnë këto shoqëri ndaj së kaluarës së tyre. Kjo është veçanërisht e vërtetë për lidershipin politik të këtyre vendeve, pra, edhe për lidershipin politik të vendit tonë. Sepse, në fund të fundit, a nuk është vendosja e një sistemi demokratik një arritje e madhe “në shkëmbim të imunitetit nga veprime hakmarrëse dhe retaliatore”?


Ne, shqiptarët, kemi një test shumë të rëndësishëm për të kaluar, sidomos në këtë fazë të historisë sonë moderne, kur duket se integrimi në Bashkimin Europën mbetet e vetmja alternativë për vendin tonë. Ky, siç kanë argumentuar O’Donnell dhe Schmitter, është “testi i faljes, në frymën e Spanjës pas Frankos, një komb, i cili ia doli me sukses të triumfojë mbi dekada të tëra të një lufte civile, dhimbjeje, zemërimi, urrejtjeje, armiqësie, faji dhe tjetërsimi”. Ky është një precedent që mund të ndiqet edhe në Shqipëri, përmes një “kontrate sociale”, e cila të fillonte, pak a shumë, me këtë betim solemn: “Nga ky moment i historisë sonë, ne fillojmë një jetë të re, ne nisim, si komb, një rrugë të re. Le ta lëmë të kaluarën t’i përkasë të kaluarës, le të krijojmë paqe dhe të ndërtojmë të ardhmen tonë”. Kjo do të ishte Rilindja jonë. Por, të kërkosh të hiqet dorë nga hakmarrja, nuk do të thotë që të rehabilitohen tradhëtarët e kriminelët dhe as që e kaluara të shndërrohet në një “kohë bosh”. Kjo do të ishte moralisht e papërgjegjshme dhe praktikisht e pamundur. Përkundrazi, ajo që dëshiroj të theksoj është se ne duhet ta vlerësojmë historinë dhe t’i referohemi asaj nga një perspektivë emancipuese, të cilën, më shumë se dyqind vite më parë, Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, George Washington, e ka formuluar në mënyrë brilante me këto fjalë: “Ne nuk duhet të shohim prapa, përveçse për të nxjerrë mësime të vlefshme nga gabimet e së kaluarës dhe për të përfituar nga eksperiencat për të cilat kemi paguar shtrenjtë”. Historia duhet të na shërbejë për të kuptuar se si t’i evitojmë momentet e rrezikshme në jetën e kombit tonë dhe si të mos i përsërisim gabimet e së kaluarës. Historia duhet të na shërbejë, gjithashtu, se si t’i arrijmë ato qëllime, që të tjerë para nesh kanë dështuar t’i arrijnë. Këtu, Churchill-i përsëri do të thoshte se, ne duhet “ta vëmë të kaluarën në raft, nga ku historianët mund të zgjedhin dokumentet e tyre për të shkruar historinë….Ne duhet të mendojmë për të ardhmen dhe jo për të shkuarën. E kundërta do të ishte tepër e pafrytshme dhe e dëmshme”.


Kjo filozofi e mençur e Washington-it dhe e Churchill-it sugjeron se studimi i së kaluarës duhet të ndihmojë për të promovuar ide dhe qëllime të reja, për të zhvilluar më tej shoqërinë tonë dhe për të përmirësuar jetët tona. Kështu e kuptoj unë qasjen emancipuese ndaj historisë. “Njohja e së kaluarës”, thoshte Nietzsche, “është e dëshiruar vetëm që ajo t’i shërbejë së ardhmes dhe të sotmes”. Duke vështruar pas, thoshte Walter Benjamin, ne “pastrojmë historinë nga krundet”, duke e lexuar atë në një mënyrë të tillë, që kuptojmë se koha lëviz në një drejtim të vetëm e të pakthyeshëm, nga e kaluara në të sotmen në të ardhmen. Në këtë vështrim, më duket groteske euforia e “ballistëve” të sotëm, që fjalën tuaj me rastin e rivarrimit të Mit’hat Frashërit e marrin si përkrahje ndaj kauzës së tyre një herë e përgjithmonë të humbur, në një luftë e cila, të parët e tyre, i mundi dhe i poshtëroi. Unë mendoj se, që demokracia në Shqipëri të konsolidohet, dokumentet mbi ngjarje e dukuri të së kaluarës duhet t’u vihen në dispozicion historianëve, sociologëve e juristëve që t’i studiojnë ato. Vetëm kështu mund të shpresojmë që të mësojmë të vërtetën e të përmbushim përgjegjësinë e madhe që kemi ndaj brezave të ardhshëm. Pa e bërë të njohur të vërtetën, emancipimi dhe paqja sociale janë të pamundura. Bashkë me privilegjin për të mësuar të vërtetën, vjen edhe përgjegjësia për të falur. Duke mësuar gjithnjë e më mirë të vërtetën për gjithçka që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për afro gjysmë shekulli nën regjimin komunist, ne duhet të mundësojnë një forum dhe kurajën zyrtare për të shpallur këto fjalë të fuqishme: Pax Vobiscum! Salam aleikum! Shalom aleichem! Go in peace! Paqja qoftë me ju.

Sinqerisht juaji,

Fatos Tarifa

P.S. I nderuar z. Rama, si një qytetar i këtij vendi dhe i Tiranës, që fushë të veprimtarisë së tij ka dijen, arsimin dhe shkencën, me mirësjellje ju lutem, si kreut të qeverisë, që dijetarit më të madh dhe një prej figurave më të shquara të kombit tonë, Fan S. Nolit, t’i ngrihet një monument madhështor në një prej shesheve kryesorë të kryeqytetit.


23 nëntor 2018