Jump to content

Nehemia - Kapitulli 8

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< NEHEMIA >
Kapitulli 8
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13


1 Atëherë tërë populli u mblodh si një njeri i vetëm në sheshin që ishte përpara portës së Ujërave; i thanë pastaj shkruesit Ezdra të sillte librin e ligjit të Moisiut, që Zoti i kishte dhënë Izraelit.

2 Ditën e parë të muajit të shtatë, prifti Ezdra solli ligjin para asamblesë së burrave, të grave dhe të gjithë atyre që ishin të aftë të kuptonin.

3 Pastaj e lexoi në sheshin që ndodhet përpara portës së Ujërave, nga agimi deri në mesditë përpara burrave, grave dhe atyre që ishin të aftë të kuptonin; dhe veshët e të gjithë popullit ndiqnin me vëmendje librin e ligjit.

4 Shkruesi Ezdra qëndronte mbi një tribunë prej druri që kishin bërë për këtë rast. Pranë tij ishin në të djathtë Matithiahu, Shema, Ananiahu, Uria, Hilkiahu dhe Maasejahu; në të majtë Pedajahu, Mishaeli, Malkijahu, Hashumi, Hashbadana, Zakaria dhe Meshulami.

5 Ezdra e hapi librin në prani të të gjithë popullit, sepse rrinte më lart se tërë populli; sa e hapi, tërë populli u ngrit në këmbë.

6 Ezdra bekoi Zotin, Perëndinë i madh, dhe tërë populli u përgjigj: "Amen, amen", duke ngritur duart; pastaj u përkulën dhe ranë përmbys me fytyrë për tokë përpara Zotit.

7 Jeshua, Bani, Sherebiahu, Jamini, Akubi, Shabethai, Hodijahu, Maasejahu, Kelita, Azaria, Jozabadi, Hanani, Pelajahu dhe Levitët e ndihmonin popullin të kuptonte ligjin, ndërsa populli rrinte në këmbë në vendin e tij.

8 Ata lexonin në librin e ligjit të Perëndisë në mënyrë të qartë, duke shpjeguar domethënien e tij, me qëllim që të kuptonin atë që lexohej.

9 Nehemia, që ishte qeveritari, Ezdra, prift dhe shkrues, dhe Levitët që e mësonin popullin i thanë tërë popullit: "Kjo ditë i shenjtërohet Zotit, Perëndisë tuaj; mos mbani zi dhe mos qani!". Tërë populli

10 Pastaj Nehemia u tha atyre: "Shkoni, hani, ushqime shumë të shijshme dhe pini verëra të ëmbla, dhe u çoni racione atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, sepse kjo ditë i është shenjtëruar Zotit tonë. Mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj".

11 Levitët e mbanin në heshtje tërë popullin, duke thënë: "Heshtni, sepse kjo ditë është e shenjtë. Mos u trishtoni!".

12 Atëherë tërë populli shkoi të hajë, të pijë, t'u dërgojë racione të varfërve dhe të kremtojë me hare të madhe, sepse ata i kishin kuptuar fjalët që u ishin shpjeguar.

13 Ditën e dytë, krerët e shtëpive atërore të të gjithë popullit, priftërinjtë dhe Levitët u mblodhën pranë Ezdras, shkruesit, për të dëgjuar fjalët e ligjit.

14 Gjetën të shkruar në ligj që Zoti kishte urdhëruar me anë të Moisiut që bijtë e Izraelit duhet të banonin në kasolle gjatë festës së muajit të shtatë,

15 dhe në të gjitha qytetet e tyre dhe në Jeruzalem duhet të përhapnin dhe të shpallnin një njoftim në të cilin të thuhej: "Shkoni në mal dhe sillni andej degë ulliri, degë ullastre, degë mërsine, degë palme dhe degë me gjethe të dendura, për të bërë kasolle, siç është shkruar".

16 Atëherë populli shkoi jashtë dhe solli degët, dhe i ndërtoi kasollet, kush mbi çatinë e shtëpisë së tij, kush në oborrin e tij, të tjerë në oborret e shtëpisë së Perëndisë, në sheshin e portës të Ujërave dhe në sheshin e portës së Efraimit.

17 Kështu tërë asambleja e atyre që ishin kthyer nga robëria ndërtoi kasolle dhe banoi në to. Nga koha e Jozueut, birit të Nunit, e deri në atë ditë, bijtë e Izraelit nuk kishin bërë asgjë të tillë. Dhe qe një gëzim shumë i madh.

18 Ezdra lexoi librin e ligjit të Perëndisë çdo ditë, nga dita e parë deri në ditën e fundit. E kremtuan festën shtatë ditë; ditën e tetë pati një asamble solemne, siç e kërkon ligji.