Një apel ndaj politikës për “Komitetin e Veteranëve”

Nga Wikibooks

Xhevdet Shehu

Në këtë shkrim që po botoj sot në “DITA” po dal paksa nga natyra ime e të shkruarit, por edhe nga natyra e gazetës. Sepse do flas pak për vete.

Dje kam përjetuar një emocion të veçantë. Komiteti Kombëtar i veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar më dha një dekoratë: “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”. Ishte mbledhur me këtë rast gjithë Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve nën drejtimin e Rustem Peçit, ndërsa dekoratën ma dorëzoi një nga figurat e shquara dhe emblematike të Luftës, Admiral Zeqiri Mero, ish-partizan i Brigadës së Parë Sulmuese, aktualisht 98 vjeç.

Kjo dekoratë më emocionoi për disa arsye.

E para. Sepse këtë dekoratë ma dhanë përfaqësuesit e një brezi të lavdishëm të historisë së popullit shqiptar. Janë ai brez që bënë luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, luftën më të ndritur në historinë e këtij kombi. Një luftë që e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi i mëtejshëm dhe nga zhbërja. Një luftë që na dha këtë orientim properëndimor. Në këtë aspekt, më ka pëlqyer shumë përcaktimi që ka bërë Presidenti Alfred Moisiu se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është e vetmja luftë e madhe moderne që kemi fituar ne shqiptarët, pas epokës Skënderbejane…

Atyre, pra përfaqësuesve të shquar të atij brezi luftëtarësh të asaj lufte u takon mirënjohja e madhe dhe e pakufishme e brezave. Sado që të bëjmë ne pasardhësit e tyre, nuk e arrijmë dot lavdinë e tyre. E nëse nuk jemi në gjendje të përsërisim lavdinë e historisë së tyre, të paktën të ecim në ato gjurmë dhe nuk duhet të lejojmë që mbi atë epokë të hidhet baltë…

Në atë luftë, partizanët shqiptarë patën në krahun e tyre aleatët më të mëdhenj të asaj kohe si Anglinë, Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara që u bënë dhe faktor vendimtar për fitimin e asaj lufte. Dokumentet zyrtare të qeverive amerikane dhe britanike, si dhe raportet e dërguara prej tyre në Shqipëri,njëepjesë të të cilave unë i kam përkthyer dhe botuar herë pas here në ‘DITA’, thuajse në mënyrë unanime kanë pohuar dhe dënuar bashkëpunimin e Ballit Kombëtar me pushtuesit nazifashistë. As britanikët, por as amerikanët nuk i donin komunistët shqiptarë për pikëpamjet edhe ideologjinë që përfaqësonin, në dokumentet e tyre ka shumë lëndë që e qartësojnë këtë gjë. Por, në vitet e luftës kishte një armik dhe pushtet më të madh dhe më të egër, që kishte pushtuar Europën, siç ishte nazizmi, që kërcënonte edhe Britaninë e Madhe edhe Shtetet e Bashkuara. Por, Ruzvelti dhe Çurçilli ishin komunistë par exellence, por, kjo nuk i pengoi ata, që të lidhin aleancën e madhe antifashiste me Stalinin që sot etiketohet si një nga diktatorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Mirëpo duhet të jemi krejtësisht të qartë kundrejt një realiteti që nuk mohon dot askush: Ata nuk bënë kompromise me sistemin dhe komunizmin sovjetik, por çmuan dhe respektuan të drejtën njerëzore universale të lirisë dhe të vendosjes së paqes dhe të bashkëpunimit kundër të keqes më të madhe dhe më urgjent. Aleanca e Kombeve të Bashkuara Antifashiste dhe dokumentet e saj të mirënjohura mbi bazën e të cilave ajo u ngrit e funksionoi udhëhiqej nga parime e vlera përbashkuese dhe jo ideologjike. Kjo ishte fryma e Kombeve të Bashkuara, fryma e Ruzveltit, e Çërçillit, e De Golit dhe e gjithë burrave të mëdhenj të antifashizmit botëror. Këtë frymë e këto vlera nuk i kuptuan udhëheqësit e Ballit Kombëtar e të Legalitetit, ndonëse shumica e tyre pretendonte se kishin kulturë perëndimore. Por, ata nuk u shkëputën nga bota e vogël e llogarive meskine, nga mentaliteti turkoshak i beut ose i nëpunësit provincial të ish- perandorisë, nuk kishin aftësi e vizion për të kapur momentin dhe as guxim për të rrezikuar në emër të vlerave të mëdha të lirisë e të së ardhmes. Në këtë kontekst e kemi trajtuar edhe ne në ‘DITA’ figurën e Enver Hoxhës dhe të udhëheqësve të asaj lufte, të cilët më pas u bënë udhëheqës të Shqipërisë komuniste.


Se ç’ishte dhe ç’përfaqëson ajo luftë për ne shqiptarët është e qartë për të gjithë. Por që ne vazhdojmë të flasim për të, do të thotë se ajo luftë sulmohet dhe anatemohet edhe pas 75 vjetësh, pikërisht nga humbësit e mëdhenj të asaj lufte. Fatkeqësisht pas vitit 1990 në Shqipëri është ringjallur neofashizmi dhe ai përbën një rrezik potencial për shoqërinë tonë. Përtej emocioneve dhe qëndrimeve personale, unë po i referohem një prej historianëve më seriozë të asaj lufte, Prof. Paskal Milos. Ai është shprehur kështu:

“Lufta Nacional Antifashiste Çlirimtare, heronjtë dhe luftëtarët e saj, janë monumente epike të historisë shqiptare dhe do të mbeten përjetë të tilla. Në Shqipëri përgjatë historisë së saj kanë kaluar dhe qëndruar një numër pushtuesish të huaj, të cilët kanë menduar, që të rrudhin territorin shqiptar dhe t’i asimilojnë ata si popull edhe si komb. Vepra monumentale e Skënderbeut, luftëtarët për liri dhe principatat e pavarur, lufta e Zenel Gjolekës, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit, Abdyl Frashërit dhe të heronjve të tjerë, të Lidhjes së Prizrenit, të Çerçiz Topillit, Mihal Gramenos, të Ded Gjon Lulit dhe të Isa Boletinit, Bajram Currit dhe të Avni Rustemit etj., kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, janë gur themeli të Shqipërisë, shtetit të pavarur dhe sovran. Pa luftën dhe përpjekjet e tyre, Shqipëria sot nuk do të ekzistonte më vete, por do të ishte një shtet i copëtuar midis vendeve fqinje. Përveç disa të marrëve dhe antishqiptarëve patologjikë, askush nuk e vë në dyshim veprën e tyre kombëtare të ngritur me gjakun e tyre. E si mundet që të gjykohen ndryshe sot partizanët shqiptarë; komuniste apo jo, nacionalistë të ndershëm me mijëra gra dhe të reja, që dhanë jetën e tyre për Shqipërinë dhe lirinë nga pushtuesi më i egër, që ka njohur deri më sot historia botërore? A mundet që të ketë dy kritere vlerësimi për heronjtë dhe luftëtarët e vërtetë të lirisë, për ata që ranë dëshmorë para vitit 1939 dhe për ata që u sakrifikuan kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botore. Vetëm njerëz që nuk kanë formim dhe edukatë atdhetare, apatrid mundet që të mohojnë Luftën Antifashiste NacionalÇlirimtare, gjakun dhe veprën e pavdekur të shqiptarëve, të dëshmorëve dhe të heronjve të lirisë dhe të pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë.”

Unë jam një pasardhës i brezit të lavdishëm të Luftës Antifashiste. Kam bërë thjesht detyrën si bir i një ish-partizani. Unë dhe shokët e mi do të mallkoheshim po të mos bënim një gjë kaq minimale.

Ky dekorim për mua është emocionues sepse kishte të bënte me një vlerësim për punën time si gazetar që prej vitesh kam shkruar pambarimisht në mbrojtje të vlerave të asaj lufte. Unë nuk kam qenë kurrë komunist. Edhe ata që bënë luftën nuk ishin të gjithë komunistë. Ata ishin atdhetarë dhe koha e ka vërtetuar se ata ishin idealistët më të mëdhenj. Por,më shumë se mua si gazetar, si individ, mendoj se merita më e madhe i takon gazetës ‘DITA’ e cila në afro gjashtë vjettë jetës së saj është bërë një gazetë e dashur për lexuesit, në mënyrë të veçantë për brezin e veteranëve të luftës. Personalisht mendoj se gazeta ‘DITA’ ka bërë një nga aktet e saj më të bukura duke shkruar për luftën antifashiste, duke marrë në mbrojtje atë luftë dhe ish-partizanët e saj, duke mbrojtur sakrificat e mëdha të këtij brezi idealistësh. Kjo gazetë ka denoncuar dhe ka mbajtur një qëndrim të prerë në mbrojtje të gjakut të dëshmorëve dhe të monumenteve të asaj lufte në një kohë që pinjollët e ish-bashkëpunëtorëve të nazi-fashistëve janë rikthyer në politikë dhe rrezikojnë seriozisht demokracinë dhe lirinë e këtij vendi. Prandaj ne kemi shkruar dhe botojmë në vijimësi shkrime për luftën, për ngjarjet e mëdha të saj, për betejat e lavdishme partizane, për dëshmorët dhe heronjtë e pavdekshëm të saj. Por kemi shkruar pa ngurrim dhe për ata që e udhëhoqën me mençuri dhe me trimëri atë luftë, si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Shefqet Peçi… Nga pinjollët ballisto-zogistëve këta konsiderohen kriminelë dhe nuk duhen përmendur, ose duhen përmendur vetëm për keq. E kini vënë re se si ndizen gjakrat sa herë vjen 5 maji, apo përvjetorët e çlirimit të Shqipërisë?

Mirëpo, përveçse këta ishin edhe udhëheqësit që bënë Luftën e madhe çlirimtare, ishin dhe udhëheqësit që u prinë transformimeve të mëdha që ndodhën në Shqipëri pas vitit 1944. Mirëpo periudha që ata udhëhoqën Shqipërinë sot anatemohet pambarimisht si një nga diktaturat më të egra në Europë. Gazeta ‘DITA’ ka pasur dhe ka kurajon të shkruajë pa komplekse edhe për këtë periudhë, për të evidentuar vlerat dhe arritjet, padyshim edhe gabimet dhe krimet që kanë ndodhur. Jo se nuk e dija këtë fakt, por dje u binda se veteranët e kanë gazetën “DITA” shumë të dashur. Ata më përmendën shpesh kryeredaktorin Adrian Thano, Bedri Islamin, Viktor Malajn, Arben Dukën, Moikom Zeqon, Erion Habilajn dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë të zellshëm të gazetës dhe që ata i përshëndesin me mirënjohje dhe dashuri.

Këtë meritë të gazetës ‘DITA’ dje e vunë në dukje si Kryetari Rustem Peçi, ashtu dhe sekretari i Përgjithshëm i Komitetit, Odhise Porodini, Admiral Zeqiri Mero, Dr. Arqile Veshi, Xhevat Lluri, Elidiana Canaj, por edhe kolegët gazetarë të “Kushtrim Brezash”, Gjikë Kurtiqi, Kristaq Laka e të tjerë.

Një rastësi e habitshme

50 vjet më parë, më 1968 unë isha 13 vjeç. Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës dhe ishte një gjendje e tensionuar. Rreziku i luftës përmendej shpesh. Unë isha komandant i çetës së pionierëve të shkollës së Hekalit të Mallakastrës, e cila edhe sot e kësaj dite mban emrin e Heroit të Popullit Dervish Hekali. Na mobilizuan edhe ne fëmijëve. Një ditë shkuam si shkollë te depot e rezervave të shtetit në Kash, mbi Ballsh për të mbartur rezervat e shpërndarë ato nëpër familje mallakastriote. Nga Tirana kishte ardhur për të mbikëqurur situatën Gjeneral Shefqet Peçi që në atë kohë ishte Ministër pa Portofol. E shoqëronte sekretari i parë i partisë të rrethit të Fierit, Petraq Magjistari. Aty e kam takuar për herë të parë Shefqet Peçin, i cili na përqafoi me shumë dashuri dhe na mbajti një fjalim që na mallëngjeu. Kemi bërë edhe një fotografi që e ruaj edhe sote kësaj dite si një kujtim të rrallë…

Krejt rastësisht, pa e ditur askush këtë fakt, i biri i Shefqet Peçit, Gjeneral Rustem Peçi, tani Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës, më bëri 50 vjet më pas një vlerësim emocionues.

Një problem dhe një apel

Dje unë u ngjita për të marrë këtë dekoratë në katin e gjashtë të godinës ku është e selia e Partisë Socialiste. E para gjë që më shkoi në mendje ishte një ndjenjë keqardhje për të gjithë pushtetarët që kanë ardhur në pushtet pas vitit 1990, sidomos për këta aktualët që një shumicë votash për të ardhur në pushtet i marrin pikërisht nga këta veteranë, bijtë dhe nipërit e tyre që jo vetëm janë të palëkundur në bindjet e tyre, por edhe besojnë se e majta shqiptare është një forcë progresiste dhe që mund të bëjë vërtetë punë të mira për Shqipërinë. Mirëpo keqardhja ka të bëjë me faktin se veteranët e Luftës ndihen të shpërfillur. Pse? Fare e thjeshtë. Mendoni se si ngjiten për ditë këta të moshuar 80 e 90 vjeçarë të ngjisin shkallët e gjashtë kateve. Nuk besoj se ka ndëshkim më të madh për ta. Aq të vështirë e paska qeveria të rregullojë një ashensor për ta? Aq e varfër është qeveria jonë për një shumë krejtësisht modeste?

Unë kisha vite pa u ngjitur deri tek zyrat e tyre. Dikur, aty kanë qenë zyrat e Komitetit të Rinisë së Tiranës, kur atë komitet e drejtonin Fatmir Xhafa, Pëllumb Hito, Drini Nushi, Ylli Backa e të tjerë. Edhe ata që në atë kohë ishin në lulen e rinisë së tyre, shpesh i ngjisnin me përtim gjithë ato shkallë. Mendoni se si ngjiten tani këta veteranë të moshuar! Nuk e mendoj se kjo bëhet me qëllim si një mallkim për ta, që ata të ikin sa më shpejt nga kjo botë. Është makabre ta mendosh këtë. Gjithsesi neglizhenca është e pafalshme. Premtime u janë bërë, por sikurse ndodh zakonisht me premtimet, ato janë hedhur prapa krahëve… Mirëpo çdo ditë që ikën bëhet vonë e më vonë për këta burra të nderuar.

Prandaj dhe dje, pavarësisht kënaqësisë që më dha vlerësimi që më bënë këta veteranë, në thellësi të qenies sime u ndjeva “fajtor” që i detyrova këta burra të nderuar të ngjisnin gjithë ato kate qoftë dhe një ditë të vetme për mua. Mund t’ua kisha kursyer atë ngjitje Zeqiri Meros e Rustem Peçit, Odise Porodinit dhe gjithë atyre burrave të nderuar para të cilëve të gjithë duhet të përulemi me nderim.

Zotërinj politikanë dhe pushtetarë! Mos u kujtoni për këta veteranë vetëm kur vijnë fushatat zgjedhore!


Ky Komitet i Veteranëve mban të ndezur prushin e një lufte të lavdishme në një kohë që neofashistët kanë ngritur veshët, madje kanë ardhur disa herë dhe në pushtet. Kujtoni vitin 1997!… Kujtoni 21 janarin e 2011-s! Gjithë synimi i këtij gjesti që veteranët bëjnë është që të ndalet vala e revanshizmit. Që lufta me fjalë që bëhet pambarimisht prej afro 30 vjetësh të mos përsëritet në formën e luftës me armë zjarri. Që të mos përjetojmë tragjedi të reja…

Dhe pikërisht për këtë mesazh të madh që na përcjellin çdo ditë, Veteranët e Luftës së Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare meritojnë nderimin dhe mirënjohjen tonë të pakufishme!

Këtë desha të thosha dje dhe sot për vlerësimin e madh që më bënë këta burra të mëdhenj të Kombit.


29 Maj 2018