Jump to content

Një gjeni sipas një korifeu

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

Klaudio Juan Antonio Monteverdi (1567-1643) është një gjeni i muzikës botërore.

Nga një dorëshkrim, i nxjerrë nga fondi i F. S. Nolit në AQSH, që mban shënimin e autorit (Muzic. 2, F. S. Noli, Doc. 20.1937), pra në 370 vjetorin e lindjes së Monteverdit, Noli ka shkruar në anglisht një syth monografik të posaçëm, plot erudicion dhe vërejtje të mprehta, sqimatare, të mençura dhe lakonike për këtë muzikant.

Fan Noli është një nga korifejtë e kulturës shqiptare. Ai është i tillë edhe për një arsye universale, se është i sinkronizuar me kulturën botërore. Kufijtë etnikë dhe linguistikë, përmasat kohore të hapësirës, fragmentet apo pikat që ndajnë, vijat që kufizojnë, janë të parëndësishme në fjalën krijuese të Fan Nolit të madh. Njihet pasioni i tij i patjetërsueshëm për t’u thelluar në disiplinat shkencore, apo në llojet e pafundme të artit.

Fan Noli përfaqëson një rekord të paarritshëm deri më sot në kulturën tonë. Ai mbaroi universitetin e Havardit, mbasi kish kaluar të 60-tat. Ai u doktorua dhe botoi kryeveprën e tij historike për Skënderbeun në tipografinë e Universitetit të Bostonit.

Nuk u mjaftua me kaq. Ai mbaroi studimet e larta për muzikë. Ai shkroi një nga librat më të rëndësishëm për muzikologjinë botërore, librin “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”. Për këtë libër të pazakontë që zgjidh një nga problemet më të ndërlikuara të estetikës, të ndikimeve ideologjike të Revolucionit Francez dhe të muzikës shpërthyese që paralajmëron një epokë globale të lirisë dhe të së bukurës, Bethoveni mori vlerësime të larta, komente të epërme nga Xhorxh Bernard Shou, Zhan Sibelius, Tomas Man, Ernest Njumen, Kenest Kenant, Uolter Piston, Norin Robarts, Çarls Hjuz, Alfred Mejer, Keneth Seton, Frank Novak, Maks Meinard, Karl Geringer, Klajd Klakon etj.

Sidomos Bernard Shou e quan librin e Nolit për Bethovenin si diçka që dha një kontribut, gati si një sintezë të një biblioteke të tërë.

Por Fan Noli nuk mjaftohet me kaq përsëri. Ai ka lënë disa shënime që mund të quhen themeluese për disiplinën e kritikës muzikologjike. Ai ka bërë shënime për muzikën e grekëve të lashtë, romakëve, për muzikën e krishterimit të hershëm, për këngët ambroziane, për muzikën hebraike, madje edhe për muzikën e Lindjes, muzikën e Babilonisë etj., por edhe për muzikën e kishës protestante të Martin Luterit.

Fan Noli ka shkruar edhe për muzikantë të veçantë si Rikard Shtrausi apo Shuberti.

Vetvetiu në këtë hulli studimore, tejet specifike dhe që kërkon një përvojë dhe një talent mahnitës për t’u perceptuar pikërisht estetika më e hollë, më e çuditshme që është estetika muzikore, Fan Noli e ka bërë një subjekt më vete, studimin e Monteverdit, këtij muzikanti të muzikës barok, që na çon në kufijtë e muzikës klasike.

Për Fan Nolin Monteverdi është pjellë e tre qyteteve të famshme të Rilindjes Italiane, Kromonës, ku ai lindi, Montovës, ku arriti famën, Venedikut, ku u hyjnizua dhe vdiq.

Kremona, qendër e madhe e industrisë dhe e kulturës kishte një universitet të pajisur nga perandori Sigismund, me statute dhe të drejta të ngjashme, me ato të universiteteve të Parisit dhe të Bolonjës. Në Kromona ishte katedralja ku ruheshin reliket e më shumë se 160 shenjtëve. Kromona u bë e njohur për endjen e copave të holla prej mëndafshi, por dhe për prodhimin e violinave të përsosura dhe të instrumenteve të tjera muzikore. E famshmja familje e violinbërësish, familja Amati, ishte bashkëkohëse e Monteverdit, por dhe e mjeshtrit Stradivari i madh ,që lindi fare pak kohë sesa Monteverdi të vdiste. Ishte krejt e natyrshme që Monteverdi të bëhej një ekspert për shumë instrumente, por të shkëlqente si një violinist virtuoz, ndaj Duka i Mantovës e merr në orkestrën e tij të oborrit. Montova qe gjithashtu nj nga qendrat më të mëdha të Rilindjes.

Patroni i Monteverdit, Vincenco Gonzaga, Duka i Mantovës ishte mishërimi i princërve të Rilindjes Italiane. Ai i donte shfaqjet, festat, dramat, ballot dhe baletet, ishet bujar por dhe shumë mizor, ishte vetë poet, por ishte dhe vrasës, ai i vriste artistët që i zhgënjenin, por i mbulonte me dhurata ata që i shërbenin. Ai kujdesej njëlloj, si për martesën e një këngëtareje të re, qoftë ajo edhe prostitutë, apo blerjen e një pikture të famshme, ashtu dhe për të shtënë në dorë një krahinë të re. Ai ofroi një feud dhe një pronë markezi, si shkëmbim për “Madonna Delle Perle” të Rafaelit. Ai e kish porositur ambasadorin e tij në Spanjë që t’i dërgonte të gjitha Madonat e mrekullueshme dhe portretet e zonjave të bukura. Ai ishte protektori i Tasos dhe Rubensit. Pikërisht Monteverdi u bë mjeshtër i kapelës së Gonzagës. Aty Monteverdi bëri operat e tij të para, “Orfeu” dhe “Ariana”, që e bënë shumë të famshëm.

Më pas Monteverdi shkoi në Venedik, në “Mbretëreshën e Adriatikut”, në qytetin e kënaqësive, karnavaleve dhe romancës, që tërhoqi dhe muzikantë të tjerë, që nga Vilajerti deri te Vagneri. Aty Monteverdi u bë kapelmaester. Në 1631 pas murtajës ai u dorëzua prift, siç kishin bërë para tij dhe shumë mjeshtra muzikantë, por kjo nuk ndikoi aspak në veprimtarinë e tij operistike

Në operat e tij Monteverdi i ngrinte lëvdata trilleve të dashurisë. Sot tingëllon disi e pakuptueshme, që në atë kohë një priftë të shkruante muzikë me tekste dashurie. Por kjo qe krejt e zakonshme në Venedik, qytetin e teatrove të para të operas, ku murgjit merrnin pjesë me pasion në procesionet e karnavaleve dhe luanin si aktorë në teatër. Madje dhe Papa Klementi XI kish dhënë shembullin e tij, duke shkruar librete operistike me subjekte erotike për kardinalët Barberini. Republika e Venedikut u tregua shumë bujare me Monteverdin. I paguante një rrogë princash prej 300 dukatësh. Vetë në veprat e tij Monteverdi shkruan se e ndjente veten shumë të dashur dhe të vlerësuar në Venedik.

Dihet që biografia e një gjeniu, brenda kufijve kronologjikë, mund të ketë edhe nj rëndësi rastësore, ku e tëra mund të formulohet nga fragmente që mund të jenë edhe kontradiktorë.

Në fund të fundit Monteverdi kishte shumë bashkëkohës, kishte shkrimtarë dhe piktorë të mëdhenj, të cilët ishin edhe më të famshëm në të njëjtin shekull.

Vlera artistike e Monteverdit duken më e qetë për të shpërthyer dhe për t’u përjetësuar në një strukturë fame të së ardhmes. Është shumë e rëndësishme të konceptohet nj epokë siç është epoka e muzikës së stilit barok. Për njerëzit e paditur dhe pa shije estetike muzika barok ngjan si një muzikë ku ende mesjeta strukturon meloditë e një përvujtërie, të një përkushtimi biblik, në kundërshtim me jetën tokësore dhe me një përkushtim marramednës për jetën qiellore.

Pikërisht në muzikën baroke, ku duken elementët e rinj, që shpërthejnë rutinat e harmonisë dhe të polifonisë muzikore, është Monteverdi i cili merr rolin e një Paraprijësi, ose një Marathomonaku të muzikës.

Ka qenë një periudhë, kur unë i grumbulloja CD-të me muzikën e Monteverdit, duke i dëgjuar për një kohë të gjatë. Aq më tepër që njihja dhe letërsinë e stilit barok. Edhe letërsia shqipe e ka të dokumentuar stilin barok, madje me një talent të madh dhe erudit të shkëlqyer, siç është Pjetër Bogdani, i cili në vitin 1685 botoi në Padova të Italisë kryeveprën e tij “Çeta e Profetëve”.

Jam mëse i bindur se Pjetër Bogdani ynë ka dëgjuar muzikë nga Monteverdi.

Libri i Bogdanit është ilustruar me gravura të stilit barok. Le të mos harrojmë edhe një piktor gjigant të stilit barok, që është Rubens.

Pa dyshim që sot epoka e stilit barok ngjan e kapërcyer. Stile, konceptime të reja kanë ndryshuar dhe revolucionarizuar edhe muzikën ,edhe artin dhe përgjithësisht mendimin njerëzor. Po pse Noli ka interes të shkruajë për Monteverdin? Midis Monteverdit dhe Bethovenit Noli konstrukton një sintezë. Sado magjike dhe të amshuara që ngjanë madrigalet e Monteverdit, njeriu i sotëm në epokën postmoderne nuk mundet të fosilizohet vetëm në traditën, duke shprehur qartë se zhvillimet e brendshme të artit janë shumë enigmatike, por njëkohësisht dhe të pandalshme. Monteverdi sot mund të ngjajë si një muzikant i harruar.

Mendimtari i madh amerikan George Steiner ka folur ironikisht për muzikën banale të spektakleve të mëdha. Por ne mund të rikthehemi te Monteverdi jo vetëm për hir të kujtesës. Por edhe për të kuptuar historinë e identitetit të njeriut evropian, për të kuptuar diçka inkandeshente dhe komplementare për artin në përgjithësi dhe karakterin e tij të simbiozës.

Benedeto Kroçe është filozofi që ka thënë se të gjitha artet e tjera në këtë botë, siç është arti i fjalës, i pikturës, i skulpturës etj, synojnë drejt një estetike më të epërme, që është estetika muzikore. Mendoj që në harmoninë e përgjithshme të kompozimeve, në të gjitha artet, ka vërtetë një botë kuantike muzikore, të padukshme, por të pashkatërrueshme dot.

Shikoni se si Fan Noli, si një muzikant profesionist di t’i shtjellojë analizat e tij, krej të veçanta për Monteverdin. Ja ç’shkruan ai:“Vitet e fundit të jetës pati kënaqësinë të admirohej prej të gjithëve. Emri i tij u bë i njohur në Itali dhe jashtë.Shyti (Schutz) erdhi e vizitoi në Venedik, Pretori (Practrius) nëGjermani, Hyigensi (Huyghens) dhe Bau në Hollandë, Thomas Gobat dhe Mersenne në Francë studionin veprt e tij, në Angli si kishte dishepuj si Tomkins dhe Valter Porter, tek të cilët duket ndikimi që patën prej tij; violinisti francez Maugars e shpalli atë si një ndër kompozitorët e parë të botës.

Monteverdi shkroi madrigale dhe mesha në stilin e vjetër strikt polifonik, si dhe në stilin e vet kromatik e dramatik. Ai kompozoi kantata, kanconeta dhe opera që bënë epokë.

Me këto të fundit ai, sikurse Vagneri shekuj më vonë, dhe para këtij, kamerat fiorentinase, mendonte se po ringjallte tragjedinë e vjetër greke.

Të gjithë artistët e mëdhenj të Rilindjes patën pak a shumë të njëjtin iluzion. Kishin bindjen se po u rijepnin jetë modeleve të vjetra klasike, ndërsa në të vërtetë ata krijuan forma të reja arti në fushat e tyre përkatëse.

Tokej (Tovey), në zërin për Momnteverdin (Encyclopedia Britanica) na thotë se ky arrin majat me madrigale dhe se partiturat e tij operistike duken kaq të varfra, sa është teprim i madh ta quash atë Vagnerin e shek.XVII.

Sesil Grej (Cecil Gray) në Historinë e muzikës na thotë me diplomaci se “interesi muzikor për madrigalet dhe meshën e tij madhështore gjashtëkohëshe ”In Ilo Tempore”, është i njëjtë, në mos më i madh, si për atë të veprave të tij dramatike dhe eksperimenteve të reja”.

Romen Rolani në kapitullin mbi Monteverdin (Historie de l’Opera en Europe), na thotë se ato të pakta faqe të “Ankimit” të famshëm – gjithçka që na ka mbetur nga opera e tij “Ariana” – janë më të mirat që ai ka shkruar: “Les plus vrais qu’il ait ecrites et que Gluck n’a pas surpasees. Marveilleux effet de genie, dont toute le douleur concentree fans ces pages passa pa la voix d’Ariane fans le cofur de son auditoire qui eclata en sanglots.”

Cezar Sercinger (Cesar Saerchinger) tek “Arti i muzikës”, botim i Oksfordit, citon një pasazh nga “Ankimi” dhe e analizon atë.

Ai gjen në masën e dytë “një septimë të papërgatitur që është më e ashpër se një shtatëshe dominonte”, gjen një septimë të ngjashme në masën e pestë, pastaj dy septima të papërgatitura në një masë të vetme, më tej një çift kuinte të njëpasnjëshme në masën vijuese, dhe në masën e trembëdhjetë një “disonancë e një përshkrimi shumë të ashpër” thotë po atë gjë e zgjatet aq sa krijon një efekt të mprehtë”. Pastaj ai përfundon: “Grumbullimi i kaq shumë tipareve krejt të ndryshme nga njëri’tjetri në një pasazh kaq të shkurterë, ishte si një manifest sfidues”.

Po më i fortë se “Manifesti komunist” i Karl Marksit. Ai shënonte fillimin e një revolucioni në historinë e harmonisë. Stili kromatik i praktikuar prej muzikantëve, si Ciprian de Roze dhe Gesouldo “lidhej me përdorimin e aksidenteve që ishin krejt të huaja për mënyrën se si këndohej madrigali në atë kohë. Këto s’përmbanin mirëfilli modulime.”

Fan Noli shton :” Arritja e madhe e Monteverdit ishte se ky transformoi përdorimin inkoherent të këtyre aksidenteve në një metodë të qartë kalimi, nga një çelës tek tjetri (Henry Pruniers, Monteverdi). Sercigeri i quan septimat e notat e papërgatitura të Monteverdit “pasurim më të madh muzikor të shprehësisë dramatike deri te Vagneri”.

Skot Godard (Scott Godard) në zërin për Monteverdin (Grove’s Dictinary of music) thotë se “Incoranazione di Poppea” vuri bazat e atij stili operistik që do të mbizotëronte në Itali, duke kaluar që këtej më pas në gjithë Evropën.

Sipas A. Kars (A. Carse, Historia e orkestrimit), Monteverdi “dallohet si krijuesi i parë i efektit dhe ngjyrimit orkestral”. Ai është i pari që përdori picikaton dhe tremolin me ndarje primitive si përbërës orkestrorë.

Ai jep këto udhëzime për picikaton në “Combattimeti di Tencredi” dhe “Clorinda”: “Qui si lasa l’arco e si strappano le corde con duoi diti… Qui si ripiglia l’arco.” (Këtu lihet harku dhe kapen telat me dy gishta… Këtu merret përsëri harku.) Ai e organizoi orkestrën e kohës së tij duke hequr instrumentet e vjetra. Ishte i pari që u largua nga stili vokal i të shkruarit për instrumente dhe nisi orkestrimin e vërtetë. Ai vuri të ashtuquajturin recitativ “cocitato” ose deklarimin dramatik e shprehës. Pjesa e parë vokale në formë treshe tipike për arien si dhe duetet e para dramatike, gjenden në “Orfeun” e tij.

E fundit, po jo më e pakta, preludi orkestral i “ballo delle Ingrate” është uvertura e parë operistike. Pas kësaj liste të gjatë krijimesh e novacionesh, nuk e teprojmë po ta quajmë Monteverdin – “toutes propartions gardees” (pa e tepruar), siç thonë me diplomaci francezët – Vagnerin e shekullit të tij, dhe për faktin se vendi i tij në historinë e harmonisë është me të vërtetë unik.”

Nga forma ikonografike Fan Noli interesohet rreth portretit te Monteverdit:“Portreti i vetëm që kemi nga Monteverdi është frontescipi i “Fiori Poetici”, botuar për nder të tij më 1644 dhe që e tregon atë si do të jetë dukur në moshën 60 vjeçare. Të jep përshtypjen se ka një trishtim të pashpresë dhe ngashërues. Sikurse Edgar Alan Poe (Poe), shekuj më pas, ai s’mundi të gjente asnjë gëzim në jetë, pas vdekjes të së shoqes. Republika Veneciane organizoi një funeral mbretëror me një radhë të shkëlqyer gondolash mbuluar me kurora përgjatë gjithë Kanalit të Madh, një spektakël unik për kohën e sotme, dhe vetëm për hir të kësaj ia vlen një udhëtim i posaçëm në Venecia, margaritari i detit Adriatik.”



Eseja e Fan Nolit për Monteverdin bazohet mbi një bibliografi substanciale, kryesore.

Fan Noli di të kapë me syrin e tij prej Polifemi thelbin e risive, që solli Monteverdi, pa dyshim duke ditur qetësisht edhe elementët retrogradë, apo rutinorë që i ka çdo lloj arti në të gjitha epokat. Shpjegimi që ka bërë për Monteverdin, lidhte me një harmoni referuese edhe me elementët e muzikës shpërthyese të Bethovenit apo dhe të rikrijimit të eposit muzikor të Vagnerit. Edhe Vagnerin Fan Noli e njeh shumë mirë.

Për sa i përket Rikard Shtrausit, kompozitor poemash simfonike, në shekullin XIX Fan Noli ka gjithashtu konsiderata shumë të larta. Rikard Shtrausi për Fan Nolin nuk është kuptuar siç duhet, ndonëse është një kompozitor virtuoz i shkëlqyer dhe një furnizues i madh i muzikës simfonike.

Noli e njeh shumë mirë se ç’ka shkruar Romen Rolani për muzikën e Shtrausit. Madje mund të thuhet që Rome Rolani ka qenë si një homo duplex, pra si shkrimtar dhe muzikolog një lloj shëmbëlltyre frymëzuese për Fan Nolin. Këtë Fan noli e thotë edhe vetë, kur i referohet veprës së Rome Rolanit për Bethovenin. Shkrimet muzikologjike të Fan Nolit janë një punë pionieri për kulturën shqiptare. Për Fan nolin nuk mund të ketë qytetërim artistik pa qytetërimin letrar, por sidomos pa qytetërimin pikturim, në mënyrë më absolute pa qytetërimin muzikor.

Ka kaluar kaq kohë dhe askush tjetër nuk e ka zëvendësuar Fan Nolin për të bërë analiza të ngjashme muzikologjike.

Kush i afrohet Fan Nolit në këtë pikë? Pothuaj askush nga shqiptarët. Fan Noli e kuptoi se qytetërimi muzikor është krejt i domosdoshëm sidomos për shqiptarët. Por kjo kauzë e tij sot duket tmerruese në kohën kur muzika shqiptare ka degraduar në një banalitet të frikshëm, në tallave (shihni çfarë emri i tmerrshëm!). Muzika e vërtetë na çon në qytetërim të vërtetë. E kundërta në degradim.

Të mos harrojmë edhe një rekord tjetër të Fan Nolit. Ka shkrimtarë shqiptarë të cilët janë marrë me arte të tjera, fjala vjen me pikturë. Po kush nga shkrimtarët shqiptarë është marrë me muzikë? Për të mos thënë që kultura muzikore gati nuk përmendet, apo është një motiv sipërfaqësor në librat e letërsisë shqipe.

Fan Noli është i famshëm, i papërsëritshëm, pa një të dytë në kulturën shqiptare, sepse ai është dhe kompozitor. Ai është një kompozitor i shkëlqyer. Uvertura e tij me motive bizantine është gjithashtu e patjetërsueshme. Muzika e tij për Gjergj Kastriot Skënderbeun është një meditim muzikor, i thelë dhe tejet i ndjeshëm. Ai ka bërë muzikë edhe duke patur parasysh vargjet e poetit francez Pol Verlen.

Fan Noli, e thënë haptaz, pa asnjë mëdyshje është njëkohësisht dhe një kompozitor origjinal, i mëvetshëm, i habitshëm shqiptar i shekullit XX.

Ai ndërlidh epokat muzikore jo thjesht si një histori.

Ai bën ndërlidhje si konceptualitet. Si estetikë dhe përjetësi. Amen!