Nevila Nika: Futja e marrëveshjes së detit me Ligjin e Luftës është e gabuar

Nga Wikibooks

Lindita Bushgjokaj

Historiania e njohur Nevila Nika, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, thekson se Ligji i Luftës nuk ka asgjë të përbashkët me marrëveshjen e detit me Greqinë. Në lidhje me arvanitasit, Nika mendon se, shteti shqiptar nuk ka bërë aq sa duhet për këtë komunitet

Një amendament i propozuar pardje në Parlamentin Evropian nga grupi i eurodeputetëve të ekstremit të djathtë grek dhe qipriot, për hetimin e vrasjes së ekstremistit Katsifas në Bularat, tregon se Greqia na e mban thikën në shpinë. Problemet në marrëdhëniet shqiptaro-greke janë të hershme. Për të zbuluar rrënjët e konfliktit dhe pikat ku mund të bashkëpunohet mes dy vendeve, ndoshta duhet të kthehemi pas në histori dhe të vijmë në ditëtë tona, ku nuk kanë ndryshuar shumë gjëra. Politika e jashtme e Greqisë, shpesh herë nuk është treguar transparente dhe bashkëpunuese me Shqipërinë, për çështje tepër të rëndësishme dhe delikate. E tillë është marrëveshja e detit midis dy vendeve. Ndërkaq, Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të realizojë një politikë për mbrojtjen e minoritetit shqiptar dhe arvanitasve në Greqi. Kjo çështje është ngritur shpesh herë nëpër konferenca dhe simpoziume, por në asnjë rast, nuk është ndërmarrë ndonjë inventivë nga ana e shtetit shqiptar. Ky fakt duket edhe tek mungesa e bashkëpunimit të shtetit tonë me arvanitasit në Greqi. Në rast se me komunitetin arbëresh në Itali, Shqipëria, ka bashkëpunim kulturor, me atë arvanitas, këto kontakte, pothuajse mungojnë. Natyrisht këtu ka pjesën e vet edhe politika diskriminuese e shtetit grek, por kjo nuk justifikon që shteti shqiptar të mos paraqesë ndonjë program apo projekt, për afrimin e këtij komuniteti të rëndësishëm me Shqipërinë. Këtë fakt e ngre edhe historiania Nevila Nika. Në intervistën dhënë për gazetën “Shekulli”, Znj. Nika, kritikon neglizhencën e politikës shqiptar ndaj komunitetit arvanitas dhe minoritetit shqiptar në Greqi.

Intervista e plotë:

Znj. Nika, si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale shqiptaro-greke?

Për aq sa e ndjek problematikën e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, gjykoj se nuk janë ashtu si do të duhej të ishin. Jemi dy popuj fqinj tejet të lashtë në këtë pjesë të kontinentit evropian, që quhet gadishulli Ballkanik, dhe si të tillë kemi jashtëzakonisht shumë gjëra të përbashkëta. Në këto kushte do të ishte shumë normale dhe besoj dhe e dëshiruar nga të dy popujt tanë që marrëdhëniet të ishin edhe më të mira në interes të dy palëve.

Vrasja e disa shqiptarëve në Greqi, këto ditët e fundit, është një mesazh për vrasjen e Katcifas në Bularat?

Vrasjet e disa shqiptarëve të ndodhura këto ditët e fundit në Greqi janë ngjarje shumë të rënda, por është mirë të hetohen nga ana e organeve përgjegjëse greke me profesionalizëm e paanshmëri, për të mos i lënë shteg hamendësimeve të gabuara nga të dyja palët. Në se janë mesazhe për ngjarjen e Bularatit apo janë të lidhura me të tjera problematika, mbetet të gjykojmë vetëm në përfundim të hetimeve.

Si e shikoni politikën e jashtme të Greqisë kundrejt Shqipërisë? A ka lëvizje nga qëndrimi i saj tradicional ndaj Shqipërisë?

Nuk ka asgjë për tu habitur kur vërejmë se lëvizje politike nga të dyja krahët, që ndoshta për publikun e gjerë ngjajnë të pakuptimta, por që duhet ta pranojmë se politika është një lojë e vazhdueshme, shpesh herë edhe me mjete jo të ndershme, për të arritur një objektiv të caktuar. E pra, edhe lëvizjet e politikës greke ndaj vendit tonë kanë njohur ulje e ngritje, periudha të qeta e të turbullta, akuza e kundër akuza të ndërsjella, por gjithsesi gjithnjë është gjetur një rrugë në rrafshin politik për të tejkaluar keqkuptimet apo kundërshtitë.

Greqia e akuzon shpesh herë Shqipërinë, për mos respektim të të drejtave të minoriteteve? A jeni dakord me këtë konstatim?

Që Athina zyrtare bën herë pas here akuza ndaj Tiranës zyrtare, për kinse mosrespektim të pakicës greke në Shqipëri, kjo është një histori e vjetër. Akuza të tilla nuk kanë munguar të vijnë nga Athina të paktën qysh nga viti 1920. Qeveritë shqiptare të para vitit 1944 dhe sidomos pas vitit 1991 janë ndeshur pothuaj vazhdimisht me këtë kërkesë e ankimim nga ana e palës greke. Gjykoj se është një pretendim i ngritur prej tyre për të frenuar apo thënë ndryshe për t’i dalë “të keqes” përpara, për shkak të mosrespektimit nga ana e tyre të të drejtave të arvanitasve dhe popullsisë shqiptare të krahinës së Çamërisë. Gjithsesi edhe në se ka ndonjë problem në këtë drejtim, mendoj se fare bukur mund të zgjidhet me mirëkuptim e rast mbas rasti, bazuar në ligjet e shtetit shqiptar dhe jo të kalohet. menjëherë në përgjithësime, të cilat natyrisht kanë ngjyrime të theksuara politike.

A mos po bën gabim qeveria që po e fut në një paketë Ligjin e Luftës dhe marrëveshjen e detit?

Përfshirja në Marrëveshjen për kufirin detar midis dy vendeve e të famshmit Ligjit të Luftës kam mendimin se është e gabuar, pasi të krijohet përshtypja se, “ mbasi kemi përfunduar luftën e armatosur???!!!, mundet të ulemi në tavolinë për të vendosur kushtet e Paqes”, duke nënkuptuar pra, edhe kufijtë midis nesh. Nuk di në se Greqia ka ende në fuqi një Ligj të Luftës me Republikën Italiane. Gjatë Luftës se Dytë Botërore, ish Italia fashiste, asokohe monarki, me perandor Vitorio Emanuelin e III, pushtoi Shqipërinë ushtarakisht dhe realizoi bashkimin e kurorës mbretërore të Monarkisë shqiptare me atë italiane. Pra, për rrjedhojë të gjitha veprimet e ndërmarra nga Roma përfshinin automatikisht të gjitha vendet e pushtuara prej trupave italiane. Sulmin ndaj Greqisë, pra nisjen e Luftës italo-greke, e nisi Italia fashiste e jo Shqipëria e pushtuar, pra mbajtja në fuqi e këtij ligji është një nonsens juridik e historik.

Në çfarë situate është komuniteti arvanitas në Greqi?

Kam përshtypjen se për komunitetin arvanitas që jeton në Greqi shteti shqiptar nuk është se ka treguar ndonjë interes të veçantë. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet, si p.sh. mospranimi nga ana e Athinës zyrtare të ekzistencës së këtij komuniteti apo pakice kombëtare, apo indiferencës së Tiranës zyrtare, por cilat do qofshin ato, nuk kemi asnjë justifikim për interesimin e vakët nga ana e jonë. E kundërta ka ndodhur me komunitetin e arbëresheve të Italisë, për të cilët nuk ka munguar asnjëherë vëmendja e shtetit amë.

Kemi parë që edhe studiuesit dhe qeveria nuk kanë kontakte me arvanitasit, nuk kemi parë ndonjë takim publik? Pse?

Gjykoj se kontaktet publike me arvanitasit tashmë është e vështirë të ringjallen. Arsyeja është e thjeshtë, mungesa e mbështetjes e lejimit nga ana e institucioneve shtetërore greke, sidomos për shkollimin në gjuhën amtare dhe mungesa e kontakteve të vazhdueshme me shtetin amë, ka bërë që sot vetëm të moshuarit të flasin ende gjuhën amtare dhe të ruajnë zakonet e traditat e të parëve të tyre.

Historia tregon, që pas revolucionit grek shqiptaret u asimiluan në Greqi. Si e parashikoni të ardhmen e shqiptarëve në Greqi?

Jo nuk është e vërtetë. Arvanitasit janë ende edhe sot të pranishëm në Greqi, edhe pse në numër më të pakët për shkak të emigrimit apo edhe të mos deklarimit për shkaqe politike apo personale, se i përkasin kësaj pakice kombëtare. Mjafton t’ju kujtoj këtu artisten e madhe Irene Papas, në mos gabohem mbiemri i saj i familjes është Lejleku, në takimin e parë me aktorin tjetër të madh Bekim Fehmiu përpara fillimit të xhirimeve të filmit “Ulisi”, u prezantua si arvanitase duke i folur rrjedhshëm shqip. Numri i madh i shqiptarëve që kanë emigruar për shkaqe ekonomike në Greqi, mendoj se i ka dhënë deri diku një farë ndihmesë mbijetesës së komunitetit arvanitas.

Në lidhje me marrëveshjen e detit, pse qeveria shqiptare nuk po tregohet transparente?

Mungesa e transparencës për çështje të tilla që kanë të bëjnë me interesin kombëtar shkakton paqartësi dhe jep shkas për hamendesime jo gjithnjë të këndshme, shkakton turbullime në opinionin publik vendas, por edhe të huaj.


1 dhjetor 2018