Niko Engonopulos: Portretet e Skënderbeut

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

Në vitin 1991, në një Konferencë Ndërkombëtare të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore në Athinë, në kryeqytetin e Greqisë, nga biseda me një shkrimtar të njohur grek mësova se Niko Engonopulos, poet dhe piktor surrealist i shekullit të XX-të, i njohur si pionieri i surrealizmit në Greqi qe me origjinë shqiptare.

U interesova dhe gjeta me lehtësi, me ndihmën e mikut tim disa albume, madje edhe një libër me poezi të Niko Engonopulos.


Babai i Niko Engonopulos, Panajoti, qe me origjinë nga Hidra, qe vendosur më pas në Kostandinopojë. i jati i të ëmës, i quajtur Nikolla qe nga Himara.

E ëma, Enerieta nga Ishulli i Hidhrës, qe vajza e Penelopës, një nga të katërmbëdhjetë vajzat e Dhimitër Frederik Shmid, një gjerman që Mbreti Oton i Greqisë e mori si kryemjeshtër për botanikën e Kopshtit Mbretëror.

Enerieta, e ëma e Nikos, e kaloi vajzërinë e saj në lagjen poshtë Akropolit të Athinës, që në atë kohë popullohej nga banorët shqipfolës, ndaj dhe quhej lagjja Plaka, Pllaka e Sotme.

Niko Engonopulos mbasi mbaroi gjimnazin në Athinë shkoi në

Paris për të vazhduar studimet në një Lice të Arteve Figurative.

Nuk dihen shumë gjëra për fëmininë dhe rininë e tij.


Por Niko është përherë i vetëdijshëm për origjinën e tij shqiptare.


Në Kujtimet e tij, ndër të tjera Niko shënon: “Në rini, si një burim poetik për mua qe poeti Haxhi Shereti, oborrtar i Ali Pashë Tepelenës.

Kryeveprën e Haxhi Sherefit e zbulova rastësisht në një nga Bibliotekat e xhaxhait tim në Paris.

Kur i lexova mbeta pa gojë.

Libri quhet “Ali Pashiada”. Haxhi Sherefi e nis kryeveprën e tij poetike në këtë mënyrë:


Ëndërrat dhe shpirti më thërrasin, t’ju rrëfejë, t’ju them ca fjalë

Ndaj nisa që të shkruaj për secilin që është gjallë.


Mora penën dhe letrën se dëshira më vëlon

Zëmra ime ka dhimbje, shpirtin brënda ma kullon.


Ahere djalosh i ri, nëse e imagjononi, i ushqyer me parimet europiane të durimit, mua më bën një përshtypje të madhe këto vargje.

Dua të them, se në vitet e shkollës në Paris qe pikërisht kjo formë poetike që më shfaqte të vërtetën e përjetëshme.

Kur lexova “Ali Pashiadën” thashë se ky libër është Ars Poetica greke.

E largon dhe e përze logjikën e ftohtë, mbështetet edhe në mungesën e logjikës, na fton të zbulojmë Dashurinë dhe Fantastiken.

E ç’është logjika?

Sot jemi dhe nuk jemi.

E vetmja arësye është logjika që nesër nuk do të egzistojmë. “Dhe më errësohet bota dhe shpesh budallallepsem”, thotë Haxhi Shereti.

Të gjithë të tjerat janë paralogjizma.

Akuzojmë surrealizmin se nuk ka lidhje me jetën, se është i pakuyptueshëm.

Po jeta a është e kuptueshme?

A s’është dhe kjo një paralogjizëm.

Në një shënim tjetër Niko shkruan: “Të mëdhenjtë e mij: Solomon, Holderlin, Bodler, Haxhi Shereti, Malarme… dhe gjithë francezët që “ditën t’i japin Çastit Përjetësinë”, siç thoshte Gëte.

Të gjithë ata ma zbukuruan qiellin tim të natës dhe ma bënë natën ditë .

Surrealizmin e kisha përbrenda që kur linda.

Por, isha i lumtur që njoha artistët e mëdhenj surrealistë si Empirikon, De Kirikon dhe mësuesin tim Paul Klee”.

Ky rrëfim tregon formimin kulturor dhe artistik të Nikos.

Andrea Empiriko, gjithashtu surrealist qe miku i ngushtë i Niko Engonopulos.


Gjatë viteve të pushtimit nazist të Greqisë, më 1942-1943 Niko Engonopulos kishte në imagjinatën e tij dy figura heronjsh: Odise Andrucin dhe Simon Bolivarin.

Arvanitasi nga Hidhra Odise Andruci qe për Nikon një shëmbëlltyrë intime.

Së bashku me Simon Bolivarin heroin e Amerikës Latine përbënin një plotësim surrealist të njëri-tjetrit, si “figura zotëruese të historisë njerëzore”.

Andrea Empirikos qe dhe psikoanalist.

Ai kish njohur në Zyrih të Zvicrës, studenten e bukur shqiptare nga Përmeti, Bibika Zisi.

Miqësia e Nikos me familjen e Andrea Empirikos vazhdoi gjithë jetën.


Është meritë e mikut tim poetit dhe përkthyesit Dionis Qirizidhi i cili ka bërë një punë të shumanëshme zbulimtare dhe hulumtuese për figurën e Niko Engonopulos.

Ai ka përkthyer dhe poezitë surrealiste të Nikos në shqip. Përveç të tjerave ai na ka dhënë edhe të dhëna gati të pabesueshme që Niko kishte për Shqipërinë.

Nuk dihet nëse ka qënë ndonjëherë në Shqipëri realisht Niko Engonopulo.

Por si në një ëndërr surrealiste ai ka ndërtuar udhëtimet e tij imagjinare dhe të çuditshme, duke u fokusuar në qytetin e Elbasanit.

Ai ka shkruajtur vargje për Elbasanin si dhe përshkrime të mahnitëshme.

Niko shkruan:

“Atje në Elbasan

Shtëpitë janë të ndërtuara prej zjarreve,

Banorët jetojnë mes flakëve,


Ata digjen përherë

Për të rilindur përjetësisht

Nga hiri i tyre.


Sepse shqiptarët ,

Janë i njëjti popull

Me zogun Feniks.”


Ja dhe një fragment tjetër në prozë:

“- Çfarë ke që rri i heshtur që në mëngjez?

– Oh, asgjë. Po flisja me Homerin.

– Me Homerin? Poetin?

– Po, me Homer Poetin. Po dhe me një Homer tjetër nga Voskopoja, që jeton gjithë jetët e tij lart nëpër pemë, si zogjtë, që është i njohur nga fqinjët, që banojnë pranë liqenit. “


Ç’farë fantazie!

Për surrealistin Niko Homeri i Voskopojës jeton në pemët si zogjtë.

Gati e pabesueshme.


Ai përshkruan edhe sokakët e Elbasanit:

“Sokakët në Elbasan janë të paimagjinueshme, të ngushta.

Nga çdo anë ngrihen mure të zhveshura tepër të larta, që arrijnë afër qiellit.

Asnjë deriçkë nuk sheh syri gjëkundi të hapur”.


Proza onirike e Nikos për Elbasanin si dhe vargjet e tij bënë që Andrea Empiriko të shkruajë: ” Niko Engonopulos!

Shkëmb i ashpër i Elbasanit dhe dantella gjelbëroshe e Bosforit, të përshëndes shqiptarëshe, -me dorën time të djathtë përmbi zemër dhe pëllëmbën time të ngrohtë të shtrirë paralelisht në cilëndo tokë që shkel.

Shqiptaro-greku i famshëm!

Mrekullia e Elbasanit!”

Faktet e mësipërme të zbuluara nga Dionis Qirizidhi shprehin një pjesë të jetës krijuese të Nikos.

Në të vërtetë sapo u ktheva nga Athina më 1991 e mahnitur nga albumet dhe libri poetik i Nikos unë shkrova disa skica dhe përkshkrime për të por sidomos u ndala tek dy portretet e Gjergj Kastriot Skënderbeut të realizuara në pikturë nga Niko Engonopulos.

Nikoja është surrealisti i parë në Greqi.

Por në fakt në Greqi surrealizmi u prit në mënyrë skandaloze.

Shtypi e sulmoi ashpër.

Por, krijimtarinë e tij e përshëndeti Poeti i Madh Odisea Elitis.

Surrealizmi i Nikos mbështetej mbi figurat mitologjike dhe në interpretimin psikoanalitik të metamorfozës së patundme të qënies.


Në këtë aspekt ai shtjelloi edhe figurën e madhe të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Portreti i parë i Gjergj Kastriot Skënderbeut e paraqet Heroin Shqiptar në formën e një djaloshi të ri me përkrenare dhe përzmore dhe me dy mustaqe të mëdha të hapura anash, në formën e një Akili të ri.

Pra kemi kështu një figurë ku miti i Heroit Akil krijon sintezë me figurën historike të heroit shqiptar, Skënderbeut.

Ky portret është i kompozuar në mënyrë grafike dhe të kujton stilin ikonografik të gërshetuar me elementin surrealist të ngjyrave.

Portreti i dytë i Gjergj Kastriot Skënderbeut ka ngjashmëri por dhe ndryshime nga portreti i parë.

Edhe tek ky portret i dytë Skënderbeu jepet me një pamje të re, djaloshare, po me mustaqet e mëdha, me një përkrenare antike në kokë, në trup mban armaturën dhe në gjoks në formë hajmalie kokën e një Meduze.

Të dy portretet janë të stilit surrealist dhe quhen interpretime të imagjinatës krijuese të Niko Engonopulos.


Të dy portretet janë të famshme dhe ribotohen në të gjitha albumet e Nikos.

Por, në të vërtetë Niko ka bërë edhe portrete të tjera të luftëtarëve shqiptarë.

Kështu ai ka pikturuar sipas stilit të tij surrealist edhe portretin e një heroi tjetër të kombit shqiptar Mërkur Bua.

Këtij i ka kushtuar dhe një poezi shumë të bukur dhe të famshme.

Në bibliotekën time kam një album të një ekspozite të piktorëve surrealistë të bërë në Venedik dhe të quajtur “Aspetti del Surrealismo”.

Në këtë album janë dhe 78 tabllo surrealiste të Niko Engonopulos së bashku me punimet e piktorëve të mëdhenj Max Ernst, Hans Arp dhe Juan Miro.


Niko Engonopulos ka lënë kështu për ne shqiptarët dëshmitë e tij të dashurisë dhe të artit.

Këto janë dëshmi të mrekullueshme, dëshmi të pashlyeshme.


22 tetor 2018