Nesër është një ditë më pak (Baladë)

Nga Wikibooks

Nesër është një ditë më pak


Përvjetorët e ditëlindjes,

më trishtojnë- ç’është e vërteta,

se tok me vitin që ikën,

fiket një qiri nga jeta!



Se tani nuk na ngroh më,

zjarri shpuzë i djalërisë,

dhe jeta rrugën ka marrë,

në shtigjet e pleqërisë!



Jo se je një plak i rënë,

kur je pesëdhjetë e tetë,

po tani rruga e mbetur,

është e gjitha tatëpjetë!



Ne e dimë se gjithë jeta,

ka një trend e ka një cak,

nesër është një ditë më shumë,

po është dhe një ditë më pak!



Shpesh mbyll sytë dhe e shikoj,

të gjithë jetën si një ëndërr,

pastaj rri edhe mendoj,

si s’u lodh e shkreta zëmër?!



Ç’ka kaluar-ka kaluar,

pa kuptuar e stuhishëm,

na mbetet për t’u jetuar,

vetëm çasti i tanishëm!



Ç’ka kaluar-është tretur,

ç’kemi para nuk e dimë,

nga gjithë jeta na ka mbetur,

sekonda që marrim frymë!



Dhe fill pas kësaj sekonde,

vjen një tjetër që na falet,

neve jetojmë akoma,

thjesht’ se zemra s’do të ndalet!



Dhe Zoti kur bëri Tokën,

thellë në çdo detaj u ndal,

i vuri sipas meritës,

kë në llum e kë në mal!



Tani punët janë vulosur,

dhe ndryshime më nuk priten,

shqiponjat do fluturojnë,

dhe zhapinjtë do zvarriten!



Tani punët janë vulosur,

tjetër formulë s’mund të gjendet,

rendi do vazhdojë siç është,

kurrë s’do ndryshojnë vendet!



Tani punët janë vulosur,

asgjë nuk mund të ndryshojë,

kurrë s’do shohim përmbi male,

një zhapik të fluturojë!



Kontradikta kryesore,

nuk ka gjasa që të tretet,

mes zhapikut dhe shqiponjës,

e përjetshme do të mbetet!



Dhe këto antagonizma,

janë bërë ligje të natyrës,

njëlloj si luftë e pafund,

mes të keqes dhe të mirës!



Zoti e krijoi çdo gjë,

që nga njeriu të dihej,

po të mos ishte e keqja,

e mira si do të njihej?!



Zoti na tregoi gënjeshtrën,

të kuptonim të vërtetën,

në fund na dënoi me vdekje,

që të vlerësonim jetën!



Zoti në fillim s’e kishte,

në mend fikjen e qiriut,

e bëri për të dënuar,

egoizmin e njeriut!



Dhe pse kishte robër Zoti,

askujt jeta nuk iu fal,

po dhe pas këtij ndëshkimi,

egoizmi nuk u ndal!



Më mirë Zoti mos na ndizte,

fare dritën e qiriut,

kafsha-kafshës nuk ja bën,

ç’i bën njeriu-njeriut!



Për çdo ditë edhe më shumë,

fort kanë gjëmuar kambanat,

po mbi Botën e mallkuar,

s’kanë mbaruar kasaphanat!



Po njëlloj si vetes sime,

gjithë Botës i qaj hallin,

se duket që ndënë fre,

Zoti ende s’e ka djallin!



Lexova librin e jetës,

po libri aspak s’më bindi,

mirë ne që na bëri Zoti,

po djall-ziun kush e lindi?!



Në terrin e errësirës,

do ketë lindur djall’ i zi,

si një sfidë kundër së mirës,

po pse iu dha kaq fuqi?!



Pse ashtu e pse kështu,

do të pyesin për jetë,

por e di dhe unë dhe ju,

se Jeta është e vërtetë.


30 Maj, 2016

Arben Duka