Një fjalë miku për Bajram Rexhepin

Nga Wikibooks

Një fjalë miku për Bajram Rexhepin


Bajram Rexhepi, kryeministri i parë i Kosovës, nuk është më. Pas një lëngate të gjatë, nuk duroi më zemra e tij e përpëlitur dhe ai iku nga ne.

Kur them kryeministri i parë i Kosovës nuk është se nuk e di se edhe para vitit kur ai u zgjodh shefi i qeverisë së Kosovës, aty nuk ka pasur institucione. Ka pasur, por nuk kanë qenë të shqiptarëve. Të komanduar nga kolona serbe pushtetarët e dikurshëm bënin hyzmeqarin perfekt, ishin më të egër e më mizorë edhe se padronët e tyre dhe ikën nga kujtesa e së mbarës, duke lënë vetëm të prapështën.

Me Bajram Rexhepin nuk jam takuar shpesh, por bisedat i kemi pasur të gjata. Përgjithësisht ishte njeri i qetë, i vëmendshëm në të dëgjuarit dhe i shtruar në bisedën e tij.

Për herë të parë kemi qëndruar atë natë kur sapo ishte zgjedhur kryeministri i Kosovës. Nuk e kishte pritur dhe as nuk e kishte lakmuar.

Në Kosovë kishin përfunduar zgjedhjet e para pluraliste të vërteta dhe ishte krijuar ngërçi i parë i madh. Kishin kaluar dy raundet e para të parlamentit të ri dhe nuk po zgjidhej dot presidenti i Kosovës, kandidaturë për të cilën ishte vetëm Ibrahim Rugova. Para kuvendit ishte e treta e vërteta, nëse nuk do të kalonte edhe asaj dite, parlamenti do të shpërndahej, Kosova do të hynte në zgjedhjet e reja dhe askush nuk do e dinte fundin.

Pikërisht në këto ditë lindi edhe ideja e një qeverie gjithëpërfshirëse, ku tri forcat politike më të mëdha të kohës, LDK, e prirë nga Rugova, PDK me drejtues Thaçin dhe AAK e prirë nga Haredinaj, të bënin një qeveri të përbashkët.

Kushti ishte i qartë: presidencën do e kishte LDK-ja, ndërsa qeverinë do e drejtonte PDK-ja. Rugova e pranonte parimin e bashkëqeverisjes, por nuk e pranonte Thaçin si shef të qeverisë. Bisedimet kishin ngecur dhe gjithçka po bëhej gati për një fillesë të re që nuk do të kishte asgjë të re, veçse përsëritjen e gjërave. Rugova bëri lëshimin e parë; ai pranonte që kryetari i qeverisë të ishte nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por përsëri të mos ishte Thaçi.

Unë ngulja këmbë: duhet të ishte Thaçi e askush tjetër. Llogaria e bërë nga të dyja palët synonte më shumë zgjedhjet e ardhshme se sa ato që sapo ishin mbyllur. Thaçi ishte më liberal: ai për herë të parë më tha se do e pranonin kërkesën e Rugovës për një kryeministër tjetër, jo ai vetë dhe shtoi se “vjen koha dhe na e kthejnë nderin”. Në perceptimin tim, ndoshta i gabuar, mënjanimi i Thaçit nga pushteti, ku as nuk mendoja të isha pjesë, pavarësisht mendimit të tij, kishte të bënte me lënien në hije të figurës së tij , që duke qenë drejtuesi i qeverisë mund të rritej. Rugova e mendonte këtë dhe e thonte në rrethet e tij.

Në bisedën me Thaçin, që ishte në atë kohë perceptuesi më i saktë i “lëshimit politik” që do të bënte, e rëndësishme do të ishte që të vendosej për një kryeministër, i cili të kishte të domosdoshme tri cilësi: të jetë nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të jetë një figurë e njohur për humanizmin e tij dhe intelektual i dorës së parë.

Për herë të parë ai më foli për Bajram Rexhepin, që e njihja si njëri ndër mjekët kirurgë, jo të shumtë, që ishin bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Zona ku kishte vepruar, që ishte e njohur për të, e adhuronte si njeri dhe si mjek. Ushtarët që e kishin pasur në strukturat e tyre jepnin kokën për doktorin e tyre. Ishte njeri i qetë, fisnik në të gjithë shfaqjen e tij, dhe, si mund të mos ishte pritur, ai e mori shumë seriozisht detyrën e tij.

Asaj nate, sapo përfundoi mbledhja e parlamentit dhe ai u zgjodh kryeministri i parë i Kosovës, i sapoardhur nga lufta, ne, një grup miqsh të vjetër, mes të cilëve edhe Thaçi, Fatmir Limaj, Bilal Sherifi, shkuam për darkë me kryeministrin e ri. Ai sapo kishte bërë deklaratën e parë publike dhe mes të tjerave kishte theksuar se do të luftonte krimin e organizuar.

-Me çfarë do e luftosh?, e pyeta unë, dhe toni i bisedës sime nuk ishte si zakonisht. Isha ende i mërzitur pse Thaçi kishte lëshuar dhe, megjithëse e dija se zgjedhja ishte e mirë, ndoshta e vetmja e duhur në kohën e saj, shtova: Ti nuk ke as polici dhe as struktura të tjera, nuk ke as shërbim informativ dhe as forca të ndërhyrjes, të gjitha i kanë të huajt dhe mirë që i kanë.

-Do i marrim , tha shtruar ai, do i marrim të gjitha strukturat, dhe, nëse do na lënë jashtë kësaj lufte, pra ndaj krimit të organizuar, atëherë nuk kemi pse jemi qeveri. Qeveri petullash nuk e bëjmë Kosovën.

Në të vërtetë, edhe si shef i qeverisë, edhe më pas, në poste të tjera, ai luftoi deri në fund që Kosova të mos kishte një qeveri petullash dhe nuk i hëngri kurrë “petullat” e korrupsionit.

Ishte nga ata të ndershmit ku mund të mbështetesh gjithnjë. Edhe kur bënte deklarata të forta, nganjëherë edhe ndaj shokëve të tij, e bënte , si i thonë, “nga zemra e plasur”.

E kam takuar për herë të fundit disa javë para se sëmundja të jepte goditjen e saj. Ndjehej i lodhur nga politika, por jo nga jeta. Biseduam për rrjedhat e Kosovës, ai kishte një zemërim ndaj shumëçkaje që po ndodhte, por kthimi në profesionin e tij, si mjek kirurg, i kishte dhënë një tjetër jetë.

Është ndër rastet e rralla, kur një ish kryeministër, ish ministër i brendshëm, pa dhimbje, asnjë dhimbje, kthehet në profesionin e tij, sepse e donte atë dhe sepse duhej të jetonte.

Nuk besoj se do të ndodhë më një rast i tillë, të paktën në dekadat e afërta.

Bajram Rexhepi ishte një burrë fisnik, që e deshi Kosovën, i deshi miqtë, edhe kur zemërohej me to. Por të zemëroheshe me të, ishte thuajse e pamundur.

Kishte mirësinë e njeriut që lufton për jetën.

Pushofsh në paqe, mik!


Bedri Islami