Jump to content

Një histori e rrallë mes Myslym Pezës dhe kryeministrit kuisling të ’44-s

Nga Wikibooks

Marrëdhënia dhe relatat janë komplekse, ato janë një ndërthurje e politikës, luftës, ndjesive të forta personale, miqësive të konsoliduara në dekada si dhe detyrimeve strikte familjare.

“DITA” ofron sot historinë e rrallë të bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke mes një ish-aktivisti të mirënjohur të lëvizjes çlirimtare me një prej krerëve të qeverisë kuislinge që mbrohej dhe mbështetej nga gjermanët në vitet e fundit te luftës.

Strehimi

Ibrahim Bej Biçaku ishte pinjoll i një prej dyerve më të rëndësishme të parisë shqiptare. Ai ishte një njeri elegant dhe mendjehollë, që nuk transmetonte aspak stilin dhe mendësinë shqiptare të kohës, ishte rritur mes gjitha të mirave që ofronte një derë bejlerësh, ishte shkolluar në Austri dhe politika nuk ishte një pasion i tij i veçantë.

Madje shumë njohës dhe studiues të tij mendojnë se pranimi nga ana e tij për të drejtuar për 6 muaj qeverinë kuislinge ishte e vetmja “lëvizje” që bëri me cen figurën e tij.

Familja e tij, paraardhësit, për katër shekuj me radhë bënë një karrierë të fuqishme në rangjet më të larta të Perandorisë Osmane. Ai ishte i biri i Aqif Pashë Elbasanit.

Në periudhën e përfundimit të luftës për rreth gjashtë muaj Ibrahim bej Biçaku drejtoi qeverinë kuislinge.

Menjëherë pas çlirimit ai u shpall kolaboracionist i nazizmit, por refuzoi të ikte nga Shqipëria, për disa javë u strehua as më shumë e as më pak sesa nga zv.kryeministri i qeverisë së porsaformuar komuniste, Myslym Peza. Ky fakt është i njohur ndër anëtarët e familjeve Peza dhe Biçaku por për shumë vite sekreti është ruajtur me fanatizëm.Nuk kishte si të ndodhte ndryshe -raporton DITA.

Por çfarë mund të ishte ai motiv, ajo shtysë e fortë që e bënte një nga njerëzit më të spikatur të rezistencës strehues të përfaqësuesit kryesor të palës kundërshtare??

Lidhjet

Familja e Myslym Pezës ishte një familje që kishte lidhje të hershme me familjen Biçaku. Babai i kryeministrit kuisling Ibrahim Biçaku, Aqif Bej Elbasani, përveçse ishte një figurë tepër e njohur dhe atdhetare, ishte një mik i Shyqyri Pezës, vëllait të madh të Myslym Pezës.

Shyqyri Peza nuk përshkruhet aspak si një njeri me pikëpamje komuniste. Por as si dikush që mbështeste forcat pushtuese.

Shyqyri Peza kishte një shoqëri të vjetër me përfaqësues të denjë të forcave okupatore si Qazim Mulleti apo Irfan Bej Ohri(nip i Aqif Bej Biçakut, u arratis pas çlirimit).

Ndërsa Aqif Pashë Elbasani dhe Shyqyri Peza kishin mes tyre një shoqëri e miqësi të lidhur në vite e me shumë fije, e bija e Shyqyri Pezës, Myrveti, ishte e fejuara e Kajo Karafilit, atentatorit të famshëm komunist. Ajo ishte ndërkohë dhe mbesa e Myslym Pezës, një prej aktivistëve kryesorë të rezistencës.

Lidhjet nuk përfundojnë këtu, një tjetër nip i Aqif Bej Elbasanit dhe kushëri i kryeministrit kuisling Ibrahim Biçaku ishte dhe Esat Dishnica, i cili sikurse dihet, ka qenë një ndër njerëzit më të afërt të Enver Hoxhës në kohë lufte.

Dukej qartë se e gjithë marrëdhënia e këtyre njerëzve ishte një “lëmsh’ i ngatërruar mes miqësive të vjetra dhe angazhimit në kohë lufte.

Bashkëpunimet

Duket qenë në marrëdhënie të ngushta me pushtuesit si kryeministër dhe ministër kuisling, Ibrahim Bej Biçaku shpesh i ka ndihmuar “pa e kuptuar as vetë” këta anëtarë të rezistencës.

Si pasojë e lidhjes së shumëfishtë të familjes së tij me familjen Peza, Ibrahimi në të paktën një rast ka shmangur arrestimin ose vrasjen e Myslym Pezës.

Ibrahim Bej Biçaku nuk e dinte se kush ishte personi me pseudonimin “Tarrasi” në forcat e rezistencës, por ama u dha komunisteve informacionin se për personin me këtë nofkë forcat gjermane do të angazhoheshin në disa fushata të egra për ta kapur ose për ta vrarë.

Por epoka kuislinge nisi të perëndonte dhe komunistët nisën gradualisht kontrollin mbi territorin e vendit derisa në fillim të vitit 1945 gjithçka u bë më e qartë dhe shumica e bashkëpunëtorëve kryesorë të qeverisë kuislinge i hipën vaporëve dhe u larguan nga vendi.

Ibrahim Biçaku nuk ndërmori një hap të tillë, ai përkundrazi qëndroi në Shqipëri, i bindur se edhe komunistët e kishin të qartë se emërimi i tij nga pushtuesit ishte më shumë një pasojë e imponuar dhe se sërish ata, komunistët, do e mbanin parasysh qëndrimin e tij dashamirës e bashkëpunues ndaj tyre gjatë luftës.

Ai u strehua në njerëz dhe në shtëpi të cilat ia kishte gjetur dhe rekomanduar zv.kryeministri i asaj kohe Myslym Peza.

Takimet me Enverin

Mësohet se Myslym Peza është thirrur asokohe në të paktën dy takime me Enver Hoxhën ku është trajtuar kjo çështje. Peza i bëri të ditur Hoxhës shqetësimin e madh që kishte në një raport të plotë koifidencial.

Dukej e habitshme por zv.kryeministri i qeverisë së porsaardhur komuniste strehonte “mikun dhe armikun”, kryeministrin kuisling bashkëpunëtor i nazistëve por njëkohësisht dhe mikun e familjes së tij që në disa raste ndihmoi dhe lëvizjen e rezistencës.

Mësohet se në një nga takimet mes Enver Hoxhës dhe Myslym Pezës, Peza i ka thënë atij, se “edhe ca detyrime i kishin ndaj Ibrahim Biçakut”.

Nga ana e vetë Hoxha i është përgjigjur Pezës se “edhe detyrimet do respektoheshin por edhe ligji do zbatohej”. Ishin fjalë të thëna nga një lider i ri komunist që nuk kurseu as kunatin e vetë, Bahri Omarin.

Periudha e fshehjes në bodrum të Ibrahim bej Biçakut mori fund kur u vendos se arrestimi i tij do të ishte në fakt një “vetëdorëzim i koordinuar”. Ish-kryeministri kuisling u kap , doli dhe para gjyqit , fillimisht u dënua me vdekje.

Por më pas gjykata e zbuti dënimin, ai u dënua me 18 vite burg. Pas burgut ai shkoi të jetonte në Elbasan ku për disa vite punoi si varrmihës.

Në një vizitë të Enver Hoxhës në Elbasan pas viteve 60’ , udhëheqësin komunist e shoqëroi Sekretari i Parë i Elbasanit, Jashar Mezenxhiun. Mësohet se në një moment të vizitës, me taktin dhe kujdesin që i kërkonte pozita, Mezenxhiu i solli në vëmendje Hoxhës edhe “çështjen e Ibrahim Biçakut”, duke e pyetur madje: “Akoma në varreza do e lëmë të punojë?”.

Kjo pyetje e Mezenxhiut, bëri efektin e vetë dhe pak kohë më pas ish-kryeministri kuisling transferohet me punë në një vend më pak të mundimshëm, derisa vdiq.


7 Shtator 2018