Ne, kavie të ndërkombëtarëve

Nga Wikibooks

Ylli Çabiri*

Partnerët Ndërkombëtarë, duket se fillimisht nuk e kishin të qartë as vetë, se si duhej bërë kthesa (ndryshimi i sistemit). Nuk e kishin kaluar ndonjëherë këtë rrugë. Ata mendonin vetëm disa gjëra të përgjithshme, për të cilat ishin të sigurtë: shkatërrimin total të sistemit të mëparshëm dhe ngritjen e Demokracisë mbi gërmadhat e tij, krijimin e partive politike, zgjedhjet e lira e të ndershme, median e lirë, ekonominë e tregut, duke liberalizuar çmimet dhe tregtinë, apo duke filluar privatizimet etj., pra duke ndërmarrë reforma ekonomike të shpejta.

Sistemi i mëparshëm trajtohej prej tyre si një kufomë e degraduar, që mund të përhapte kolerë. Për ta komunizmi dhe komunistët ishin një ethe e tmerrshme. Ne (përfshirë ministrat) nganjëherë na shihnin si kavje të mjera ish-komuniste, të infektuara nga viruse të pashërueshme, që mezi kishim pritur që ata ta rrëzonin murin dhe të na e bënin dhuratë lirinë.

Shkurt, Partnerët Ndërkombëtarë në atë kohë po përpiqeshin të na mësonin më shumë si të urrenim sistemin e mëparshëm, sesa si të donim e të ndërtonim demokracinë. Por a duhej vepruar kështu me ne?

Njerëzit kanë nevojë të duan dhe të urrejnë. Aq sa të duan edhe të urrejnë. Prishja e këtij ekuilibri prish arsyen dhe sjell të këqija, konflikte, humbje.

Mendoj se njerëzit tanë e duan demokracinë dhe e urrejnë komunizmin. Por me një ekuilibër të brendshëm. Askush nuk duhet të shajë një sistem, më shumë se duhet, sado i keq, sepse prishen ekuilibrat, shoqëria humbet toruan dhe nuk di ç’të bëjë. Rreth gjysma e popullsisë së sotme të Gjermanisë kanë marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore përkrah Hitlerit. Diskutimi me zë të lartë kundër fashizmit, pashmangshëm do t’u jepte përshtypjen se je kundër tyre apo prindërve të tyre, edhe pse ti mund të jesh antifashist i “tërbuar”.

Më kujtohet biseda “hyrëse” me Ministrin gjerman Riedel:

Kam qenë pilot i një avioni bombardues luftarak – më tha. – Kam bombarduar Moskën në fund të Luftës së Dytë Botërore. (Përse e filloi kështu? – mendova.)

– Sa vjeç ishit? – e pyeta me kërshëri. Njëzet vjeç- m’u përgjigj gjithë kënaqësi.

– Njëzet vjeç dhe ju besuan të pilotoni një avion të tillë? Ai u ndje shumë më komod se në fillim dhe hoqi kokoren e pilotit për të mos humbur asnjë fjalë.

Nuk dallova ndonjë lloj pendimi në mënyrën sesi e tregoi këtë fakt. Madje dallova njëfarë krenarie tek ai. M’u duk se ai nuk ma tha rastësisht këtë “njollë” të biografisë së tij të jashtëzakonshme. E kishte ndarë mendjen të ma thoshte që në fillim këtë gjë. Si për të më testuar. Por jo në sensin e “biografisë së keqe”, siç ishim mësuar të arsyetonim ne.

Mendoj se, si masa e dashurisë edhe ajo e urrejtjes janë individuale për qenien njerëzore, së cilës nuk i pëlqen t’i ndërhysh në këtë çështje “private”. Nëse ndërhyn, ti rrezikon të kundërtën e asaj që ke për qëllim të arrish, sepse i prish balancat e “privatësisë” individuale.

Gjykoj se kjo ka ndodhur me shoqërinë shqiptare në tranzicion. U fol shumë kundër komunizmit dhe kundër sistemit të mëparshëm, duke i tejkaluar edhe caqet e urrejtjes së arsyeshme. Shqiptarët u fajësuan kaq shumë për këtë sistem, sa u duk sikur ata vetë e kishin shpikur atë dhe jo Marksi, jo Rusia, jo “të mëdhenjtë”.

Kjo filloi të japë efekt të kundërt: në sondazhet e disa viteve të pas-ndryshimeve politike, një pjesë e madhe e shqiptarëve u shprehën se, kishin jetuar më mirë në sistemin e mëparshëm sesa në demokraci!

Nuk e quaj të vërtetë këtë përgjigje, ajo është thjesht rrjedhojë e prishjes së ekuilibrit personal urrejtje – dashuri. Disa njerëz në sistemin e mëparshëm kanë vuajtur më shumë se të tjerët. Kjo i bën ata të urrejnë më shumë se të tjerët. Është krejtësisht normale që ndodh kështu. Shoqëria duhet të jetë përgjegjëse që t’ua lehtësojë dhimbjen. Por kjo nuk do të thotë aspak se gjithkush duhet të urrejë njëlloj si ata. Madje as ata vetë nuk urrejnë njëlloj.

Si pardesytë e bardha të kohës, tashmë të dala boje, edhe dy gishtat, shprehnin një sasi dashurie dhe urrejtjeje uniforme dhe nuk respektonin dashurinë dhe urrejtjen intime të secilit. Më vjen të them se kjo ishte një urrejtje e shtirur….

Kjo shpjegon edhe pse disa njerëz, që nuk kanë pasur asnjë lidhje interesi apo shpirtërore me sistemin komunist, nuk i bashkohen urrejtjes së madhe kundër këtij sistemi. Jo pse e konsiderojnë sistemin “të mirë”. Por sepse e vështrojnë urrejtjen çështje personale.

Feja zakonisht ka shërbyer si rregullator midis urrejtjes dhe dashurisë. Kam dëgjuar dikur Papa Vojtilën të na fliste butë–butë në Vatikan, sikur të ishte ai fajtori që ne kishim kaluar kalvarin komunist.

Në mitingun e madh në përmbyllje të një greve të pakuptimtë me bllokime rrugësh të punëtorëve të Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, oratorët, përfshirë zotin ambasador Rajerson, flisnin për shkatërrime makinerish dhe repartesh, sepse ato ishin ndërtuar nga “komunistët”. (Rajersoni ishte Ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipërinë pas – komuniste. Fliste shqip. Një shqipe të rëndë, ishte pa roje dhe vinte në takim në mes të vapës me biçikletë. Nuk dukej si diplomat.)

Përballë tribunës së improvizuar tek shkallët e Drejtorisë Qendrore, shihja me kërshëri fytyrat e atyre që deri dje, kishin qenë në të njëjtin turn me mua në Uzinën Mekanike të Kombinatit. Pikasja pasiguri, trishtim në sytë tyre, edhe njëfarë frike përsa dëgjonin. Ndienim keqardhje për shkatërrimin e këtij kombinati që e kishim ngritur bulon pas buloni me duart tona.

Jam i bindur se sot shumë prej tyre ndihen shumë më mirë se në sistemin e mëparshëm. Por ata “duan” dhe “urrejnë” sipas “masës” që caktojne vetë. E pse duhet të dhunojmë ekuilibrat e tyre?

Në fund të fundit përse udhëheqësi ish-komunist, ish – …i një partie kishte të drejtë të konvertohej në demokrat dhe disa duhet të vazhdonin të etiketoheshin “komunistë të thekur”, kur s’ishin të tillë?

Sekretari amerikan i shtetit Bejker erdhi në Tiranë në muajin korrik 1991. Iu bë një pritje e jashtëzakonshme. Kur “rrudhëm buzët” për ndihmën prej 3 milionë dollarë që kishte sjellë nga SHBA-ja, ai tha prerë: “Ne jua kemi dhënë ndihmën tonë të madhe. Ju sollëm Demokracinë. Tani u takon të tjerëve t’ju ushqejnë!”

Gjithkush mendoi se kjo nuk ishte arrogancë e më të fuqishmit të botës, por shumë – shumë, këshilla e më të madhit për ne hiçët.

Megjithatë këmbëngulëm që çekun 3 milion të mos ia përmendte turmës në mitingun ku do të fliste, sepse pritshmëria ishte të paktën 1000 herë më e madhe….madje për çek borë të bardhë….

Rajersoni e thoshte hapur, edhe në mitingje elektorale: Duhet ta nxirrni komunizmin nga vetja. Dhe ne e kërkonim komunizmin brenda vetes, por nuk e dallonim. O zot, ç’hiqnim në sistemin e mëparshëm kur na thuhej: Thellohuni, thellohuni, kjo autokritikë nuk është e mjaftueshme. Sado të thelloheshim, (aq sa të rrezikonim mbytjen), në vesh na mbetej refreni thellohuni!

Më ka lënë shenjë në kujtesë urrejtja e ambasadorit Rajerson për Komunizmin. Jo vetëm për sistemin, sepse kjo ishte normale dhe përputhej me ç’mendonim ne që e kishim jetuar në lëkurë sistemin, por për komunistët si njerëz, që nuk besoj se i kishte njohur drejtpërdrejt ndonjëherë.

Ai shprehej duke klithur: Komunistët janë kafshë, qenër, gjarpërinj, tigra, gomerë, të pabesë, vrasës gjakftohtë, pa moral. Në fakt unë që pata punuar i rrethuar nga komunistët, fatmirësisht nuk pata njohur ndonjë komunist të tillë, sepse mund të kisha përfunduar keq: i kafshuar, i pickuar, imoral etj. Çfarë fati!

Po si ta nxjerrim nga vetja?– vazhdoja ta pyesja gjysmë me shaka, duke përfituar nga rasti, se ai e dinte që unë s’kisha pasur asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me komunizmin. Duke votuar për demokratët – ma priste shkurt dhe merrte frymë thellë i çliruar. – Por demokratët janë ish-komunistë fanatikë – guxoja të vazhdoja bisedën.

Ai heshte dhe mendohej. Siç duket ky rebus e ngatërronte. Pastaj shtonte zë-thatë: -Zoti Çabiri, ju jeni të destinuar të luftoni komunizmin brenda jush, sepse sistemi ka qenë kaq i tmerrshëm, saqë më të diturit janë vetëm ish – komunistët! Ç’rebus i ngatërruar! Domethënë: vetëm ish – komunistët mund të na shpëtojnë nga Komunizmi! Më dukej se as vetë ai nuk i besonte këto që thoshte, por bënte detyrën dhe e bënte shumë mirë.

I bëja shumë pyetje Rajersonit. Si ta kisha profesorin tim dhe për disa prej tyre s’merrja përgjigje, s’më përgjigjej dot. -Je demokrat i madh ti zoti Çabiri – u vinte kapak bisedave kur “ngecte” – Sepse shumë gjëra i sheh dhe i kupton, por nuk flet kurrë për to.

Në kushtet kur as Banka Botërore dhe as Komuniteti Europian nuk e dinin se në ç’shteg duhej kaluar për të ndërtuar ekonominë e tregut mbi rrënojat e sistemit të mëparshëm, ata për shumë vite e përjashtonim rëndësinë e madhe të Reformës së qeverisjes. Për të nuk flitej fare dhe në asnjë dokument nuk shkruhej domosdoshmëria e një reforme të tillë.

Aq e vërtetë është kjo, saqë nga analiza e ndihmës së Partnerëve Ndërkombëtarë në ato vite mund të kuptohet qartë ky “eksperimentim”: Nga sistemi i kaluar u trashëguan disa ndërmarrje ekonomike gjysmë të shkatërruara dhe jo konkurruese. Banka Botërore mbështeti me disa miliona dollarë një Strukturë që krijoi për ristrukturimin e këtyre ndërmarrjeve që t’i përgatiste për privatizim. Vlerësohej që ristrukturimi duhej bërë i pari dhe më pas privatizimi.

U shpenzuan mjaft para dhe kohë për këtë punë dhe efiçenca e financimit rezultoi të ishte pothuajse zero. Pala shqiptare nga ana e saj, nuk kishte fonde nga buxheti që të kontribuonte për ristrukturimin. Papritur doli teoria: Privatizim më parë dhe më pas ristrukturim, me avantazhin e padiskutueshëm se financimin e ristrukturimit në këtë rast e bënte privati vetë. Këtë gjetje e mbështetën të gjithë, përfshirë edhe partizanët e teorisë ristrukturim në fillim e më pas privatizim.

Në vitin 1998, për herë të parë që prej vitit 1991, termi Reformë Institucionale zë vend në një raport të Bankës Botërore, madje vend kryesor. Kapitulli i parë i Raportit flet për Reformën e qeverisjes dhe përcaktimin e rolit të shtetit, pikërisht për atë që duhej bërë që në vitin 1991, si edhe tregon rrugët se si mund të trajtohen dobësitë e qeverisjes.

Kjo lidhet sigurisht me gjendjen e krijuar pas 1997, vitit shkatërrimtar të Piramidave, kur qeverisja e keqe u përcaktua nga të huajt si shkaku kryesor. Reforma ligjore dhe reforma e Gjyqësorit cilësohen gjithashtu si Reforma të domosdoshme (për Reformën e Gjyqësorit qenka folur 20 vjet më parë!). Por si shpjegohet atëherë që për çdo Reformë, ne kishim të shkruar e të miratuar një strategji afatmesne, kurse për Reformën e Gjyqësorit jo? Asgjë.

Pasi flitet për Reformën institucionale, në këtë raport kalohet në analiza ekonomike e sociale, gjë që tregon edhe një evoluim të mendimit të Bankës Botërore për reformat e tranzicionit ekonomik e politik dhe për gjendjen konkrete në Shqipëri. Prandaj në raport theksohet se në Shqipëri Institucionet shfaqin dy dobësi kryesore: (i) Mungesën e llogaridhënies; dhe (ii) Kapacitete shumë të dobëta institucionale. Kjo është hera e parë që në një raport të Bankës Botërore flitet me këtë gjuhë për kapacitetet qeverisëse në Shqipëri.

Shumica e shqiptarëve shihnin që qeverisja nuk u përgjigjej nevojave të tyre dhe nuk jepte llogari për veprimet që bënte. Mbetej sfidë e madhe ngritja e një shteti transparent e të përgjegjshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të qeverisur mirë vendin.


  • Ish-ministër në Qeverinë e Stabiltetit. Marrë nga libri “Shqipëria mund të bëhet”


22 Gusht 2018